Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
SHKENCA Për anëtarët

Ju jeni: Shkenca -> Gjon Bazhella

AUTORËT

  Anton Filej

  Gjet Kola

  Gjon Bazhella

  Gjon Ndreja

  Mark Lleshi

  Ndue Kaza - Mark Lleshi

  Nikoll Marku

  Adoleshenca, ndryshimet

  Faqe Kryesore


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

PARATHËNIE

Bakri dhe minierat janë shfaqje thelbësore e identitetit të Mirditës në shekullin XX, veçmas në gjysmën e dytë të tij, dhe pse dy miniera, më shumë Rubiku e më pak Derveni, patën nisur shfrytëzimin që në vitet '30. Tashmë kishte ardhur koha e daljes së profecisë së dijetarëve të huaj të së kaluarës për njerëzit e maleve shqiptare të Veriut që flinin mbi thesare , të cilët duhej të ndiheshin fatlumë për këtë mrekulli të nëndheshme që u kishte falur natyra, apo dhe fatkëqinj, ngaqë nuk mund të gjenin rrugën, mjetet dhe mënyrat se si thesaret t'i bënin për vete.

Mbi krye u rrinte një kurorë e pashoqe lavdie të tejmoçme e të parëve, Pirustëve, që në Ilirinë antike kishin qenë jo vetëm luftëtarë me namë, po dhe nxjerrës dhe përpunues të pashembullt të mineraleve të arit, bakrit dhe argjendit. Nëse për zejen e parë, atë të luftës, nuk u thirrën nga askush ta nxirrnin përtej maleve të tyre, për zejën tjetër, atë të metalpunuesve, perandori Trajan i Romës, i dërgoi si mjeshtër gjer në Dakinë e vjetër e të largët, diku në zemër të Evropës.

Pastaj në humbëtirën e Mesjetës, minierat e Fandit që përmenden kalimthi. Pa lënë mënjanë ca gjurmë shkritoresh në bjeshkët e Veriut, ca galeri të moçme, apo dhe një tunel që i mori Munellës ujin përposhtë, që e njohim si Gurrën e Domgjonit dhe që si ujësjellës antik i shekullit IV të erës sonë del të jetë ndër munomentet unikalë të këtij lloji në Ballkan, por që neve tërthorazi na dëshmon vijimësinë e mjeshtrisë së hapjes së tuneleve, bash në kohën kur ndërtoheshin në këto male kështjella, qyteza, kisha benediktine etj. Kultura minerale, që me të drejtë autori i këtij libri e quan të tillë, është pra kulturë e një qytetërimi antik, në rrënjë të mbarë kulturës shqiptare.

Inxhinieri i minierave Gjon Bazhella, që një ditë të fëmijërisë së tij, i patën shkelur gjeologët në shtëpi dhe e patën “marrë” me vete si me magji në rrugën e mundimshme të mademit, andej nga do të vente gjithë brezi i tij, ndoshta e ka parandjerë se dhe e sotmja mund të kthehet në rrënojë “arkeologjike”, ndaj dhe ka besuar se me këtë libër mund të lërë një dëshmi të asaj se çfarë ishte Mirdita e tij nën peshën e mineraleve të një gjysmëshekulli. Tani që minierat janë shuar si të mos ishin, kur mungon dhe një stendë muzeu për to, ky libër është i mirëpritur, ndoshta dhe si një propozim i ri për ata që duan t'i kthejnë investimet dhe nga kjo rrjedhë.

Mund të thuhet se ka qenë fat që në zbulimin, projektimin dhe shfrytëzimin e minierave në Mirditë kanë punuar për shumë vite gjeologë dhe specialistë të tjerë të minierave nga më të zotët, disa prej të cilëve kam patur fatin t'i njoh që në fëmijërinë time në Kaçinar, ku gjithashtu ata zbuluan një minierë.

