Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Shqipëria një eruo l

TEMAT

 Terrorizmi rrezik aktual  

 Shqipëria një euro !

 Kush e vrau Hajdarin ? 

 Tadea 

 

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

   

“SHQIPËRIA NJË EURO”! PSE NJË ? PO SA ? PO SI ?
 
( Rreth nismës së qeverisë “Shqipëria një euro” )

            * Nga : Gjon NDREJA

            Titulli i këtij shkrimi nuk është një variant i  lojës së  kungulleshkave por kështu emërtohet nisma e re e qeverisë Berisha, nga e cila janë varur shumë shpresa për tërheqjen e investitorëve të huaj. Kjo nismë është anonçuar papritmas nga kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar të PD,ku sipas tij çdo gjë do t’u jepet investitorëve me një euro. Kryeministri   e prezantoj këtë nismë edhe në Bari në panairin “Fiera de Levanto” si një “lehtësi maksimale tatimore” dhe pritet t’a prezantojë edhe ne Greqi, (nuk dihet se me c’farë emri) ku do të mbajë takime me biznesmenë dhe politikanë grekë. Kjo nismë që është akoma vetëm një slogan, ka ngjallur kureshtjen e grupeve të ndryshme të interesit. Ajo është kthyer në një rebus për zgjidhjen e të cilit janë angazhuar    politikanë, publicistë, biznesmenë, ministra e zyrtarë të ndryshëm. Ajo me të drejtë ka ngjallur kureshtjen edhe të opinionit publik dhe shumë pyetje kanë filluar të bëhen, pyetje të cilat mund të përmblidhen. “Përse një euro ?”, “Po sa ?”, “Po si ?”. Këto pyetje për çudi , duket se i ka akoma edhe vetë kryeministri, i cili pavarësisht se e ka anonçuar nismën, ka urdhëruar administratën e ministrive që të formatojë platformën për zbatimin e saj brenda gjysmës së parë të Shtatorit.
            Ndoshta për të shmangur këto pyetje dhe për të mënjanuar degjenerimin e saj, në një lojë kungulleshkash, do të ishte më mirë  sikur paraprakisht specialistët e ndryshëm të ekonomisë dhe të legjislacionit të kishin përgatitur më parë përgjigjet e këtyre pyetjeve, që natyrshëm tashmë janë prezente dhe mbi këtë bazë të ishte shpallur edhe nisma përkatëse.

            PSE NJË ?

            Në foton e publikuar në këtë shkrim, në sfond duket një objekt i ndërtuar në det. Ai ndodhet në qytetin Sheveningenit, në afërsi të Hagës , në Hollandë  dhe është një qendër tregtare me një sipërfaqe prej rreth 1 ha . Për të bërë një foto në këtë qytet kishte vende shumë më të bukura por arsyeja e vërtetë që kjo është fiksuar në albumin tim, është fakti se objekti në sfond është shitur vetëm për një euro dhe kjo për mua përbënte një habi. Kur miku ynë hollandez që na shoqëronte në këtë udhëtim, na e kumtoji këtë fakt, ne të gjithë u befasuam dhe mbasi fillimisht nuk e besuam , i drejtuam atij një seri pyetjesh. Dikush nga ne, madje si me të qeshur e pyeti se përse ai nuk e kishte blerë atë objekt , mbasi ishte edhe banor i këtij qyteti. Ai filloji të zgjidhë enigmën duke na treguar edhe historinë se si ajo ishte shitur një euro, histori e cila në mënyrë të përmbledhur është si vijon:
            Objekti ishte pronë publike dhe kishte disa vjet që rezultonte me humbje dhe kishte një paaftësi të theksuar paguese. Specialistët kishin hartuar disa projekte për daljen nga humbja, projekte të cilat kërkonin investime  suplementare. Institucioni publik që e kishte atë në pronësi nuk e kishte në prioritetet e veta veprimtarinë e këtij objekti dhe investimet e kërkuara mendonte t’i drejtonte në sektorë të tjerë prioritar. Kështu u gjykua që objekti duhej të shitej por vlera kontabël e tij ishte mjaft e lartë dhe nuk qe atraktive për asnjë investitor. Atëherë u zgjodh shitja me ankand por edhe kjo nuk rezultoi e suksesshme. Si mënyrë e fundit teorikisht ekzistonte edhe konçensioni por objekti nuk i kishte ato përmasa që të jepesh me konçesion aq më tepër që në këtë vend, kjo mënyrë  nuk ishte praktikuar. Një grup specialistësh i propozuan organit përkatës publik, shitjen me një euro, me kusht që investitori eventual të paraqiste një program për rehabilitimin e vënien në efiçensë të objektit. Propozimi përfshinte edhe faktin që investitori potencial, duhej të kryente investime në një shumë minimum, të punësonte një minimum punonjësish,të paraqiste një biznes plan, si dhe t’i ndalohej  e  drejta e shitjes apo tjetërsimit të objektit për një periudhë të caktuar.
            Propozimi u pranua dhe pa e zgjatur kjo solli blerjen e objektit nga një investitor vendas si dhe rikonstruksionin e tij duke e sjellë atë në një qendër biznesi dhe pikë turistike, ku kryejnë veprimtarinë e tyre dhjetëra subjekte të tjera. Parashikimet e biznes planit tashmë janë tejkaluar në mënyrë të ndjeshme dhe ajo   është kthyer në një subjekt shumë kompetitiv.
            E më në fund më duket se   pyetja “Pse një ?” ka marrë një farë përgjigje, pa çka se më vonë mund të bëjmë edhe ndonjë plotësim.

