TË QËNDRUARIT DUARKRYQ ËSHTË LAGALIZIM I RICOPTIMIT DHE RIKOLONIZIMIT TË KOSOVËS
Shkruan: Sejdi Veseli
Pas të gjitha atyre krimeve që bëri Serbia fashiste në Kroaci, Bosnjë dhe së fundit edhe në Kosovën shqiptare, veprimet nga “drejtësia” e vendeve të “demokracisë” ndërkombëtare, sidomos të atyre europerëndimore, do të duhej të ishin tjetërfare! Në vend se Serbia të pushtohet ushtarakisht nga forcat ndërkombëtare dhe mëpastaj të futet nën administrimin ndërkombëtar dhe t'u nënshtrohet detyrimeve për përmbushjen e standardeve, ndodhi e kundërta. “Drejtësia” ndërkombëtare i futi nën një administrim neo-kolonialist dhe nën një administrim despotik ndërkombëtar, viktimat e terrorit barbar, i cili u ushtrua ndaj tyre nga forcat ushtarake, policore dhe falangat banditeske paramilitare serbo-çetnike, të komanduara nga Beogradi zyrtar, para hundëve të saj. Çka është për t'u “çuditur”, të gjitha veprimet e këtyre popujve të plagosur rënd në shpirt, sidomos ato të shqiptarëve, për realizimin e të drejtës së tyre universale për t'u përcaktuar dhe për të vetëvendosur për të ardhmen e tyre, që të jetojnë të lirë dhe dinjitoz në Truallin e tyre etnik, u ballafaquan dhe vazhdojnë të ballafaqohen me barriera të ngritura nga vetë “drejtësia” ndërkombëtare. Natyrisht, si dhe në të kaluarën, sipas projekteve hegjemoniste serbomëdha. Në këtë drejtim, shqiptarët kushtëzohen me përmbushjen e disa standardeve, të cilat jo vetëm se nuk janë të përmbushura, por as që janë as afër përmbushjes, nga vetë vendet e baballarëve të kësaj “drejtësie” ndërkombëtare, si p.sh. as nga vendi nga vije Havier Sollana! Duke analizuar veprimet e derisotme të “drejtësisë” ndërkombëtare në raport me të drejtat universale të shqiptarëve të Kosovës Administrative, të Luginës së Preshevës, të Luginës së Vardarit, të viseve nën Malin e Zi dhe të Çamërisë, sidomos në këto gjashtë vitet e fundit, nuk mund të nxirret tjetër përfundim i drejt dhe i qëndrueshëm, pos, se “drejtësia” ndërkombëtare qëllimisht është e verbër, jo vetëm kur duhet të identifikojë padrejtësitë dhe krimet ndaj shqiptarëve, por edhe gjatë përcaktimit të shkaktarëve të këtyre padrejtësive dhe këtyre krimeve me qellim të dënimit të tyre. Gjatë kësaj periudhe kohore, shqiptarët kanë mundur ta kuptojnë, se në të gjitha rastet edhe porotë të kësaj “drejtësie”, janë jo tjetërkush, pos një soj i bastardëve nga radhët e tyre, të mësuar të kollofitisin çdo gjë që u hidhet në çanak nga të huajt! Pas përfundimit të luftës së armatosur çlirimtare, falë hileve të forcave “paqeruajtëse” dhe administratës despotike të neokolonializmit unmikistanez, nëpërmjet krijimit të enklavave etnikisht të pastërta serbe, Kosova përjetojë një ndarje brenda hapësirës territoriale të saj. Kjo dihet botërisht! Gjatë krijimit, këto enklava serbe për mos me thënë se u ndihmuan në të gjitha aspektet nga KFOR-i dhe UNMIK-u, nuk mund të mos thuhet se ato u krijuan para syve të këtyre institucioneve ndërkombëtare, pa as ndonjë pengesë më të vogël nga ana e tyre!
****
Gjithashtu dihet botërisht, se decentralizimi i shpikur nga Beogradi zyrtar, në kuadër të bashkëpunimit të tij me disa qarqe tradicionalisht proserbe, të instaluara në kuadër të UNMIK-ut dhe KFOR-it, të cilin po përpiqen për ta jetësuar IPVQ-të, është shkelje e vrazhdë mbi gjakun e Dëshmorëve të Kombit dhe sakrificat sublime të popullit liridashës shqiptar. Jo vetëm për Kosovën, por për çdo vend tjetër në botë, kjo formë e decentralizimit çfarë po mëtohet të bëhet nga “Qeveria” e Kosovës është shumë i dëmshëm për interesat njerëzore dhe kombëtare të popullit shumicë. Në aspektin politik, decentralizimi i pushtetit është një poçes i demokracisë së avancuar për një vend, pra edhe për Kosovën. Por, nëse në emër të demokratizimit të shoqërisë, mëtohet të bëhet decentralizimi mbi baza etnike, kësaj nuk mund t'i thuhet ndryshe, pos përgatitje e terrenit për zhvillime shumë të rrezikshme dhe me pasoja të pariparueshme. Sipas formës së decentralizimit që mëtohet të jetësohet në Kosovë, fillimisht me dofar “pilot-komuna”, me siguri do të krijohen bazat juridike, jo vetëm për legalizimin (edhe ndërkombëtarisht) të enklavave etnikisht të pastërta serbe, të cilat aktualisht shtrihen në afro 34 % të territorit të Kosovës. Sipas kësaj forme të decentralizimit do të legjitimohet kontrollimi i afro 1/3 të territorit të Kosovës, nga 5 përqindëshi i popullatës së