Nga seanca dëgjimore e Komitetit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare i Kongresit të SHBA mbajtur më 18 Maj me temën: “KOSOVA: STATUSI I TANISHEM DHE I ARDHSHËM” Shirley Cloyes DioGuardi: “Vendimi i presidentit Bush për t'u përqendruar në zgjidhjen e statusit final të Kosovës është vendim i mirëseardhur dhe Rezoluta 24 e Kongresit i afron atij projektin më të mirë për veprim”. “Mbi të gjitha, forcat reaksionare të periudhës së pasluftës në Beograd dhe lobi serb në Uashington ia kanë dalë mbanë që në median ndërkombëtare të krijojnë një paritet të rremë midis kriminelëve të terrorizmit të sponsorizuar nga shteti i Serbisë dhe viktimave shqiptare të gjenocidit.”
Dëshmi e Shirley Cloyes DioGuardit, Këshilltare për Çështjet Ballkanike e LQSHA
Ju falemnderit z. kryetar
Dëshiroj t'ju falenderoj ju z. kryetar Haid (Hyde) dhe kongresistin Lantosh (Lantos), për thirrjen e kësaj seance dëgjimore dhe dëshiroj po ashtu t'ju falenderoj për paraqitjen që i bëtë Rezolutës 24 të Kongresit (H. Con. Res 24), e cila i fton ShBA-të ta mbështesin pavarësinë e Kosovës, tani. Me qëllim që t'i qasemi statusit të tashëm politik dhe ekonomik dhe politikës amerikane në relacion me statusin final, mendoj se ia vlen që në pika të shkurtra t'ua hedhim një vështrim të dhënave dhe përvojës së qeverisë amerikane në procesin e reagimit ndaj konfliktit në Evropën Juglindore në fund të shekullit të njëzet dhe në fillim të shekullit 21. Dhe sapo e bëjmë një gjë të tillë shohim se Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare në mënyrë konsekuente e ka thënë fjalën e tij duke i mbështetur në vazhdimësi aspiratat e popujve të rajonit për liri dhe demokraci, popuj të cilët u shtypën nga komunizmi i pasluftës së dytë botërore për pesëdhjetë vjet me radhë dhe në rastin e shqiptarëve, ata kanë qenë viktimë e racizmit dhe gjenocidit për një periudhë shumë më të gjatë se periudha e errët e komunizmit. Tetëmbëdhjetë vjet më parë, në qershor të vitit 1987, kongresistët Lantosh dhe Xhoe DioGuardi (Joe DioGuardi) së bashku me 57 kolegë të tjerë të Kongresit, paraqitën një rezolutë (H. Con. Res 162) nëpërmjet të cilës jepnin fakte të shumta për dhunimin e neveritshme deri në skajshmëri të të drejtave të njeriut që po u bëhej shqiptarëve shumicë të Kosovës dhe nëpërmjet të cilës bëhej thirrje për drejtësi. Një muaj më vonë, në korrik të vitit 1987, diktatori serb, Slobodan Milosheviç erdhi në pushtet pikërisht në saje të platformës së tij të racizmit antishqiptar. Fatkeqësisht, i gjendur përballë presionit nga ish-kolegë tanët dhe miq amerikanë të Milosheviçit që e kishin njohur atë gjatë kohës sa e kishte bërë detyrën e bankierit në Uashington, Departamenti i Shtetit, vazhdoi të punonte me të madhe prapa perdeve për të promovuar dominimin serb mbi Jugosllavinë, një federatë që s'ishte tjetër veçse federatë në procesin e shpërbërjes së pashmangshme. Në një letër dërguar kryetarit të atëhershëm të Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Dante Fascell, Departamenti i Shtetit kundërshtoi rezolutën - H. Con. Res 162 duke e quajtur si një fyerje për Jugosllavinë, “vendin mik dhe aleat të Amerikës”. Dhe po ashtu e kundërshtoi edhe qëllimin e Komitetit për mbajtjen e seancës dëgjimore mbi rezolutën - H.Con. Res. 162, por kryetari Fascell dhe kongresistët Lantos dhe DioGuardi dolën fitues dhe seanca dëgjimore u mbajt. Seanca dhe takimi i nivelit të lartë