“ZOGU I ZI” DHE KORBI I ZI
Nga Gjon NDREJA
Çështja “Zogu i zi” tashmë ka pushtuar gjithë opinionin tone shoqëror, mediat e shkruara dhe ato vizive, politikën, analistët dhe opinionistët e të gjitha ngjyrave, taksixhinjët, shoferët e autobusit urban, të papunët tek “ushtari i panjohur”, ata që janë shkurtuar nga administrata publike dhe ato që presin të shkurtohen ose të rezistojnë, OJF, tregtarët e vegjël tek “çamët”, biznesmenët etj. Ajo po merr përmasat e një beteje për jete a vdekje midis Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranes. Aq e vërtete është kjo sa këto ditë kur po merrja pjesë në një ceremoni mortore ne një qytet periferik të vendit tonë , pas ngushëllimeve të rastit çështja u zhvendos në të ashtuquajturën “zogu i zi”.
Zogjtë dhe simbolet
Duke menduar dhe bërë analizat e mia për konfliktin e ditës, fillova të mendoj për etimologjinë e toponimit “Zogu i zi” dhe më erdhi në mendje se populli ynë si dhe popujt e tjerë i kanë përdorur zogjtë dhe shpendët në përgjithësi si simbole të parathënieve të mëdha. Nuk jam shumë i sigurtë se përse hyrja e Tiranes është emërtuar “Zogu i zi” por me sa kam dëgjuar dhe lexuar ky emër është një pagëzim popullor dhe lidhet me ekzistencën e një shtëpie publike në këtë vend në kohën e pushtimit fashist. Më tej në fjalorin e popullit tonë edhe shpendë të tjerë janë përdorur për të simbolizuar dukuri apo fenomene të tjera. Kështu dallëndyshja është zogu shtegtar që paralajmëron ardhjen e pranverës ashtu si edhe qyqja është një zog tjetër që konfirmon ardhjen e saj. Zgalemi, nga detarët e të gjitha vendeve njihet si lajmëtari i furtunës, pasi dendësimi i fluturimeve te tij i bën me dije detaret që së shpejti në zonën e tyre të lundrimit fillon furtuna. Por ka edhe një shpend tjetër që populli e ka personifikuar si lajmëtar i së keqes dhe që është korbi, një shpend grabitqar me ngjyrë të zezë të thellë, që ushqehet kryesisht me kërma dhe që paralajmëron vdekje. Korbi njihet si shpendi që nuk kujdeset për zogjtë e vet të cilët shpërndahen andej këtej pa ditur asgjë për fatin e njëri tjetrit. Është njohur shprehja “janë shpërndare si zogjtë e korbit”. Ka edhe shpendë-simbole të tjera që nuk po i përmendim hollësisht, si bylbyli, shqiponja etj. të cilat nuk kanë interes për temën e këtij shkrimi.
Nënkalimi dhe ndalimi
Objekti që lidhet me emrin “zogu i zi” që disa e quajnë “nënkalim” dhe disa “mbikalim” është një objekt që synon lehtësimin e trafikut për hyrjen e daljen nga Tirana, me një vlere të konsiderueshme e financuar nga Bashkia e Tiranes. Kjo e fundit mbështetur në buxhetin e saj dhe grandet e qeverisë ka kryer proçedurat administrative për tenderimin e fondeve përkatëse të cilat janë finalizuar me lidhjen e një kontrate midis Bashkisë Tiranë dhe sipërmarrësve të ndërtimit. Policia Ndërtimore e Tiranës e mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Ndërtimore dhe më tej nga ministria e transporteve dhe Këshilli i Ministrave kanë pezulluar punimet me arsyetimin se ka parregullsi serioze si p.sh. nuk ka leje ndërtimi, nuk është derdhur taksa prej 1 përqind e vleftës se punimeve në Bashki (për këtë është akuzuar kryebashkiaku se kjo shumë ka shkuar në xhepat e tij) nuk është bërë oponenca teknike etj. Kryeministri kur u prononcua për këtë çështje para disa kohësh tha se do të kërkonte opinionin e institucioneve të pavarura duke lënë të kuptohej se edhe vetë nuk ishte i bindur në këtë akt të policisë ndërtimore dhe një arsyetim i tillë u duk krejt normal për gjithë opinionin si një sinjal se kryeministri ishte jashtë këtij skenari. Kur opinionet e institucioneve të pavarura si KLSH dhe Avokati i Popullit nuk vonuan të afishohen në favor të Bashkisë së Tiranës dhe i kërkuan Qeverisë që të lejonte zhbllokimin e punimeve nuk pati asnjë dyshim se jo vetëm që çështja u zgjidh por edhe se Kryeministri do të mbante një qëndrim për kostot e shkaktuara. Ne këtë kuadër u viktimizua provizorisht edhe drejtori i policisë ndërtimore të Tiranes dhe çështja u duk sikur u zgjidh në favor të Bashkisë. Por shpejt qeveria hodhi në treg se çështja e mbikalim/nënkalimit të Zogut të Zi duhej t'i nënshtrohej një ekspertize të “pavarur” duhej të mblidhej KKRT të shqyrtonte proçedurat, etj.
