Materiali i paraqitur në këtë libër është interesant, konkret dhe mjaft i vlefshëm për mësuesit dhe shkollën.
Nisur nga një përvojë e pasur pedagogjike, mbështetur edhe një literaturë të bollëshme, autorët na ofrojnë një panoramë të qartë të asaj çka ndodh aktualisht në jetën e shkollës, duke mos nguruar të ofrojnë edhe vizione të reja.
Nga ana tjetër del qartë se ky material nuk është thjesht një reflektim për gjendjen dhe marëdhëniet aktuale që dominojnë në shkollë, por edhe një studim i mirëfilltë, mbështetur në gjendjen dhe nevojat perspektive për zhvillimin e shkollës sonë.
Prof. As. Dr. Virxhil Nano
Përgjegjës i departamentit të Kualifikimit të ISP
I
pak më shumë psikologji në shkollë
Funksionet e inteligjencës
Strukturat mendore prezantohen me një larmi të madhe, jo vetëm në njerëz të ndryshëm, por në momente të caktuara edhe tek i njëjti individ.
Loja komplekse midis trurit e mjedisit, midis mendimit dhe eksperiencës nxjerr në dukje identitetin mendor e biologjik të çdo njeriu. I theksojmë këto sepse mësuesi kërkohet të mbajë kurdoherë parasysh e të kuptojë thellë se proçesi i përvetësimit të njohurive, që realizohet nga shkëmbimi ndërmjet genotipit e mjedisit përcakton e mundëson zhvillimin e trurit në mënyrë specifike, gjë e cila është e veçantë dhe e karakterizuar nga larmi modifikimesh. Njeriut për të jetuar i nevojitet të mësojë se si ta realizojë atë, prandaj të mësuarit duhet t'a trajtojë si proces ndryshimi të sjelljes së nxënësve dhe ristrukturim të hartës mendore të tyre, nëpërmjet transformimit e krijimit të shumë situatave të ndryshme të ekzistencës.
Zhvillimi intelektual, emocional, fizik e biologjik në moshën shkollore është mjaft intensiv, prandaj përmes të mësuarit organizohen njohuritë, prodhohen pasuri eksperiencë si faktor e operues të mendimit duke mundësuar ushtrimin e arsyes dhe të imagjinatës. Inteligjenca është një ndër karakteristikat psikologjike, e cila pohohet apo shpaloset me lehtësi, por që mund të përcaktohet me shumë vështirësi. Themi për një nxënës se është inteligjent, por jo gjithmonë arrijmë të kuptojmë se ç'përfaqëson kjo.
Ndoshta është me vend të theksojmë se inteligjenca nuk duhet trajtuar thjesht si një funksion, por si një bashkësi funksionesh, të cilat venë në lëvizje të mësuarin, kujtesën, kulturën, eksperiencën, reflektimin dhe i transformojnë ato duke marrë pamjen e një procesisa të thjeshtë aq dhe të ndërlikuar.
Inteligjenca krahasohet disi edhe me elektricitetin. Na duket se e masim, e përdorim edhe pse nuk arrijmë të konkludojmë saktësisht se çfarë është ajo. Kjo fjalë me origjinë latine, e cila do të thotë të lexosh midis rreshtash, na ve përball faktit se atë nuk duhet ta shohim thjesht në sipërfaqe, por të shkojmë më thellë drejt të kuptuarit të saj. Shumë kohë më parë ka ekzistuar opinioni sipas të cilit ka individë, që lindin të zgjuar dhe me kalimin e viteve fitojnë më shumë dije. Nga ana tjetër ekzistojnë njerëz të cilëve u mungon ajo dritë zgjuarsie dhe si të tillë detyrohen të bëjnë punë të rëndomta gjithë jetën. Me kalimin e kohës filluan të lindin e përpunohen mendime në bazë të të cilave rezulton se inteligjenca është një aftësi që ekziston në çdo individ, e cila mund të stimulohet e zhvillohet me anë të mësuarit gjatë rritjes dhe edukimit.
Ky fakt duhet të ndërgjegjësojë mësuesin se asnjeri nuk lind gjeni. Është mjedisi që të rrethon, janë kushtet që krijohen, mundësitë që ofrohen për t'u bërë i ditur. Dy faktorët kyç, të cilët ofrojnë mjetet e duhura për zhvillimin e aftësive janë familja dhe shkolla.
Në shumë raste në klasa krijohen edhe shtresëzime nxënësish sipas pasurisë që kanë prindërit e tyre. Kjo gjë bën që fëmijët të cilët rrjedhin nga familje me nivel të ulët jetese, gjë që e pasqyrojnë në zhvillimin e tyre fizik, në veshje etj, të rriskohen dhe gati-gati disa prej tyre të ngelin në nivel paditurie. Për t'a shprehur më qartë mund të themi se inteligjenca është një potencial me vlerë polivalentenë, e cila ka nevojë për kushtet të nevojshme për tu zhvilluar.
Për të konkretizuar konceptimin mbi inteligjencën mund ta krahasojmë atë me një farë që mbillet, nëse shërbimet e nevojshme bëhen me kujdes, ajo do të rritet mirë, ndërsa në të kundërt nuk do të çelë kurrë. Studiuesi J. Piaget ka përcaktuar katër momente themelore në rritjen dhe zhvillimin e inteligjencës së fëmijëve:
Mendimi simbolik nga mosha 2-4 vjeç.