saj. Mbështetur në këtë formë të decentralizimit që po mëtohet të bëhet në Kosovë, si kolonët e vjetër serb, ashtu dhe ata të cilët erdhën nga Lika, Srpska Kraina dhe nga Vrraka e Republikës së Shqipërisë dhe që u vendosën në Kosovë nga regjimi i pushtuesit gjakatar, në kohën e “Vozhd-it” serboçetnik Slobodan Millosheviq, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar, me pa të drejtë, do të bëhen hisedar legal të territorit më të pasur të Kosovës. Kjo çka po mëtohet të bëhet në emër të decentralizimit të pushteti me territorin e Kosovës, me shumëçka ngjason me planet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve dhe me ato të Kishës Ortodokse Serbe, natyrisht të përpiluara sipas idesë së “babait të serbizimit”, ideologut serbomadh Dobrica Qosiq. Këtë ide pro-serboçetnike po mëtojnë ta bëjnë, për fatin e keq të tyre, “përfaqësuesit” e popullit shqiptar, duke u thirrur në verdiktin e votës së tij. S'ka se si thuhet ndryshe, pos se një veprim i tillë mund të bëhet vetëm nga ata të mjerë, të cilët janë të verbëruar pas ambicieve të tyre të sëmura karrieriste dhe përfitimet e pakontrolluara materiale! Përballë këtij rreziku të madh dhe shumë serioz me të cilin po përballet Kosova, shqiptarëve nuk u mbetet shumë për të zgjedhur, sepse para tyre shtrohen vetëm dy alternativa për veprimet e mundshme: 1.Të pranojnë aktin e turpshëm të kapitullimit, çka nuk do të ndodhë kurrë! 2.Ose t'u kundërvihen me të gjitha mjetet demokratike, realizimit të këtyre planeve shumë të rrezikshme për të sotmen dhe të ardhmen e tyre! Sipas të gjitha gjasave, shqiptarët do të zgjedhin këtë të dytën! Ata do t'i ngjeshin radhët përreth Flamurit të tyre Kombëtar, në kuadër të një subjekti gjithëkombëtar, të liruar nga fanatizmat partiake dhe fetare dhe do t'i mbushin sheshet me protestant paqësorë (ngjashëm si në Ukrainë), me kërkesa të qarta dhe të vendosur për të mos u tërhequr, para se të realizohen ato në tërësi. Këto kërkesa të shqiptarëve ngërthehen brenda një emërtese të vetme VETËVENDOSJE! Që në fillim të organizimit të protestave gjithëpopullore, në tërë hapësirën kosovare dhe veçanërisht në Kryeqendrën e saj - Prishtinën, duhet të kuptohet një e vërtetë e pakontestueshme, se përmbushja e kërkesës së shqiptarëve për VETËVENDOSJE, edhepse shumë e drejtë, kurrë nuk do të bëhet realitet, përderisa e kanë mbi kokë një administratë neokolonialiste dhe despotike, siç është ajo e Unmikistanit - dorë e zgjatur e hegjemonistëve serbomëdhenj të Beogradit dhe e mbështetur nga servilët vendor të pozicionuar në kuadër të IPVQ-ve, kukulla të tij, të cilët pa hezitimin më të vogël e thyejnë përditë kontratën e tyre me popullin. Gjithashtu, nga shqiptarët duhet kuptohet drejt, mirë dhe përfundimisht, qysh në fillimin e organizimit të një proteste gjithëpopullore dhe joviolente, se po u tërhoqën protestuesit para kohe nga sheshet ku protestohet, shumë shpejt do të pasojnë zhvillime shumë të pakëndshme dhe të rrezikshme për të ardhmen e tyre. Popullit duhet t'i bëhet më se e qartë, sidomos asaj shtrese së tij e cila ende nuk ka arritur ta kuptoj realitetin e hidhur, se po ata të cilët pakë kohë më parë organizuan dhe zhvilluan manovra ushtarake me Ushtrinë serbe dhe që para pak ditësh e ftuan dhe e mirëpritën si mik Shefin e Shtabit të kësaj ushtrie, pa u mërzitur fare se në shpirtin kolektiv shqiptar, ende nuk janë shëruar as për së afërmi plagët e rënda, të shkaktuara nga veprimet barbare të po kësaj ushtrie, e cila para gjashtë vjetësh vrau, dhunoi, masakroi dhe dogji në furrnalta shqiptar të të gjitha moshave dhe gjinive, së shpejti do ta sjellin në Kosovë edhe ushtrinë e komanduar prej tij, natyrisht për “të mirën” e Kosovës (!) Po ndodhi kështu, atëherë nuk do t'u mbetet më vend protestave paqësore dhe veprimeve joviolente. Atëherë shqiptarëve nuk do t'u mbetet tjetër, pos pa dashjen e tyre do t'u imponohet si pashmangësi, ndërmarrja e veprimeve tjera(përkatëse), por tani me rreziqe shumë të mëdha! Dua ta përfundoj këtë shkrim, me një citim nga letra e banorëve të fshatit Cernicë ( të paraparë brenda njërës nga “Pilot-komunat”): “...të qëndruarit duarkryq është legalizim i thellimit të këtij procesi, kurorëzimi i të cilit do të ishte copëtimi i vendit. Mos lejoni një gjë të tillë! Të gjithë kundër ndarjes së Kosovës. Secili për sovranitetin! Ruajtjen e tërësisë territoriale të Vendit!”
Me 08 shtator 2005 Prishtinë
|