Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: - Analiza-PROMEMORIE

TEMAT

  Promemoria

  Shqiperia, shteti klon

  Kosova, rrugëzgjidhjet

  Pronat Shqiptarëve

  Suedia dhe Shqiptarët

  Premtimet e Nanos

  Bardhok Biba -dossier

  Identiteti shqiptar

 Politika dhe feja

Identiteti ynë Europian


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

PROMEMORIE

Nga: Prof. Dr. Aleksander Bushati, Av. Alfred Duka, Ing Aleksander Paci, Prof. As. Dr. Angjelin Shtjefni, Ing. Bardhok Rajta, Eugjen Kulli, Dr. Gjelosh Nikolla, Av. Ekonomist Gjet Kola (iniciator dhe kordinator), Ekonomist Gjergj Sokoli, Kompozitor Gjon Kapidani, Ing. Leodat Kiri, Leon Kaza, Ing. Nikolin Shpani, Pashko Gjekaj, Simon Lala, Av. Sokol Gjini. Tonin Marinaj

Qëllimi :

Me këtë promemorie dëshirojmë të vemë në dijeni, me disa tregues sintetikë, për pozitën diskriminuese të popullsisë së besimit të krishterë katolik në Shqipëri, problemet me të cilat ndeshet kjo popullsi si dhe të shfaqim disa mendime për domosdoshmërinë dhe rrugët që çojnë në realizimin e barazisë de facto me komunitetet e tjera.

Kujt i parashtrohet:

Shejtërisë së Tij, Papa Gjon Pali II, Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, me kërkesën që të pajisë me nga një kopje të promemories të gjithë deputetët si përfaqsues të popullit, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Kryeministrit, partive politike në Shqipëri, Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që të pajisë me nga një kopje të promemories të gjithë deputetët shqiptarë si përfaqsues të popullit, Presidentit të Kosovës, Kryeministrit të Kosovës, partive politike shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovën Lindore (Jug të Serbisë), përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, Komuniteteve Fetare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Shkencave të Kosovës, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Këshillit të Politikave të Sigurimit Kombëtar të Shqipërisë, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Qeverive të SHBA-së dhe Kanadasë, Qeverive të Vendeve të Bashkimit Europian, Komisionit Europian, Këshillit të Europës, OSBE-së nëpërmjet prezencës së saj në Shqipëri.

Hyrje :

Shqiptarët qenë ndër popujt e parë që përqafuan krishtërimin. Shën Pali gjatë udhëtimit të tij të tretë rreth vitit 59, u kishte shkruar romakëve (15,19) se: “… që nga Jeruzalemi e përqark e deri në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”, që më vonë është konfirmuar dhe nga Shën Jeronimi që ka shkruar se: “Në të gjitha vendet u përhap … me Palin në Ilirik” Epist. 59. Kjo është dokumentuar dhe nga studiuesit europianë si Jirecek, Taloci, Shuflay etj.. Po kështu dhe studiuesit shqiptarë kanë arritur në përfundimin se: “ Iliria, toka jonë, ishte ungjillizue prej vetë Shën Palit Apostull … dhe se në shekullin III, krejt ky vend, atëherë shumë i haptë, ishte i ungjillizuem”.

Rreth një shekull më vonë, Perandori ilir Kostandin shpallli Krishtërimin fe zyrtare.

Nga gjiri i popullsisë iliro-shqiptare gjatë shekujve dolën mjaft figura të shquara që nderojnë mbarë Krishtërimin e shenjtorë si Shën Elena, Flori, Lauri, Asti, Donati, Sergji, Baku, Shën Jeronimi, Niketë Dardani etj.

Zhvillimet pas pushtimit osman :

Në shekullin XIV gjithë popullsia shqiptare, shumicë në mbi 100 mijë km2, ishte e besimit të krishterë. Por një nga dëmet më të mëdha që shkaktoi pushtuesi osman, gjatë pushtimit rreth 450 vjeçar, ishte prishja e unitetit fetar të shqiptarëve e konvertimi i një pjese të popullsisë në fenë e tij muhamedane.

Shqetësimit të Fuqive të Mëdha për mundësinë e bashkëjetesës në shtetin e ri shqiptar midis shqiptarëve të krishterë dhe të atyre të asimiluar fetarisht i është përgjigjur Imzot Luigj Bumçi, Ipeshkëv, kryetar i delegacionit shqiptar i cili me gojë, një Klubi Parlamentarësh Anglezë në Parlamentin e Londrës dhe me shkrim Konferencës së Paqes në Paris u ka thënë se: “Në emën të klerit e të popullit katolik shqiptar: Katoliku dhe Muhamedani në Shqipni janë vëllezër”.

