Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: - Analiza-Pronat shqiptarëve jo kolonëve

TEMAT

  Promemoria

  Shqiperia, shteti klon

  Kosova, rrugëzgjidhjet

  Pronat Shqiptarëve

  Suedia dhe Shqiptarët

  Premtimet e Nanos

  Bardhok Biba- dossier

  Identiteti shqiptar

  Politika dhe feja

  Identiteti ynë Europian


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

PRONAT SHQIPTAREVE, JO KOLONEVE

NGA GJET KOLA

 

Presidenti i Republikës Alfred Moisiu, në bazë të kompetencës që i jep Kushtetuta, ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave ish pronarëve. Asnjë forcë politike nuk duket e pakënaqur nga ky veprim i presidentit. Socialistët mendojnë se nga ky kthim nuk është dëmtuar pozita e tyre. Ata janë të sigurtë se dhe nëse nuk kanë miratuar një ligj të “përsosur”, ata kanë shumicën e kartonave dhe përsëri mund t'ja dërgojnë ligjin presidentit për kundërfirmim tashmë të detyruar, pa ndryshimet e kërkuara prej tij. Partitë e vogla të spektrit të djathtë ja atribuojnë këmbënguljes së tyre kthimin e ligjit. PD-së, si forca e vërtetë opozitare, i interesonte ky kthim për të dhënë mesazhin para zgjedhësve se ligji nuk mund të gjejë zbatim pa konsensusin e saj dhe është ajo forca që duhet mbështetur.

Megjithatë mendoj se kthimi i ligjit për rishqyrtim ka vetëm vlera pozitive dhe riformulimi i tij është deomosdoshmëri për disa arsye që do të përpiqem ti trajtoj shkurtimisht në këtë shkrim.

Kuvendi, për këtë ligj kaq të rëndësishëm por dhe për ligje të tjera, nuk ka marr asnjëherë mendimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, institucionit shkencor më të rëndësishëm të vendit, të paktën teorikisht. Ky vendim i presidentit e krijon këtë mundësi. Një kërkesë e Kuvendit për një mendim të tillë do të ishte dhe një vlerësim e ndihmë e madhe dhe për vetë Akademinë e Shkencave. Kjo Akademi po kalon mbi tre dekada të funksionimit me të gjitha institutet e saj. Ajo ka harxhuar dhe vazhdon të harxhojë çdo vit miliona dollarë. Me një mendim të bazuar e shkencor kjo Akademi do t'ju jepte një goditje të rëndë të gjithë “kundërshtarëve” e “dashakqinjëve të saj” që thonë se që të jesh antar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri duhet të mos kesh as ide as vepra, për shumë sektorë të saj mjafton përshtatja e ndonjë përkthimi dhe të dalësh me ndonjë akt që mbështet qeveritë e majta a për problem të dorës së dytë e të tretë. Gjithashtu një mendim shkencor i saj do të përmiresonte sadopak imazhin e keq që krijoi ajo, kur me platformën për Kosovën dhe për çeshtjen shqiptare në përgjithsi në fundshekullin e kaluar, ishte shumë më prapa edhe mendimit e veprimit të vendeve të cilësuara si armike të shqiptarëve, që morën pjesë në sulmin ushtarak kundër ish Jugosllavisë.

Së dyti me këtë kthim krijohet mundësia që në terrenin praktik të merret dhe mendimi i Dhomës Kombëtare të Avokatëve. Kjo dhomë ka në gjirin e saj jo vetëm numrin më të madh të juristëve në krahasim me të gjitha institucionet e tjera, por ka dhe juristët më të shquar të vendit me një eksperiencë në profesion nga gjysëm shekullore deri tek më të rinjtë e shkolluar, pas viteve ‘90-të, edhe në unversitetet prestigjioze të perendimit e lindjes. Nëpërmjet Dhomës Kombëtare të Avokatëve mund të evidentohen me pyetësorë e forma të ndryshme të komunikimit, problemet që kanë dal në praktikë gjatë zbatimit të ligjit për pronat të vitit 1993 dhe ligji i ri të japë zgjidhje praktike atyre problemeve. Gjithashtu mund të merret në konsideratë dhe sugjerimi se nuk është i nevojshëm hartimi i një ligji të ri por ti bëhen shtesa e ndryshime ekzistuesit, për të shmangur, qoftë dhe për këtë rast, praktikën e ndjekur në këto 7 vite nga parlamenti me shumicë socialiste që “për ti evidentuar si arritje të tij” ka shfuqizuar ligjet e miratuar nga shumica e PD-së, edhe kur në thelb janë bërë ndryshime të parëndësishme, duke shkaktuar një anarki të panevojshme në këtë drejtim.

