Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
SHKENCA Për anëtarët

Ju jeni: Shkenca -> Adoleshenca, stina e shpërthimeve

AUTORËT

  Anton Filej

  Gjet Kola

  Gjon Bazhella

  Gjon Ndreja

  Mark Lleshi

  Ndue Kaza - Mark Lleshi

  Nikoll Marku

 Adoleshenca, ndryshimet  

  Faqe Kryesore


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Libri i plotë "Adoleshenca, stina e shpërthimeve" ©autori

“ Adoleshenca, stina e shpërthimeve”, një ndihmesë  për zgjidhjen e problemeve të kohës

nga Prof. as. dr. Sotir  Rrapo


Jo rastësisht e lexova me vëmendje në dorëshkrim trajtesën e fundit në formë eseje të Ndue Kazës  “Adoleshenca, stinë e shpërthimeve”. Kjo erdhi ndoshta nga ndikimi i botimeve të mëparshme të këtij autori, ndoshta nga vetë titulli që më ngjalli një kërshëri për një temë që ka gjetur trajtim të gjerë në vitet e fundit, ndonëse gjithmonë problemet e shqetësimet  e adoleshentëve po vijnë duke u rritur. Tashmë që e përfundova së lexuari, si dhe duke i riparë me vëmendje mjaft pjesë të tij, e kuptoj se që në rreshtat e parë pata një ndjesi tërheqëse. Kjo lidhet edhe me respektin që kam për autorin dhe, kryesorja, për bindjen që kam krijuar në vlerat e kësaj trajtesë që, pa dyshim, nuk do të kalojë pa lënë gjurmët e veta në ndihmesën për trajtimin e problemeve shoqërore e pedagogjike në  fushën e edukimit, në punën me moshat e reja si në plan të përgjithshëm, edhe në veprimtarinë e përditshme të organizmave të specializuar, ku vendin parësor e zë shkolla.
Nisur nga tematika dhe kuptimi shoqëror i trajtimit  të dukurisë së adoleshencës, vëmendja e të interesuarve dhe të përfituesëve të tjerë më duket se zgjerohet natyrshëm  nga idetë racionale  e jetësore që e përshkojnë esenë. Autori i bazon ato në vëzhgimet e tij shumëvjeçare si mësimdhënës dhe në një plan më të gjerë, në  këndvështrimin e studiusit të vëmendshëm të tipave e të karaktereve njerëzore, sidomos të të rinjve të moshës shkollore.  
Termat  stinë dhe shpërthim kanë gjetur trajtim  bukur  mirë nga autori, të ndërthurur   me adoleshencën, si mosha më  e ndjeshme dhe njëherazi shpërthyse e jetës së njeriut. Në trajtimin e problemeve të shumta  vërehet një qëndrim dashamirës dhe pjekuri për të gjitha zhvillimet shpirtërore të kësaj moshe,  që shprehin qartë se kemi të bëjmë me një autor njohës tashmë të kujdesshëm dhe interpretues të dukurive dhe fakteve, larg vështrimit të ngurtësuar të një mësimdhënësi të zakonshëm që hedh në letër në mënyrë   indiferente vrojtimet e veta. Duke shfletuar me kujdes, nga faqja në faqe bindesh për  masën e duhur të këndëvështrimit, për shembujt e shpjegimet që plotësojnë njëri-tjetrin dhe njëkohësisht hedhin “dritë”  aq të plotë rreth problemeve, sa kushdo  duke dalë në fund të librit, mbushet me mbresa e me dëshirën për të ngritur pikëpyetje me riballafaqimet përkatëse të ideve.
            Autori, mbështetur dhe në literaturë bashkëkohore, bën analiza të argumentuara  për shqetësime të tilla, si: kur fillon e përfundon adoleshenca, për dallimet gjinore në rrugën e zhvillimit, të tranzicionit moral, formimit të identitetit, për pjekurinë biologjike e  shoqërore, misterin e dëshirës dhe mjaft problematika të tjera, të cilat shtjellohen deri në cakun e vetëbindjes, por duke lënë hapësirë, që gjithkush të shtojë diçka nga përvoja e vet rreth problemeve që trajtohen. Me gjerë autori ndalet te evolucioni mendor i adoleshentëve, sjelljet e tyre emocionale dhe shoqërore. Ai e vështron adoleshencën në rrethana të ndryshme: familjare, shkollore dhe në jetën e përditshme ndërmjet bashkëmoshatarëve. Pa dyshim, në këtë kuadër gjejnë  trajtim edhe raportet e prindit me adoleshentin, të para si një  kurbë jo e njëtrajtshme  e ecurisë së marrëdhënieve ndërmjet tyre, si faktor i domosdoshëm  për të vendosur mirëkuptim e baraspeshë. Në planin e shkollës e të jetës, autori e sheh mësuesin  faktor me peshë të ndjeshme si një model shoqëror që ndikon dukshëm në formimin e adoleshentit. Ai i kushton vemendje rolit të grupit dhe të bashkëmoshatarëve në formimin e personalitetit të adoleshentit si qytetar i ardhshëm, duke i mëshuar  rolit të tyre dhe të natyrës sakrifikuese të adoleshentit, si pjesë të lidhura ngushtë për arritje të përbashkëta. Argumentet e shumta i kanë shërbyer autorit për të mbështetur përfundimet e tij nga vetë jeta e të rinjve, nga marrëdhëniet prind-adoleshent, mësues-nxënës, duke u dhënë një vend më vete  gjithë trazimeve e tallazeve shpirtërore të adoleshentit. Pavarësisht nga ndarja në kapituj e nëntema, që autori ka bërë në trajtimin e problemeve, ai i ka vendosur ato në një lidhje organike tepër të studiuar. Ai ka ditur të japë në pak rreshta  me qartësi përvoja e ide, që mund të bëhen  lehtë pjesë e kulturës së lexuesit. Prandaj fare thjeshtë pas leximit nga njëri kapitull në tjetrin mbetesh gjithnjë  në ankthin e pritjes së  diçkaje më të bukur e më tërheqëse, për t’u vënë në fund të librit  para dilemës së papritur se cila është pjesa më tërheqëse.     Shtrimi i problemeve, analiza e tyre, rimarrja në rastet e duhura, shpesh edhe me kundërvënie argumentesh nga njëra pjesë në tjetrën të librit, pa përsëritje të ideve dhe të fakteve, por me  përforcim të tyre, bëhet me aftësi e me kulturë nëpërmjet një gjuhe të qartë e të kuptueshme. Fraza është përpunuar me kujdes me fjalor të zgjedhur, në përshtatje të sqarimit sa më të mirë të një ideje apo të argumentit përkatës. Jam i bindur se kushdo që do të lexojë këtë libër të N. Kazës (qoftë adoleshent, prind apo qytetar i një  kategorie tjetër), do të ndjehet  disi në pikëpyetje për vetë jetën e vet, për punën që ka bërë me adoleshencën, po njëkohësisht, do të ndjehet edhe “i mbushur  plot”, duke e kuptuar se ka përfituar diçka me vlerë. 

