MIRDITA, VIZIONI I MUNGUAR I SË ARDHMES!
Refleksion 
Gjurmët e tranzicionit…Pak a shumë e njëjta pamje si e zonave të tjera të Shqipërisë Verilindore. Shpërngulje të shumta të banorëve nga kreshtat e maleve për në vendet fushore, rrethinat e qyteteve bregdetare si Lezha, Durrësi etj. Popullsia e rrethit ka zbritur nga 55 mijë banorë në vitin 1990 në afro 37 mijë banorë. Ndoshta kjo furi do të ndalet (dhe lëvizjet do të jenë në hullinë e tyre të natyrshme) kur qeveritarët, kryetarët lokalë, intelektualët do të mendojnë më seriozisht për këtë vend. Kur të gjithë së bashku do të ndërtojmë një vizion të ri, të plotë, për të ardhmen. Jo pa qëllim përdora fjalën “ndërtojmë”, por se tashmë nuk mund të shkohet përpara me sllogane të tipit: “po punojmë…po përpiqemi…po përballemi me vështërsitë…..për të ardhmen.”
Jo, vizioni i ndërtuar nënkupton: STRATEGJI të mirëfilltë zhvillimi, PROJEKTE të guximshme, INVESTIME afatgjata e mbi të gjitha një PSIKOLOGJI tjetër SOCIALE. Rruga Durrës-Prishtinë shihet dhe si një mundësi progresi në zonat malore që përshkon. Por nuk mund të jesh entuziast kur Ujësjellësi i shumëpërfolur i Bargjanës ngec e ç'ngec prej 15 vjetësh, kur rrugë rurale shtrojmë e prapë rrugë nuk kemi…as deri në qendrat e komunave. Infrastruktura rrugore është padyshim “thembra e Akilit”. Shumë shkolla të reja, qendra shëndetsore kanë mbetur gjysmëshkret, pasi mësuesit, mjekët e të tjerë profesionistë nuk mund të hargjojnë energji boshe duke udhëtuar si në “prehistori”! Duam të besojmë. Po si? Kur e vetmja rrugë e nisur për t'u asfaltuar (ajo Rrëshen-Perlat) për 3-4 vjet ka mbërritur si ka mbërritur vetëm deri në Prosek (!?) Se nuk ka planifikim, nuk gjenden fondet, zgjaten proçedurat e tenderimit. Burokracia shtetërore, me një emër tjetër (shumë të lakuar) është gjallë, kur është fjala për t'iu hapur rrugë ideve apo projekteve që sjellin zhvillim. Një psikologji e mbrapshtë e përfitimit të paligjshëm zotëron ende gjithandej; e gërshetuar me atë të përfitimit politik, elektoral te kategoria e atyre që e kanë për “zemër” pushtetin.
…Kështu luginat e bukura të Fanit të Madh dhe Fanit të Vogël, shkretohen përditë në sytë tanë; Bukmira e një vreshtarie me traditë po vjen duke degraduar; Kroi i Bardhë i ujit kurativ e vlerave turistike mbetet e mbetet në vetminë e bjeshkëve dhe pse pushuesit e lakmojnë së tepërmi. Po kështu edhe perla turistike si Lura, apo Nënshejti.
Sigurisht që ka patur investime të natyrave të ndryshme këto kohë, sidomos në Rrëshen e në Rubik, nga buxheti i shtetit apo donatorë të huaj, por investimet në thelb nuk i janë përmbajtur një STRATEGJIE apo PROJEKTI MADHOR ZHVILLIMI.
Ndoshta lipset një këshill të “urtësh” i bashkive dhe komunave (një organizëm këshillues a kordinues në bazë rrethi) që të ndihmojë në hartimin e një projekti zhvillimi për gjithë zonën e Mirditës. Ky këshill do të vlente dhe për nisma të tjera, si ato kulturore qoftë dhe për të akorduar titullin “Nderi i Mirditës” etj.
Të gjithë e pranojmë që Mirdita i ka resurset, madje të lakmueshme, nën-tokë e mbitokë, por thuajse azgjë konkrete nuk bëhet për përdorimin a shfrytëzimin e tyre, veçse ua “recitojmë” qeveritarëve apo të huajve me njëfarë mburrjeje, po pa iu vënë përpara projekte. Edhe më parë ne iu paraqisnim të tjerëve pasaportën tonë të identitetit etnokulturor: besë, nder, burrëri e trimëri. Por as atëherë e aq më tepër tani nuk është e mjaftë të kapemi prej degësh…
Të ndërtojmë vizionin e së ardhmes! E pranojmë se mungon, por ende përgjegjësitë nuk merren përsipër. Në radhë të parë nga nivelet e pushtetit (pozitë e opozitë) që me formula e sllogane “për të bërë për komunitetin” kanë ardhur në pushtet ose përpiqen të vijnë.
RRËSHEN 29.04.2004 NDUE DEDAJ. |