Mendimi intuitiv nga mosha 4-7 vjeç.
Mendimi operues konkret nga mosha 7-11 vjeç.
Mendimi operues abstrakt nga mosha 11 vjeç e më tutje.
Njohja e këtyre shkallëve të mendimit është domosdoshmëri për çdo edukator, sepse kjo vlen shumë në projektimin e asaj që duhet të kërkojmë tek fëmijët në një veprimtari mësimore. Pa njohur aftësitë e nxënësve nuk mund të përcaktohet niveli i kërkesave dhe jo më zhvillimi i natyrshëm i tyre.
Me periudhën e mendimit simbolik kuptojmë aftësinë e të përshtaturit, të paraqiturit të ngjarjeve të ndodhura ose që duhet të ndodhin.
Në fazën e mëvonshme, atë të mendimit intuitiv i cili përkon me hapat e para të edukimit parashkollor dhe pastaj në ciklin e ulët është periudhë, kur fëmija nis të folurit dhe përballet me botën. Kjo moshë mund të konsiderohet si kohë e “njëmijë pseve” dhe “bisedave pafund” me të cilat fëmija nuk mund të arrijë të mbledhë esencën, prandaj zgjatet në hollësira pa arritur një qëllim të caktuar.
Mendimi operues konkret lidhet me moshën kur inteligjenca është në lulëzimin e saj. Këtu gjenden librat, të cilat do t'i lexojë nxënësi, do të kuptojë, ushtrimet dhe problemat e matematikës, me numra dhe elementë që duhet të mblidhen, shumëzohen, zbriten, etj.
Shkalla e fundit është ajo e mendimit operues abstrakt ose e mendimit me simbole. Në këtë moment fëmija zotëron aftësinë e të abstraguarit, që përkon me moshën e ëndërrave e të entuziazmit pa fund. Mësuesi duhet të kujtojë, se për adoleshentin është më i rëndësishëm të menduarit, zhvillimi i ideve se sa realizimi i tyre. Ky është një moment ku refuzon gjithçka, çdo gjë konkrete që i ofrohet.Gradualisht me rritjen, idetë utopike fillojnë e zhduken dhe vendin e tyre e marrin veprimet konkrete. Rreth moshës 18 vjeç aftësitë mendore nuk shtohen. I riu merr pjesë gjithmonë e më shumë në eksperienca të reja. Mbështetur në studime psikologjike më të fundit për nivelin apo shkallën e inteligjencës kemi pak a shumë këtë panoramë:
Përqindja e popullsisë |
Koefiçenti i intiligjencës |
3.5% |
70 |
7% |
70-80 |
14.5% |
80-90 |
50% |
90-110 |
14.5% |
110-120 |
7% |
120-130 |
3% |
130-140 |
0.5% |
Mbi 140 |
|
|
Tabela e mësipërme na jep një informacion të qartë, ku mund të gjykojmë edhe për zhvillimin psikik të nxënësve. Për të arritur në përfundime sa më të sakta, për t'a realizuar mirë këtë kërkohet një vëzhgim i specializuar prej mësuesit për secilin nxënës.
Në çdo kategori bëhen klasifikime të tjera duke i specifikuar sipas nivelit të shfaqur. Profesori Eysenck me një test inteligjence modern thekson se vlerat tregojnë se rreth 50% e popullsisë ka një koefiçent që luhatet midis 90/110, 25% e popullsisë ka koeficent më të lartë se kjo, 25% i popullsisë është nën vlerën mesatare, ndërsa ata fatkeqët e 3.5%-it, të cilët kanë një koeficient inteligjence deri në 70 ai i ndan si më poshtë:
70-50 – me prapambetje të lehtë mendore
50-25 – me prapambetje të mesme mendore
nën 25 – me prapambetje të rëndë mendore
Ekziston gjithashtu e ashtuquajtura inteligjencë praktike, e cila është e ndryshme nga ajo reflektive. Meqënëse diku kemi theksuar se inteligjenca nuk është thjesht një funksion, por një bashkim funksionesh, një rezultante ndërmjet të cilave prakticiteti ka një rol të veçantë, mësuesit i kërkohet të ketë aftësinë ta njohë dhe drejtojë këtë lloj inteligjence.
Inteligjenca dhe kultura nuk mund të zhvillohen në rrugë të ndryshme. Dëgjojmë shpesh herë të thuhet në shkolla “ti je inteligjent, por kot”. Këtë “formulë”mësuesi e përdor me një nxënës, që e konsideron të zgjuar, por që nuk studion sistematikisht dhe nuk ka vullnetin e nevojshëm. Ndodh, jo rrallë, që edhe pse disa nxënës zotërojnë inteligjencë të lartë, nuk arrijnë ta vënë atë në lëvizje. Kjo duhet të na bindë se shkaku i vërtetë është mungesa e stimujve dhe shtysave. Dalim në përfundimin logjik se motivimi është forca që drejton, që ndez tek nxënësit dëshirën dhe vullnetin për të kërkuar ndaj vetes gjithnjë e më shumë. Është kjo arsyeja që mësuesi për të patur sukses me nxënësit e tij duhet të ndërtojë punën mësimore me objektiva dhe të gjejë rrugë e forma si të nxisë, motivojë të rinjtë pë ti arritur ato.
|