Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Përderisa nuk lirohemi nga ëndrrat...

TEMAT

 Bota pas 11 shtatorit

Rezistenca ndaj komunizmit

 Kosova, rreziku i ricoptimit

 Antikatedralistët

 Joseph Oroshi

 Sejdi Veseli

 Diaspora në pasqyrë

 Rikthimi nostalgjik

Miti i përçarjes

Bota, problemet, sfidat

 Kosova, bisedimet e Vienës 

 Hosana shpëtimtar 

 

 

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Përderisa nuk lirohemi nga ëndrrat, nuk do t'i shohim faktet!

Shkruan: Sejdi VESELI

Sjelljet e derisotme të unmikistanezëve dhe të disa qarqeve të njohura ndërkombëtare karshi jetësimit të të drejtave elementare të popullit të Kosovës, për të vetëvendosur për të sotmen dhe të ardhmen, sipas përcaktimeve të tij të lira, lakuriqësojnë një të vërtetë të hidhur. Se qarqe me peshë të bashkësisë ndërkombëtare, si duket janë të vendosura, që për “zgjidhjen” përfundimtare të statusit të Kosovës, të mos e marrin për bazë vullnetin e ligjshëm të popullit të saj shumicë, por, si dhe në të kaluarën, do të veprojnë sipas direktivave të Kreut serbomadh të Beogradit zyrtar. Se këto qarqe të instaluara në Kosovë, në kuadër të pushtetit kolonialist të quajtur UNMIK, në kuadër të ushtrisë kolonialiste të quajtur KFOR dhe nëpër përfaqësi të ndryshme të organizmave tjerë të OKB-së dhe të Bashkësisë Evropiane, në përputhje me interesat e tyre dhe të Serbisë, edhe kësaj radhe, ashtu si në të kaluarën, po ndërmarrin veprime diskriminuese ndaj të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar, pa u skuqur fare, se me veprimet e tyre antishqiptare po shkelin me paturpësi dokumentet e OKB-së, si p.sh. Rezolutat nr. 637/1952 dhe 2625/1970, të cilat garantojnë këto të drejta universale për të gjithë popujt. Se të ashtuquajturat Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse dhe liderët tanë politik, si ata të pozitës, ashtu dhe shumica e tyre në opozitë, të dhënë pas interesave meskine individuale dhe klanore, ishin dhe mbeten asgjë tjetër, pos figura të thjeshta shahu, me të cilat eksperimentojnë lojtarë të huaj prepotent dhe hileqar, të vendosur që edhe kjo lojë e tyre në këtë etapë të historisë, të përfundoj në dëm të Kosovës. Ka shumë argumente të cilat i bëjnë të qëndrueshme konstatimet e mëparme, si p.sh.: Arsyetimet e këtyre shërbëtorëve të kolonialistëve të rinj, se gjoja si pasojë e mungesës së kompetencave, nuk po mund të ecet më shpejt drejt realizimit të premtimeve që i bënë popullit, paraluftës, gjatë luftës dhe sidomos pas përfundimit të saj, se do ta shpiejnë drejt jetësimit të shpejtë dhe të sigurt të aspiratave të tij të drejta, për të jetuar i lirë dhe me dinjitet në Atëmëmëdheun e tij. Vërtetë, sjelljet e derisotme të kolonizatorëve unmikistanezë karshi të ashtuquajturave Institucione të Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, nuk mund të konsiderohen ndryshe, pos arbitrare. Por, përderisa deri më sot, nga ana e drejtuesve të këtyre IPVQ-ve, nuk është kundërshtuar me vendosmëri, as edhe një veprim arbitrar i kolonizatorëve unmikistanez, pra as aplikimi i të ashtuquajturës “Kornizë Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë”, këto arsyetime të këtyre “drejtuesve” të Kosovës, nuk mund të konsiderohen tjetër, pos fjalomani, thjesht pos demagogji në shërbim të mashtrimit të popullit, në shkallën e dëshirueshme për ta. Në realitet, vetë sjelljet e këtyre drejtuesve “besnik” të popullit, në këto gjashtë vjetët e fundit dhe, në veçanti në raport me këtë farë “Kornize kushtetuese”, në realitet, me këtë urdhëresë administrative unmikistaneze, janë dëshmia më e mirë, se konstatimi i mësipërm qëndron mbi argumente të pakontestueshme. Duhet konstatuar, se kjo