Pa hyrë në analizën e plotë të p/ligjit, por ashtu siç është botuar në gazetën qeveritare “Zëri i Popullit”, dhe i nisur nga motive të ndryshme nga ato për të cilat e ka kthyer këtë ligj për rishqyrtim Presidenti i Republikës dr. Alfred Moisiu, duke qenë se kthimi më krijoi mundësinë që të jem “në kohë”, po çfaq mendimin tim për disa dispozita të veçanta të këtij projekti.

Së pari mendoj se projektligji nuk ka dhënë zgjidhje problemit politikisht. Në nenin 6 të tij është sanksionuar se: “Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta dhe u kthehen pa kufizim pronat e paluajtëshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri 60 ha,..”. Nga kjo dispozitë del se në projekt nuk janë përcaktuar qëllimisht afatet kohore në të cilat i shtrin efektet ky ligj. Do të njihen pronat nga shteti i Pirros, Agronit, Teutës, Gjergj Kastriotit, të Dukagjinëve, do të njihen pronat e marra me fermane (dekrete) të Sulltanëve, pronat fituara pas shpalljes së shtetit të pamvarur shqiptar më 28.11.1912, apo pronat e fituara pas njohjes ndërkombëtarisht të tij në pranverën e vitit 1913.

Njohja dhe kthimi i pronave pa përcaktuar afatet kohore në ligj, ju jep të drejtë edhe arbëreshve të Italisë, të Kroacisë e vendeve të tjera, arvanitasve të Greqisë që ti kërkojnë shtetit shqiptar kthimin apo kompensimin e pronave të stërgjyshërve të tyre. Kushdo do të kishte të drejtë që të paraqiste pemën e tij gjenaologjike dhe të kërkonte ti njihej prona e stërgjyshërve të tij, në një zonë të caktuar të Shqipërisë, e ti kthehej ose të kompensohej nga shteti shqiptar për të.

Njohja sipas p/ligjit e pronave të marra me dekrete të Sulltanëve, kolonëve të sjellë nga viset e ndryshme aziatike të Imperatorisë Otomane dhe që me kalimin e kohës përvetsuan gjuhën shqipe dhe me largimin e pushtuesit e deklaruan vehten shqiptarë kryesisht për të ruajtur ato prona, ose kolaborocionistëve vendas që bashkëpunuan me të, dhe që së bashku gjatë mbi katër shekujsh të sundimit turko-mongol formuan klasën sunduese të vendit, do të ishte me pasoja të rënda politike afatgjata për mbarë nacionin shqiptar.

