Grafitit e Lëvizjes Vetëvendosje - paralajmërim i sigurt i ndryshimeve revolucionare
Shkruan: Sejdi Veseli
Dalja në skenë e Lëvizjes Vetëvendosje, e drejtuar nga një shtresë e intelektualëve të rinj për nga mosha, por me përvojë të pasur politike dhe të dëshmuar si të pa korruptueshëm, e ka tronditur deri në palcë dhe ka filluar ta prishë rehatinë e shterpësisë së disa klaneve të korruptuara politike. Këto klane të cilat statusin përfundimtar të Kosovës mëtojnë ta “zgjidhin”, në stilin e Ramboullet, duke negociuar me Serbinë, duke neglizhuar gatishmërinë dhe drejtën e popullit për vetëvendosje, të garantuar me dokumente relevante ndërkombëtare, si :
1.Rezolutën Nr. 637 (VII), të miratuar nga OKB, me 16. 12. 1952 : “E drejta për vetëvendosje e popujve dhe e kombeve është parakusht për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut”
2.Rezolutën Nr. 1514 (XI), të miratuar nga OKB, me 14. 12. 1960, (Parimi IX / B): “Integrimi i një territori etnik, duhet të bëhet në përputhje me shprehejen e lirë të vullnetit të popullit të atij territori”
3. Rezolutën Nr. 1815, të miratuar nga OKB, me 18. 12. 1963, (Paragrafi 1, Pika e): “ e Drejta e vetëvendosjes është ndër parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare, mbi të cilën duhet të mbështetët patjetër politika e koekzistencës aktive paqësore” 4. Rezolutën Nr. 2105 (XX), të miratuar me 20. 12. 1965, e cila rikonfirmon dhe riafirmon tekstin e Rezolutës për Dekolonizimin me Nr. 1514 (XV), te vitit 1960.
5. Rezolutën Nr. 2625 (XXV), të miratuar me 24. 12. 1970, e cila ndër shtatë parimet e saj kryesore, në pikën 5 përmban edhe parimin e barazisë dhe te vetëvendosjes të popujve: "Krijimi i shteteve të pavarura dhe sovrane, bashkimi i lirë me ndonjë shtet tjetër të pavarur, varet nga vendimi i miratuar politik i atij populli, i cili mbështete në të drejtën e tij universale për vetëvendosje . Prandaj, çfarë do forme tjetër shtetërore e cila i imponohet me forcë...përbenë shkelje flagrante të së drejtës së tij për vetëvendosje...”.
Po dëshmohet se mbi këto parime është e mbështetur veprimtaria e Lëvizjes Vetëvendosje. Andaj, me plotë të drejtë mund të konstatohet, se veprimtaria gjithnjë në rritje e kësaj lëvizje, para se gjithash është një paralajmërim për të gjithë ata, të cilët sillen me mospërfillje ndaj kërkesave legjitime të popullit shumicë të Kosovës, se nuk e kanë larg fundin e turpshëm. Disa “analizues” politik këtë veprimtari të Lëvizjes Vetëvendosje, janë duke e shikuar me nënçmim, diçka si lojëra fëmijësh, ngase grafitet e qëndisura prej tyre nuk ua mbushin syrin, përkundër faktit se kjo veprimtari po mirëpritet nga populli.Për fatin e keq të tyre, këta farë “analizues” politik, të dresuar për të nxirë letër në vazhdimësi dhe çdo herë sipas porosisë së atyre të cilët ua hedhin nga një asht nën tavolinë për ta lëpirë, nuk kanë aftësi mendore për të kuptuar, se veprimtarët e kësaj Lëvizje, janë të vendosur për të marshuar rrugës së zgjedhur dhe të trasuar, në përputhje të plotë me amanetin e Dëshmorëve të Kombit. Për fatin e keq të tyre edhe kësaj radhe, këta “analizues” nuk janë duke ja qëlluar, se djemtë dhe vashat e kësaj Lëvizjeje, të vetëdijshëm për rëndësinë e rrugës së zgjedhur dhe të vendosur për t'u mos u vonuar për në cak, me siguri nuk do të ndalen për ta gjuajtur me gur, çdo qenë rrugaç që leh pas kolonës së tyre në marshim. I pëlqeu dikujt apo jo, grafitet e qëndisura nga veprimtarët e kësaj Lëvizjeje, janë paralajmërim i sigurt i ndryshimeve revolucionare, në të mirë të së ardhmes së popullit liridashës të Kosovës. Nëse revolucionarët e organizuar në kuadër të kësaj Lëvizjeje, vazhdojnë me tempin e nisur, të menduar drejt dhe mirë, këto ndryshime do të ndodhin shpejt!