            PO SA ?

            Synimi i kësaj nisme të qeverisë në thelb është pozitive dhe është prezantuar se ka pa për objektiv shtimin e investimeve të huaja. Por pikërisht nga togfjalëshi i fundit “investimeve të huaja” me të drejtë lindin një seri pyetjesh të tjera. Fakti që këtë nismë qeveria po e anonçon në vendet fqinje pa u kuptuar akoma thelbi i saj nga vendasit është disi e diskutueshme. Madje kjo të ngjan me një lloj fobie ndaj investitorëve vendas. Një analist ka shkruar diku se kjo përbën edhe shkelje kushtetuese dhe ka të bëjë me diskriminim e investitorëve  vendas. Është një çështje që ja vlen të diskutohet jo vetëm për paqartësitë juridike që bart por edhe për përmbajtjen e saj ekonomike sociale. Në qoftë se nisma synon nxitjen e investimeve në vendin tonë, nuk ka asnjë arsye që të përjashtohen investitorët vendas nga përfshirja e tyre në këtë projekt. Tashmë në vendin tonë është krijuar një klasë kapitalistësh e aftë që të kryejë sipërmarrje serioze, mjafton që qeveria të krijojë lehtësirat e nevojshme. Për ndryshe ajo do të komprometonte qëllimin e vërtetë të saj dhe do të katandisej vetëm në një show ashtu si edhe nisma të tjera si ajo  për “zonat e lira” etj.
            Një euro mund të jetë vetëm çmimi minimal që mund të realizohet në këtë proces dhe vetëm kur format e tjera të privatizimit të pronës publike nuk rezultojnë të suksesshme. Megjithëse nuk është e qartë në se ky projekt do të shtrihet, ashtu siç është kumtuar deri tani, në dhënien me qera të tokës apo edhe në shitjen e saj e të  objekteve të tjera apo do të përbëj vetëm lehtësira tatimore siç deklaroj kryeministri në Bari. Personalisht do të mendoja se ky projekt duhet të jetë brenda kuadrit të privatizimit të pronës publike si një instrument për shpejtimin dhe efektivitetin e këtij procesi. Përndryshe veshja e lehtësive tatimore ose e lehtësive të tjera nën emrin “një euro” do të ishte më shumë një butafori. Pra “një euro” nuk mund të jetë e vetmja alternativë por ajo duhet përdorur në rend të fundit , krahas formave e procedurave të tjera, duke synuar edhe thjeshtimin e tyre. Caktimi apriori  dhe në mënyrë administrative i vlerave të aseteve është në kundërshtim me logjikën ekonomike të tregut dhe për rrjedhojë rrezikon të komprometojë qëllimin dhe objektivat e nismës.

            PO SI ?

