Gazeta “Mirdita”, spektakël i madh me bashkinë Rubik
Për një Rubik në ndryshim
nga Gjergj Marku RUBIK. Krishtlindjet dhe festa e ndërrimit të moteve, këtë vit, ka ardhur në një mënyrë të veçantë për qytetarët e Rubikut, ata kanë patur në mes tyre tërë stafin e gazetës në një veprimtari të përbashkët promocionale të titulluar “Për një Rubik ndryshe”, një lëvizje e madhe e këtij komuniteti, në bashkëpunim me bashkinë e Rubikut. Për t'u futur në paskuintat e kësaj dite kulturore, gjithçka është menduar prej kohësh dhe në themel të saj kishte një program të zgjeruar, hartuar nga bashkia me “operatorë” të ndryshëm që po veprojnë në këtë bashki, si dhe një pune të shkëlqyer të stafit të gazetës. Ajo që u programua prej disa numëra të gazetës në suplementet e saj, pati si bilanc tejet sinjifikativ dhe kulmor pikërisht veprimtarinë në formën e një dite kulturore të datës 23 dhjetor 2004.
Në fakt e gjithë veprimtaria u konceptua në formën e një dite kulturore, veprimtari të cilat janë nisur prej disa kohësh në Rrëshen dhe që kulmoi në ditën kulturore “Mirdita në metropol” në Tiranë, një nga shpalljet më kulmore të Mirditës, elitës së saj kulturore në metropol qershorin e vitit të kaluar, që mori përgëzime nga mirditorët e “migruar” tashmë në Tiranë a gjetkë, por që gjeti jehonë dhe në rrethet intelektuale të vendit. “Dita kulturore e Rubikut”, padyshim ka qenë ndër veprimtaritë më mbresëlënëse në historinë e këtij qytetit, dhe ka patur një masivizim të admirueshëm, duke bërë pjesëmarrës njerëz të shumtë.
Program i ngjeshur dhe i larmishëm
Dita kulturore ka nisur me hapjen ceremoniale tek holli i qendrës kulturore “Abat Doçi”, ku është prezantuar prgrami, synimet dhe axhenda e kësaj veprimtarie nga kryetari i bashkisë Mark Ruçi, kryetare e këshillit Shpresa Nikolli dhe botuesi i gazetës Gjergj Marku. Më pas të pranishmit kanë shijuar punimet cilësore të piktorëve vendas Pjetër Marku, Gjok Pepa, Zef Lleshi, në një ekspozitë pikture. Po aty është bërë promocioni i qendrës satelitore të internetit, një projekt nga më të bukurit dhe shumë domethënës, bashkëpunim i bashkisë Rubik dhe organizatës humanitare Albania Austria Partnerchift. Duhet thënë se kjo është një nga gjërat më të mënçura që është bërë në Rubik, ku fatkeqësisht tash për tash mungon lidhja telefonike e abonentëve, pasi ende funksionon lidhja me central jashtë qytetit.
Qendra e internetit bën të mundur një lidhje moderne të banorëve të këtij qyteti me botën, dhe për këtë, sipas drejtuesve të bashkisë, do të stimulohen intelektualët, forcat krijuese dhe sidomos nxnnësit, për të cilët do të hapen së shpejti kurse kompjuteri etj. Gjithashtu bashkia ka vendosur t'i japë udhë projektit për një site interneti të vetë bashkisë, programimit të strategjisë, profilit, etj, dhe adaptimit në një program nga ku mund të shkëmbehet çdo lloj informacioni të bashkisë më bashki e institucione të tjera brenda dhe jashtë vendit. Po këtu është bërë promocioni i dy faqeve të internetit me emrin “Mirdita”, të hapura prej gati një viti nga Tonin Ndoja, i cili punon e jeton në Kanada dhe Leon Kaza, mjek në Tiranë. Në prani të dhjetëra vetëve, në mënyrë simbolike u dërgua në këto ëebsite dhe një mesazh nga Rubiku.
