Rruga e vetme që shpie drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës, ka vetëm një emër- VETËVENDOSJE!
Shkruan:Sejdi Veseli
Edhe gjashtë vjet pas përfundimit të luftës së përgjakshme e cila na u imponua për ta bërë, shumica absolute e popullit të Kosovës po bashkpërjeton dhembjet e shumta të Atëmëmëdheut, të kapluar nga një krizë e thellë dhe e gjithanshme. Kosova ishte kapluar në një krizë të rëndë që kur ishte pushtuar nga Serbia. Por, kjo krizë u thellua nga plagët që iu shkaktuan asaj, nga terrori shtetëror serbo-çetnik dhe makineria gjenocidale e tij, për çka edhe u detyrua t'i rrokë armët për t'u mbrojtur dhe çliruar. Kriza kosovare vazhdon të thellohet edhe me fajin e atyre, të cilët përkundër hileve në vazhdimësi që u kishin bërë shqiptarëve në të kaluarën, pas përfundimit të luftës u pritën miqësisht nga populli shqiptar, me njërën dorë në zemër dhe me tjetrën me buqetë lulesh, të gatshme për t'ua dhuruar.Populli shqiptar, pas krejt atyre dhembjeve dhe sakatosjeve që përjetoj nga pushtuesi serbo-çetnik dhe luftës heroike që bëri për t'u çliruar prej tij, shpresonte se më në fund nga Bashkësia Ndërkombëtare do të ndihmohej pa hile dhe së paku në dy drejtime. Së pari për eliminimin sa më të shpejtë të pasojave të luftës të sapo përfunduar dhe së dyti, se do të ndihmohej në ndërtimin e një shoqërie vërtetë demokratike, natyrisht në përputhje të plotë me vullnetin e popullit, të shprehur me verdiktin e përcaktimit të tij të lirshëm, në një referendum gjithë popullor. Shqiptarët shpresonin së koti, se ajo çka përjetuan para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare, do të kishte zgjuar ndërgjegjen e saj njerëzore dhe diplomatike, sidomos të Evropës njerkë dhe shpirtkatile ndaj tyre. Andaj edhe shpresonin, se më në fund Bashkësia ndërkombëtare do t'i korrigjojë padrejtësitë e rënda që u kishte bërë shqiptarëve për më shumë se një shekull, duke u falur fqinjëve grabitqar, më shumë se gjysmën e të mëmëdheut të tyre. Në këtë etapë të historisë, Bashkësia ndërkombëtare e kishte shansin e vetëm dhe të fundit për të reflektuar drejt, mirë dhe përfundimisht. Por kjo nuk ndodhi, në raport vetëm me shqiptarët ajo vazhdon të sillet sipas mendësisë politike të kohës së Konferencës së Paqes (1919-1920). Siç dihet në kohën kur në këtë konferencë u miratuan pretendimet territoriale të Jugosllavisë dhe Greqisë, ndaj tërësisë teritoriale të Shqipërisë, por jo edhe kërkesat e delegacionit shqiptar për rishikimin e kufijve, me qëllim të përfshirjes brenda shtetit shqiptar të territoreve që ishin shkëputur dhunshëm më 1878 dhe 1913. Si pasojë e kësaj mendësie të mykur politike, sot, gjashtë vjet pas përfundimit të luftës heroike çlirimtare, të cilën u detyruan ta bëjnë shqiptarët nën Flamurin e Famëmadhes Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në aleancë ma forcën më të madhe të kohës-NATO-n, mund të konstatohet edhe pse me keqardhje, se jo vetëm nuk është zgjidhur statusi përfundimtar i Kosovës, por ajo vazhdon të lëshohet rrokapjekthi drejt një gjendjeje me pasoja të paparashikueshme. Megjithatë duhet konstatuar, se nëse e fajësojmë vetëm Bashkësinë ndërkombëtare, do të ishim larg realitetit, sepse fajtori kryesor për këtë gjendje shumë të rëndë në të cilën vegjeton Kosova, është faktori politik shqiptar. Gabimet e qëllimshme dhe në vazhdimësi të