Korbi i zi
Duke analizuar çështjen e “Zogut të Zi” dhe gjithë dukuritë që po e shoqërojnë atë, druaj se ajo po shndërrohet në një çështje të “Korbit të zi” që siç e thamë paralajmëron të keqen. Dhe cilat janë disa nga “krakërimat” e korbit? 1. Qeveria nuk ka besim tek institucionet e pavarura si KLSH dhe Avokati i popullit të cilat u shprehën me gjithë kompetencën e duhur ligjore dhe ekspertizën profesionale se nuk ka asnjë pengesë për vazhdimin e punimeve dhe i bënë thirrje Qeverisë të zhbllokojë situatën. Sinqerisht jam entuziazmuar me konkluzionet e këtyre institucioneve jo për faktin se ishin në favor të Bashkisë së Tiranes por për faktin se ishte një demonstrim i pavarësisë së tyre për të cilat kemi kaq shumë nevojë. 2. Këshilli i Ministrave nxori një akt normativ me fuqinë e ligjës i cili i jepte të drejtë prefektit që është përfaqësuesi i qeverisë qendrore të kryejë funksione të qeverisjes lokale të cilat me ligj të veçantë janë caktuar shprehimisht Kryetarit të Bashkisë. Ky është akti më i paprecedent për një qeverisje demokratike dhe nuk ka te krahasuar me asnjë model qeverisje. 3. Policia ndërtimore e mbështetur nga Qeveria qendrore ka pezulluar ekzekutimin e një kontrate të lidhur midis Bashkise Tiranë dhe firmave ndërtuese veprim i cili nga pikëpamja e të drejtës civile është një absurd. Për shkelje të rregullave dhe proçedurave mund të përdoren sanksione kundër subjekteve në fjalë por kurrsesi pezullimi i kontratës së lidhur midis palëve. Kostot e këtij veprimi janë jashtëzakonisht të mëdha dhe do të rëndojnë drejtpërdrejt taksapaguesit shqiptare. Por krakërimat e “korbit te zi” nuk lidhen vetëm me nënkalim/mbikalimin apo me rrugët e Tiranes sepse kjo do të ishte e keqja më e vogël. Korbi i zi ka filluar të krakërijë për shume çështje të tjera. Kështu ka shumë kohë që po sulmohen institucionet e pavarura: Presidenti tashmë është vënë në shënjestër dhe po i bëhet presion me të gjitha mjetet deri edhe me “prerjen e rrogës”, megjithatë qëndrimi i tij është për t'u admiruar. Ministri i Brendshëm i deklaruar si dora e fortë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit rezulton se ka fituar një mandat, i mbështetur pikërisht nga kriminelet të një rrjeti ndërkombëtar (gjashtë syresh tashmë janë në pranga falë bashkëpunimit të prokurorisë me institucionet ndërkombëtare); arkitekte dhe instrumente të verbra të vitit të mbrapshtë 1997 deri tani në ekzil, po rikthehen në jetën politike si “të ndershëm”, “trima dhe të përkushtuar”. Prokuroria është bërë poligoni i preferuar i spikeres së parlamentit e cila nuk e di për se merr poza pushteti kur nuk ka asnjë pushtet, ndërkohë që qeveria kërkon me të gjitha mënyrat t'a vejë këtë organ nën kontrollin e saj.
Inkursionet e Ramës
I ndodhur në një situate tepër të vështirë dhe pa rrugëdalje, kryebashkiaku Rama ka ndërmarrë një “inkursion” për t'a prezantuar këtë çështje në institucionet ndërkombëtare veçanërisht në Këshillin e Europës. Unë njëlloj sikur të kem qenë prezent, e ndjej se çfarë befasie ka shkaktuar prezantimi i Ramës në këto organizma. E them këtë për faktin se organizmat ndërkombëtare janë thellësisht të ndjeshme ndaj pavarësisë së pushtetit vendor. Më ka qëlluar rasti të vizitoj këtë vit Bashkinë e Roterdamit në Hollandë dhe duke u nisur nga përvoja shqiptare (Zogu i zi akoma nuk ishte në evidencë) i drejtova një pyetje mikpritësit se cilat ishin raportet me qeverinë qendrore, fjala ishte për raportet e pushtetit. Përgjigja e tij e cila kishte brenda humor por gjithë përmbajtjen e raporteve të këtyre dy pushteteve ishte: “kam shume miq në qeverinë qendrore” dhe pasi ne qeshëm të gjithë sa ishim ai vazhdoi të shpjegonte se asnjë lloj ndikimi në vendimmarrjet e qeverisjes vendore nuk mund të kishte nga qeverisja qendrore. E vetmja pikë takimi ishin grantet për të cilat qeveria qendrore kujdesesh që ato të shkojnë në destinacion pa ndërhyrë në menaxhimin e tyre. E pra, qeveria shqiptare ka ratifikuar me ligj të parlamentit, Kartën e Autonomisë Vendore sipas nenit 8 të së cilës asnjë lloj veprimtarie e qeverisë qendrore nuk mund të ushtrohet mbi qeverisjen vendore, përjashtuar një kontroll administrativ mbi ato çështje që qeverisja qendrore i ka deleguar shprehimisht qeverisjes vendore. Unë dua të besoj se këshilltarët e qeverisë nuk i njohin kërkesat e këtij ligji, përndryshe më mbetet të besoj se kjo është një tjetër krakërimë e korbit te zi.
|