Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
Nëpër faqet e shtypit Bëhuni pjesë e komunitetit tonë

Ju jeni:Propaganda Fide dhe Shqiperia

 

TEMAT

  Propaganda Fide

  Principata e Arbrit

  Famullitari martir i Shkrelit

  Enciklopedi katolike dhe ne

  At Benedikt Dema

  

  

  

  

  

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

(Në këtë rubrikë do të paraqesim artikuj të ndryshëm kulturor-historik të marra nga faqet e shtypit shqiptar, më poshtë është vendosur një material mbi Propagandën Fide dhe rolin e saj në kulturën Shqiptare-Gazeta Shqip)

Në periudhën e Enver Hoxhës ngjallte nervozizëm, sidomos kur asaj i njihej merita për zhvillimin e shkrimit dhe letërsisë shqip

Propaganda Fide dhe Shqipëria

Institucioni panbotëror që botoi 35 veprat e shquara mesjetare në gjuhën tonë

Cilitdo që ka lexuar diçka rreth historisë së re të Shqipërisë, të asaj Shqipërie Osmane që mbeti pasi ra Arbënia, i ka rënë në sy një emërtim jo fort i zakontë që lakohet kokëfortë ndër libra: Propaganda Fide. Ky emërtim, që në periudhën e socializmit real të Enver Hoxhës përdorej me një rezervë të skajshme, ngjallte nervozizëm, sidomos kur asaj i njiheshin merita për zhvillimin e shkrimit dhe letërsisë shqipe të shek. XVII-XVIII-XIX. Dhe vërtet historiografia zyrtare asokohe nuk lejonte askënd të paraqiste në ngjyra mirëkuptuese së paku efektin prokombëtar që aksioni katolik i Propaganda Fides zhvilloi në Shqipërinë e atyre shekujve. Lidhur me këtë përkushtim, gjuhëtari i shquar At Justin Rrota në vitet ‘30 të shek. XX shkruante në "Hyllin e Dritës" se "...ndër ata shekujt e robnis, jo veç se nuk mund të pritej nji botim sado i vogël, por as ndër mend s‘i bijte kuj për gjuhën amtare" dhe se "për tua mbajtun disi gjallë frymën atyne katolikve shqyptarë, të cillët, strukë ndër skajet ma të gristat e ma të vorfnat e Shqypnis së Veriut, kishin ruejtë fen e të parvet, shtypshkronja (polyglote) e Propagandës së Fides tash e parë shkojte tue qitë në dritë libra shqyp, shkrue prej meshtarësh vendas a misjonarësh të huejë".