që e pasoi atë e në të cilin kongresistët Lantos dhe DioGuardi u takuan me zyrtarë të Departamentit të Shtetit dhe me ambasadorin jugosllav për ta diskutuar shkeljen e të drejtave të njeriut në Kosovë, bënë që Milosheviçi, në shenjë pakënaqësie, ta tërhiqte ambasadorin e tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1989 u krijua një model që vazhdoi gjatë një dekade me pasoja të tmerrshme për popujt e Evropës Juglindore. Në vitin 1990, pasi që forcat e Milosheviçit e sulmuan Vukovarin dhe Dubrovnikun kroat, Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie Ndërkombëtare i bëri thirrje administratës amerikane që t'i kërkonte Serbisë që t'i jepte fund okupimit të Kosovës nga Milosheviçi dhe ta ndalonte marshimin e tij ushtarak përgjatë Evropës Juglindore. Në vitin 1992, kongresisti Lantos paraqiti rezolutën e parë nëpërmjet të cilës Shteteve të Bashkuara të Amerikës u bëhej thirrje ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Po këtë vit Milosheviçi e pushtoi Bosnje Hercegovinën dhe jo shumë kohë më pas pesë anëtarë të Departamentit të Shtetit u detyruan të jepnin dorëheqjen për shkak të fshehjes që u kishin bëra ata kampeve të përqendrimit të Milosheviçit në Bosnje para eprorëve të tyre. Fotografitë e burrave myslimanë të Bosnjës të bërë kockë e lëkurë, që i shëmbëllenin aq shumë epokës naziste, u shfaqën nëpër ekranet televizive të mbarë botës. Pavarësisht nga “paralajmërimi i krishtlindjeve” i vitit 1993, bërë nga presidenti George Herbert Walker Bush, nëpërmjet të cilit Milosheviçit i bëhej e qartë se po që se niste luftë në Kosovë do të përballej me pasoja të ashpra e të tmerrshme, Departamenti i Shtetit ndoqi një politikë të paqetimit, të qetësimit dhe përmbajtjes në Ballkan, që kundërshtonte shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, duke dëshiruar, sipas fjalëve të sekretarit të atëhershëm të shtetit, Xheims Beiker, “që ajo me çdo kusht të ruhej unike”. Në fund të shkurtit të vitit 1998, “paralajmërimi i krishtlindjeve” u shkel. Forcat ushtarake dhe paramilitare serbe e sulmuan Drenicën dhe më pas i filluan dhunimet, plaçkitjen dhe vrasjet në tërë Kosovën. Invazioni i Milosheviçit u bë i influencua edhe nga i dërguari i Departamentit të Shtetit, Robert Gilbard, kur ai në mënyrë publike e quajti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (forcën mbrojtëse të popullit që u ngrit për t'i mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga ushtria serbe) organizatë terroriste. Dhe brenda më pak se një muaji, më 12 mars të vitit 1998, Gelbardi u detyrua ta tërhiqte deklaratën e tij gjatë një seance dëgjimore që u konvokua nga kryetari i atëhershëm i Komitetit të Kongresit për Marrëdhënie ndërkombëtare, Ben Gilman. Në maj të po atij viti, ish-kongresisti Joe DioGuardi dëshmoi para përbërjes së plotë të Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me jashtë të kryesuar nga Gordon Smith dhe Joe Biden, duke bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake për t'ua shpëtuar jetën shqiptareve të Kosovës që gjendeshin përballë shfarosjes. Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës më në fund u vunë në krye të sulmeve ajrore të NATO kundër Serbisë në mars të vitit 1999, pas dështimit të diplomacisë së të dërguarit për Ballkanin, Riçard Holbruk dhe falë bindjes morale të sekretares së atëhershme të Shtetit, zonjës Medlin Olbrajt, forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe kishin vrarë mbi 300.000 burra, gra e fëmijë në Bosnje, të paktën 10.000 në Kosovë, (për fatin e rreth 2400 prej të cilëve nuk dihet ende asgjë) dhe kishin dëbuar mbi katër milionë të tjerë. Për një periudhë të shkurtër kohe, nga marsi deri në qershor të vitit 1999, Kongresi dhe Administrata ishin bërë trup i vetëm për rrëzimin e Milosheviqit dhe populli amerikan e mbështeti qeverinë e tij me forcë, veçanërisht fuqishëm e mbështeti gjatë tërë kohës që pandërprerë shihte tek iknin shqiptarët e përzënë me dhunë nga shtëpitë e tyre në Kosovë për t'u bërë grumbull nëpër kampet e refugjatëve në kufijtë e Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Por kur mbaroi lufta dhe Milosheviçi kapitulloi, Shtetet e Bashkuara u pajtuan që të tërhiqeshin ndaj çfarëdo vendimi lidhur me statusin final të Kosovës. Ky qe sinjali i parë se Departamenti i Shtetit do ta përqafonte sërish orientimin e tij historik me përqendrim në Beograd. Duke u pajtuar që statusin e Kosovës ta linte në pritje, SHBA-të po përuleshin kështu ndaj Evropës Perëndimore, e cila priste të merrte përsipër përgjegjësinë kryesore për dhënien fund konfliktit në Ballkan. Por në qoftë se historia e Ballkanit na ka mësuar diçka, ajo është se Evropa e përçarë nuk është e zonja të ndërmarrë asgjë pa e lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe provë e gjashtë viteve të shkuara është se shtyrja e statusit final ka qenë veprim i gabuar. Në periudhën e pasluftës, Beogradi në mënyrë konsekuente ka provuar ta destabilizojë Kosovën duke iu kundërvënë integrimit të serbëve të Kosovës. Jo më larg se javën që shkoi, shefi i Misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jesen-Petersen shprehu publikisht zhgënjimin e tij me shkrimet e botuara në shtypin serb dhe tha se “Beogradi edhe një herë i ka dekurajuar serbët e Kosovës të jenë pjesë e dialogut dhe pjesë e institucioneve të Kosovës”. Serbët e Kosovës janë kërcënuar që të mos marrin pjesë në këto institucione. Mbi të gjitha, forcat reaksionare të periudhës së pasluftës në Beograd dhe lobi serb në Uashington ia kanë dalë mbanë që në median ndërkombëtare të krijojnë një paritet të rremë midis kriminelëve të terrorizmit të sponsorizuar nga shteti i Serbisë dhe viktimave shqiptare të gjenocidit, disa prej të cilave kanë marrë guximin që në mënyrë individuale të hakmerren kundër individëve të caktuar serbë. Edhe pas daljes në shesh se makineria ushtarake kriminale e Milosheviçit gjatë tërheqjes nga Kosova morën me vete shumë kufoma shqiptarësh që i kishin vrarë e masakruar duke mbushur kamionë të shumtë frigoriferë për t'i bartur përtej kufirit dhe varrosur nëpër gropa masive në Serbi në përpjekje që ta mbanin të fshehur shkallën e krimeve të Millosheviçit dhe megjithëse edhe më herët ishte zbuluar sheshit se paramilitarët serbë i kishin varrosur kufomat e shqiptarëve të vrarë në minierat e Trepçës, shteti sovran i Serbisë gjeti forcë që shqiptarët e Ballkanit t'i cilësonte me pa të drejtë si burimin e dhunës në rajon. Dhe Serbia ia doli ta bënte këtë gjë (gjë të cilën unë e konsideroj të habitshme sepse bie plotësisht ndesh me përvojën që kam përjetuar vetë gjatë trembëdhjetë udhëtimeve që i bëra në Kosovën e pasluftës) vetëm pse shumica e shqiptarëve të Kosovës janë myslimanë. Në botën e pas 11 shtatorit nuk ishte vështirë t'i bindje perëndimorët, në pjesën dërrmuese të painformuar për historinë dhe