Nga “Dashuri në kullën e ngujimit”, tek "Hyjnesha e Pyllit"
-përgatiti Gjergj Marku 
Një nga risitë e panairit ndërkombëtar të librit “Tirana-2004”, përveç pjesëmarrjes në të të shtëpive botuese nga metropoli a diaspora, kanë qenë prezente me prodhimet e tyre edhe shtëpi botuese të provincave, por që nocioni gjeografik ka qenë i zvogëluar para prodhimtarisë cilësore letrare, artistike, studimore. Një nga këto shtëpi botuese është ajo me emrin “Mirdita”, që përsëdytet në këtë ballafaqim vlerash krijuese në metropolin shqiptar. Nën drejtimin e studiuesit të njohur vendas Ndue Dedaj, kjo shtëpi botuese edhe këtë vit u paraqit me një numër të konsiderueshëm librash të rinj, ku binin në sy thuajse të gjitha zhanret e letërsisë: poezia, tregimi, libri për fëmijë, romani, antologjia poetike, si dhe monografi e studime, libra me intervista etj.
Tashmë shtëpia botuese “Mirdita” ka krijuar profilin e saj, me 80 tituj të publikuar deri tani dhe të tjerë libra në proces botimi, ku dy kanë qenë drejtimet kryesore të veprimtarisë së saj: botimi i letërsisë artistike dhe botimi i librave me karakter studimor nga rrafshi i historisë, etnologjisë, psikologjisë, arsimit etj.
Dedaj, i pyetur rreth risive dhe vlerave të krijimtarisë së botuar: “Tashmë, pas një përvoje të sukseshme afër dhjetëvjeçare botimi, mund të themi se ia kemi dalë të botojmë letërsi me nivel artistik. Kjo më jep rastin të përsëris atë thënien e njohur për letërsinë që krijohet në provincë, por pa qenë “letërsi provinciale”, çka u vu në dukje dhe nga nobelistja austriake e këtij viti në letërsi, por që është trajtuar qartë si koncept edhe nga studiues e krijues vendas të njohur. Nga ana tjetër prej kohësh ruaj mendimin se vlerat e mirëfillta artistike, qoftë në letërsi, qoftë në folkor, apo arte të tjera krijohen njëlloj si në metropole, si në qendra të tjera më pak të urbanizuara. Shembujt për këtë janë të pafundëm si në letërsinë shqiptare, si në atë botërore, si në kohë të hershme, si në kohë të sotme.
Dy vjet më parë, pavioni i librit të shtëpisë botuese “Mirdita”, në panairin ndërkombëtar të librit në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, përveç dashamirëve të shumtë të librit, personaliteteve të ndryshme të jetës politike dhe kulturore, u vizitua dhe nga shkrimtarë e artistë, përfshi dhe shkrimtarin e shquar Ismail Kadare.
Në veprimtaritë kushtuar letërsisë, medias lokale dhe kulturës në Mirditë (apo në dy promovime të zhvilluara në Muzeun Historik Kombëtar) kanë qenë pjesëmarrës mjaft personalitete të letërsisë, artit dhe kulturës, si Dhimitër Xhuvani, Ndoc Gjetja, Pjetër Arbnori, Limos Dizdari, Jorgo Bulo, Adriatik Kallulli, Kiço Blushi, Mumtas Dhrami, Saimir Kumbaro, Albert Minga,
Në Rrëshen janë ftuar për të promovuar librat e tyre dhe Mark Krasniqi nga Kosova, Mons. Angelo Masafra, Preç Zogaj, Mons. Zef Simoni, Neritan Ceka, Pal Doçi etj.
Ndërkohë që për librat e shtëpisë botuese “Mirdita”, kohë pas kohe, ka patur reçensa në shtypin e përditshëm dhe nga shkrimtarë e gazetarë si Dhori Qiriazi, Kujtim Dashi, Behar Gjoka, Albert Gjoka, Klajd Kapinova, Fran Luli, etj.
Promovimi i dy librave të rinj
Në një nga ditët e panairit në Pallatin e Kongreseve u bë dhe promovimi i dy librave të autorit Ndue Dedaj, libri me tregime e novela “Dashuri në Kullën e Ngujimit” dhe libri për fëmijë “Hyjnesha e Pyllit”, ku morën pjesë shkrimtarë, studiues, letrarë vendas dhe nga rrethe të ndryshme artistësh e krijuesish.
Petrit Bezhani, bibliotekar në Bibliotekën Kombëtare u ka bërë një ekspoze botimeve të kësaj shtëpie botuese kohët e fundit, duke vënë në dukje se ka një ringjallje të traditës së kahershme të autorëve të njohur të trevave të veriut si Prend Doçi, Ambroz Marlaskaj, Dom Prend Suli, Nikollë Kimza, të cilët kanë trajtuar shumë aspekte të historisë dhe etnologjisë së kësaj treve.