Ç‘përfaqëson Propaganda Fide

Propaganda Fide është ndër departamentet më të rëndësishme të Kurjes Romake, krijuar për të rregulluar çështjet me natyrë fetare në të ashtuquajturat "vende misioni", aty ku krishterimi latin nuk ekziston, ose ai është në minorancë. Në fakt, para se të shndërrohej në departament apo ministri papnore, ky organizëm qe krijuar prej papa Gregorit XIII (1572-1585) si një komision që mëtonte me mbërrit bashkimin e kishave lindore (asaj Sllave, Greke, Siriane, Egjyptase dhe Abisine) me Romën. Ndaj dhe u vendos të financohej ngritja e seminareve për të huajt dhe të shtypeshin katekizma e libra të tjerë në shumë gjuhë.Kongregata e Propaganda Fides, në trajtën e saj të njohur u themelua ca më vonë, në shek. XVII, e më saktësisht më 6 janar të 1622-shit nga papa Gregori XV. Emri i saj zyrtar që ishte "Sacra Congregatio Christiano Nomini Propagando" u zyrtarizua po atë vit, më 22 qershor, me bulën papale "Inscrutabili Divinae". Që në fillimet e saj, Propaganda u formësua me një pavarësi të dukshme nga papa; madje sot, ky është i vetmi departament romak që ruan ende pavarësinë e tij edhe nga ana ekonomike. Kryesohet nga një kardinal me autoritet - Prefekti - siç quhet zyrtarisht, e që në rrethet kishtare njihet edhe si "papa i kuq". Dhe ky cilësim nuk është rastësor pasi qysh në fillim, nisur nga kompetencat dhe fuqia financuese që kishte, mori dhenë besimi se Propaganda është një nga institutet më të rëndësishme e me influencë të krejt Kishës Katolike. Ndaj dhe u duk normale të thirrej "papë" kreu i këtij institucioni, a më saktë "papa i kuq", për ta dalluar nga papa i vërtetë, apo edhe nga "papa i zi" (titull i rezervuar për kreun e Jezuitëve).Duhet thënë se asokohe, një nga qëllimet e krijimit të Propagandës ishte edhe mënjanimi i kontrollit mbytës që ushtronin Spanja dhe Portugalia në kolonitë Katolike, në një epokë kur një pjesë e vendeve të botes sapo ishin zbuluar dhe të tjerat do të zbuloheshin m‘andej. Gjithsesi, veprimin e Propagandës e nxitën edhe dy faktorë të tjerë: përhapja e protestantizmit, sidomos në Angli e Holandë, pasi këto vende mund ta eksportonin atë edhe në kolonitë që ata zotëronin si dhe rreziku i islamizimit të Ballkanit nga hovi turk. Sot, veprimi i Kongregatës së Propaganda Fides shtrihet edhe mbi vendet ku prania e krishterë është e re apo më pak e rrënjosur; ajo përfshin jo vetëm të gjithë Azinë, Afrikën dhe Oqeaninë (me përjashtim të Australisë), por edhe disa zona të Evropës sikundër Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipëri-Kosovën. Sipas të dhënave të fundit, nga Kongregata sot varen rreth 40% e distrikteve ekleziale të krejt Kishës Katolike. Propaganda ka juridiksionin mbi të gjitha territoret ku strukturat kishtare nuk janë ende në atë nivel që të lejojnë krijimin e një Dioqeze dhe ku territori është i ndarë në Vikariate apostullore, Prefektura apostullore ose në misione sui juris. Por nga Propaganda varen drejtpërdrejt edhe një sërë institucionesh e akademish të rëndësishme, duke filluar me Universitetin Urbanian të Romës (nga emri i papa Urbanit VIII që e krijoi atë me bulën "Immortalis Die" më 1 gusht 1627), i cili ende sot mbetet i vetmi universitet në botë ekskluzivisht misionar me rreth 1300 studentë dhe 110 profesorë. Varen gjithashtu edhe Kolegji Pontifik i Shën Palit e Pjetrit, Kolegji Urban Pontifik, Kolegji "Mater Ecclesiae" etj. Emri i Propaganda Fides ndryshoi më 1982, meqenëse fjala propaganda në shek. XX kish marrë një mblojë negativ, duke u shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore nga ideologjitë e mëdha të shekullit. Tashmë emri i saj është Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve.Sot, Propaganda është departamenti i vetëm në Vatikan, i cili ka agjencinë e vet të shtypit të quajtur Fides.

Shqipëria dhe Kongregacioni

Në librin "Shqipja në kapërcyell", E. Çabej, duke njohur me objektivitet të rrallë për kohen (viti 1955) rolin humanist të këtyre institucioneve, pohon se nën ndikimin e tyre ajo që karakterizon mendjet më të shquara të shek. XVI-XVII të Shqipërisë Osmane është "njëfarë formimi humanist që vinte prej Italie. Pastaj si libri i Buzukut, si librat e këtyre të tjerëve, u hartuan nën shtysën e atyre ngjarjeve të mëdha të kohës, të cilat edhe në Shqipëri patën pasojat e tyre historike: Ndërsa Kundërreforma në viset e Europës së mesme e veriore dhe në vazhdimet e tyre perëndimore e lindore shpërtheu përmbi një bazë të hapet edhe me të gjitha armët luftën kundra besimit protestant, në Gadishull të Ballkanit, me islamizmin qysh prej një shekulli kishte dalë një armik i cili po kërcënonte jo vetëm besimin katolik në ato vise ku ekzistonte, si në Shqipëri e Bosnjë, po edhe besimin ortodoks, e kështu pra mbarë krishterimin, edhe po matej tashmë të përfshinte krejt Europën juglindore. Aty Romës i doli përpara një detyrë e re dhe e një lloji tjetër: sepse kalimi mbarë i disa krahinave të Ballkanit perëndimor në islamizëm donte të thoshte shkëputje njëherë e përgjithmonë prej kishës katolike, madje edhe krejt prej besimit kristian. Në të tilla rrethana u desh që ato armë mendore që ishin përdorur në viset e tjera të Europës kundra doktrinës së Luterit, në këto anë të zbatoheshin kundra shtrirjes sa vente e më të madhe të besimit të ri që po hynte. Ndër këto armë ndërkaq një nga kryesoret - për aq sa e lejonin kanonet e kishës katolike - ishte përhapja sa më e madhe e fjalës biblike në gjuhët e vendase"

