Pushteti në Mirditë, 4 vite “luftë të ftohtë” gazetës “ Mirdita”
Drejtuar: Opinionit publik progresist në Mirditë , Partive politike në Mirditë dhe shoqatave të ndryshme, Kryetarit të qarkut Lezhë, Prefektit të Lezhës, Dashamirësve të kulturës, historisë, dhe prosperitetit të Mirditës sonë të dashur!
Të nderuar zotërinj! I nderuar lexues!
Ky është numëri, që përmbush 4 vjet nga jeta e gazetës sonë të dashur, të cilën e kemi patur thuajse muaj pas muaji në mes nesh. Gazeta “Mirdita” mori udhë para katër vjetësh me synimin e saj fisnik për të qenë mishëruesja më e mirë në lëmin mediatik të kulturës, traditës, zakoneve, dokeve të krahinës sonë ndër mote dhe njëkohësisht sponsore morale e mendimit më të përparuar intelektual dhe progresiv në këtë krahinë, me një histori si askund në vendin tonë, dhe për këtë u është mirënjohëse tërë kontribuesve të saj moralë, lexuesve dhe dashamirëse të saj, jo vetëm në Mirditë, por në të gjithë vendin. Duke përzgjedhur një staf pluringjyrësh, të shquar në fushat përkatëse dhe sidomos në lëmitë studimore, si dhe duke anashkaluar përplasjet politike apo një lloj fondamentalizmi në trajtesat e saj, që në rastet e një krahine homogjenisht e një besimi, rrezikohet tejkalimi i masës në glorifikime, por dhe superioritet historishë religjionale në gjenezë, kemi bërë të mundur të ruajmë në mënyrën më të arsyeshme balancat dhe ekulibret, duke u bërë një botim i preferuar, sidomos për lexuesit tanë studiues që nga Saranda e deri në Tropojë, si dhe atij përtej kufirit, që nga Amerika në Kanada, Gjermania, Belgjika, Itali, Greqi, Zvicër, Kroaci e gjetkë; e mirëpritur nga lexuesi katolik, por dhe ai myslyman, ortodoks a tjetër.Lexues i nderuar, por dhe bashkëpunëtor i kësaj gazete, që ndonëse lokale, ka sjellë një frymë tjetër në shtypin shqiptar, ka qenë dhe akademiku, por dhe studiuesi i dokeve, zakoneve, folklorit etj; studiuesi i gjuhësisë, por dhe albanologu; mësuesi, por dhe politikani; njeriu i thjeshtë e deri tek i lauruari në universitetet me zë të Perendimit. Gazeta Mirdita, lindi si inisiativë personale, pasi prej 20 vitesh, ishte shuar zëri i Mirditës në botime të këtij lloji. Ndërsa kishte qenë para lexuesit dy-tre vjet, e ndihmuar financiarisht nga partia-shtet, asokohe fuqimisht (thjeshte me katër faqe); në vitin 2001, doli në treg me plot 24 faqe dhe me letër speciale, për t'i rezistuar kohës dhe për të qenë botim i llojit të veçantë, në mes revistës dhe gazetës. Biblioteka Kombëtare dhe biblioteka të tjera, përpos qindra bibliotekave personale, që tashmë e kanë koleksinuar atë numër pas numëri, e kanë konsideruar këtë botim, padyshim nga më përfaqësuesit në “botën mirditore”, qëkurse ky truall është thërritur “Mirditë”, dhe si një pasurim dinjitoz të tyre me artikuj studimorë dhe informativë nga kjo trevë, si dhe i kanë vlerësuar studiuesit e tashëm mirditorë, si brezi që po shpien më së miri përpara traditën e shquar, që e kish zanafillën me Gjon Gazullin, Pal Ëngjëllin, Gjon Buzukun, Pjetër Budën. Frang Bardhin, Lek Matrangën e Pjetër Bogdanin, e breza të tërë rilindësish e studiuesish si Abat Preng Doçi, prelatët e shumtë katolikë, Gjergj Fishtën e me radhë. E gjitha kjo punë, e lodhshme, por shumë fisnike, është përballuar me një devocion të jashtëzakonshëm nga i tërë stafi, ndërsa financiarisht, është përballuar nga ana ime si botues dhe kryeredaktor. Mund të jetë ndër botimet e vetme në botë, që për