Politika shqiptare me të drejtë ka akuzuar fuqitë e mëdha europiane të kohës për coptimin e trojeve shqiptare. Por fuqizimi i dekreteve të Sulltanëve dhe kthimi i pronave trashëgimtarëve të pashallarëve, bejlerëve, latifondistëve, agallarëve etj., qoftë dhe pjesërisht siç përcaktohet në p/ligj, do të legjitimonte këto vendime të fuqive të mëdha. Fqinjët tanë serbë grekë etj. na kanë akuzuar ne shqiptarëve se me asimilimin në shumicë në fenë e pushtuesit kemi ndihmuar pushtuesin aziatik në shtypjen e popujve të tjerë të ballkanit dhe si humbës të luftrave ballkanike, kanë kërkuar ndëshkimin tonë bashkë me pushtuesin. Klasa politike e fetare e përbërë kryesisht nga kolonët e ardhur nga viset aziatike si Vrionët, Libohovët, Turditë etj., por dhe koloboracionistët vendas e kanë shtuar pasurinë e tyre në kurriz të popullit shqiptar dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. Për ta ilustruar këtë ide po përmend rastin e dekretit të sulltanit për dhënien në pronësi dhe të disa fshatrave në Fier Omer pashë Vrionit, si shpërblim për egërsinë që ai tregoi në komandën e trupave turko-shqiptare në shtypjen e luftës së grekëve për liri në revolucionin e 1821. Në projektin e tij Parlamenti Shqiptar njeh pjesë të kësaj prone dhe kthen ose kompenson atë. Gjithashtu me kthimin pa kufizim të pronave të tjera të paluajtëshme, parlamenti jo vetëm që fuqizon dekretet e sulltanëve por bën dhe diskrimin të madh të popullsisë etnike shqiptare. Këto pasuri sulltanët, siç dihet, jua kanë dhënë kryesisht kolonëve të sjellë prej tyre nga Azia, për të mbajtur nën sundim e diskriminuar për mbi 4 shekuj të popullin shqiptar e popujtë e të tjerë të ballkanit. Për popullsinë me origjinë dhe jo vetëm me shtetësi shqiptare, rikthehet dhe një herë, tashmë në mënyrë të kamufluar, pushtimi turk me miratimin e dëshirën e vetë shqiptarëve. Kolonët turq, të asimiluar në shqiptarë për shkak të fesë, që bashkë me kolaborocionistët dje përbënin klasën e bejlerëve, agallarëve etj., në këtë ligj, duhet të trajtohen si maksimum të barabartë me shqiptarët dhe kurrsesi si minimum. Një trajtim, si i projektit, do të kishte pasoja të paparashikuara për ekzistencën e vetë shtetit shqiptar, pasi nuk ka rast në historinë e njerzimit që pas gati një shekulli të shtetit të vet, pasi e ka larguar një herë nga skena, një parlament të ketë nostalgji e të vendosë rehabilitimin e pushtuesit të tij.

Po kështu projekti trimëron edhe kolaborocionistët, që gjatë gjithë historisë sonë nuk kanë qenë të pakët në numër, që sapo t'ju jepet rasti të vihen në garë për të bashkëpunuar me organizata e shtete antishqiptare.

Me këtë dispozitë thellohet diskriminimi që shkaktoi ligji për tokën nr. 7501, datë 19.07.1991, në përgjithsi për popullsinë e zonave malore dhe në veçanti për popullsinë e rretheve të Zonës Verilindore Mirditë, Pukë, Malsi e Lezhës, Malsi e Shkodrës, Tropojë, Kukës etj. E gjithë popullsia e vendit kishte marrë pjesë në mënyrë të barabartë në rritjen e sipërfaqeve të tokës së punueshme dhe në mobilimin e saj. Nëse banorët e rrethit të Pukës nuk kishin mundësi të rrisnin sipërfaqen e tokës së punueshme, ata nga viti 1945-1991 i dhanë ekonomisë kombëtare mbi 25 milion m3 lëndë drusore, minerale etj., të Mirditës dhanë disa dhjetëra milion ton minerale etj. Ndërsa me ligjin për tokën popullsia e këtyre zonave u përjashtua nga privatizimi i barabartë i tokës bujqësore në krahasim atë të zonës fushore. Diferencat në minus shkojnë nga 6 deri 10 herë.

Projekti ve në të njejtat pozita diskriminuese banorët e fshatrave të Zonës Jugore të vendit, të cilët pas miratimit të tij, kthehen në qiragji të kullotave e tyre.

Në projekt nuk është marrë në konsideratë gjaku dhe djersa e papaguar e gjithë shqiptarëve në 50 vjet të shtetit njëpartiak komunist për mobilimin e trojeve, kullotave e livadheve që kanë rritur dhjetra herë vlerën e tyre dhe zbatimi i këtij p/ligji do të ishte vjedhje e djersës e gjakut të tyre.