Për këtë qëllim lypsej përgatitur një kler i shkolluar e sidomos i vetëdijshëm se shkëputja nga bashkësia shpirtnore e deriatëhershme donte me thënë shkëputje nga areali europian, i cili deri në Mesjetë kishte të përbashkët kryesisht besimin e krishterë. Gjithë sipas Çabejt, "për të plotësuar nevojat që kishin provincat sidomos të Europës lindore për një kler me shkollë, u themeluan disa kolegje: në Romë Kolegji grek S. Atanasio (1571), Kolegji Urbanum i Propaganda Fides (1627), kolegji në S. Petro in Montorio në Loreto kolegji ilir (Collegium Illyricum) më 1580, kolegji ilir i Shën Pjetrit e Palit në Fermo (1663), nuk po përmendim këtu kolegjet që u themeluan në Kalabri e Siqeli për kolonitë arbëreshe të atjeshme". Sikurse dihet në këto kolegje studiuan një shumicë shqiptarësh që u bene priftër, prelatë e shkrimtarë: kështu ndër të tjerë në kolegjin S. Atanasio studioi Lekë Matranga, në Loreto Budi, Bardhi e Bogdani, ndërsa në kolegjin ilir të Fermos, Kazazi e kështu me radhë. Kjo gjendje e të studiuarit në Itali vazhdoi deri në fillim të shek. XIX, pasi aty nga gjysma e dytë e shek. XIX, katolikët e Shqipërisë ranë nën ndikimin e Austrisë, e cila filloi të veprojë nëpërmjet programit të saj Kultusprotektorat (mbrojtjes së kultit). Këtë të drejtë Vjena e pat fituar dora-dorës nga Porta e Lartë nëpërmjet një sërë traktatesh paqeje (duke filluar që nga 1616-a). Në të vërtetë, Kultusprotektorat u rikonfirmua sidomos pas luftës Austro-Turke të viteve 1683-1699. Kjo e autorizonte në sytë e botës Austro-Hungarinë të mbronte popullsinë katolike të Ballkanit, ndërmjet të cilëve bënin pjesë edhe katolikët shqiptarë. Detyrën për mbrojtjen e katolikëve në Shqipëri ata e patën trashëguar nga Venedikasit, por me kalimin e viteve u pa se ky program, po shndërrohej gjithnjë e më tepër edhe në një mjet politik pasi qëllimi për të cilin ai ish krijuar (thjesht fetar), filloi të synonte jo vetëm dëbimin e osmanëve nga vendi, por dhe anullimin e politikave nacional-ortodokse të Sllavëve të Jugut. Më 1858, qeveria perandorake Austro-Hungareze ia doli të krijojë Kolegjin Pontifik të Shkodrës, por shpejt pas krijimit, ai u shkatërrua prej Turqve. Dështimi nuk dekurajoi askënd; fatet e Turqisë tashmë ishin të përcaktuara. Ndërtesa e re përfundoi më 1862-shin, duke shërbyer jo vetëm për përgatitjen e klerit shqiptar, por edhe për trajnimin e seminaristeve Serbe e Sllavo-Maqedonas. Duke iu përmbajtur traditës, Austriakët e realizuan këtë vepër në bashkëpunim ideor e financiar me Propaganda Fiden.

Aq rëndësi kishte për Selinë e Shenjtë Shqipëria dhe areali të cilin ajo kish paracaktuar ta furnizonte me kler, saqë edhe pse në botë ekzistonin vetëm tri institucione me titullin Pontifik, njëra prej tyre asokohe (v. 1911) gjendej në Shqipëri. Këto ishin: 1. Seminari Pontifik i Kandit në Cejlon; 2. Seminari Pontifik i Shkodrës (Collegium Albaniense); dhe 3. Kolegji Pontifik Josephinum në Columbus, Ohio (SH.B.A.). E në fakt dhjetëra kolegje e seminare të kudondodhura, nuk e gëzonin këtë titull i cili, përsa thjesht honorifik, mbante gjithsesi në vetvete një konsideratë të veçantë.