Edhe në dy raste të tjera që Lidhja e Kombeve kërkonte të dinte nëse vërtetë katolikët dhe muhamedanët në Shqipëri ishin vëllezër e mund të bashkëjetonin në paqe, Arqipeshkvi i Shkodrës dhe Metropoliti i Shqipërisë monsinjor Jak Serreqi i është përgjigjur telegrafisht se: “Katoliku dhe muhamedani në Shqipëri janë vëllezër, të mirën dhe të keqen duan me e nda së bashku si vëllezër”.

Për të rritur ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve, që dhe ata të lufonin kundër pushtuesit otoman edhe pse ishin konvertuar në fenë e tij, poeti kombëtar Gjergj Fishta i ka trajtuar të barabartë në veprat e tij trimëritë e shqiptarëve në luftë, si të besimit katolik dhe muhamedan, megjithse shprehet Ai “…ndokujt prej muhamedanëve të përmendun veç me i zanë në gojë aso kohe emnin e Shqipnisë, ka gjasë se do të kishte ra pushkë…”.

Në arritjen e këtij konkluzioni, këto personalitete, përveçse njihnin mirë situatën në kohën që jetonin, njihnin edhe historinë e popullit shqiptar. Ata e dinin se shqiptarët për shkak të rezistencës kundër pushtuesit osman ishin ndodhur para një terrori të paimagjinueshëm, se ishte e vërtetë dhe jo lojë proklamata zyrtare otomane me rastin e pushtimit të Krujës më 1478 se: ”Ata që mbetën nga armiku, gratë dhe fëmijët, i vunë në prangat poshtëruese të robërimit dhe i lidhën më zingjirët e mjerimit. Paskëtaj do të fillojë shkatërrimi i kishave, ndërtimi i medreseve, ndalimi i këmbanave dhe prishja e ligjevet. Brenda në zemrat e të pafeve ku kishte zënë vend pafesia dhë mëkati, paskëtaj do të çelë burbuqja e besimit në një zot të vetëm”. … Posa që nga lajmtarët e padukshëm të paracaktimit {fatit} u lëshua thirrja: “Vrajini të pafetë gjer tek i fundit” , sulltani të cilit i buzqesh fati dhe si ndahet fitorja të pafetë e kësaj fortese i shkoi nën shpatën shkatërrimtare, zharritëse dhe ua rrëmbeu jetën këtyre kundërshtarëve fatgremisur, duke skuqur sipërfaqen e fushës me gjakun e këtyre tradhëtarve të pafe….. Ata batërdisën gratë e këtyre armiqve vulëhumbur si të ishin ato cullufe fytyrhënash plot me nishane të zeza. … Thirrjet që nga krahrorët e tyre të dërmuar arritën gjer te tavani i Saturnit. Gjithsejt rreth 5000 të pafe…, u bënë kështu pre e shpatës së mprehtë dhe qokë e shigjetës goditëse….”.

Turqit e sollën fenë e tyre në Europë “me forcë dhe luftë” dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë për të shuajtur rezistencën e shqiptarëve, që u bënë pengesë, dhe, në kulmin e furisë së tyre nuk i lejuan që të kalonin në Apenine e në Europën Perendimore. Nga dokumentet turke rezulton se: “Murati urdhëron që ose të bëhen synet të gjithë Epirotët ose të lahet tradhëtia e tij (Gjergj Kastriotit) me vdekje”. Në këtë mënyrë, i gjithë Arnauti u përfshi në besimin muhamedan.

Komuniteti katolik dhe kleri i tij ishin dëshmitarë të ngjarjeve në Jugun e Shqipërisë që ishte përfshirë në kufijtë e shtetit shqiptar, ku tendencat për kantonizim ishin evidente dhe menjëherë pas shpalljes së pamvarësisë, problemet trajtoheshin dhe mbi baza fetare. Ndërsa në Epirin e Jugut, që u shkëput nga trungu i Shqipërisë, shteti grek në një kohë rekord kishte deportuar në Turqi shumicën e muhamedanëve shqiptarë që nuk kishin pranuar rikthimin në fenë e të parëve të tyre, në fenë e krishterë.