Poeti i njohur Dhori Qiriazi, foli mbi vlerat e krijimarisë së poetëve të trevës së Mirditës e në veçanti të poezisë së Ndue Dedaj, të cilin e ka quajtur një poet të veçantë jo vetëm të kësaj krahine. Ndërkaq në kumtesën e tij Lek Shtia u ndal në mënyrë të veçantë në vlerat artistike të librit “Dashuri në Kullën e Ngujimit”. Prof.dr Mark Tirta, vlerësoj kontributin e autorit si organizator i botimeve në Mirditë dhe autor i disa librave në fusha të ndryshme. Në promovim mori pjesë dhe poeti i njohur Preç Zogaj, mik i kahershëm i autorit, i cili vlerësoj krijimtarinë e Dedajt dhe tërë ansamblit krijues e studiues mirditor, i cili duket se ka “fshehur në gjirin e vet” misionin e dikurshëm të “shkollës filozofike të Lezhës”…
Dashuri në kullën e ngujimit
Një libër tejet i veçantë me 21 tregime dhe një novelë të shkurtër, ku bie në sy gërshetimi i tradicionales me modernen, teksa dhe vetë prozat e këtij libri trajtojnë gjendje, rrethana, karaktere të moçëm dhe “të rinj”, kjo dhe pse autori ka dëshmuar një prirje për nga historia me shkrime të karakterit historik a monografi, ashtu si dhe prurje nga bashkëkohësia.
Përmes meditimeve të natyrës letrare, eseistike dhe filozofike na vijnë Muji dhe Halili nga Eposi i Kreshnikëve, Sinan-Simon Kimza, që mbart një gjak në shpinë, kudo ku i shkel këmba në Shqipëri, Mal të Zi, Itali dhe vjen ta “shpaguajë” pendesën e thellë në tokën e vet. Po kështu “Gruaja-Burrë”, një tregim origjinal, modern që sjell figurën e gruas, që në një rrethanë të caktuar hiqte dorë nga martesa, amësia, duke u “konvertuar” në burrë (me veshjen e një burri dhe armët në brez e në krah) – figurë që autori e ka parë në qenësinë e saj si femër dhe jo si “burrë”.
Interes për lexuesin paraqesin dhe proza të tilla si “Pleqtë e Dominove”, “Basorelievi”, “Dosja”, që prekin aspekte të shoqërisë së sotme me deformimet e saj sociale, por sidomos novela “Dashuri në Kullën e Ngujimit” me personazh kryesorë dy të rinj, që e sfidojnë ngujimin absurd te koha e sotme, një lloj letërsie e absurdit.
Kjo, padyshim, është ndër krijimet më interesante të autorit Dedaj, e ngjizur brenda vetes prej vite e vite, një ngjarje e pa ngjarje e zhvendosur në një kullë të vjetër ngujimi, një kullë qe herë e çon të ngujuarin në një bunker, apo që i fluturon mendja për t'u ngujuar edhe tek Kulla e Sahatit në mes të Tiranës, bash aty në zemër të shtetit! Dedaj, duket se këtu i bëzan me të madhe shtetit, po cilit shtet, përderi sa dhe deputeti i zonës e ka një gjak në qafë, ashtu sikundër e kemi ndeshur në jetën pa personazhe librash!
Dedaj luan me detajet në mënyrë fantastike. Si një risi e “Prillit të Thyer” të Kadaresë?! Mbase! Dy të rinj që puthen larg botës së trazuar, për të shkuar tek gjakësit e shuar të 300 viteve të ngujuar m'u aty, apo diku tjetër në një kullë ngujimi, apo në kullën e sahatit! Duket se tërë bota është ngujuar, një botë ku udhëtojnë bashkë jeta dhe vdekja, dashuria dhe urrejtja, tradita dhe modernia, qenia dhe mosqenia, shënon kumtuesi Shtia…, dhe fundi vjen tejet i beftë, atje në Galerinë e Arteve (afër Kullës së Sahatit), kur e gjendur përballë njërës prej pikturave të ekspozuara, Gazetarja ka thirrur “Angjelinë!”…
Hyjnesha e Pyllit
Është vërtetë interesante nxjerrja njëkohshëm e këtyre dy librave nga autori Dedaj. Përballë Kullës së Ngujimit, një libër nga më të bukurit e të veçantit për fëmijët, këta miq të veçantë të Dedajt. “Dikur kam shkruajtur një reportazh “Shtëpia e Bardhë”, thotë ai, që shumkush e çonte mendjen tek “Klinton apo Bush” asokohe, por që në fokus ishte “bota e bardhë”, e papistë e fëmijëve...”. Fëmijët! Kjo botë e çuditshme, thotë Dedaj, një botë si një buzëqeshje e pafund, si një metaforë e papërsëritshme. Më ka mrekulluar gjithnjë magjia e njëmijë e një “pse-ve”, që vetëm fëmijët i bëjnë dhe zakonisht të rriturit, jo vetëm nuk kanë vullnetin t'u përgjigjen me sa mundin, por për çudi, as vetë nuk pyesin më! E pra, nga “pse-të” fëminore kanë lindur dhe mijëra përrallat e gjysheve tona të urta apo dhe “një mijë e një netët” e famshme…
Ndërkohë shihja me shqetësim se po zhbiheshin përditë e më shumë nga faqja e dheut kafshët e egra e të rralla të pyjeve, pa të cilat do të humbiste shija e përrallave e fabulave të moçme, a përrallat e nesërme-kështu fëmijëve do t'u mungonte letërsia e parë e njerëzimit, e mbushur gjithë enigma…
|