Më të mirët e shkollave dhe promovimi i një libri
Aktiviteti pasues u zhvillua në mjediset e konviktit të shkollës së Rubikut, nën emërtimin “Krenaria e zonës”, me nxënësit më të mirë të shkollave të zonës, një traditë e bukur prej vitesh, e ripërtërirë kohët e fundit në këtë zonë. Fëmijët e dalluar nën shoqërimin e mësuesve të tyre nga Vela, Rrasfiku, Katundi i Vjetër, Vaushkjezë, Fang dhe qyteti Rubik, kanë marrë pjesë në një veprimtari mbresëlënëse, e ndërtuar thjeshtë dhe këndshëm nga sektori i kulturës së bashkisë nën drejtimin e inspoektorit Viktor Pepa. Fëmijët kanë kënduar, kërcyer dhe janë sajdisur me pakot e Vitit të Ri, ndërsa janë përshëndetur nga kryetari i bashkisë, ajo e këshillit, mësuesit, si dhe drejtuesi i arsimit në Mirditë Ndrekë Bardhi, nënprefekti Bardhok Pulaj e të tjerë.
Pas kaq vitesh, për herë të parë në një nga sallat e shkollë së mesme Rubik, sillet dhe promovimi i një libri, një traditë e munguar këtu, por që nis një udhë të re. Fati i ka takuar autores më të re, poeteshës Aurora Përlala, libri i të cilës është përcjellur përmes një diskutimi të ngrohtë dhe bashkëbisedimi, organizuar nga mësuesja e letërsisë Manjola Pepkolaj dhe poeti i zonës Ndue Bushkolaj. Redaktori i librit Ndue Dedaj, njëkohësisht drejtues i shtëpisë botuese MIRDITA, nxitës i krijimtarive të të të rinjëve, ka përshëndetur autoren, duke thënë se në Rubik nuk jemi në një truall të zbrazët poetësh, dhe sidomos poeteshash, që nga Elinda Marku, Donika Tusha, etj., prej këtu u morën filizat e para të një krijimtarie moderne. Gjithashtu takimin e ka përshëndetur dhe Bardhok Pulaj, kryetari i bashkisë e të tjerë. Madje ky i fundit, ka thënë se nëse do të arrihet që poetesha e re Aurora Përlala të marrë pjesë, të paktën siç përflitet në një veprimari Ballkanike, bashkia do të jetë mbështetëse financiare e saj.
Blob- me personazhet e 2004-s në Rubik
Shpresa Nikolli
Kryetare e këshillit të Rubikut. Mësuese e frëngjishtes.
Do të mbahet mend si rasti i parë, që theu tabunë e domenit “burrë” në drejtim të këshillave në Mirditë.
Thotë se ndjehet mirë mes këshilltarësh, edhe kur e mirëkuptojnë, edhe kur jo, por prania e një gruaje jep avantazhin, për të zbutur agresivitetin që ngandonjëherë burrat tregojnë. Po bëjmë punë të mira për Rubikun, dhe njerëzit duhet të na mbështesin, thotë me pak fjalë.
Llesh Medha
Prej 10 vitesh kryeplak në fshatin e Velës. Gjëja më e vështirë të “ujdisësh” me të gjithë, megjithatë të krijoj harmoni në fshat, është puna kryesore imja dhe për këtë nuk ndjehem i lodhur. Njeriu që i zë derën kryetarit të bashkisë për projektet në fshatin e vet, mban mend si ngjarjen më të rëndësishme ndërtimin e kishës në Velë, me një histori pak si të hidhur para shumë vitesh, me fshatrat fqinj të bajrakut tjetër. Kujtohet dhe për piktorët e vegjel të Velës, që drejtohen me pasion nga mësuesi Gj. Ndoj, por nuk mund të harrojë edhe transportin e fëmijëve të fshatit të tij për t'i sjellur çdo ditë për të studiuar në shkollën e mesme.