Ky problem mendoi se gjen zgjidhje në radhë të parë duke përcaktuar kohën kur ky ligj e shtrin fuqinë e tij prapavepruese. Veprimi i tij duhet të shtrihet në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.1912. Për kolonët turq dhe kolobaracionistët shqiptarë, që deri në atë ditë përbënin klasën politike të pushtuesit otoman do të vihet një kufi njohje për pronat e paluajtëshme si për tokën bujqësore dhe për trojet kullotat etj.. Ky kufi duhet të jetë si një mesatare e barabartë me shqiptarët autoktonë dhe nuk duhet të kalojë 5 ha. Mbi këtë kufi duhet të njihen, dhe t'ju kthehen ose kompensohen, të gjitha pronat e fituara në bazë ligjeve në fuqi gjatë gjithë ekzistencës së shtetit të pavarur shqiptar, pasi t'ju zbriten me kompensim shpenzimet për mobilimin e tyre, vaditje, drenazhim, rrjet rrugor, elektrik etj. Gjithashtu duhet të vlerësohet e t'ju zbritet në kompensim dhe rritja e vlerës së trojeve e pronave që nuk do të ishte varur nga ish pronarët, si rrjedhojë e ngritjes së qendrave të reja urbane e zgjerimit të atyre ekzistuese, pasi kolonët e kishin në dorë dhe nuk e bënë këtë gjë në mbi katër shekuj.

Parlamenti shqiptar në projekt e ka keqpërdorur arritjen gjigande e me shumë sakrifica të brezave të mëparshëm dhe synon ta falë si “pasuri të babës”. Një reformë në fushën e pronës mbi tokën, me përmasa shumë të vogla se ajo e vitit 1946 në Shqipëri, po i kërkon Robert Mugabes dhe qeverisë së tij në Zimbabve përpjekje e sakrifica mbinjerzore.

Miratimi i këtij projekt ligji në fushën e kullotave e livadheve, do të ndjehet në mënyrë të vecantë në Jugun e Shqipërisë. Banorët e këtyre zonave, për të kullotur bagtitë e tyre si para 28 nëntorit 1912 do të kërkojnë përsëri lejen e pasardhësve të kolonëve e kolaboracionistëve që ju kishin qëndruar mbi zverk për mbi 4 shekuj dhe që e kishin fituar pronësinë mbi këto prona pikërisht se kishin bërë mirë këtë shtypje.

Mospërcaktimi i kufirit të fuqisë prapavepruese të këtij ligji, do të kishte pasoja politike për mbarë nacionin shqiptar. Kjo do tu shërbente drejtëpërdrejt pretendimeve të fqinjëve që i kanë trajtuar shqiptarët si bashkësundues me turqit të paktën në tre shekuj dhe viset shqiptare si Turqi për shkak se shumica e shqiptarëve ishin asimiluar në fenë e pushtuesit dhe e ndjenin dhe identifikonin vehten si turq. 2/3 e trojeve të shqiptarëve fqinjët i kanë pushtuar me fitoren në Luftën Ballkanike si më të fortë se shqiptarët dhe turqit dhe ju janë lënë nën sundim kryesisht për këtë shkak. Në fund të fundit vetë Turqia kishte kryeqytet të sajin kryeqytetin e Perandorisë Romake te Lindjes dhe si fituese edhe sot e kësaj dite zotëron territorin e asaj perandorie. Me këtë qëndrim të parlamentit, shqiptarët, në trojet e tyre në ish Jugosllavi e Greqi, mund të kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre, si maksimum në kuadrin e të drejtave të njeriut, ndërsa vetëvendosjen mund ta realizojnë vetëm me fitore në luftë.

Për difektin themelor që analizuam më lart, dispozitat e projekt ligjit bien në kundërshtim me njera tjetrën. Neni 4 i projektit, ku, në mes të tjerash, është sanksionuar se dispozitat e këtij ligji nuk zbatohen për pronat e përfituara si rezultat i zbatimit të ligjit 108, datë 29.08.1945 “Për reformën agrare” me ndryshimet e mëvonëshme bie ndesh me nenin 6 të cituar më lart. Pra ndërsa njihet reforma agrare që praktikisht sanksionoi fundin e pushtimit otoman në fushën e pronësisë, kërkohet që njëkohësisht e njejta tokë, në gjendjen që është sot pas mobilimit me punën e papaguar të disa gjeneratave në rreth gjysëm shekulli të pas Luftës Dytë Botërore, truall, kullotë, livadhe etj. dhe deri në 60 ha tokë bujqësore, t'ju kthehet ose kompensohet kolonëve që solli pushtuesi gjatë sundimit mëse katër shekullor dhe koloboracionistëve që bashkëpunuan me të për shtypjen, dhunimin, masakrimin, asimilimin e zhdukjen e krejt nacionit shqiptar nga faqja e dheut.

