Rudina Xhunga: Pyetjet i bëja në mënyrë shumë naive ndërsa njerëzit më thonin; bravo ia ngjeshe këtij politikani…
Intervistoi Pranvera Skana Jeni bërë e njohur me emisionin “Dritare” i transmetuar në televizionin shqiptar. Ndërsa sot jeni drejtuese e emisionit “Shqip”. Në të dy programet ideja dhe tematika ishte e njëjtë po ndryshimi midis tyre ku qëndron , ka diçka të re në “Shqip”? Ka njëfarë ndryshimi mes tyre . Ndryshimi nis që në formën e emisionit. Në “Dritare” ishte drejtuesja përballë një të ftuari në studio ndërsa në “Shqip” është drejtuesja me një të ftuar në studio por dhe me të ftuar të tjerë në studio të tjera të cilët të paraqitur të gjithë në ekran japin disa “dritare” pra jo vetëm një. Por ka raste që në “Shqip “ kam vetëm një të ftuar pra persona të veçantë si psh .kryeministi , një lider partie etj. Me dëshirën time do të doja të mos bëja emision me një njeri të vetëm sepse sado gjëra me mend të thotë nuk nxit debat sepse në fund të fundit debati kërkohet nga shikuesi dhe ideja përcillet më mirë nëpërmjet tij. Kjo është e reja.
Si ideatore e emisionit, pse quhet pikërisht “Shqip”, ndoshta deri më sot nuk është folur ende shqip nga politikanët tanë? Ishte një kohë që sapo isha shkëputur nga televizioni Shqiptar dhe po punoja për këtë program në Top Channel. Po kërkoja një emër të qartë, të shkurtër, shqip për emisionin tim dhe një miku im më thotë pse se quan kështu “SHQIP”, më pëlqeu shumë tingëllimi i këtij emri dhe e vendosa kështu. Pretendoja që të ftuarve të mi politikanë t'u kërkoja të flisnin direkt, hapur, troç, ndonëse e kanë pak të vështirë për të na i thënë gjërat ashtu siç janë. Ata e kanë të vështirë të flasin shqip këtë ua kërkoj unë me anë të “Shqip”-it.
Në emisionin tuaj ju ftoni kryesisht politikanë. Sa e vështirë është të jesh gazetare përballë një politikani? Si fillim të jesh gazetare është e vështirë sigurisht nëse e bën këtë profesion me përgjegjësi dhe me seriozitet. Megjithëse unë në median e shkruar se kam bërë asnjëherë gazetaren e politikës por me të ardhur në televizion më përcaktuan një emision politik. Kjo ishte diçka jashtë dëshirës sime pasi unë isha e pasigurtë në vetvete, e pazonja dhe në atë kohë nuk e njihja fare politikën , isha injorante në këtë fushë. Në fillimet e mia isha një drejtuese teleshikuese dmth ato pyetje që mund ti lindnin teleshikuesve ia bëja të ftuarve në mënyrë shumë naive ndërsa të tjerët më thonin bravo si ia dole mbanë, ia ngjeshe x politikani, u tregove shumë e guximshme dhe agresive megjithëse unë këto pyetje ua bëja pa tendencë por thjesht për kureshtjen time si të një teleshikuesi.
Po të bëjmë një rezyme të të ftuarve tuaj në “Shqip” keni intervistuar shumë politikanë të vështirë në komunikim me median. Na veçoni intervistën më të vështirë. Kam pasur shumë intervista të vështira dhe nuk di se cilën të veçoj sidomos debatet në “Shqip” shpesh bëhen të pamundura për tu drejtuar. Të qënurit profesionaliste ndihesh keq kur njerëzit ndeshen me situata të vështira. Unë si person nuk kam simpati për sherre të tilla. Megjithëse në studio sherri, debati i pëlqen shikuesit e mban në ekran kjo gjë nuk më pëlqen. Në fillimet e mia mundohesha t'i fusja në sherr atë që kisha në studio me idenë se tani jam e shikueshme por tani mendoj se në të vërtetë nuk ia vlen , krijohen sherre pa argumenta dhe shikuesit thonë : ej e patë atë spektaklin mbrëmë në “Shqip”. Por mund të bëhen edhe sherre simpatike ku po veçoj rastin e zotit Edi Rama me analistin Fatos Lubonja . Aty në debat përveç fyerjeve, nervozizmit, injorimit kishte edhe argumenta bazë, fakte e gjithçka tjetër që mund ta bëjë një debat tërheqës. Pra çdo intervistë ka ato vështërsitë e veta dhe shpesh dështon nëse nuk merr prej saj atë që kërkon.
E mendoni veten si politikane. Do t'iu pëlqente të intervistoheshit si të ftuarit tuaj? Pse jo, nuk mund të them se kuptoj shumë nga politika por edhe ata që hyjnë në politikë nuk i dinë të gjitha. Nuk ka ndonjë ndryshim të madh mes atyre që bëjnë politikë dhe mes nesh që e raportojme atë. Aksidentalisht apo fare natyrshëm mund të ndodhem në politikë por për momentin se kam menduar. Ndonëse këtë vit ka zgjedhje dhe të gjithë i mbajnë sytë nga klasa intelektuale, akademike pse jo edhe nga media por unë do të vazhdoj të drejtoj emisione politike. Do të pranoja që të intevistohesha sigurisht nëse s'do të kisha diçka për të fshehur si politikane. Këta të fundit kur kanë se ç'të fshehin u frikësohen intervistave, megjithëse ua kuptoj hallin nga situata e sikletshme që krijohet në studio.