Ndue Prenga
Mësues i kimisë prej 17 vitesh. Rubiku është vendi ku ndjehet mirë dhe sidomos kur dëgjon se nxënësit e tij kanë mundur të çajnë nëpër konkurse brenda dhe jashtë vendit. Vjen për të thënë se ambicjet profesionale të tij janë për më tej, e të tjerë nxënës do të ulen në auditorët e shkollave të larta.
Gjon Rroku
Të japësh 40 vjet mësim, punë e vështirë, por e fisme. Ndjehet i freskët po ashtu si ditën e parë. Me çantën e mësuesit ka shëtitur Pukën, fshatra të shumtë në Mirditë e tash sa vite në Rubik. Metodist si ai, korrekt dhe kërkues. I gëzohet faktit kur sheh nxënës të tij në profesione të nderuara, kuadro e drejtues.
Marsel Përdoçi
Nxënës i klasës së shtatë. Përcaktohet si fëmija gjeni i shkollës, preferon shkencat natyrore. Ka dëshirë të flasë mirë për të gjithë mësuesit e tij. Ndërsa studion në gjermanisht, anglisht, por dhe italisht. “Thellësia e mendimit dhe saktësia”-tregues për të përftuar një talent të tillë në shkencat natyrore, kështu thonë mësuesit e tij. Aty para skenës, deklaron një të fshehtë të punës së tij, thotë se studion jo më pak se 5 orë në ditë.
Pjetër Pjetri
President i firmës “Konstruksion sh.p.k”, projektues dhe zbatues i njohur. Bekgraund i pasur në fushën e tij që nga k/ingjinier, shef urbanistike, drejtor dhe deri tek “president” firme, (natyrisht jo si Moisiu!). “Senator i përjetshëm” në sferat e organizmave të urbanistikës. E përtyp faktin se në fushën e tij kanë hyrë shumë të tjerë, që nuk kanë lidhje me ndërtimin, çështje trazicioni, ndërsa hobi i tij të kryqëzojë vija në letër për të dhënë një objekt stilistik të arrirë, duke mos harruar modelet më të mira të ndërtimit të moçëm mirditor.
Alma Gega
Nxënëse e shkollës së mesme.
Jo vetëm shtatlartë (ngjasim perfekt antropologjik në lartësi i të atit), por dhe talent në “përkëdheljen” e topit, e papërmbajtshme në sulmet në rrjetë, intuitive. Një premtim për të ardhmen e volejbollit shqiptar. Rubiku e ka koleksionuar tashmë në ndërgjegjen e vet, pas Pashk Zefit, futbollistit të famshëm të dikurshëm. Të jetë lojtare e kombëtares së ardhshme, synimi i saj, një kujtim i Ela Tases për të, ogur i mbarë, ashtu si motrat Prenga të Rrëshenit.
Donalda Legisi
Viti i tretë gjimnazi Rubik. Që nga klasa e parë nuk njeh notë tjetër veç 10-s.
“Talent dhe më shumë punë”, kështu thotë ajo. Në fakt në krahun tim mund të ishin dhe Florinda e Leandra, ndërsa pas Dorina Shqalshit, e cila mori medaljen e artë para dy vitesh e që studion aktualisht në Itali, është kthyer në simbol i shkollës. Thotë se të studiosh në Rubik, nuk është më pak se të studiosh në Tiranë, ka mësues të talentuar dhe profesionalisht shumë lart, ecja para varet nga vetë ne nxënësit.
Cristoforo Palmieri
Adimninistrtator i dioqezës. Prej vitti 1967 prift në shërbim të njerëzve.