urdhëresë administrative unmikistaneze gjoja u kundërshtua fillimisht nga këta “drejtues besnik” të popullit. Por si zakonisht, me siguri sipas skenarit paraprak, disa telefonata dhe mesazhe nga “miqtë” e jashtëm të popullit shqiptar, e bënë efektin e tyre. Ky “kundërshtim” i tyre i “prerë” u zëvendësua me një miratim! Brenda 2-3 ditësh, këta zotërinj i harruan premtimet që ia kishin bërë popullit dhe jo vetëm se “Jo”-në e tyre të “prerë” ndaj kësaj kornize e shndërruan në po, por edhe u dëshmuan në vepër se janë të gatshëm edhe ta zbatojnë me përpikmëri. Kështu që, sipas rregullave të saj edhe dolën në katër parë zgjedhje, dy nacionale dhe dy komunale! Pak fjalë për të ashtuquajturën “Kornizë Kushtetuese” E ashtuquajtura “Kornizë Kushtetuese”, e hartuar në frymën e Rregullores 2001/9, është dekretuar me 15 maj 2001, nga ish monarku i unmikistanit, Hans Haekkerup, pa u diskutuar paraprakisht në popull dhe pa u aprovuar nga përfaqësuesit e zgjedhur të tij. Andaj, në të vërtetë, një dokument i këtillë nuk është gjë tjetër, pos një urdhëresë administrative e një absolutisti në krye të një pushteti okupues! Thënë, shul e shqip, edhe veprimet e unmikistanezëve për t'i imponuar Kosovës këtë farë “Korrnize kushtetuese”, ngjasojnë me shumëçka me sjelljet e pushtetit okupues serbijan, në fund të dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, ndërsa sjelljet e “përfaqësuesëve” të popullit ishin dhe mbeten shumë nën nivelin e delegatëve shqiptar të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës. Nuk është e domosdoshme për të qenë ekspert konstitucionalist për të kuptuar të vërtetën e pamohueshme, se po të ishte ky dokument një akt kushtetues, ai do të përjashtonte çdo mundësi, që zyrtarët e UNMIK-ut të silleshin siç po sillen edhe me të ashtuquajturat IPVQ, edhe pse gjoja të ngritura në bazë të votës së popullit, të cilat i pengojnë në vazhdimësi, që t'i konsumojnë edhe ato pakë “kompetenca” të cilat u “garantohen” me këtë dokument “kushtetues”. Në fakt kjo Kornizë kushtetuese është edhe një mjet mashtrues për t'i bindur shqiptarët se gjithçka është rregulluar në formë institucionale. Në realitet kjo është një ëndërr, prej të cilës duhet të lirohemi sa më parë, nëse duam ta mësojmë realitetin dhe të zgjedhim mjetet përkatëse për ndryshimin në të mirë të tij. Po të ishte kjo farë kornize, vërtetë kushtetuese, të gjithë ata të cilët do të dështonin gjatë jetësimit të saj në vepër, do t'u nënshtroheshin përgjegjësive, pa dallim, si vendorët, ashtu dhe ndërkombëtarët. Po të ishte ky dokument, vërtetë kushtetues, me siguri nuk do të linte vend që një shtresë, siç janë unmikistanezët dhe minoriteti serb, të qëndrojnë mbi ligjin, sidomos kur ka të bëjë me defaktorizimin e shqiptarëve, të cilët përbëjnë mbi 90% të popullit të Kosovës. Nuk do të lejohej favorizimi i minoritetit serb nga vetë “demokratët” unmikistanez, deri në atë shkallë, sa të injorohen deri në mospërfillje familjet e të papunëve, të të zhdukurve, të viktimave civile të luftës, të familjeve të dëshmorëve, të veteranëve dhe invalidëve të luftës së UÇK-së! Po të ishte ky dokument, vërtetë kushtetues, do të përjashtohej edhe mundësia më e vogël për shpikjen e do far standardeve nga aleanca unmikistano-serbijane. Shpikja e këtyre standardeve për Kosovën, në esencë nuk ishte në shërbim të avancimit të statusit të saj, por përkundrazi, për përgatitjen e saj për t'u rikthyer në pozitën e mëparme, si koloni serbe, por tani të riverifikuar edhe ndërkombëtarisht. Ideja për shpikjen e këtyre standardeve u përgatit në magjën serbo-çetnike, iu servirën IPVQ-ve nga unmikistani, natyrisht e mbështetur nga qarqe ndërkombëtare, të njohura si tradicionalisht