            Në varësi të objektivave që kërkon të realizojë qeveria nëpërmjet kësaj nisme mund të përcaktohen  edhe rrugët e mjetet për realizimin e saj. Dhe për të ndërmarrë një nismë e cila parashikon ndryshime reformuese  të realitetit dhe të procedurave të deritanishme duhen evidentuar faktorët dhe procedurat të cilat kanë penguar zhvillimin me sukses dhe arritjen e qëllimeve e objektivave. Nga masat që duket se e kanë shtyrë  qeverinë të ndërmarrë këtë nismë për të shitur, dhënë me qera apo për të paguar një euro shërbimet e ndryshme, në pamje të parë duket se janë niveli i lartë i tyre, të cilat janë bërë shkak për të trembur investitorët e huaj. Unë nuk besoj të jetë ky shkaku por ai duhet kërkuar tjetër kund. Sipas opinionit tim “ndrojtja” e investitorëve të huaj nuk ka të bëjë me çmimet e larta të shërbimeve, nivelin e lartë të taksave por me të ashtuquajturin “rrisk politik”. Në se situata në Ballkan po shkon drejt normalizimit, stabiliteti politik i Shqipërisë në sytë e investitorëve të huaj është  akoma në diskutim. Raportet refraktare midis pozitës dhje opozitës,niveli i lartë i korrupsionit, pa qëndrueshmëria e institucioneve të pavarura, mosrespektimi i ligjit etj.dhe sjellja e qeverisë  me investitorët vendas, janë tregues që vlerësohen paraprakisht nga investitorët e huaj në ndërmarrjen e një biznesi. Një investitor nuk ndërmerr të ndërtojë biznese në Shqipëri për shkak të miqësisë së kryeministrit tonë me kryeministrat apo presidentët fqinj por vetëm kur sigurohen se paratë e tyre jo vetëm që nuk do t’i humbin por do t’i shumëfishojnë. Por si do ta lexojnë investitorët e huaj qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj firmës turke “Calik” që privatizoj Albtelekomin e cila ka një vit që ka lidhur kontratën dhe akoma nuk është ratifikuar. Ose cili investitor i huaj mund të vijë në Shqipëri dhe të derdhë kapitalet e veta duke e ndërtuar planin e biznesit mbi “një euro”, kur qeveria shqiptare  vepron si në rastin e Top-Media, kur pavarësisht se ka një kontratë të rregullt ligjore mbi bazën e të cilës ka investuar miliona euro, qeveria merr një vendim sipas të cilit e përzë atë nga ndërtesa. Është një “xhuvelizëm” i vërtetë edhe vendimi i fundit i Qeverisë i kumtuar  kohët e fundit  për ndalimin e shfrytëzimit të lumenjve për 7 muaj në vit, ndërkohë që subjektet janë pajisur me licenca, kanë kryer studime gjeologjike nga organet publike,  kanë marrë gjithfarë lejesh e licencash, kanë kryer investime me burimet e veta dhe me kredi dhe në një ditë të bukur Xhuveli i bën zero të gjitha. E me shembuj të tillë mund të vazhdojmë edhe më tej por mesazhi është i qartë. Paqëndrueshmëri, mungesë vizioni dhe parashikueshmërie e qeverisë, sjellje arrogante me biznesin , janë shembuj të mjaftueshëm jo për t’u “ndrojtur” por për t’ja “dhënë vrapit.”
            Duke ju referuar shembullit që sollëm në fillim të shkrimit nga Hollanda mendoj se për realizimin e nismës duhet të studiohet përvoja e huaj dhe mbi këtë bazë të hartohet një kuadër i plotë ligjor e procedural, që parashikon  një transparencë maksimale për publikun dhe median, pasi nisma në vetvete është pozitive por përmban rrezik të lartë potencial për korrupsion. “Një euro” mendojmë se duhet të zhvishet nga butaforia dhe elementët elektoral të saj duke e formatuar ekonomikisht. Ajo domosdo duhet të sigurojë një konkurrencë të hapur e të ndershme, pa diskriminuar kandidatët për efekt të shtetësisë. Diferencimi i tyre mund të bëhet vetëm në procesin e konkurrimit mbi bazën e projekteve të paraqitura dhe kritereve rreptësisht të përcaktuara rast pas rasti.
 
             


 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net