Projekti mendoj se është me pasoja të rrezikshme politike dhe në trajtimin që i ka bërë problemit të shpronësimeve.Edhe në këtë drejtim nuk është përcaktuar shtrirja kohore e fuqisë prapavepruese të ligjit. Si është formuluar projekt ligji nuk del se cilat shpronësime nuk njihen; ato që ju bëri pushtuesi otoman luftëtarëve të lirisë për kundërshtimin e tyre me armë; shpronësimet që bënë qeveritë sovrane shqiptare para dhe pas luftërave botërore apo merren përsipër dhe shpronsimet që bënë pushtuesit për të mbajtur në këmbë makinerinë e luftës në luftërat ballkanike dhe në dy luftërat botërore.

Përvecse duhet të vihet kufiri kohor, politikisht sic ka rezultuar dhe nga debatet në parlament, problem kanë qenë shpronësimet e bëra pas Luftës së Dytë Botërore nga shteti i diktaturës komuniste. Këtij pëfundimi i shërbyen dhe akuzat e pafundëme kundër diktaturës komuniste në median e shkruar dhe elektronike, për dënimet nga ana e saj të bashkëpuntorëve të pushtuesve nazifashistë. Projekt ligji ka abroguar en bloc të gjitha shtetëzimet dhe shpronësimet e bëra pas fitores në këtë luftë. Dhe ky ka qenë dhe pjesa më regresive e konsensuesit të arritur nga dy forcat kryesore politike PS dhe PD. Por të dyja këto forca kanë rënë dakort duke patur qëllime diametralisht të kundërta. Socialistët për tu paraqitur “luajalë”, për t'ju thënë ndërkombëtarëve se ne e dimë se nuk kemi vepruar drejt por e bëmë të detyruar pasi nuk mund të merremi lehtë vesh me një forcë që do të ngrijë në këmbë gjithshka regresive të së kalurës, ndërsa për opinionin e brendshëm për të treguar se ata venë interesat e vendit mbi ato partiake, me objektivin e pashprehur, por për të mos e zbatuar këtë dispozitë asnjëherë sa ata të jenë në pushtet. Ndërsa demokratët për t'ju hequr partive më të vogla të spektrit të djathtë përkrahjen e shtresës së kolonëve të sjellë nga pushtuesi otoman e kolabracionistëve të të gjitha kohërave.

Por qëndrimi i dy forcave është me pasoja të rënda për interesat mbarënacionale dhe për integrimin e shqiptarëve në Europë dhe jo të Shqipërisë sic thuhet nga politikanët se Shqipëria është në Europë e nuk mund të kalohet në asnjë kontinenti tjetër.

Lufta e Dytë Botërore ishte lufta më e madhe në historinë e njerzimit. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e luftrave shekullore kundër pushtuesit otoman, shqiptarët morën pjesë aktive në këtë luftë, duke u bërë pjesë e koalicionit botëror antifashist. Pas përfundimit të kësaj lufte të gjitha shtetet i dënuan bashkëpuntorët e pushtuesve. Duke e trajtuar këtë problem në një bisedë me disa intelektualë në QNK në verën e vitit 1995, shkrimtari i shquar Ismail Kadare përmendi qëndrimin shumë të ashpër që kishin mbajtur francezët ndaj këtij problemi. Kur ju kujton atë periudhë u shpreh Ai, sot turpërohen se nuk dënuan me vdekje e ju konfiskuan pasurinë vetëm bashkëpuntorëvë të pushtuesit në tregti e biznes, pa përmendur bashkëpuntorët politikë, por se dënuan me vdekje femrat që gjatë pushtimit ushtruan aktivitetin e prostitucionit për ushtarët gjermanë. Ndërsa, një pjesë e medias, ka mbajtur kohë pas kohe në presion opinionin se diktatura është treguar e ashpër se ka dënuar rëndë këtë apo atë kuisling, sic rezulton, për ti paraprirë pikërisht miratimit të këtij projekt ligji.

