Sfidat e shtetit dhe sovranitetit - nga Fatos Aliu
Sakrificat e popullit shqiptar ndër shekuj, në veçanti në luftën e
fundshekullit XX, të zhvilluar me Serbi, nuk lejojnë që të shkelet e drejta
e kombit shqiptar për vetëvendosje dhe shtet sovran. Këto parime qëndrojnë
mbi të gjitha, për të cilat populli shqiptar i ka rezistuar të gjithë
agresorëve dhe pushtuesve, që shkelën mbi trojet stërgjyshore të etnikumit
të lashtë pellazgo-ilir. Kombi shqiptar i dha botës njerëz të mëdhenj,
perandorë e dijetarë, gjeneralë të shquar e artistë të famshëm, krijoi e
zhvilloi perandori, si ajo romake, bizantine e osmane, ndërsa më në fund
mbeti pa u shpërblyer gjatë historisë për të pasur shtetin e vet, si të
gjitha kombet e tjera të Evropës e Ballkanit. Gadishullin Ilirik e vërshuan
barbarë, avarë e sllavë, e copëtuan në shtete të reja hibride-artificiale,
që kurrë nuk kanë sjellë stabilitet, por vetëm lufta dhe krime. Këto
pushtime i sollën tragjedi të mëdha kombit shqiptar, e përçanë dhe i lanë
pas vetes shkatërrime dhe dëme, si fizike edhe shpirtërore, mbollën farën e
djallit të veshur me petkun e fesë kundër gjuhës shqipe, por nuk e mposhtën
kurrë aspiratën e tij të pashuar për liri dhe shtet sovran. Populli
shqiptar, me gjuhën dhe etnitetin e ruajtur, po i vuan edhe sot pasojat e
një rezistence vigane kundër agresorëve të ndryshëm që mbollën farën e
përçarjes, të asimilimit dhe shkatërrimit, sa nga armiqtë, edhe nga
faqezinjtë e vet të shitur, që nuk e çmojë, por e përbuzin, e shkelin dhe
keqpërdorin paturpësisht gjuhën, gjakun dhe identitetin e shenjtë të
paraardhësve pellazgo-ilirë. Por, dinakërive, mistifikimeve dhe
falsifikimeve pansllave e greke po u del boja, sepse nuk do të mund t'u
përballojnë zbulimeve të së vërtetës historike e kulturore të shkencave
linguistike e etnologjike, shkrimeve të vjetra dhe argumenteve arkeologjike
të kohës së re. Koha po punon me të shpejtë për të vërtetën dhe shqiptarët,
si etnikumi më i lashtë dhe origjinal i Gadishullit Ilirik. Ajo që duhet të
bëjnë sot shqiptarët e vërtetë, është të hedhin e zhvillojnë farën kombëtare
të gjuhës e fisnikërisë së identitetit e bashkimit kombëtar, duke dhënë
prova të reja për ndërmarrje të reja fisnike në planin kombëtar e
ndërkombëtar. Bastardëve, lakejve dhe tradhëtarëve do t'ju çjerrim maskat,
si edhe të gjitha fallangave të zeza që mbjellin farën e së keqes në trevat
tona, që thirren në emër të përparimit, demokracisë apo fesë. Zoti i krijoi
kombet para fesë, dhe pa komb nuk ka as fe, as besim në Zot. Për shtatë vjetët e kaluar nën sundimin e UNMIK-ut, populli shqiptar i
Kosovës, i të gjitha trevave me shumicë shqiptare, ka përjetuar një presion
dhe përbuzje të pashembullt në fillim të shekulli XXI. Shtatë vjet sikur po
llogariten të pamjaftueshëm për të bërë eksperimente me Kosovën, duke
rekrutuar shërbëtorë për ta fuqizuar insfrastrukturën neokolonialiste në
Kosovë. Sipas rrjedhave aktuale në Kosovë, parashikohet vendosja e një
Misioni të ri kolonialist, sipas propozimit të ardhshëm nga Marti Ahtisari.