realitetet e Evropës Lindore, se shqiptarët janë një shtet i mundshëm terrorist mysliman në zemër të Evropës. Në realitet, shqiptarët janë myslimanë, katolikë dhe të krishterë ortodoks sekularistë që kanë jetuar krah për krah njëri-tjetrit në harmoni të plotë shekuj me radhë. Përpjekjet e Beogradit për t'i portretizuar shqiptarët e Kosovës si njerëz që nuk e meritojnë të drejtën për liri dhe për vetëvendosje u lehtësuan edhe më shumë nga ngjarjet tragjike të marsit të vitit 2004, në të cilat u vranë nëntëmbëdhjetë persona, njëmbëdhjetë prej të cilëve shqiptarë e tetë serbë dhe u dëmtuan e djegën tridhjetë objekte fetare të besimit ortodoks. Makineria propagandistike serbe pa vonesë këtë dhunë e përshkroi si “spastrim i neveritshëm etnik” i Kosovës nga minoriteti serb dhe si një akt të orkestruar “kundër krishterimit” nga myslimanët shqiptarë. Por asnjëra prej këtyre pohimeve nuk ishte i vërtetë. Shumica e shqiptarëve shprehën keqardhjen dhe kundërshtimin e tyre ndaj kësaj dhune që ngjau midis 17 e 19 marsit të vitit 2004. Ato që i dhanë zjarr shpërthimit të zemërimit dhe frustrimit në mesin e shqiptarëve të rrethuar që kishin humbur besimin në qëllimet e komunitetit ndërkombëtar, qenë disa incidente të vogla ku bënte pjesë refuzimi i OKB-së për t'i dhënë fund demonstratës serbe që kishte bllokuar arteriet kryesore të Kosovës për tri ditë me radhë dhe mbytja e tre fëmijëve shqiptarë në pjesën veriore të Kosovës nga siç supozohej disa të rritur serbë. Kongresmenët Haid dhe Lantosh e dinë se paqe e qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën Juglindore që është në interesin vital të SHBA, mund të krijohet vetëm duke i dhënë fund ndarjes faktike të Mitrovicës dhe njohjes së Kosovës së pavarur. Botën nuk duhet ta befasojë shpërthimi i dhunës në Kosovë, por shfaqja e saj shumë rrallë, veçanërisht nëse kihet para sysh fakti se bëhet fjalë për një shoqëri e ardhmja politike dhe ekonomike e të cilës po vazhdon të mbahet peng nëpërmjet mohimit të statusit final tash e gjashtë vjet me radhë. Shtatëdhjetë për qind të shqiptarëve janë të moshës nën tridhjetë vjeç dhe mbi gjashtëdhjetë për qind të popullsisë është e papunë. Në takimin e shkurtit të këtij viti, kongresisti Dana Rohrabacher e përshkroi drejt realitetin e politikës amerikane në Kosovë kur tha se “ne po ua vjedhim jetën shqiptarëve të Kosovës”. Në periudhën e pasluftës dhe sidomos pas ngjarjeve të Marsit 2004, ishte vetëm Komiteti i Kongresit për Marrëdhënie me Jashtë ai që kuptoi dhe trajtoi me objektivitet rrezikun që sjell me vete shtyrja e statusit final të Kosovës. Në fillim të legjislaturës së 108-të të Kongresit, kongresisti Lantos dhe kryetari Haid paraqitën rezolutën e Kongresit 28, e cila i ftonte ShBA-të ta njihnin pavarësinë e Kosovës tani dhe në maj të vitit 2003 mbajtën një seancë të plotë dëgjimore të Komitetit që iu kushtua pavarësisë së Kosovës. Dhe në fillim të legjislaturës 109 këtë rezolutë e paraqitën sërish, tani si Rezoluta 24 e Kongresit. Ata e bënë këtë gjë jo vetëm se janë ithtarë të të drejtave dhe dinjitetit të njeriut kudo në botë, por edhe pse e dinë dhe e pranojnë se kjo gjë është në interesin vital të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pasur paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në Evropën Juglindore, të cilat mund të krijohen vetëm duke i dhënë fund ndarjes faktike të Mitrovicës dhe njohjes së Kosovës së