Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Çfarë i thashë dhe çfarë nuk i thashë Tadeas

TEMAT

 Terrorizmi rrezik aktual  

 Shqipëria një euro !

 Kush e vrau Hajdarin ? 

 Tadea 

 

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Ç’ FARË I THASHË DHE Ç’ FARË NUK I THASHË TADEAS ...

( R e f l e k s i o n e )

Tadea Barderer nuk është ndonjë personazh publik i njohur në mjediset e kulturës apo të politikës shqiptare apo më tej. Ndoshta e tillë do të bëhet dhe për këtë e uroj. Ajo aktualisht është  një studente në universitetin e Fribourgut në Zvicër e cila është duke mbrojtur diplomën me një temë që lidhet me brishtësinë e sistemit politik shqiptar dhe përmirësimin e tij nëpërmjet reformave demokratike të mbështetura nga BE. Ajo kishte lexuar në Web-site e Bashkimit Europian në Bruksel, lidhur me zhvillimin e reformave në Shqipëri.Aty kishte gjetur edhe adresën time të e-malit dhe duke më falënderuar paraprakisht kërkonte që unë t’i përgjigjesha disa pyetjeve të saj. Kam qenë shumë i dyzuar në se do t’i përgjigjesha drejtpërdrejt pyetjeve të saj apo do të bëja ndonjë “axhustim”. Kështu disa gjëra ja thashë Tadeas me sinqeritet në përgjigjet e pyetjeve ndërsa disa të tjera hezitova dhe ose nuk ju përgjigja ose i paraqita asaj një realitet që unë dëshiroja. Tadea është duke mbrojtur diplomën dhe përgjigjet e mia nuk kanë kurrfarë rëndësie për Shqipërinë përveçse mund të krijojnë një imazh tek Tadea ose tek shoqet e saj me të cilat ajo mund të bisedojë, apo tek profesori që do të lexojë temën. E kështu rrethi i personave që do të njihet me përgjigjet e mia nuk i kalon 10 persona. Por teksa po formuloja përgjigjet dhe komentet e mia, më dukej se këto përgjigje do të ishin një test për pranimin e Shqipërisë në BE, se nga fati i këtyre përgjigjeve do vendosej shumëçka për Shqipërinë. Por mjerisht as unë dhe as Tadea nuk është se kemi gjë në dorë për këtë por të dy kënaqim vetveten. Ajo do të plotësojë numrin e faqeve të temës me përgjigjet e mia e ndërsa unë kënaqem tek shkruaj këto rrjeshta.
I thashë Tadeas se Shqipëria është një republikë parlamentare dhe se aktualisht qeveris Partia Demokratike e kryeministrit Sali Berisha e cila ka fituar zgjedhjet e tre korrikut 2005. Parlamenti, qeveria, presidenti dhe gjyqësori janë pushtete të pavarura sipas kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Por nuk i thashë se Xhozi e parlamentit, thërret Prokurorin e Përgjithshëm dhe i kërkon dorëheqjen vetëm se ai tashmë nuk është i preferuar i kryeministrit dhe duke qenë se ka krijuar një fizionomi të pavarur kjo nuk i pëlqen atij dhe prandaj i duhet një prokuror që të mund t’a përdorë në të ashtuquajturën luftë politike kundër korrupsionit. Por meqenëse prokurori nuk gjeti arsye brenda vetes për të përligjur kërkesën e Xhozit, qeveria e PD ndërmori një fushatë shpifjesh dhe përbaltje ndaj institucionit të prokurorisë që u finalizua me kërkesën ndaj presidentit për shkarkimin e tij.
Tadea në zgjedhjen e temës për brishtësinë e shtetit shqiptar duhet të ketë pasur  parasysh   se kjo brishtësi vjen nga fakti se institucionet në Shqipëri nuk janë krijuar dhe nuk funksionojnë akoma në mënyrë të pavarur por unë i thashë asaj se në Shqipëri janë krijuar institucionet të pavarura kushtetuese si Kontrolli i Lartë i Shtetit, Avokati i Popullit, Gjykatat,Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Organet e qeverisjes vendore etj. të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre pavarësisht nga Qeveria. Madje edhe universitetet tona tashmë kanë fituar pavarësinë nga qeveria dhe po përpiqen për ta thelluar atë në fushën financiare. Por nuk mund t’i thoja Tadeas se sa herë këto institucione guxojnë të shprehin ndonjë opinion të ndryshëm nga Qeveria ato vihen në shënjestrën e saj dhe se qeveria me njëmijë mënyra e kufizon këtë pavarësi. Kështu nuk mund t’i thoja     p.sh. se qeveria lufton me të gjitha mjetet për të vënë nën kontroll Bashkinë e Tiranës dhe politikat e saj të rregullimit territorit, për shkak se kryetari i saj është njëkohësisht edhe kryetari i partisë më të