Këtë konstatim timin e mbështes në njërin nga faktet e shumta dhe të qëndrueshme që dëshmon, se kjo veprimtari e drejt njerëzore dhe kombëtare e veprimtarëve të rreshtuar në kudër të kësaj Lëvizjeje, përditë e më tepër po legjitimohet nga populli. Duhet theksuar, se kjo mbështetje e popullit ndaj veprimtarisë konkrete të këtyre bijve dhe bijave të tij, pa dyshimin më të vogël po rritet vrullshëm. Kam bindjen e plotë se veprimtaria e këtyre të rinjve, që më përkujton shumë veprimtar nga e kaluara jo e largët, të cilët falë punës dhe sakrificave të tyre në shërbim të Atëmemëdheut dhe interesave legjitime të popullit, u shndërruan në Mburrje të Kombit, do të kurorëzohet me sukses të plotë! Ndërsa reagimet brutale, thjesht primitive ndaj veprimtarisë së qëlluar, të drejtë, të kulturuar, paqësore dhe të vendosur e këtyre të rinjve, më përkujton reagimet ndaj rinisë studentore shqiptare në marsin e viti 1981 e klyshve të dresuar shqipfolës të Franjo Herleviqit, për të shtypur forcat përparimtare të popullit të vet.Duke i përjetuar me dhembje në shpirt dhe në vazhdimësi reagimet e pjesëtarëve të SHPK-së, si ndaj nënave dhe familjarëve të shqiptarëve të rrëmbyer nga forcat serbo-çetnike(para hundëve të ndërkombëtarëve-sajuesve të unmikistanit), ashtu ndaj popullatës së fshatit Hade dhe tani edhe ndaj veprimtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, më imponohet konstatimi, se ShPK-ja nuk është e Kosovës, por një falangë pa tru dhe ndërgjegje njerëzore dhe kombëtare, në shërbim të diktaturës neokolonialiste të unmikistanit e gatshme për të zbatuar verbërisht të gjitha urdhrat e padronëve, pa u mërzitur fare, se për çdo ditë, nënave që i lindën t'u dhurojnë nga një lugë helm! Por, megjithatë, kam bindjen e plotë se në kuadër të SHPK-së, ka shumë pjesëtar të cilët meritojnë çdo respekt, por përderisa qëndrojnë në radhët e një segmenti që ushtron dhunë dhe prangos bijtë dhe bijat besnike të popullit, sot e kanë të vështirë dhe sidomos nesër, për t'u arsyetuar para historisë.“Çka duket për diell, kallauz nuk do”-thotë populli. Sajesa e quajtur SHPK nuk është tjetër, pos njëri prej mashtrimeve unmikistaneze ndaj popullit të Kosovës!
Dikush mund të pyet pse? Përgjigja është shumë e thjesht dhe e qëndrueshme.Përderisa jo vetëm se nuk është formuar nga institucionet përkatëse vendore të zgjedhura nga vota e lirë e popullit të Kosovës, nuk e meriton të quhet ashtu siç po quhet. Përderisa nuk u raporton as institucioneve vendore, edhe pse edhe ato çfarë i kemi, janë servile të unmikistanit, nuk e meriton të quhet ashtu siç po quhet.Përderisa kjo farë sajese e quajtur Shërbimi Policor i Kosovës, në emblemën e saj, nuk posedon, as edhe një fjalë në gjuhen, jo vetëm të minorenëve, por as edhe të popullit shumicë të Kosovës, nuk e meriton të quhet ashtu si quhet zyrtarisht. Përderisa kjo farë sajese e quajtur SHPK, nuk e kontrollon afro ¼ e tërësisë territoriale të Kosovës, nuk e meriton të quhet ashtu si edhe quhet zyrtarisht. Përderisa kjo sajesë vartëse e neo-kolonialistëve të gjithëpushtetshëm unmikistanez, ushtron dhunë dhe prangos bijtë dhe bijat e Kosovës, për të vetmin “faj” të tyre, pse kërkojnë në mënyrën më paqësore dhe të kulturuar, një të drejt universale të garantuar me shumë konventa ndërkombëtare, nuk e meriton të quhet ashtu siç quhet zyrtarisht. Duke i marrë parasysh vetëm këto fakte, të cilat nuk mund të kontestohen, ky shërbim policor nuk mund të konsiderohet i Kosovës, sepse realisht edhe nuk është! Andaj, ky shërbim do të duhej të emërtohej me emrin e vërtetë: SHP i UNMIK-ut (PSUNMIK). Andaj, nuk është për t'u çuditur, se SHPK në vend se të ndërmerrte veprimet konkrete për zbardhjen e krimeve jo të pakta në Kosovë; në vend se t'i ndërmerrte veprimet konkrete për shpartallimin e rrjetave të ndryshme të krimit të organizuar, siç janë grupet mafioze, me që rast arsyetohet edhe përdorimi i forcës, ai u vërsulet edhe veprimtarëve paqësor të Lëvizjes Vetëvendosje. Shpkëstet dhe urdhërdhënësit e tyre, sa nuk është bërë tepër vonë për ta, duhet të kuptojnë, se në raport me Lëvizjen Vetëvendosje ata janë humbës, bile të turpshëm! Kjo është shumë e sigurt! Këtë ua them me bindje të plotë. Sepse, veprimtarët e kësaj lëvizjeje e kanë mbështetjen e popullit dhe kjo mbështetje po rritet vrullshëm. Kjo mbështetje është e natyrshme, sepse sot djemtë dhe vashat e rreshtuar në kuadër të kësaj lëvizjeje, janë artikulluesit e njëmendët të kërkesave të drejta të popullit, nesër me siguri, ata të cilët do t'i prijnë drejt realizimit të plotë të tyre.
Prishtinë, me 29 korrik 2005 |