kastës të dështakëve politik vendor, fillimisht të vetëmandatuar dhe më vonë të mandatuar nga vota e popullit të manipuluar, sot Kosova gjendet në pozicionin e padefinuar politik. Cilësimi i gabimeve të shumicës së “përfaqësuesve” politik të Kosovës si të qëllimshme, nga lexuesi i këtij shkrimi nuk do të duhej të kuptohej si diçka joreale. Tanimë dihet botërisht, se të gjitha lëshimet të cilat i bënë në vazhdimësi, ishin pasojë e mosgatishmërisë së shumicës së këtyre “përfaqësuesve” të pakurrizorë për të rezistuar me vendosmëri, siç u ka hije përfaqësuesve të një populli të etshëm për liri, ndaj presioneve që bëheshin nga qarqe të caktuara ndërkombëtare, sidomos nga ata për të cilat dihej se ishin miq tradicional të sllavo-grekëve në përgjithësi dhe të serbëve në veçanti. Sot, po këta pakurrizor paraqiten para popullit, secili më “patriot” se tjetri, pa u skuqur fare, se pabesitë e tyre kanë dalur sheshazi dhe të lakuriqësuara. Siç duket, këta “zotëri” të eksituar në seancat e shpeshta me padronët e tyre ndërkombëtar, për fatkeqësinë e tyre nuk janë në gjendje të kuptojnë, se besimi që kishte populli ndaj tyre ka filluar të venitet. Kjo është një e vërtetë e pakontestueshme! Më në fund, populli ka filluar ta kuptojë për së mbari: -se lëshimet e njëpasnjëshme të “përfaqësuesve” të korruptuar politik kosovar, ndaj kërkesave të qarqeve të ndryshme ndërkombëtare, përkundër faktit se dyshohej me bazë se këto kërkesa ishin të Beogradit zyrtar, siç po dëshmohet përditë, ato plagosën rënd të drejtat legjitime të popullit shumicë të Kosovës, pra të shqiptarëve, të cilët e popullojnë me shumicë këtë truall etnik të tyre, që prej kohës së pellazgo-ilirëve e deri në ditët e sotme dhe, me siguri do ta popullojnë për derisa të ketë njerëz mbi tokë! -se këta “zotëri” edhe në të ardhmen, ashtu si edhe në të kaluarën, për hir të mbrojtjes së interesave të tyre meskine, nuk do të bëjnë as edhe përpjekjet më të vogla për të ngulur këmbë në mbrojtje të kërkesave legjitime të popullit shqiptar, për të jetuar i lirë dhe për të konsumuar të drejtën universale për të vetëvendosur lirshëm të ardhmen e tij. E drejtë kjo e garantuar me dokumentet ndërkombëtare, si me ato të aprovuara nga OKB, ashtu dhe me ato të aprovuara nga BE dhe OSBE. -se të ashtuquajturat IPVQ, përkundër faktit se janë konstruktuar dhe ndërtuar në bazë të verdiktit të votës së qytetarëve të Kosovës, nuk janë duke vepruar në funksion të realizimit të objektivave programore, të përpiluara dhe të planëzuara në përputhje me kërkesat e popullit. -se të ashtuquajturat IPVQ të Kosovës, janë sajuar vetëm për të zbatuar detyrat që u parashtrohen nga Protektori dhe stafi i tij unmikistanez. Ato ishin, janë dhe mbeten leva në duart e UNMIK-ut, të vendosura për t'i shërbyer atij, për përmbushjen e objektivave strategjike deri në ditët e sotme në dëm të interesave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, të politikave të disa çarqeve ndërkombëtare, të dëshmuara si mike tradicionale të pansllavizmit dhe si mbrojtëse të politikës hegjemoniste të tij në Ballkan;
