Parathënie. 
I nderuar Lexues !
Libri “Studimi i fizibilitetit të rrugës Durrës – Morinë dhe projekt ideja e rrugës Durrësh – Orosh – Kukës – Morin”, të cilit po i kushtoj këtë parathënie është një material i gjerë teknik dhe shkencor shumë kompleks.
Pa marrë përsipër të bëj një vlerësim të plotë të kësaj pune të gjithanëshme që ka bërë grupi i punës i përbërë nga Ing. Feti Gjici, Ing.Esat Kastrati, Jurist, Ek., av. Gjet Kola si dhe bashkëpunëtorë të tyre, inxhinierëve Ali Rexhmati, Muhamet Elezi, Rustan Hasalami si dhe inxhinierit gjeodet Ramazan Tota, unë do të vlerësoja fillimisht përkushtimin dhe dashurinë që kanë treguar këta autorë në një punë disa vjeçare për të dhënë kontributin e tyre modest në realizimin e kësaj ëndrre të kahershme të shqiptarëve.
Që në fillim duhet theksuar se në studim rruga Durrës-Orosh-Kukës-Morin, është konceptuar jo si një rrugë nacionale që lidh Zonën Verilindore me Durrësin dhe Zonën Qëndrore të vendit, por si një rrugë rajonale ballkanike. Që në hyrje të studimit theksohet: “Stabiliteti përfundimtar i paqes në Ballkan, bashkjetesa në diversitet, qarkullimi i lirë i mallrave, kapitaleve, kërkon që të shkurtohet në maksimum koha e kontaktit në mes të prodhuesit e përdoruesit. Dhe është Shqipëria që në këtë fushë ka çfarë t'i ofrojë Ballkanit , portet e saj , që janë natyrshëm portet kryesore hyrëse për në Europën Juglindore nga Mesdheu”.
Studimi është ndarë në 5 pjesë.
Në pjesën e parë është realizuar studimi i fizibilitetit të rrugës Durrës-Morin. Në këtë pjesë janë trajtuar në mënyrë të hollësishme të gjitha variantet e mundëshme që lidhin që lidhin portin e Durrësit dhe atë të Shëngjinit në qytetin e Prizrenit. Prizreni është marrë si pikë referimi, mbasi është pika më e afërt e lidhjes së këtyre porteve në rrjetin rrugor ballkanik.
Gjashtë variantet e studiuara hollësisht në këtë studim, mbi bazën e hartave të shkallëve 1: 10000 dhe 1: 25000, janë:
Durrës (Shëngjin) –Ura e Milotit-Rrëshen-Orosh (Reps)-Klos- Thirrë (Tunel)-Fushë-Dukagjin-Kukës-Morin-Prizren.
Durrës (Shëngjin)-Lezhë-Mjedë-Koman-Fierzë-Qafë Morinë-Ponashevc-Gjakovë-Prizren.
Durrës (Shëngjin)-Lezhë-Mjedë-Koman-Fierzë-Qafë Prush-Gjakovë-Prizren.
Durrës (Shëngjin)-Lezhë-Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz-Kukës-Morin-Prizren
V. Durrës (Shëngjin)-Lezhë-Ura e Milotit-Ura e Fanit- Fushë Arrëz-Kukës-Morin.
VI. Durrës (Shëngjin)-Lezhë-Ura e Milotit-Rrëshen-Kurbnesh-Krejë-Lurë-Skavicë-Kukës-Morin-Prizren.
Mbasi ka përcaktuar se më i mundshëm është varianti I në bazë të
Studimit të fizibilitetit, në pjesën e II të studimit është hartuar: “Projekt ideja e
përgjithshme e rrugës Durrës – Orosh- Kukës – Morin”.
Në këtë pjesë është bërë një studim i hollësishëm i rrugës Durrës –
Morin sipas variantit të parë. Për të realizuar një studim sa më të
hollësishëm dhe që të jenë më afër projekt-zbatimit, rruga është e ndarë në disa segmente, ndarja e të cilave bëhet në pika kyçe të njohura.
Gjurma e kalimit, përveç paraqitjes grafike në shkallë 1:10000, përshkruhet hollësisht me fjalë në pjesën tekstuale.
Në materialin grafik është paraqitur dhe profili gjatësor i rrugës, në variante të përshtatëshme, për terrenin që përshkon gjurma.
Edhe studimi gjeologjik është paraqitur në shkallën 1:10000 si në profil gjatësor ashtu dhe në planimetri, për pjesën kryesore dhe të panjohur të gjurmës së kalimit të rrugës. Në grafikë të rrugës janë paraqitur në nivel profesional e shkencor dhe seksionet tip të rrugës, të urave dhe të tuneleve.
