Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Refleksion-Stresi në punë dhe rritja e kostos së punësimit

TEMAT

 Jo vetëm shënime udhëtimi

Toka e Katedraleve

Stresi në punë

Karta e Bolonjës  

Luftë gazetës "Mirdita"

 Një jetë për JETËN...

Beselidhja

 Politikanët shqiptarë

 Në zemër të Mirditës

 Statusi i Kosovës

 "Zogu i Zi" dhe Korbi i Zi  

 Historia dhe Kodi Penal 

 Inxhinjer Zabjelini dhe Unë

 

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Stresi në punë dhe rritja e kostos së punësimit

Nga Dorinela NDREJA

Kohët e fundit në mjediset e menaxhimit është shtuar diskutimi mbi stresin në punë, faktorët që e shkaktojnë atë dhe mënyrat se si ai mund të menaxhohet. Intensiteti në punë, diferenca midis nevojave materiale dhe shpirtërore të punonjësve, me balancimin e tyre, jane faktorët më të përgjithshëm që shkaktojnë stresin në punë. Pra, stresi është rrjedhojë e bashkëveprimit të punonjësve me kushtet që i rrethojnë ata. Studimet tregojnë se në vendet e zhvilluara 25 % e punonjësve janë të stresuar në punë, ndërsa rreth 75 % besojnë se niveli aktual i stresit është më i lartë se i gjeneratave të mëparshme. Por përveç dëmeve shëndetësore, stresi është një faktor i rëndësishëm që dëmton ose ul edhe produktivitetin e punës. Përvoja ka treguar se ndërhyrja e faktorëve institucionale ose individualë mund të zbusin efektet e stresit dhe ta parandalojnë atë. Prej këtej del nevoja e menaxhimit të tij, si dhe minimizimit të faktorëve që e shkaktojnë atë. Në kushtet e vendeve të varfra dhe atyre në tranzicion, për vetë dukuritë që i shoqërojnë këto proçese, stresi ka një prezencë të shtuar dhe domosdoshmëria e menaxhimit të tij duhet të jetë një funksion i rëndësishëm i niveleve të menaxhimit dhe pjesë e pandarë e përgjegjësive funksionale të tyre.

Disa nga shkaqet e stresit

Shkaqet që mund të prodhojne stresin janë të shumtë dhe ato mund të lidhen me mjedisin e brendshëm në punë, si dhe me faktorë të tjerë të jashtëm, politikë, shëndetësore, familjare, etj. Përpjekja për të gjurmuar faktorët që shkaktojnë stresin ka sjellë klasifikimin e mëposhtëm:Intensiteti i shtuar në punë, mungesa e faktorëve rigjenerues gjatë punës, siç mund të jenë pushimet e shkurtra gjatë punës, mundësitë për t'u ushqyer ose për të pirë kafe. Ndonëse në përgjithësi nuk mund të flitet për një intensitet të lartë të punës në subjektet tona publike e private, padyshim që mund të flitet për poste të veçanta pune që mbartin intensitet të lartë, si dhe për mungesën e kushteve rigjeneruese të aftësive për punë brenda subjektit. Stili menaxhues, është një element që shkakton stres në punë të të punësuarit, veçanërisht dukuri të tilla që kanë të bëjnë me një komunikim të varfër, vendimarrje të mbyllur, si dhe kufizimin e mundësive të të punësuarve për të qenë pjesë integrale e gjithë proçesit. Stili konfliktual i menaxherit, në vend të bashkëpunimit, përdorimi pa vend i masave disiplinore në vend të ofrimit të këshillave dhe masave që mënjanojnë thyerjen e disiplinës, janë burime të stresit. Ndryshimi i shpejtë i niveleve të drejtperdrejta të menaxhimit është një burim tjetër stresi për punonjësin, rrjedhojë e pamundësisë së tij në kohë, për t'iu përshtatur stilit të menaxherit. Marrëdhëniet ndërpersonale kur karkaterizohen nga mungesa e frymës së bashkëpunimit ose e përjashtimit, nga thellimi i hierarkisë dhe autoritetit përtej kufijve të arsyeshëm, janë një element që sjell padiskutim stres tek të punësuarit. Organizimi i dobët i vendit të punës, si dhe mungesa e linjave të qarta të raportimit, autoritetit dhe përgjegjësive, ose e thënë me fjalë të tjera, kërkesa e llogarisë nga shume "shefa" kundrejt të njëjtit punonjës, sjellin stres, pasiguri dhe mungesë e orientimit të duhur.

Pasiguria në punë, që reflektohet në mundësinë e vendimeve arbitrare të menaxherëve, lidhja e kontratave afatshkurtëra me punonjësit, kritere të paqarta dhe evazive punësimi, pamundësi për zhvillimin e karrierës, avancimin ose ngritjen në detyrë, cënojnë besimin e të punësuarve në të ardhmen e tyre dhe në kushtet e kësaj pasigurie, ata vihen në kërkim të punësimeve të reja, proçes që shoqërohet me stres. Kushtet e pakënaqshme materiale për punë, si mungesa e pajisjeve te pershtatshme që mundësojnë dhe lehtësojnë realizimin e përgjegjësive, prezenca e faktorëve dëmtues të shëndetit, siç mund të jenë temperaturat, mungesa e ajrimit, zhurmat dhe ndotja, janë gjithashtu burime stresi. Mungesa e një motivimi për të kryer detyrën dhe realizuar përgjegjësitë, e shprehur në një nivel të ulët shpërblimi, një sistem pagash i papërshtatshëm dhe që nuk merr parasysh kontributet reale të secilit punonjës; reagimi i dobët i menaxhimit, si ndaj përkushtimit të disave dhe neglizhencës në punë të disa të tjerëve, transmetojnë elemente stresi të të punësuarit. Mundësia e ndikimeve politike në zhvillimin e karrierës dhe garancia e pamjaftueshme për vazhdimin e punës për shkak të një legjislacioni që nuk siguron një mbrojtje reale të të drejtave. Burimet e pamjaftueshme materiale e financiare për të përballuar jetesën e familjes reflektojnë një stres të përgjithshëm që e shoqëron punonjësin gjatë gjithë kohës. Ndryshimet politike, ve ç anërisht në vendet në tranzicion kur akoma roli i politikës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e punës dhe zhvillimin e karrierës të të punësuarit në sektorin publik, është faktor për praninë e stresit.