-se përmbushja e kërkesave të minoritetit serb është brenga kryesore e këtyre zotërinjve, pa u mërzitur fare se shkalla e cënimit të drejtave njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar i cili e përbën 90 % të banorëve të Kosovës, si pasoj e përmbushjes së këtyre kërkesave, në shumicën e rasteve gjason me kohën e pushtimit serbomadh! Zhvillimet e kohëve të fundit në Kosovë dhe përreth saj, janë këto dëshmi shumë të qarta, se si pasojë e gabimeve të qëllimta dhe në vazhdimësi të këtyre dështakëve shqipfolës, ju ka dhënë mundësia dreqit dhe të birit për të ushqyer tryezën e pazarllëqeve, të po atyre qarqeve të cilat në të kaluarën, pa mëshirën më të vogël e gjymtuan Truallin etnik shqiptar, duke i shkëputur 4 pjesë të mëdha nga tërsia e tij, për t'ua dhuruar dobiçëve të tyre sllavo-grek. Në këtë shkrim do ta veçoja vetëm njërin prej tyre. Ky është zoti Dag Bendou, një bashkëpunëtor i Institutit “Katon”, nga Washingtoni. Duhet theksuar, se ky zotëri ishte edhe Këshilltar special i ish Presidentit amerikan Ronald Regan. Edhe ky zotëri i vendosur për të marrë diçka nga kulaçi i nxehtë i Kosovës, sidomos këto ditë kur pritet të konkretizohet procedura për zgjidhjen e statusit final të saj. Kështu që me 05 gusht 2005, para mikrofonave të WOA-emisioni në gjuhen serbe edhe z.Bendou iu krijua hapësirë për të publikuar receta, se si duhet të zgjidhet statusi final i Kosovës. Ky zotëri propozon që Kosovës duhet t'i njihet pavarësia, por jo në tërë tërësinë territoriale të saj, ngase sipas këtij eksperti “demokrat” dhe të “paanshëm”, pjesët e banuara me shumicë serbe (lexo: enklavat serbe të krijuara menjëherë pas luftës me ndihmën e KFOR-it dhe të UNMIK-ut, të cilat në bazë të projekteve të sajesës servile të Unmikistanit të ashtuquajturës Qeveria e Kosovës, mëtojnë të legalizohen me procesin e decentralizimit...), duhet të mbeten pjesë e Serbisë! Ky deklarim i zotit Bendou u publikua në të përditshmen kosovare “Lajm ekskluzive” të dt. 06 gusht 2005, në faqen 2, si dhe nga Agjencia serbe e lajmeve Beta, po në këtë datë. Duke lexuar përmbajtjen e këtij deklarimi, pa u lëshuar në një analizë të thellë, të imponohen dy nga përfundimet e mundshme: -se ky ekspert amerikan është njëri nga të indoktrinuarit nga propaganda antishqiptare e hegjemonistëve serbomëdhenj; -se ky ekspert amerikan, për ndonjë arsye të njohur për te, e paska marrë rolin e njërit nga zëdhënësit e Lobit serb në Amerikë. Kjo vërehet qartë nga brumi i deklarimit të tij, i cili është në përputhje të plotë me brumin e elaborateve antishqiptare, të përpiluara nga ASSHA* dhe Kreu i KOS** dhe të miratuara e zbatuara nga politika e hegjemonistëve serbomëdhenj të Beogradit zyrtar. * Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve; **Kisha Ortodokse Serbe. Deklarimi i këtij eksperti amerikan para mikrofonave të WOA-emisioni në serbisht: “...se zgjidhja e problemit të Kosovës, do të jetë në natyrën e kompromisit..”. lakuriqëson një rrezik shumë serioz i cili i kanoset të ardhmes së Kosovës. Ja se pse? Dihet botërisht se “qeveritarët” kosovar, me veprimet e tyre të përditshme (sipas instruksioneve të unmikistanezve, natyrisht të përpiluara nga Beogradi zyrtar), në shërbim të zgjidhjes së “drejtë” të statusit përfundimtar të Kosovës, po japin dëshmi të mjaftueshme, se edhe janë kah përpiqen për një formë të zgjidhjes, ngjashëm me atë që deklaron z.Bendou. Në bisedimet “shqiptaro”-serbe për zgjidhjen e statusit final, për çka përpiqen “qeveritarët” e Kosovës, hegjemonistët serbomëdhenj të Beogradit dhe rezidentët e tyre ( në krye të enklavave serbe), me siguri do të parashtrojnë kërkesën