Mendoj se vlerat e studimit rriten në mënyrë domethënëse nga serioziteti dhe mënyra e trajtimit të disa problemeve ndër të cilat veçoj:
Në projektidenë e paraqitur nga grupi i studimit, rruga është parashikuar me 2x2 kalime, me parametrat e njohur dhe të zbatuar të autostradave të kësaj kategorie. Sillen argumenta të pakundërshtueshëm që edhe projekt zbatimi të bëhet gjithashtu për 2x2 kalime, ndërsa zbatimi i punimeve, në varësi të burimeve financiare mund të bëhet dhe në dy faza. Në fazën e parë të bëhet rruga me dy kalime (rrugë e kategorisë së parë), por me parametra autostradalë, si përsa i përket pjerrësisë gjatësore, rrezes së kthesave, në segmente të veçanta të kryhen edhe punime të fazës së dytë etj., ër të mos dëmtuar perspektivën e afërt që rruga të bëhet autostradë. Me qëllim që të ketë efiçencë gjatë zbatimit të projektit, në studim theksohet që “…të mos ketë pengesa në funksionimin e rrugës së përfunduar në fazën e parë ( rrugë me dy kalime) autostradë”.
Autorët me profesionalizëm, në mënyrë të detajuar, kanë dhënë dhe më shumë se një zgjidhje për segmente të veçanta të projektit si në segmentin Kroi i Shën-Premtes- Ura e Fanit (Rrëshen) si dhe në segmentin shumë të rëndësishëm nga qyteti i Kukësit deri në shkollën e fshatit Morin, disa qindra metra para pikës së kalimit kufitar etj. Këto zgjidhje do tu shërbejnë grupeve të punës që do të hartojnë projektzbatimin që të evitentojnë zgjidhjet më optimale.
Në studim i është dhënë zgjidhja më optimale problemit të tunelit në Qafë-Kumbull, që përbën dhe nyjen më të vështirë të projektit. Grupi i Studimit ka argumentuar se me një tunel me gjatësi 4150 ml në këtë qafë, realizohen parametrat teknikë të projektit.
Seksioni i tuneleve që do të ndërtohen në gjithë gjatësinë e rrugës është paraqitur në dy variante.
Ky studim u paraqit dhe në Aktivin Kombëtar të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë në maj 2002, në Drilon të Pogradecit dhe në Konferencën e organizuar më 18 qershor 2002 nga Qeveria, për rrugën Durrës-Kukës.
Në pjesën III, “Analiza Ekonomike”, Grupi i Studimit ka trajtuar në mënyrë të hollësishme përfitimet ekonomike që realizojnë vendet e rajonit e më gjërë, mbas vënies në shfrytëzim të këtij korridori. E gjithë analiza ekonomike nuk është bërë në kuadër lokal, por përfitimet janë nxjerrë nga krahasimi me portet e korridoret ekzistuese ballkanike. Në studim janë dhënë si efektet ekonomike të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta, që realizohen nga zbatimi i projektit.
Grupi i Studimit, me një analizë të hollësoshme, ka provuar se përfitimet që realizon ekonomia e rajonit e më gjërë janë shumë të mëdha dhe që llogariten mesatarisht në rreth 30 dollarë për çdo ton mall ose rreth 30 milionë dollarë për çdo 1 milion ton mallra të transportuar nëpërmjet projektit në krahasim me portin e Selanikut, që bën që ai të jetë investimi më efektiv në sektorin e transportit në rajon e më gjërë. Në studim është argumentuar se investimi vetëshlyhet në një kohë më të shkurtër në raport me çdo investim në sektorin e transportit.
Nga një analizë e hollësishme ekonomike, autorët kanë provuar në mënyrë bindëse se investimi në projekt është më efektiv në krahasim me investimet në çdo sektor të ekonomisë së rajonit, e konkurues vetëm si autostradë harmonizuar në një kohë sa më të shkurtër dhe me transportin hekurudhor dhe jo si rrugë dy kalimëshe.
Po në këtë pjesë janë dhënë dhe ide të vlefshme për rrugët e sigurimit të fondeve për ndërtimin e objektit.
Kopje e këtij studimi i është dorëzuar Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit.
Eshtë detyrë dhe në nderin e Ministrit të Transportit, që ky studim të marrë vlera si studim alternativ.
Gjithashtu firma Infratransprojekt, që fitoi tenderin me prokurim të drejtpërdrejtë, për segmentin Milot-Rrëshen, duhet të gjejë vend sot dhe në të ardhmen, për ta patur parasysh këtë studim dhe për një aktivizim part-time të autorëve të këtij studimi.
Duke i përgëzuar autorët e këtij studimi për këtë punë të madhe shumë vjeçare, uroj dhe shpresoj që ai të vlejë si një studim alternativ në të gjithë punën që do bëhet për studimin, projektimin dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Orosh-Kukës-Morin, për tu lidhur me Ballkanin Qendror e më gjerë. |