pavarur. Është në interesin jetik të Shteteve të Bashkuara që të mos krijohet kundërthënie në dukje midis angazhimit për zgjedhje të lira dhe demokraci në Irak dhe në Ukrainë, afirmimit të tranzicionit të plotë të shteteve të rajonit të Balltikut nga vende komuniste në vende demokratike, mbështetjes së përfshirjes së Turqisë, një shtet i moderuar mysliman në Bashkimin Evropian e pastaj të dalësh kundër dëshirës së popullit të Kosovës, i cili e ka dhënë fjalën e tij për pavarësi qysh në referendumin kombëtar për pavarësinë në vitin 1990. Në verën e vitit 2004, mbi një milion shqiptarë të Kosovës dhe qindra serbë po ashtu të Kosovës, si dhe mijëra shqiptarë të tjerë në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Çamëri, në Luginën e Preshevës, Australi dhe Zelandë të Re nënshkruan një peticion nëpërmjet të cilit i bënin thirrje presidentit Bush ta mbështeste rezolutën 28, tani rezoluta e kongresit 24 (Shtëpia e Bardhë ende nuk e ka shprehur gatishmërinë e saj për t'i pranuar nënshkrimet e këtij peticioni, qoftë privatisht qoftë publikisht). Ekzistenca i një shumice progresive myslimane shqiptare në zemër të Evropës është në interesin vital të ShBA-ve . Shqiptarët kundërshtojnë plotësisht sojin e forcave reaksionare shtypëse që kanë nxjerrë kokë në radhët e myslimanëve të Lindjes së Mesme dhe i kanë kundërshtuar me forcë përpjekjet e tyre për ta shpalosur ideologjinë e tyre në Ballkan. Është po ashtu në interesin vital të ShBA-ve ta mbështesin lirinë dhe zhvillimin demokratik të shqiptarëve të cilët janë grupi më proamerikan dhe më properëndimor në tërë Evropën Juglindore dhe në fakt jo vetëm në këtë rajon por në tërë Evropën. Kur u sulmua Amerika më 11 shtator, shqiptarët ndezën qirinj dhe tërë natën mbajtën një manifestim të heshtur me posterët e shpalosur mbi të cilët qëndronin fjalët “Jemi me ju” ndërkohë që shumë e shumë serbë, sllavë maqedonas, grekë dhe rusë hedhën valle në rrugë për ta shprehur gëzimin që po ndjenin ndaj dhembjes që po jetonte Amerika. Është në interesin vital të ShBA të ofrojë mbështetje të mirëfilltë për demokratizimin e të gjitha shoqërive që po dalin nga komunizmi dhe ultranacionalizmi. Kjo nënkupton se duhet shikuar në sy faktin se politika amerikane gjatë pesëmbëdhjetë viteve të kaluara nuk ka arritur ta denazifikojë dhe demokratizojë Serbinë. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës janë të rrezikuarit kryesorë nga e tërë kjo, është po ashtu e vërtetë se pasojat e dështimit tonë që ta çmontojmë sistemin e Milosheviçit janë duke i vuajtur edhe serbët e Kosovës dhe të vetë Serbisë. Derisa standardet që u aplikuan në Kosovë si një taktikë për shtyrjen e statusit final nuk aplikohen së pari dhe me tërë forcën në Serbi, ky vend do të vazhdojë të jetë shtet mafioz që i destabilizon fqinjët e tij. Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjendën përballë zgjatjes së mundshme të krizave në Irak, në Afganistan dhe në Lindjen e Mesme dhe me mundësinë e daljes në skenë të Koresë nukleare të Veriut, është në interesin vital të ShBA-ve që t'i jepet fund mundësisë së një lufte të re në Evropën Juglindore një herë e përgjithmonë. Vendimi i presidentit Bush për t'u përqendruar në zgjidhjen e statusit final të Kosovës është vendim i mirëseardhur dhe Rezoluta 24 e Kongresit i ofron atij projektin më të mirë për veprim.
Dëshmi e Shirley Cloyes DioGuardit, Këshilltare për Çështjet Ballkanike e LQSHA |