Kësaj gjendj e i ka kontribuar me të madhe klasa politike e Kosovës, me
qëndrimet e saj komprometuese, apatike dhe përkushtimin e paturp dhe egoist
për interesa partiake e përfitime në kurriz të varfërimit të popullit të
vet, në periudhën më vendimtare e madhore të shtetformimit. Kulmin e ka
arritur Grupi Negociator i Unitetit me pazarllëqe të tokave dhe kulturës
sonë me Serbinë, përmes decentralizimit dhe heqjes dorë nga trashëgimia
kulturore historike e Kosovës në favor të politikës ekspansioniste të
Serbisë së krijuar shekuj pas lindjes së krishterimit në trevat shqiptare të
etnikumit ilir dhe ngritjes së kishave të vjetra ortodokse në trevat
iliro-shqiptare. Nuk do koment që ky proces i turpshëm po ndodh sipas
rregulloreve kolonialiste të UNMIK-ut në pajtim me ligjet e Serbisë (për
ironi, ato të periudhës së Millosheviqit!). Për shtatë vjet në Kosovë është zhvilluar korrupsioni, krimi dhe shkatërrimi
ekonomik, social, shëndetësor, arsimor e kulturor. A duhet të konkludojmë se
ishin këto prioritetet e misionit ndërkombëtar në Kosovë, i cili vendosi"protektoratin" dhe morri kontrollin për të administruar me Kosovën?
Tani synohet një lojë të re me ndërrim protektorati, me kushtëzime të reja.
Loja me negociatat Kosovë-Serbi ka mjaftuar për ta përgatitur terrenin e një
imponimi të statusit të ri kalimtar. Apo nuk jemi bindur akoma me qëllimet
dhe shterpësinë e tyre, me iluzionet e pavarësisë?! Me kalimin nga një
mision në tjetër, Kosova automatikisht kalon nëpër fazën e re të
kushtëzimeve. Me institucionet e kushtëzuara nga jashtë, Kosova nuk mund të
jetë e pavarur, por do të vazhdojë të përpëlitet në golgotën e pasigurisë
për të ardhmërinë e vet, nën kontroll të misionit të ri ndërkombëtar, me
shtylla të rinovuara kolonialiste dhe në raporte të reja të pranisë-ndikimit
të Beogradit në Kosovë, në zonat me shumicë serbe, të krijuara sipas
rezultatit tashmë të arritur të negociatave në pajtim me rezolutën 1244 dhe
politikat multietnike në kurriz të Kosovës me mbi 90% me popullatë
shqiptare. Kujt i shërben një "pavarësi" e këtillë? Forcat demokratike dhe përparimtare të botës, në fazën e këtij kalimi të
rrezikshëm për kombin shqiptar dhe stabilitetin në rajon, do të ngrehin
zërin në mbrojtje të drejtës së shkelur të shqiptarëve për vetëvendosje,
pavarësi e sovranitet të plotë, në mbrojtje të vlerave humane e demokratike,
për të përfunduar me nëpërkëmbjet nga misione që po i shkelin Aktet dhe
Konventat Ndërkombëtare për vetëvendosje dhe dekolonizim, të dalë e në emër
të vetë OKB-së, të ratifikuara nga vetë Asambleja e Kombeve të Bashkuara. Pse duhet të vlejnë koncepcionet multietnike vetëm për Kosovën me shumicë
mbi 90% shqiptare, me të cilat i shkelet vetëvendosja kombit shqiptar.
Shqiptarët luftuan në krah me Aleancën e Atlantikut që në Luftën e II
Botërore Antifashiste, kur me gjak u vunë themelet e vetëvendosjes së
popujve dhe kombeve? Ky vullnet ka qenë i konfirmuar edhe me Rezolutën e
Mbledhjes së Bujanit të janarit 1944, për vetëvendosje dhe bashkim me
Shqipërinë Londineze, për Shqipëri Natyrale, si garanci ekuilibri,
stabiliteti e paqe në Ballkan. Këto janë vendime historike, të
patjetërsueshme dhe legjitime. Kjo është pikënisja të cilës sot duhet t'i
referohen shqiptarët, brenda apo jasht institucioneve, për t'i hapur rrugë
politikave pragmatike e të zbatueshme, përballë sfidave të ardhshme për
shtet e sovranitet. Pazarllëqet e reja me trevat shqiptare nxisin lufta të reja në Ballkan.
Sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë nuk e bëjnë masat e sigurisë, as
kërcënimet me masa të dhunës policore-ushtarake, por zgjidhjet që
respektojnë vullnetin e shumicës së shkelur shqiptare. Ky vullnet, si në të
kaluarën, edhe sot, është shkelur në të gjitha fushat, në emër të ruajtjes
së lirisë e sigurisë në Kosovën e pasluftës. Po për cilën liri e siguri sot
bëhet fjalë në Kosovë? "Nëse heq dorë nga liria për siguri, do t'i humbësh
edhe lirinë edhe sigurinë"(Abraham Linkoln). Kosovës tashmë i mungojnë që të
dyja, në vend që t'i ketë që të dyja, edhe lirinë edhe sigurinë, për të
ardhmen e vet. Kosova nuk e ka asnjërën, me iluzionet e krijuara të
mbikqyrjes ndërkombëtare. Këto iluzione i ka shfrytëzuar Serbia e cila
zhvillon politika dhe plane ekspanzioniste-militariste ndaj Kosovës (planet
si "Lanac", modernizimi dhe mobilizimi ushtarak, etj.). Kjo politikë
agresive e Serbisë është në përputhje me politikat e zhvilluara në Kosovën e
pasluftës, si nga faktori ndërkombëtar edhe vendor, duke e shndërruar
Kosovën në qendër atraktive për forcat destruktive. Sipas këtyre rrjedhave,
në horizont do të shfaqen shenjat e një fushëbeteje të re, si një vazhdimësi
e luftës së papërfunduar shqiptaro-serbe më 1999. Ndoshta dikush mendon se KFORi do t'i parandalojë konfrontimet e mundshme të
armatosura?! KFOR ishte këtu edhe gjatë luftës në Luginë të Preshevës e
Maqedoni. Nuk është e lehtë të vendoset për ndërhyrje midis zjarreve të
armiqësive të papërfunduara në Ballkan?! Ndërhyrjet mund të jenë të natyrës
politike, të cilat zgjasin shumë, ndërsa veprimet e armatosura kanë pasoja
të paparashikueshme, si në planin rajonal e ndërkombëtar, sidomos tani me
praninë e forcave të NATO-s në terren. Lojërat me statusin dhe pavarësinë e Kosovës, kanë mbjellë kriza për
riciklimin e luftës, me përmasa të paparashikueshme. Kjo ndodh gjithmonë kur
shkelet vullneti i popullit. Kjo ndodh kur vota e tij nuk përdoret për
mirëqenien dhe aspiratat legjitime të tij, kur në asnjë plan, politik,
ekonomik apo legjislativ, nuk dilet në popull, siç ndodh në vendet e
përparuara e demokratike, sidomos për çështjet me interes madhor kombëtar e
shtetëror. Çdo mashtrim e shfrytëzim e ka kufirin e vet. Populli shqiptar ka treguar
durim të pashembullt dhe askush nuk do të mund ta akuzojë për format e
rezistencës ndaj politikave që e cenojnë qenien e tij nacionale e tokësore.
Tashmë është identifikuar e keqja në Kosovë. Të gjithë mashtruesit e
korruptuar, qe e kanë lodhur popullin me rrenat e pavarësisë, shtetit e
sovranitetit, apo me integrimet evropiane të Kosovës, mund t'i numërojnë
ditët, ndoshta edhe muajt, por jo edhe vitet. Rezistenca ndaj politikave
skllavëruese dhe lufta për liri do të vazhdojë... Ajo tashmë ka filluar
fuqishëm me demonstratën e 28 nëntorit 2006.
Prishtinë, 5 dhjetor 2006
|