madhe opozitare dhe se qeveria me anë të një akti normativ të kryeministrit i ka dhënë të drejtë prefektit të fusë hundët në punët e bashkisë. Edhe sikur unë t’ja kisha shpjeguar këtë ajo përsëri nuk do t’a kishte kuptuar, pasi qeverisja vendore në Zvicër gëzon një pavarësi absolute në raport me qeverinë qëndrore dhe asaj do t’i dukej krejt paradoksale kjo dhe kështu rrezikoja të mos më besonte asnjë fjalë më tej. Po si do t’i thoja asaj p.sh. se qeveria shkatërron projektet dhe veprat ndërtimore të bashkisë dhe ndërmerr vetë drejtpërdrejtë kryerjen e punëve publike që i përkasin bashkisë si p.sh. ndërtimin e rrethrrotullimit të “Zogut të zi”
A do të më kishte besuar Tadea sikur unë t’i thoja p.sh. se parlamenti i dominuar nga demokratët, mblidhet në një sallë tjetër jashtë ndërtesës së parlamentit dhe në mesnatë pa praninë e opozitës  vendos për grabitjen e një anëtari të KQZ që i takonte partive të majta opozitare. Në se do t’ja thoja këtë ajo jo vetëm që do të kishte krijuar përshtypjen se partia në pushtet po përgatit manipulimin e zgjedhjeve por do të kishte menduar se brishtësia e sistemit politik në Shqipëri do të jetë e gjatë.
Ajo është akoma studente dhe nuk mund t’i thoja se sistemi universitar shqiptar po humbet edhe atë pavarësi që kishte fituar. Qeveria ka hedhur në treg disa receta të vënies nën kontroll të këtij sistemi që nga emërimi i drejtpërdrejtë i rektorëve, e deri në krijimin e bordeve të emëruara nga qeveria ose të ashtuquajturin Komitet kombëtar i arsimit. Unë druaj se mos Tadea ka marrë vesh edhe për masakrën në akademinë e shkencave që qeveria e trumbeton me të madhe si një reformë por në vetvete është likuidim i këtij institucioni.
Unë i thashë Tadeas se ne kemi një ligj për shtypin dhe median vizive sipas të cilit ai është i pavarur por të dashur lexues ju duhet të më kuptoni se nuk kisha se si t’i thosha asaj se tashmë shtypi është vënë nën kontrollin e qeverise. A do të më besonte ajo sikur t’i thoja për shembull se gazetarët nuk kanë asnjë mbrojtje dhe se rreth 90 përqind e tyre punojnë në të zezë. Por nuk i thashë gjithashtu se shtypi i shkruar dhe mediat financohen indirekt nga qeveria nëpërmjet botimit pa kurrfarë kriteri të reklamave dhe formave të tjera.  Gjithashtu nuk kisha se si t’i thoja se Këshilli Kombëtar i RTSH është vënë plotësisht nënë kontrollin e qeverisë me arsyetimin e ripërtëritjes së tij dhe se tashmë ai i “bien muzikës” sipas avazit të qeverisë.
Unë  i thashë Tadeas se ne kemi një ligj për Statusin e nëpunësit civil sipas të cilit nëpunësit e administratës civile janë të mbrojtur nga ndryshimet politike dhe se kanë të garantuar zhvillimin e karrierës, por nuk i thashë asaj se tashmë unë jam i papunë dhe megjithëse Komisioni i Shërbimit Civil ka vendosur rikthimin tim në punën e mëparshme,ministrit të financave “as që ja ndjen” për të zbatuar vendimet e KSHC. Dhe si mund t’i thoja asaj se shkaku i largimit tim nga puna është thjesht për motive politike. Dhe për fat të keq nuk jam unë i vetmi por statistikat tregojnë për mijëra punonjës civilë të larguar nga puna pa asnjë motiv dhe zëvendësimin e tyre me militantë politikë të partisë qeverisëse
Tadea ishte shumë e interesuar që të njihej me zhvillimet në fushën e auditimit pasi kishte lexuar se në këtë drejtim është bërë një progres i rëndësishme drejt standardeve evropiane. Megjithëse studente ajo vlerësonte se auditimi është një funksion i rëndësishëm për përmirësimin e menaxhimit të financave publike por edhe më tej. Ajo kishte përshtypjen se nëpërmjet auditimit mund të sigurohej e realizohej një qeverisje e mirë duke siguruar transparencë të gjerë për publikun. Auditimi sipas saj ndikonte politikbërësit për të korrigjuar mangësitë e qeverisjes, ndikonte parashikueshmërinë dhe vendimmarrjet efektive. Duke i dëgjuar këto ide nga goja e një studenteje mendja ime  fluturoj tek qeverisja në Shqipëri  dhe menjëherë më kaploi një brengë. I thashë Tadeas se vërtet në këtë fushë është bërë një progres i rëndësishme falë mbështetjes financiare dhe teknike të BE dhe BB. Kështu i shpjegova asaj