katër vjet, të ketë dalë në rrugë të madhe, dhe siç i themi ne mirditorët, me “lekë mundi e djerse”. Dhe është e pabesueshme, që ky botim 24 faqesh ka mundur të dalë thjeshtë nga puna në një minilokal, që u bë dhe vendi ku “kryqëzoheshin” rrugët e bashkëpunëtorëve, lexuesit, studiuesit, arkeologut, politikanit, vizitorit të huaj e me rradhë, pa patur qoftë dhe një karrike apo tavolinë pune. Duke qenë profesionist në gazetari, vijueshmërisht i kam kërkuar pushtetit vendor të na jepte mundësinë e zgjerimit të bazës ekonomike në rrugë të ndershme me idenë që më vonë të bëhej një kompleks mediatik lokal nga më të mirët në vend dhe shumë profesional, pasi Mirdita e kishte, si të thuash “lëndën-gazetar”, dhe lëndën-histori, (dhe këtë na e kishin sygjeruar dhe publiçistë e studiues të vendit dhe të huaj), por nëse legjislativi vendor para katër viteve, në një moment të caktuar, qe i sensibilizuar nga kjo gjë, drejtuesit dhe “njerëzit e tenderave”, që lidheshin me interesa në mes tyre, e luftuan atë paturpësisht muaj pas muaji, vit pas viti, ndërsa më pas, ata vetë, u degdisën “nga malli për Vendlindjen” për në Itali a gjetkë në Perëndim. Nga ana tjetër, kësaj gazete, ku asnjëherë nuk gjeti vend scoop-i apo lavirjet ndaj kësaj apo asaj force politike, që alternohej në pushtet, iu bënë tërë lajkat e presionet, për ta anuar nga njëri apo tjetri. Meqenëse jemi afër një fushate politike, tashmë ka nisur lufta e tretë ndaj saj, duke filluar me atë, që është më e tmerrshmja, më e pamëshirshmja dhe asfiksuesja për një botim, ana financiare. Me ty, i nderuar lexues, më duhet të jem i hapur, (për më tepër në këto momente kur po hedh këto rradhë, ora është 4.00, të një nate të rradhës pa gjumë në përgatitjen e këtij numëri), pasi prej kohësh si botues i kësaj gazete, disa pushtetas tinzash dhe hapur, nuk kanë reshtur në psikologjinë e të mbajturit peng timen “për katër llamarina”, kur personalisht dhe familjarisht në këtë vend nuk më mban asnjë interes financiar. Edhe atë pak vend 10-15 metra katrorë, që gazeta kishte, ku kafërdiseshim me ato pak kacidhe, pushteti vendor, dhe pas tij ngucësit e përjetshëm, e ka vënë në sy, si të ishte i fshehur ne të Bin Laden, dhe e kanë bërë me be nëpër qoshka mejhanesh se “pa e shkatërruar “Mirditën” nuk i zë gjumi i natës, ndërkohë që për qebabtore, a bisnese të tjera, harta urbanistike e qytetit, është mbushur me beton, pasi janë paguar nën dorë sekserë të urbanistikës. Personalisht, gjithë këtë yshtje ndaj gazetës e kam quajtur me prapavijë të qartë politike dhe tmerrësisht antikulturore nga njerëz të inkuzicionit mesjetar, që nuk iu hyn në sy kultura e një vendi, një rajoni a një treve, ndërkohë, që kam kërkuar që në gjithë hapësirën e Rrëshenit, të ketë një vend në pak metra katrorë, ku kjo gazetë dinjitoze të mund të qëndrojë me ato “dy lekët” e saj të pastra, pa qenë nevoja t'i “servilosej” këtij apo atij pushteti, kësaj apo asaj force politike, por të ishte e hapur për të gjithë. Nga ana tjetër, pushtetit këtu i kam ofruar dhe zgjidhjen tjetër, publikisht të shprehet për atë bisnesmen, që mundet ta mbajë financiarisht muaji pas muaji, dhe unë të jem një kontribues thjeshtë në publiçistikë së bashku me miqtë e mij të shumtë studiues dhe gazetarë, që pikërisht këtë botim, që përbën sot për sot krenarinë e merituar të Mirditës, të mos e mbyllim. Unë e kuptoj fare mirë se, nëse miopia momentale, pushtetarëve vendorë, ua