Qëndrimi i Parlamentit Shqiptar konfirmon se nuk është kuptuar ajo që shprehte me pak fjalë një lider i shquar perendimor se demokracia nuk është metodë por është mënyrë të menduari, është mentalitet.

Pas gati një shekulli shtet të pavarur shqiptar klasa politike shqiptare, nga shumica, mban të njetat qëndrime të shprehura në prag të shpalljes pavarësisë. Sipas kujtimeve të Sejfi Vllamasit, Aqif Pashë Elbasani orientonte se ne (pra shqiptarët muhamedanë) nuk mund ta kthejmë më Turqinë prandaj na del detyrë që të përshtatemi e të paraqitemi para Europës si europianë.

Në bazë të projektit, të kthyer fatmirsisht nga presidenti Moisiu për të reflektuar, nipërit, mbesat, vëllezërit, motrat e dëshmorëve e heronjëve që dhanë jetën e tyre të re për pavarësinë e Shqipërisë dhe për çlirimin e saj nga pushtuesit nazi-fashistë, duhet të paguajnë edhe para për të kompensuar kolonët dhe kolabracionistët që i rritën fitimet e tyre nga bashkëpunimi me ta.

Ky qëndrim bie në kundërshtim të hapur dhe me të drejtën zakonore të shqiptarëve. Në Kanunin e Lek Dukagjinit jeta e njeriut është mbrojtur në të gjitha dispozitat e tij si e paprekshme. Edhe në qoftë se dikush të djeg shtë pinë a të grabit pronë n e ti e vret, ke gjakun borgj, ë shtë e sanksionuar në Kanun. Ndërsa, me ligjin e miratuar, parlamenti ka rënë në grackën e kolonëve dhe kolaboracionistëve, të cilët për të realizuar interesat e tyre për pasurim dhe pushtet nuk kanë pyetur as pë r kanun as pë r ligj. Fakti që kë rkohet t'ju kthehen a kompensohen pronat e vë na e fitimet e realizuara nga bashkë punimi me pushtuesit provon se ata nuk e kanë patur gjë jetën e shqiptarëve autoktonë.

Megjithatë në këtë ligj duhet të kihet parasysh e të reflektohet dhe persekutimi që pësoi kjo shtresë nga lufta shumë e egër që ushtroi shteti komunist pas çlirimit të vendit me vrasjet, burgosjet, konfiskimin e shtetëzimin me çmime simbolike të pasurisë së saj.

Por dhe për këtë problem mendoj se mund të realizohet zgjidhje në këtë ligj. Shteti të marrë përsipër që t'ju kthejë ose t'ju kompensojë pronat e paluajtëshme të pasqyruara në bilancet financiare të vitit 1938, bilance që duhej të ishin dorëzuar në organet finaciare të shtetit shqiptar brenda tremujorit të parë, pra para 7 prillit 1939. Në ligj mund të sanksionohet që ish pronarët të kompensohen për pasurinë e konfiskuar nga shteti komunist në nivelin e bilancit 1938 dhe pasi ti zbriten nga ajo pasuri tatimet, në atë nivel që i kanë marrë dhe vendet e tjera të sapodala nga kjo luftë. Me këtë veprim ligjvënësi do të shmangte qëndrimin absurd që kuislingët të shpërblehen për pronat fitimet e realizuara nga bashkëpunimi me pushtuesit, që ka mundësi të mos ketë asnjë rast në historinë botërore, të të gjitha kohrave.