Para tyre rrinte e heshtur si një tabu përvoja që kishin krijuar paraardhësit e tyre, jo vetëm Nopça e Novak, po dhe shëmbëlltyra e papërsëritshme e gjeologut me famë botërore Zubèr, që pati një fund tragjik të pakuptimtë, siç pati dëshmuar së voni shkrimtari i shquar Petro Marko, kur rastësia e bëri të ishte në një qeli ngjitur më të fill pas Luftës së Dytë Botërore në burgun e Tiranës, apo dhe flijimi në Rubik i gjeologut të parë shqiptar, Klosi, po në atë kohë. Autori i këtij libri e ka veçuar kontributin e këtyre gjeologëve e të mjaft të tjerëve, nganjëherë emër për emër, dhe me të drejtë, sado që për më të devotshmit nuk mjaftojnë rreshtat, pasi në radhët e tyre ka patur projektues të mëdhenj, dijetarë e shkencëtarë.

Nëse në pjesën e parë të librit janë rreshtuar e interpretuar arritjet gjeologjike dhe minerare, që kanë një autorësi kolektive, në pjesën e dytë “25 vjet mes minatorëve”, autori Gjon Bazhella në stilin e rrëfimit të kujtimeve, ka sjellë para lexuesit dëshmi të profileve njerëzore, çaste dramatike dhe emocinale të paharruara, që i bëjnë nder kujtesës historike.

Në vetëdijën e brezave te rinj të viteve '60-‘70 miniera po lindte si një qenie e dyfishtë: në terren, ku ajo ishte aq e promovuar për interesat e ekonomisë, të punësimit në zona ku nuk mund të kishte shumë punë, por dhe të propagandës për minatorët si “balli i klasës punëtore”, bakrin që “çan bllokadën” - dhe në botën e letrave, ku ajo ishte e ndaluar, si në romanin “Tuneli” të Dhimitër Xhuvanit, apo le të themi gjysmë e ndaluar në publicistikë, ku mund të shkruhej për arritjet e minierës, po jo dhe për aksidentet, silikozën e saj etj. Sidoqoftë bota e njerëzve që i jepnin Shqipërisë thesaret e munguara ishte mjaft e lakmuar nga penat më të njohura të reporterëve, dhe si një nderim për punën e tyre heroike, pa ndonjë heroizëm të kohës.

Autori, ing. Bazhella, ka meritë të posaçme në këtë libër, në copëzat ku përshkruan me dashuri dhe humanizëm botën e pafundme njerëzore të minierës, sidomos atë të minatorëve të galerive të drejta, të tërthorta e të pjerrëta, puseve të thella e të frikshme, fronteve të nxehta e të pluhurta ku marteli ngecte, furneleve të larta, shembjeve të rrezikshme, kateve e nënkateve të ngrehinës së nëndheshme, duke ftilluar një piedestal të merituar për mundin, portretin e dinjitetin e tyre të pakrahasueshëm, ndaj në një nga pasazhet e kujtimeve të tij shkruan: “miniera ishte fronti i përbashkët, ku edhe humbjet edhe fitoret ndaheshin mes tyre, e thënë ndryshe dhe minatori dhe drejtuesi ishin pjestarë të një familje, të asaj të minatorëve të nëntokës, familje ku u rritem, u burrëruam e fatkeqesisht disa edhe u shuan.”

Miniera e bën njeriun “minierë” pata shkruar këtu e njëzet vjet më parë, i bindur se miniera para se nëntoka e bakrit e piritit ishte njeriu i saj.

Mirdita meriton të hulumtohet në këtë rrafsh, pra në përvojën e saj kombëtare përsa i përket zbulimit dhe shfrytëzimit të mineralit të bakrit etj., siç sërish mund të hapen zgafellat e saj të nëndheshme, në kushtet e një teknologjie dhe menaxhimi bashkëkohor të kërkim-zbulimit dhe shfrytëzimit të kësaj pasurie.

 

Mirditë, vjeshtë 2003

 

NDUE DEDAJ

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net