ka errësuar tani për tani sytë, e ardhmja, madje jo dhe aq e largët, do të flasë krejt ndryshe, dhe brezat e mirditorëve, do të dijnë ta vlerësojnë këtë kontribut të çmuar që ka sjellë gazeta Mirdita dhe bashkëpunëtorët e saj gjatë këtyre viteve. Sepse, duan s'duan dy a tre karrikezënë krejt të përkohshëm, gazeta Mirdita është bërë pjesë e ndërgjegjes së mirditorëve dhe me stafin e saj i ka dhënë zë Mirditës gjithandej Shqipërisë dhe në botë, ndërsa puna e stafit, nga shkrimtarë të njohur të vendit është komentuar si diçka që bëhet e veçantë këtu në Mirditë, nga njerëz që, siç shprehen për ta, “pasionin në studime e gazetari e kanë kthyer në një ves pozitiv”. Ne kemi nisur një aksion promocioni në të gjitha komunat dhe bashkitë e Mirditës, dhe një ndërlidhje me mirditorë të migruar në zonat e tjera informale apo jo në metropol a gjetkë, ndërsa kemi mundur të bashkojmë ata mijëra mirditorë, që kanë qenë apo jo në gjenezë në Mirditë. Veprimtari të tilla si “Mirdita në Metropol”, nga e cila e morën frymëzimin dhe shoqata të rretheve të tjera për t'iu atashuar metropolit me veprimtari të tilla, apo që i mendojmë dhe në Kosovë e jashtë vendit, mbeten avangardë e zhvillimit të krahinave tona, edhe pse ato për fat të keq, më së pari, për arsye të zgjedhjes së njerëzve jopërfaqësues në krye të punëve, mund të kenë mbetur në bisht të zhvillimeve ekonomike. Dhe për këtë, ua kemi afruar ndihmën tonë tërë drejtuesve të pushteve këtu në Mirditë, që përfaqësojnë dhe dy forcat më të mëdha politike, por që deri më tash, me përjashtim të ndonjërit, pak e ndiejnë këtë obligim, madje si për ironi të fatit, i janë lëshuar gazetës Mirdita më tërë yshtjet e tyre për ta asgjësuar atë me çdo mjet e çmim. Pyetja, që mund të më bëhet nga lexuesi i nderuar, në këto momente, mund të jetë: po përse flisni tani, i nderuar botues?! Po, është momenti për të thënë një të vërtetë të hidhur. Çfarë po ngjet me Rrëshenin tonë, me fshatrat tona, me Mirditën tonë?. A e keni vënë re se ajo po shkretohet nga intelektualët dhe e ardhmja është shumë më e keqe se sot. Po na ikin mësuesit, mjekët, juristët, intelektualët e fushave të ndryshme. Çdo ditë në Tiranë prenotohet një shtëpi e re a disa syresh. Edhe unë jam njëri nga ata. Jo se desha vetë, madje desha të investohem fuqimisht këtu në vendlindjen time, por se po më dëbojnë. Dhe të tjerët i kanë dëbuar, më së shumti, për arsye të ndryshme, që lidhen me zilinë, me kulisat, me mungesën e perspektivës këtu për fëmijët, shkollimin dhe diturimin e tyre. Kam dëgjuar së fundi, se shumë njerëz, që kanë vendosur t'i ngjiten mastiç politikës këtu në Mirditë, në mënyrën më makabër, fërkojnë duart kur dëgjojnë se iku iks intelektual, “s'ka kush na zëvëndëson më”! Në fakt, ka disa kohë, që veprimet e tyre lexohen ashiqare. Nuk është rastësi shqelmi ndaj disa figurave të njohura këtu në Mirditë, ekzilimi i tyre dhe zëvëndësimi në drejtim me njerëz perversë pa asnjë lloj bekgraundi a morali komunitar. Nuk është rastësi që sa herë konkurohet nëpër partitë tona, të mirët eleminohen si pa të keq nga dallaverexhinjtë. Nuk është rastësi, që në disa pushtete vendore, legjislativet e tyre, janë mbushur me njerëzit më jopërfaqësues të komuniteteve tona. Nuk është rastësi, që dhe partitë politike, po i zaptojnë dita më ditë, njerëz të pashkolluar dhe makiavelistët. Nuk është rastësi, që po ikin alternativët e çdo lloj pozicioni partiak a pushtetas.