Po le t‘u kthehemi sërish viteve të largëta të historisë, kur zbrazëtisë shpirtnore që pat shënjuar periudhën e parë të Arbënisë tashmë nën osmanët, Propaganda u përpoq t‘i gjegjej jo vetëm me shkollim të klerit të ri nëpër seminare e kolegje të hapura enkas në Itali, por edhe me nxitjen e botimeve në gjuhën shqipe. Dihet se Reformacioni Europian qysh në krye të herës zëvendësoi latinishten me gjuhën e vendit, si në shërbimet fetare, ashtu edhe në lexim të biblës. Kjo solli një lëvizje popullore të madhe edhe në punë të gjuhës; mjaft të kujtohet se Luteri me përkthimin e biblës në gjuhen e thjeshtë të popullit u bë themeluesi i gjermanishtes letrare. Kjo punë e gjuhës qe ngjarje me rëndësi edhe për fenë, pasi përdorimi i gjuhës popullore që kuptohej nga të gjithë tërhoqi shtresat e gjera të popujve ndaj besimit të ri. Kur u pa se përdorimi i gjuhës popullore ndihmonte në propagandën fetare, Kisha romake reflektoi edhe në këtë pike. Kështu ndodhi që gjatë kundërreformës u vu re një kthesë e ndjeshme e saj për nga gjuhët e vendit, natyrisht për aq sa qe e mundur të bëhej kjo pa cenuar kanonet e disiplinës fetare. Ky ishte një objektiv i cili dha rezultate të menjëhershme në disa vende që kërcënoheshin nga islamizimi i skajshëm. Më 1626 Propaganda themeloi edhe shtypshkronjën e saj të emërtuar "Poliglota" me qëllim shtypjen e librave në gjuhët kombëtare të të gjitha vendeve në nevojë. Kjo shtypshkronjë, që e nisi jetën e saj me botimin e Fjalorit Gjeorgjisht-Italisht më 1629, veproi për gati tre shekuj, deri më 1909, duke shtypur me germa të ndryshme në gjuhë të shumta botime dhe tekste të panumërta. Edhe në gjuhën shqipe do të botohej prej saj më i pari fjalor vetëm gjashtë vjet më pas. Kësisoj në gjuhën shqipe sipas Justin Rrotes "njehen afër 35 botime, krejt a pjesërisht shqype dalë prej Propagandës së Romës", ndër të cilat më të hershmet janë: Embsuame e krështere (Leke Matranga, 1592), Dottrina Christiana (Pjetër Budi, 1618), Pasëqyra Etrëfyemit (Pjetër Budi 1621), Dictionarium latino-epiroticum (Frangu i Bardhë, 1635), Cuneus profetarum (Pjetër Bogdani, 1685) etj. Ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore e cila vërtet do vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurt. Edhe Shqipëria, si shumica e kombeve të Europës, e njëkohësisht me to, kish nisur tashmë lëvrimin e gjuhës dhe letërsisë me libra të tematikës shpirtnore. Sipas një mendimi të përgjithshëm, veprimi i Propagandës në Shqipëri do të kish qenë ende më i madh e frytdhënës, po qe se energjitë e saj nuk do përthitheshin fort nga tokat e reja të globit që u zbuluan pikërisht në shek. XVI-XVII. Propaganda i vuri detyrë vetes të ndalonte përhapjen e protestantizmit anglez e holandez në këto toka. E në fakt del qartë në ndonjë dokument të kohës, se rifitimi i terrenit të humbur në disa vende të Europës Lindore e Juglindore, ku katolicizmi ishte tronditur, paraqiste më pak rëndësi se sa ungjillëzimi masiv i territoreve të pamata të Botes së Re (ku po ndodhte një kolonizim i paparë).

Marrë nga gazeta Shqip, autori A. SHkreli, në pikture Pjetër Bogdani

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net