RAMA: nuk mund të vdes pa e parë vendin tim në familjen europiane!
RRËSHEN . Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama ka vazhduar turin e tij të vizitave edhe në qytetin e Rrëshenit, ku është takuar me qytetarë të shumtë, që kishin mbushur sallën e shtëpisë së kulturës. Vizita e tij ka ardhur pas një ftese që i kanë bërë një grup të rinjsh dhe shoqata e gazetarëve të rrethit. Më parë Rama është pritur në zyrën e kryetarit të bashkisë së Rrëshenit Preng Toma, i cili, i ka bërë një ekspoze të punës në këtë bashki, ndërkohë që kanë ndarë sëbashku shqetësimet që ka aktualisht pushteti vendor në vend, sidomos në grandet që jepen dhe kopetencat e cunguara. Grandi që i delegohet pushtetit vendor këtu tek ne shkon në nivelin e 4,3 përqind, kur Kroacia e ka 25 për qind, apo Hungaria 30 për qind etj, ka thënë Rama.
Kryetari Toma, që është i zgjedhuri i Partisë Demokratike në këtë bashki, ka shprehur admirim për punën që bën bashkia e Tiranës nën drejtimin e zotit Edi Rama, ndërkohë që i ka thënë atij se jeni i mirëpritur në bashkinë që drejton për të orientuar politika të bashkëpunimit në mes bashkive respektive. Ndërkohë Rama ka premtuar disa ndihma për këtë bashki, si për pastrimin e qytetit, për rikuperimin e sallës së kinemasë së qytetit dhe sjelljen e filmave që qarkullojnë në vend. Gjithashtu premtime janë dhënë dhe për ndihma të tjera, që u drejtohen kryesisht argëtimit dhe kreatitetit të të rinjëve. Më pas është zhvilluar bashkëbisedimi në sallë ku ishin mbledhur njerëz të shumtë, nga i gjithë spektri politik. Në hyrje të bashkëbisedimit zotit Edi Rama i është bërë një ekspoze e gjendjes social-ekonomike të Mirditës, nga botuesi i gazetës “Mirdita” Gjergj Marku, i cili pos të tjerash ka theksuar gjendjen e rëndë që mbretëron në këto treva, për shkak të mungesës së politikave zhvilluese në këto zona. Gjithnjë e më shumë po fiton terren analfanbetizmi, ka thënë botuesi i gazetës, ndërsa shërbimet u janë larguar qytetarëve, mjekë dhe personel mjekësor nëpër zona nuk ka, mësuesit po ikin prej këndej, është bërë barbaria nëpër pyje si dhe korrupsioni është bërë fenomen edhe nëpër rajone të tilla të vogla, ndaj për të sjellë vizione të reja për politikën në përgjithësi, për qeverisjen lokale dhe zhvillimin e këtyre zonave për të mos i detyruar njerëzit të zbresin në zonat informale të Tiranës a gjetkë, ju kemi ftuar dhe ju këtu.
Rama në fjalën e tij i ka mëshuar faktit se ka ardhur momenti kur në vend duhet të hapim një kapitull të ri me projekt të ri politik, dhe lëvizja ime në këto ture këtë qëllim ka. Ne nuk mund të rrijmë duarkryq para një situate, që shkon gjithnjë duke u përkeqësuar. Ka plot insinuata rreth lëvizjeve të mija nëpër Veri, por kjo tregon se politika dhe një pjesë e medias që i bëjnë ato, kanë humbur sensin e vetë politikës. Unë kam mësuar shumë nga këto ture, kam mësuar gjëra që as i kisha menduar sepse kurrë nuk thuhen nëpër ato tubimet klasike të mbyllura, ku më së pari mbyllën gojët. Ka një thelb në këto lëvizje të mijat, që lidhen me dëshirat dhe nevojat për të komunikuar me njerëzit, për t'i kuptuar ato. Është për të ardhur keq që ky thelb i lëvizjes sonë, shikohet dhe vlerësohet si një paragjykim sepse “paskërka një prapavijë”, një objektiv, për të zënë këtë apo atë karrike. Unë për veten time nuk mund të pres pa e parë veten time, familjen time, vendin tim në familjen e madhe europiane, me të drejta te plota, nuk mund të pres pambarimisht politikën që zvarritet përjetësisht. Pas fjalës së tij Rama ka vijuar me komunikimin me të pranishmit përmes pyetjeve dhe bisedave të lira. Ndërsa pas mbarimit të këtij takimi, në hollet e pallatit të kulturës është shtruar një kokteil me të rinjtë e qytetit. Më pas Rama është pritur nga komuniteti i artistëve, studiuesve dhe gazetarëve të rrethit të Mirditës, ku janë shkëmbyer mendime dhe ekperienca të ndërsjellta sa i përket zhvillimit të artit dhe kulturës. Rama ka përgëzuar artistët dhe studiuesit mirditorë për prodhimtarinë e begatë që mbizotëron prej vitesh atje, si në botimin e librave, artet figurative, koncerte dhe grupet folklorike, botimin e periodikëve, të gazetës dhe medias vendore në përgjithësi. Nga artistët dhe kulturologët e Mirditës atij i është dhuruar libri studimor i studiuesit Ndue Dedaj “Toka e Katedraleve”, si dhe dy libra të tjerë “Njohuri për vendlindjen” të B. Pulajt dhe një yjetër që flet për Mirditën në vizionin filatelik, si dhe një botim special “Mirdita në metropol”. Rama ka bërë një shëtitje në rrugët e qytetit të Rrëshenit, të cilin e ka vlerësuar si qytet mjaft të pastër dhe të urbanizuar, dhe më pas është bërë një vizitë në katedralen e Rrëshenit një vepër arkitekturore e ndërtuar kohët e fundit me një pamje moderne dhe mjaft komode. Atje është pritur nga administratori apostolik i dioqezës Rrëshen Cristoforo Palmieri, i cili i ka folur mbi historinë e krishëtrimit në këtë dioqezë dhe punën që bëhet në këtë katedrale, si dhe punën që po bëhet për rindërtimin e shpirtit njerëzor, nga ai si bari i besimtarëve të këtushëm. Pas një drake të përbashkët me një pjesë të stafit të tij dhe stafin që organizoi këtë pritje, Rama është përcjellë për në Tiranë, me emocionet e një dite të paharruar, siç është shprehur ai, dhe kjo ka lidhje me natyrën shumë të ekulibruar të mirditorëve, është shprehur ai.
|