Gjithçka duket e kalkuluar më së miri. Është një strategji e hollë dëbimi kjo. Një strategji që hartohet nëpër skuta të errëta dhe që ka për qëllim të çimentojë pushtetin e përjetshëm tek kategoria e të pamerituarve, hajdutëve dhe mitmarrësve. Një strategji vërtetë ogurzezë, që don t'ia “tredhë” Mirditës trurin e vet intelektual, ashtu siç bënin dikur nazistët me çifutët; ta lejë Mirditën tonë të dashur, pa pjellën e vet elitare, pra pa kokë, pa mendje, pa veshë e pa shqisa, që banorët e saj t'u binden sistematikisht në mënyrë të verbër këtyre matrapazëve politikë. Gazeta është mundur të promovojë vlerat dhe njerëzit e vlerave, dhe për këtë u ka rënë ndesh këtyre interesave të fëlliqta dhe njerëzve të pamerituar, që fatkeqësisht po e drejtojnë Mirditën si ta kishin “zabelin e tatës”, dhe për më keq, kasta që është përgatitur sërish të betonojë pushtetin e vet. Më ka rënë në sy, se kjo lojë, vazhdon të sponsorizohet edhe nga persona në Tiranë, që u duket se janë “zenithi” i Mirditës. Edhe kjo kastë nuk don ta shohë me sy inteligjencien e Mirditës, këtu në vendlindje, me të gjitha mënyrat kërkon ta dëbojë prej këndej, në mënyrë që të livadhisin lehtë me servilët e sojsojshëm këtu. Nëse realizohet kjo, atëhere do të ishte hataja; ne duhet t'i rezistojmë kësaj lukunie antimirditase. Mirdita duhet të kujtohet sa nuk është vonë, që ta ndalojë rrjedhjen e trurit të saj, përndryshe do të mbesë si ajo pula qafëprerë, që e luajnë nga të duan e si të duan. Ne kemi një mision përpara, t'i rezistojmë kësaj të keqe që na ka zënë dhe të shporrim me votën tonë matrapazët politikë, që na kanë hipur në qafë. Personalisht i bashkohem lëvizjes ndërgjegjësuese komunitare mirditase, për ta zhdukur “frymën Toger Babë”, këtë murtajë, që ashtu si para 5 dekadash, po kërkon të bëhet praktikë drejtimi dhe sjelljeje nga njerëz të pushtetshëm në Mirditë, dhe nga ata që i sponsorizojnë me karta politike në Tiranë a gjetkë.
Si botues, e ndjeja për detyrë, pikësëpari, para mijëra lexuesve e studiuesve, vendas dhe të huaj, që çdo ditë më telefonojnë për vonesën e numërit të rradhës, të bëja dhe këtë sensibilizim të fundit. Mbetem me shpresë se nuk do të bjerë në vesh të shurdhët!...
Me respekt Gjergj Marku Botues i gazetës “Mirdita”
|