Lënia në fuqi e kësaj dispozite do të kishte pasoja të rënda politike dhe tepër afatgjata për nacionin shqiptarë në përgjithsi dhe do ti kthente përpjekjet për integrim në Europë një sllogan. Vetëm pas 60 vjetësh u pranua në takimin përkujtimor për fundin e LDB-së kryeministri gjerman dhe kjo nuk u pranua nga mjaft veteranë, pjesmarrës në atë luftë. Parlamenti shqiptar shfrytëzon pikërisht këtë moment për të ligjëruar shpërblimin e bashkëpunëtorëve të nazi-fashistëve nga familjarët e të vrarëve dhe antifashistët e tjerë, në luftën e pabarabartë kundër tyre.

Ky qëndrim do të provonte akuzat e fqinjëve se shqiptarët më shumë kanë bashkëpunuar me nazi-fashistët se sa i kanë luftuar ata, dhe përbën një goditje të drejtëpërdrejtë për shqiptarët e çamrisë të cilët janë deportuar nga trojet e tyre etnike për në Shqipëri e Turqi pikërisht me këtë akuzë.

Siç rezulton je vetë m nga shkrimet e tij por dhe nga dokumentat historike, Enver Hoxha i përballoi me shumë vështirësi sulmet e kryetarit të delegacionit grek Caldaris në Konferencën e Paqes në Paris se shqiptarët nuk kanë marrë pjesë aktive në luftë. Në mes të tjerash ai ka përdorur si argument dhe faktin se shteti komunist shqiptar kishte zgjedhur president të parë të pasluftës, kolonin nga Libani dr. Omer Nishanin, që kishte lavdëruar fashizmin në një artikull të shkruar në gazetën “Tomorri” më 1942. Jo shumë kohë pas këtij incidenti, nga dëshprimi, a “për intersat e partisë” dr. Nishani ndë rroi jetë . Po kështu ky qëndrim ju vjen në ndihmë dhe akuzave të serbëve, se, shqiptarët në përgjithsi dhe shqiptarët e Kosovës në veçanti, kanë qenë pasiv ose kanë bashkëpunuar me okupatorët. Për të provuar këtë akuzë atyre ju vjen në ndihmë dhe fakti se dëshmori i parë shqiptar në Kosovë ka rënë në luftën kundër okupatorit në shtator 1944.

Renegati nga Proseku i Mirditës Mustafa Kruja dhe mirditori tjetër me origjinë nga Oroshi Ernest Koliqi, duke qenë personalitete të mëdhenj të kulturës kombëtare, bënë një nga shërbimet më të shquara kombit shqiptar në gjithë historinë e tij, pasi duke shfrytëzuar bashkëpunimin me fashizmin hapën qindra shkolla shqipe të dy niveleve në Kosovë të cilat u bënë bazë për hapjen e Universitetit të Prishtinës. Këto shkolla nuk mundën ti mbyllnin më as serbët mbasi ata nuk mund të paraqiteshin para opinionit “më antishqiptar se fashizmi”. Në këtë veprim e kanë bazën dhe konkluzionet e mëvonshme të politikanëve e akademikëve serbë se “shqiptarëve ju hoqëm pushkët e ju dhamë topat”. Ky akt i tyre përbën dhe sot themelet e shtetësisë së Kosovës, mbasi asnjë shtet nuk është ngritur me analfabetë. Shqiptarët në Maqedoni edhe pas 13 vjetësh përpjekje dhe me gjithë ndihmën e Bashkësisë Ndërkombëtare akoma nuk e kanë arritur një gjë të tillë. Megjithatë mund të kalojë dhe shumë e shumë kohë që ky kontribut i këtyre dy personaliteteve të eklipsojë bashkëpunimin me fashizmin e pjesmarrjen në qeverinë kuislinge.

Më pak se dy shekuj mbasi Zef Serembe shkruante: “Shqipëria matanë detit na kujton, se ne të huaj jemi në këtë dhe, sa vite shkuan e zemra nuk harron, se ne turku na la pa atdhe”, Kuvendi i Shqipërisë synon ti lerë përsëri një pjesë të shqiptarëve etnikë pa pronë, sic la një pjesë të tyre në Zonën Verilindore të vendit pa tokë bujqësore më 1991, mbasi kërkon t'jua japë ato kolonëve dhe kolabracionistëve.

Tiranë, më 05.06.2004 Avokat Gjet KOLA

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net