11 vite në Shqipëri, një punë e jashtëzakonshme për të ndërtuar infrastrukturën kishtare në Mirditë, numërohen mbi 25 kisha në dioqezë, por filozofia e tij është “Të rindërtosh njeriun!...”, dhe kjo është më e vështira. Dy veprat më të mëdha kishtare do të mbahen mend në kujtesën e besimtarëve mirditorë, katedralja e Rrëshenit dhe qendra profesionale, megjithëse shumë gjëra kanë qëndruar për vite në trurin e tij, realizimet don t'i ndajë me mundin e gjithë misionarëve, që kanë vepruar në Mirditë. Është befasues fakti, që për herë të parë dikush kujtohet ta bëjë personazh në një skenë të tillë të nderuar...
Sinan Bunguri
Komandant i brigadës së xhenios. Prej më se një viti punon në “territorin” e Rubikut, në autostradën e re katërkalimshe. Por me kolegët e tjerë ushtarakë, nuk mund të harronte komunitetin vendas, ndaj është përfshirë vrullshëm në projektin për ndryshimin e këtij qyteti. Rrugë fshati, prita lumore, ura beli, pastrim të mbetjeve urbane dhe inertet në qytet dhe sipërmarrje që do të shtohen, mbi 30 milion lekë i investuar në dobi të rubikasve. Ushtarak i karrierës, thotë se i pëlqen të jetë njeri komunitar.
Ndue Dedaj
Ka ardhur për të dhuruar libra për qendrën kulturore, sinjal i rifitimit të lavdisë së dikurshme të bibliotekës këtu, dhe ka qenë e papritur për të dalja si “personazh” në Rubik. Por me punën e bërë si botues, duket se do të jetë “personazh i tërë bashkive dhe komunave”. Studiues, shkrimtar, poet, 7 libra të botuar, 2 me bashkëpunim, nxitës i botimeve që kalojnë nëpër një sitë profesionale, veprimtari të tilla nuk i sheh vetëm si trill personash por si nevoja, që mund ta prosperojnë Mirditën. Flet pak dhe saktë, dëshira e tij të shkundë nga pluhuri i harresës plejadën e dijetarëve mirditas ndër mote, por dhe të atyre që janë marrë me Mirditën, të vendit apo të huaj. “Të kesh mik një fëmijë, është më shumë se të kesh një mbret!...”, -kështu thotë ai, ndaj dhe nuk harron “të pijë një kafe” me ta, por dhe të shkruajë rrëfenjëza shumë interesante.
Mark Gjoka
Një jetë të tërë me këngën.
Këngëtar, por dhe vjershëtor, muzikant, por dhe kantautor.
Thotë se kam dy vendlindje, Kullaxhiun, ku e lindi nëna, por dhe Rubikun ku mori dashurinë e një zonje nga Kaçinari e ku më lindën tre fëmijët e mij. Ndonëse me këngën e tij ka “shëtitur” botën i pëlqen të rikthehet këtu në Mirditë, në këtë qendër kulturore ku morën udhë lirikat brilante të tij dhe të treshes së njohur mirditore me Dodë Prendin e Anton Gjokën. “Geni” i këngëtarit dhe muzikantit është përcjellur edhe tek djemtë e tij Arbëri, Kujtimi dhe Saimiri, që ndonëse studion për mjekësi nuk i ndahet muzikës me grupin ALB Magji, të pagëzuar nga poeti i shquar mirditor Gjok Beci.
Përgëzime sponsorëve të ditës kulturore
Gazeta Mirdita, bashkia Rubik, tërë stafi organizator, studiuesit mirditorë, falenderojnë drejtuesit ligjorë të firmave ndërtuese ing. Pjetër Pjetri, Fatmir Çopja dhe Rexhep Ruçi. Ne ju kujtojmë zotërinjëve të nderuar se sponsorizimi për kulturën, artin, shkencën, arsimimin, si në rastin konkret, siç themi ne mirditorët “nuk shkon humbës”. Me siguri dhe ndihma juaj, me veprimtarinë që zhvilluam së bashku, ka hapur një portë prosperieti për integrimin e shpejtë të këtij qyteti në rrjedhat e duhura.
|