Si mund të menaxhohet stresi

Në thelb, menaxhimi i stresit konsiston në eleminimin, minimizimin ose parandalimin e faktorëve që e shkaktojne atë. Duke patur parasysh se ky nuk është një proçes i thjeshtë, por kompleks, menaxhimi i stresit kërkon ndërmarrjen e hapave me karakter teknik, organizativ dhe social, të parashikuara në planet e veprimit të çdo subjekti. Subjektet publike në tërësi dhe ato private, duhet të synojnë me prioritet të ndërmarrin hapa të tilla që e parandalojnë stresin, kjo për shkak se kostot dhe impaktet përkatëse janë shumë më efikase. Ja disa nga kërkesat që nxisin parandalimin e stresit në punë dhe që duhet të konsiderohen nga çdo menaxher: Sinkronizimi ose balancimi i ngarkesës në punë me kapacitetet. Organizimi i punës në mënyrë të tillë, që të nxitet mendimi i punonjësve dhe të përdoren drejt aftësitë e tyre. Përcaktimi i qartë i rolit të çdo punonjësi në arritjen e objektivit të organizatës. Krijimi i mundësive që punonjësit të marrin pjesë në vendimarrjet që kanë rëndësi për punën e tyre. Qartësimi i perspektivave të zhvillimit të karrierës dhe punësimit. Nxitja e mundësisë për ndërveprime dhe veprimtari sociale me punonjësit. Gjithashtu, parandalimi dhe menaxhimi i stresit mund të kërkojë ndermarrjen e disa hapave.

Hapi i parë: Identifikimi i faktorëve potenciale që shkaktojnë stres. Kjo kërkon të merren parasysh disa rrethana, të cilat kanë të bëjnë me madhësinë e subjektit që do të ekzaminohet, si dhe me burimet potenciale në dispozicion të këtij qëllimi. Duke njohur teorikisht faktorët që shkaktojnë stres, puna për identifikimin e tyre konsiston në seleksionimin e atyre faktorëve që kanë rrezik më të madh për subjektin ose janë më tipik për të, duke lehtësuar kështu koston e identifikimit të faktorëve. Kështu p.sh.në një institucion qëndror të administratës publike, zor se mund të zgjidhet si faktor stresi, niveli i ndotjes, ndërkohë që në një subjekt privat të konsoliduar nuk mund të përbëjnë faktor stresi, ndryshimet politike.

Hapi i dytë: Matja dhe shkalla e ndikimit të faktorëve. Ky hap mund të realizohet nëpërmjet disa instrumentave që konsistojnë në përcaktimin e shtrirjes së faktorëve në mjedisin e subjektit, si dhe në intensitetin e veprimit të tyre. Metoda të ndryshme përdoren për këtë qëllim, por ato që janë të rekomandueshme nga të gjithë, konsistojnë kryesisht në diskutimet me të punësuarit, intervistat dhe pyetsorët që duhet të plotësojnë të punësuarit, të cilat rekomandohet të jenë konfidenciale, në mënyrë që ata të shpalosin pa rezerva shkallën e veprimit të faktorëve të stresit, edhe kur këto kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërpersonale ose me stilin e menaxhimit.

Hapi i tretë: Analizimi i të dhënave, klasifikimi i faktorëve, si dhe përcaktimi i prioriteteve dhe instrumenteve të ndërhyrjes. Pasi burimet e stresit janë identifikuar, janë klasifikuar faktorët prioritar që e shkaktojnë, është e rëndësishme të përcaktohen instrumentet e ndërhyrjes. Këto instrumente mund të jenë me karakter teknik e material, që kanë të bëjnë me shmangien e faktorëve që shkaktojnë stres, si ndotjet, zhurmat, krijimi i kushteve më të mira për punë apo furnizimi i pajisjeve që lehtësojnë punën. Ato mund të kenë edhe karakter organizativ, si shpërndarja më e drejtë e ngarkesës midis të punësuarve, ndërtimi i strukturave organizative, përshkrimi i qartë i vendit të punës dhe linjave të raportimit, si dhe promovimi e nxitja e karrierës.

Në këtë mënyrë, menaxhimi i stresit është një çështje që duhet të jetë element i rëndësishëm i objektivave dhe planeve të subjekteve publike e private. Por deri tani, kjo është një dukuri që nuk e përfshin sferën e menaxhimit ose elementë të saj realizohen në mënyrë spontane. Menaxherët në përgjithësi janë më të prirur të zbatojnë masa të rrepta disiplinore, se sa të minimizojnë ose eleminojnë faktorët që shkaktojnë stresin, duke rritur kështu në përgjithësi koston e punësimit.

* Sociologe

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net