pro serbe. Jo vetëm shpikësit e këtyre standardeve, por edhe mbështetësit e tyre, ishin dhe mbetën të bindur, se jo vetëm se nuk mund të përmbushen nga IPVQ-të, por as përmbushja e tyre nuk është në të mirën e zgjidhjes përfundimtare dhe të drejtë të statusit final të Kosovës, për të cilën aspiron shumica e popullit të saj. Andaj, shpikësit e këtyre standardeve, të vetëdijshëm dhe të përcaktuar që këto standarde antishqiptare do të përmbushen nga unmikistanezët, duke shfrytëzuar kompetencat e rezervuara për veten në të ashtuquajturën Kornizë kushtetuese, kanë përgatitur dhe planëzuar deri në detalin më të vogël strategjinë e veprimit të tyre. Ndërsa, për çfarë zgjidhje të statusit final të Kosovës, do të angazhohen përmbaruesit e kësaj strategjie vepruese nuk është vështirë të kuptohet: Më siguri, më shumë se autonomi dhe më pak se pavarësi, d.m.th. nën juridiksionin e Serbisë. Problemi i shqiptarëve që jetojnë në trojet e tyre etnike në ish Jugosllavi dhe në Greqi, përfundimisht duhet të trajtohet si një problem historik, pa zgjidhjen e tij përfundimtare dhe të drejtë, nuk mund të paramendohet një stabilitet i qëndrueshëm në këtë pjesë të Evropës Kur flitet për problemin e Kosovës, duke e kuptuar atë vetëm brenda një nocioni gjeografik, bëhet një gabim i madh. Realisht, problemi i Kosovës ngërthen në vete terë çështjen e pazgjidhur të të gjitha tokave dhe të gjithë shqiptarëve, të cilët jetojnë në territoret e ish Jugosllavisë e që kufizohen me Atëmëmëdheun e tyre-Shqipërinë. Çështja e Kosovës, bashkë me atë të Çamërisë, në kuptimin real dhe të plotë është një problem i pazgjidhur historik, ekonomik dhe etnik, pa zgjidhjen e drejt dhe përfundimtare të tij, as që mund të paramendohet stabiliteti, jo vetëm i Ballkanit, por edhe më gjerë. Zgjidhja e këtij problemi shumë të ndjeshëm, ka vetëm një emër: Vetëvendosje! Problemi i shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në ish Jugosllavi dhe që kufizohen me Shqipërinë Londineze, nuk është një problem i një populli endacak, kolonizues, i ardhur pas ushtrive pushtuese dhe që është vendosur në një zonë të pushtuar. Shqiptarët në këto toka përbëjnë afër gjysmën e një etnie, të një populli të formuar në shekuj, që ka një histori të pasur dhe të lavdishme, që ka gjuhën dhe kulturën e vetë, njëri ndër popujt më të vjetër të Siujdhesës ballkanike, të cilin në të kaluarën e ndanë dhunshëm fuqitë e mëdha evroperëndimore nga Atëmëmëdheu i tyre i natyrshëm-Shqipëria, gjatë pazarllëqeve të tyre me interesat e popujve të vegjël për nga numri, duke ua aneksuar të përkëdhelurve të tyre sllavo-grek dhe për të kënaqur grykësitë tejkarpatase të Ariut të Sibirit. Kjo e vërtetë nuk mund të fshihet, ngase përveç realitetit në terren, këtë e dëshmojnë dosjet në arkivat e Berlinit, Parisit, Londrës dhe Moskës. Çdo qasje tjetër për zgjidhjen e këtij problemi shumë serioz për paqen në këtë pjesë të Evropës, duke anashkaluar këtë të vërtetë të pakontestueshme është e gjykuar të përfundojë turpshëm. Jo për tjetër, pos se një zgjidhje arbitrare dhe në kundërshtim me të drejtën e natyrshme dhe historike, do të kundërshtohet ashpër, në rend të parë nga 8 milionë shqiptarët të cilët jetojnë në trojet e tyre në Ballkan! . Në të kundërtën, shqiptarët do të detyrohen të vazhdojnë luftën e tyre për të mbrojtur qenien e vetë, kulturën, gjuhën, zakonet dhe për të fituar lirinë e ëndërruar m shekuj, për të jetuar të lirë dhe të ribashkuar në Atëmëmëdheun e tyre, ashtu sikur dhe popujt tjerë të Evropës. Këtë duhet ta kenë parasysh, në rend të parë diplomacitë e shteteve të fuqishme të Evropës plakë!

Prishtinë, shtator 2005

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net