e tyre maksimale, të modifikuar si “më pak se pavarësi dhe më shumë se autonomi”, ndërsa, siç edhe dihet, pala kosovare do të parashtrojë kërkesën minimale - për pavarësinë e Kosovës. Vlerësimi i kërkesës të cilën do ta parashtrojë pala kosovare, si minimale është i qëndrueshëm, ngase ajo është në shpërputhje të plotë me aspiratën reale të popullit. Dihet botërisht, se aspirata reale e popullit shqiptar, është ribashkimi me vëllezërit e tij, në një shtet të vetëm kombëtar. Gjithashtu, dihet botërisht se populli shqiptar, është kundër negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, sidomos me Serbinë. Ai është i vendosur që të shfrytëzojë të drejtën e tij për vetëvendosje! Siç edhe dihet, për të arritur deri te zgjidhja e një kontesti në mes të dy palëve, domosdoshmërisht dhe pashmangshëm të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Gjithashtu dihet, se arritja e kompromisit nënkupton, zbutje e kërkesave të parashtruara nga të dyja palët në fillim të bisedimeve. Me siguri pala serbe do t'i paraprij palës kosovare, duke pranuar si zgjidhje kompromisi pavarësinë e Kosovës, por me kusht që enklavat, vendet e shenjta dhe kulturore “serbe”, të mbeten nën juridiksionin serbijan. Kështu që pala kosovare do të gjendet në pozitë të vështirë, ngase çdo kompromis nga ana e saj, nënkupton mbetjen e Kosovës nën tutelën e Serbisë. Atëherë “qeveritarët” e Kosovës do ta kuptojnë, se kundërshtimet e shprehura publikisht, veçanërisht në grafitet e Lëvizës-Vetëvendosje nuk paskan qenë prishje e rendit dhe punë për SHPK, por një paralajmërim i asaj çfarë do të përjetojë Kosova, në negociatat eventuale me Serbinë për zgjidhjen e statusit final të saj. Por, atëherë do të jetë shumë vonë për ta, ndërsa pasojat do të jenë të paparashikueshme.Përballë këtij rreziku shumë serioz, para popullit tonë imponohen detyra shumë emergjente:
-Të organizohet sa nuk është bërë vonë, për të punuar me përkushtim për realizimin një objektivi të vetëm-Vetëvendosjen!
-T'i thotë shkurt, qartë dhe shqip, si miqve ashtu dhe armiqve, se RRUGA E VETME QË SHPIE DREJT ZGJIDHJËS PËRFUNDIMTARE TË STATUSIT TË KOSOVËS, LUGINËS SË PRESHEVËS, LUGINËS SË VARDARIT, MALËSISË SË MADHE DHE ÇAMËRISË, KA VETËM NJË EMËR – VETËVENDOSJE! -T'i thotë mjaft (a)politikës aktuale, si asaj në pozitë, ashtu dha asaj në opozitë e cila e ka futur Kosovën në rrugë të pa krye dhe me plotë rreziqe për të ardhmen e saj!
-Të ndërmarrë veprimet përkatëse demokratike, konkrete dhe efikase, deri në realizimin e të drejtës së tij legjitime për Vetëvendosje!
Sot është momenti i fundit për ndërmarrjen e veprimeve konkrete, të vendosura, demokratike dhe të organizuara drejt e mirë, për t'u liruar përfundimisht nga të gjithë ata të cilët kanë dhënë dëshmi të mjaftuara, se jo vetëm nuk kanë aftësi, por as gatishmëri për t'i pri popullit tonë drejt realizimit të aspiratës së tij të ligjshme, për të jetuar i lirë dhe dinjitoz në Truallin e vetë amtar, por, çka është edhe më keq, për hir të interesave të tyre të sëmura karrieriste dhe klanore, janë duke e rikthyer Kosovën në prehrin e Serbisë! Thënë shkurt e shqip, nëse nuk organizohemi për t'u liruar nga kjo farë jona e keqe, do ta përjetojmë shumë shpejt reprizën e Mbledhjes famëkeqe të Prizrenit, por tani me pasoja shumë më të rënda dhe vështirë të riparueshme!
Me 16 gusht 2005, Prishtinë |