Lexoni librin "Adoleshenca, stina e shpëthimeve"

Autori Ndue Kaza

Lindur në Domgjon, Fanë, Mirditë.
Kreu shkollën mesme pedagogjike dhe studimet e larta për histori-gjeografi në Shkodër. U specializua për pedagogji – psikologji në UT dhe ka dhënë provimet pasuniversitare në fushën e pedagogjisë dhe  të psikologjisë. Punon mësues në disa shkolla të Kukësit dhe Mirditës,  shumë vite drejtor i shkollës së mesme  në Fanë.
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet  e marsit 1991; më pas sekretar i Komitetit Ekzekutiv Pluralist, Mirditë;  drejtor i drejtorisë arsimore  në Mirditë dhe drejtor i drejtorisë arsimore rajonale, Lezhë. Ka bashkëpunuar me organe të ndryshme të shtypit; ka marr pjesë në projekte për reformën dhe strategjitë në arsim,  është trajnuar dhe ka marrë pjesë në realizimin e projekteve kombëtare për drejtimin dhe edukimin në arsim.  Është autor i  studimeve dhe monografive:“ Realitete të arsimit në Mirditë”,  “Universi psikologjik i mirditorëve”, “Psikologji – zhvillimi i personalitetit”, si dhe bashkëautor i botimeve: “Mirdita, Vendlindja” (I),  “Kualifikimi dhe ritmet e ndryshimit të shkollës”, “Rrugë për zhvillimin koherent të arsimit në rajonin e Lezhës”.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net