Planet më të afërta që keni? Tani së shpejti kam si objektiv të drejtoj një cikël emisionesh ku shikuesit t'i bëj të mundur ose t'i njoh me njerëzit që do të jenë protagonistë të zgjedhjeve, pra me ata që do të kandidojnë. Kjo më duket diçka e rëndësishme pasi të gjithë duhet të votojnë dhe të dinë se kë po votojnë.
Siç ndodh rëndom në Shqipëri gazetarët ndodhen shpesh nën atë trysninë e drejtuesve të medias duke humbur diçka nga origjinaliteti i tyre. Sa ka ndikuar kjo tek ju dhe a vazhdoni të jeni aq origjinale sa në fillimet tuaja? Jo nuk jam aq origjinale sa në fillimet e mia , kam qenë shumë me tepër naive dhe shumë ngacmuese. Kam fituar dhe kam humbur gjatë rrugës për t'u bërë gazetare. Kam fituar profesionalizëm, forcim të karakterit dhe shumë këmbëngulje për të arritur atë që dua në punë por pse jo kam humbur pak nga vetja ime, kam dalë shumë nga natyre ime. Ndërsa pyetja se sa ka ndikuar të qënurit të nënshtruar në punë nga drejtuesit e medias do të thoja se unë hyj tek ata njerëz, kam aq sa më duhet dhe çfare më duhet, më tepër nuk do të marr duke abuzuar me profesionin të cilin e dua shumë, e adhuroj. Nuk e shoh profesionin tim si urë për të më çuar drejt lux-it. Nuk e shes punën time, këmbëngul dhe luftoj për t'i qëndruar lag mundësisë për të ndërhyrë të tjerët në bindjet e mia dhe për tu manipuluar.
Emisioni juaj “Shqip” është i njëjtë për nga përmbajtja dhe tematika e tij me emisionin “Opinion” të drejtuar nga Blendi Fevziu në TV KLAN. A ka rivalitet mes jush? Po shumë, madje është rivali kryesor i emisionit dhe për shkak të të qënurit të dy shumë emisione të mira, ka rastisur që të dy të transmetohen në një ditë. Më vjen keq për këtë pasi duke qenë shumë emisione serioze dhe akoma më keq kur kemi tema afërsisht të ngjashme ne duhet të ndajmë shikuesit . Por e rëndësishme është që të dy emisione të depërtojnë tek shikuesit. Gjithsesi ne e konkurojme rreptësisht njëri tjetrin.
Çfarë bën Rudina jashtë televizionit? Për mendimin tim puna është diçka e pazëvendësueshme. Kur vij në punë në mëngjes e humb konceptin e kohës, kjo do të thotë që përfshihem në të dhe s'kam diçka të rëndësishme jashtë saj. Nuk bëj një jetë aktive jashtë televizionit, bëj një jetë normale pa azgjë ndryshe nga rutina e përditshme sepse brenda punës kam gjithçka, takoj shumë njerëz, pse jo prej tyre mundohem të mësoj dhe t'i shfytëzoj për të më ndihmuar për ndonjë temë emisioni pasi kjo më duket tepër e veçantë. Pasi emisionet e mia më të rëndësishme kanë dalë nga këto takime pune.
Përveç një gazetare e suksesshme jeni dhe një shkrimtare simpatike. Si ju lindi ideja për të shkruar librin tuaj “Preja e një martese të lodhur”? Ishte një dëshirë e momentit apo një rrugë që ju doni të ndiqni më pas? Ishte një ide që e kisha menduar gjatë. Një ide që më vardisej nëpër kokë por nuk ulesha ta realizoja, ta zbardhja. Ishte verë, u largova për pak kohë nga politika, nga televizioni dhe gjeta kohën për ta plotësuar këtë ide për librin. Ky ishte momenti që shfrytëzova.
Fakti që ju jeni një gazetare e njohur televizive dhe fakti që këtij libri iu bë një fushatë e madhe publiciteti ka ndikuar sado pak në suksesin e këtij libri? Publiciteti ishte i menduar pikërisht për këtë gjë, për këtë arsye. Unë i përkas ekranit e kam të qartë që reklama thith audiencë. Nuk mund të blesh diçka pa e ditur që ekziston pastaj publiciteti të ndihmon por dhe të dëmton mund të bezdisësh shikuesin nga temporitmi i publicitetit.
Ky libër është ndërtuar në trajtën e mesazheve në celularë. Pse zgjodhët pikërisht këtë mënyrë të shkruari? Mesazhi në atë kohë ishte një “sëmundje” për të gjithë shqiptarët. Pastaj duke u nisur dhe nga ideja për të nxjerrë diçka të veçantë, diçka ndryshe nga lista e librave të rinj në treg. Kjo mënyrë të shkruari ishte thjesht një ide pa lidhje pa domethënie.
Sakrifica më e madhe që keni bërë për të arritur diçka? Nuk më kujtohet ndonjë sakrificë për momentin, megjithëse çdo gjë arrihet me një kosto të caktuar. Dua të them këtë se çdo gjë që kam dashur deri tani e kam realizuar.
Nuk keni një ëndërr që ju ka mbetur në sirtar? Po kam pasur një ëndërr në fëmijërinë time që të bëhesha mjeke pasi sa herë që shkoja në spital më tërhiqte ambjenti, ajo bluza e bardhë dhe më e çuditshmja më pëlqente ajo era e spitalit. Këtë dëshirë ia shpreha prindërve të mi të cilët as që e dëgjuan fare dhe janë ata që zgjodhën që unë të vazhdoja shkollën e mesme dhe të lartën për Italisht, pra ishte një zgjedhje e tyre dhe jo e imja. Pastaj në kohën kur ndiqja Fakultetin u aktivizova në median e asaj kohe dhe mora këtë drejtim. Futja ime në media ishte krejt rastësi por më pas dhe një vullnet i madh për të shkuar më tej… |