se është hartuar një projekt për ristrukturimin e kontrollit financiar publik (PIFC) i cili ka filluar të zbatohet dhe të financohet nga BE për shumën 2,3 milion €. Në kuadër të këtij projekti është hartuar dhe miratuar një ligj për auditimin e brendshëm i standardeve bashkëkohore; është hartuar dhe miratuar Manuali i auditimit,Karta e auditimit si dhe Kodi i Etikës për auditët e brendshëm. Po kështu me asistencën e BE janë hartuar Letër Politikat për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik dokument i cili është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe parashikon një serë zhvillimesh në fushën e auditimit të brendshëm por veçanërisht në fushën e menaxhimit financiar. I shpjegova gjithashtu në përgjigjet e pyetjeve të saj se një program i gjerë kualifikimi është duke u zhvilluar i cili është finalizuar me çertifikimin e auditëve të parë publik. Dhe kështu i thashë asaj me shumë kënaqësi se kuadri i auditimit të brendshëm nga pikëpamja metodologjike është kompletuar në përputhje me standardet europiane. Madje ne kishim parashikuar për të përsosur më tej disa anë të ligjit me qëllim që të rritej e të sanksionohej përfundimisht pavarësia e auditimit të brendshëm.
Por për  zhvillimet aktuale në fushën e auditimit unë nuk i shkruajta Tadeas sepse  më dukej sikur isha në Komisionin Europian në Bruksel kur kohë më parë janë testuar zhvillimet tona në fushën e auditimit dhe kemi marrë vlerësime pozitive. Duke folur për zhvillimet aktuale ne përgjigje të pyetjeve të saj mendoja se me anë të Tadeas do të ndikoja negativisht në projektet e vendit  tonë për t’u afruar me Europën. E kështu pra nuk mund t’i thoja se kryeministri aktual po e përdor auditimin si një pushkë për të goditur kundërshtarët opozitarë duke “zbuluar” korrupsion në periudhat e qeverisjes së tyre. As nuk i thashë se ai ka lëshuar një urdhër sipas të cilit rekomandimet e auditimit do të zbatohen pa një pa dy duke e shndërruar kështu këtë funksion si një polici. Do të më vinte turp po t’i thoja Tadeas se qeveria aktuale ka marrë një nismë për ndryshimin e ligjit sipas të cilës kërkon të shpërfytyrojë auditimin. Kështu me anë të këtij ndryshimi qeveria kërkon t’i heqë bazën funksionuese, standardet e auditimit të Institutit të auditorëve të brendshëm dhe ta shndërrojë atë në një  amalgamë praktikash pa fryt. As më shkon ndër mend t’i them gjithashtu asaj se Drejtoria e Përgjithshme e Auditimit kërkon të shndërrohet në një autoritet ndëshkimor duke i dhënë të drejtën vetes të aplikojë gjoba e sanksione që e afrojnë përfundimisht me policin. Si mund t’i shkruaja unë, kur me aq shumë mund së bashku me Andy-in ish Controllor General në Kanada që asistonte hartimin e ligjit, arritëm të futnim në ligjin ekzistues se qenja audit publik, kërkon një proces trajnimi e çertifikimi serioz dhe tani zyrtarët aktualë për t’i hapur rrugë futjes së militantëve të partisë kanë projektuar t’a heqin këtë kërkesë. Po si mund të quhet auditim  i brendshëm ai që parashikohet me ndryshimin e ligjit, kur Drejtorisë Përgjithshme të Auditimit i jepet e drejta të auditojë edhe subjekte të tjera jashtë ministrisë financave madje edhe institucionet e pavarura.
E si përfundim unë mendova dhe i thashë Tadeas aq sa ajo të mos ndikonte negativisht për pranimin e Shqipërisë në BE. E  pse do t’ja thoja të gjitha ato që nuk ja thashë kur vetë BE që financon reformat në Shqipëri  është në dijeni të këtyre deformimeve skandaloze dhe pa më të voglin hezitim financon  ato ndryshime për të cilat vetë më parë ka derdhur paratë për t’i ngritur. Më duket se   Tadeas i intereson vetëm diploma. Dhëntë zoti që kështu të mos mendojë  edhe BE, se pastaj temat e diplomës për brishtësinë e sistemit politik në Shqipëri nuk do të kenë të sosur.

Durrës, Gusht 2006

Artikuj të tjerë nga autori:

Shqipëria një euro! Pse një? Po sa? Po si?!

Mexhiti ose Kulla e Kanunit

Zogu i Zi dhe Korbi i Zi

Inxhinier Zabjelini dhe unë

Auditimi i vetëm, informacion i vetëm

Në Bullgarinë mike. Jo vetëm shënime udhëtimi

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net