Midis dy komuniteteve të krishtera kishte edhe diferenca konceptuale. Komuniteti ortodoks i përqëndruar kryesisht në Jug, për t'i qëndruar besnik fesë së krishterë, kishte jetuar për disa shekuj si raja nën dhunën e bejlerëve muhamedanë turq dhe në shumicë shqiptarë ose të asimiluar në shqiptarë me kalimin e shekujve, në qytete e territore të përziera dhe për këtë arsye muhamedanët shqiptarë i shikonte si dorë të zgjatur të pushtuesit. Ishte kjo arsyeja që ortodoksit shqiptarë në Greqi ishin dhe janë po aq aktivë kundër turqve muhamedanë jo më pak se vetë grekët, që zë fill me Napolon Zervën, i cili duke komanduar trupat greke, shprehej se ishte krenar para brezave që do të vinë se çdo shtëpi të shqiptarëve muhamedanë që i kishte dalë përpara e kishtë bërë rrafsh me tokën, për të vazhduar në ditët e sotme me Nikolla Geixhin e të tjerë. Këta persona në kushte të reja ricikluan veprimet barbare të kryera rreth katër shekuj e gjysëm më parë kundër popullit shqiptar nga trupat otomane të komanduara nga shqiptari Ballaban Pasha, dhe ky i konvertuar në fenë e pushtuesit, për të vazhduar me shumë të tjerë pas tij deri në shporrjen e pushtuesit.

Gjithashtu që nga shpallja e pamvarësisë së Greqisë, Qeveria e saj edhe me bekimin e Imperatorisë Otomane është përpjekur t'i trajtojë ortodoksit shqiptarë si grekë. Edhe në të gjitha forumet ndërkombëtare, Greqia ka dalë dhe vazhdon të mbrojë tezën e pavërtetë se gjithë ortodoksit shqiptarë janë grekë, tezë që synon ta jetësojë hap pas hapi. Pas ndryshimeve në Shqipëri e hapjes së kufinjëve, Qeveria Greke ka filluar që të përdori të njejtat metoda që ka përdorur Imperatoria Otomane për konvertimin e shqiptarëve në fenë muhamedane, nëpërmjet kompromentimit të një pjese të popullsisë shqiptare, krahas konvertimit me dhunë. Për të ndryshuar kombësinë, ortodoksve shqiptarë po ju ofrohen benifice të rëndësishme si viza disavjeçare Shengen, ndihma ekonomike të shumëllojshme, privilegje në tregti e deri dhe pensione individuale nga fondet e Bashkimit Europian, mbasi Greqia nuk përdor resurset e saja financiare për këtë qëllim. Rezultat i kësaj politike janë ngjarjet e fundit në Himarën shqiptare, që për rreth 4 shekuj e gjysëm ishte treva e panënshtruar nga pushtuesit otomanë në Jugun e Shqipërisë.

Komuniteti katolik në Veri, me përjashtim të qytetit të Shkodrës, kishte jetuar në zona thuajse plotësisht kompakte nga pikpamja fetare dhe shqiptarin muhamedan që fliste një gjuhë e kishte pothuajse të njejtat tradita, megjithëse ishte asimiluar në fenë e pushtuesit, nuk e barazonte me turqit. Të gjitha të këqijat që u kishte shkaktuar pushtimi otoman ja faturonin atij dhe luftonin e aspironin që me shporrjen një herë e përgjithmonë të otomanëve nga Shqipëria, ata bashkë me muhamedanë e të krishterë orientalë do të krijonin shtetin e pamvarur ku do të jetonin të gjithë të lirë e të barabartë si qytetarë europianë. Komuniteti katolik dhe kleri i tij kurrë nuk mund të mendonin se muhamedanët do ta marrin këtë qëndrim si dobësi e t'i ktheheshin avazit të vjetër kur ishin dorë e zgjatur e pushtuesit në Ballkan edhe për bashkëvëllezrit e tij.

Për t'ju kujtuar shqiptarëve se, dhe pse janë konvertuar në fenë e pushtuesit, nuk janë pjesë e botës muhamedane, Pashko Vasa doli me parullën: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Qëndrimi pas njohjes së Pamvarësisë së Shqipërisë .

Profecia e këtyre përfaqsuesve të shquar të komunitetit katolik si Preng Doçi, Liugj Bumçi, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ndre Mjeda etj. u vërtetua plotësisht. Mbas shpalljes së pamvarësisë e krijimit të shtetit shqiptar, në Shqipëri, nuk ka patur konflikte të drejtëpërdrejta midis popullsisë mbi baza fetare, që provon drejtësinë e përpjekjeve të tyre për krijimin e shtetit unik shqiptar. Kjo dhe për faktin se shumica e asimiluar nuk mund të sulmonte qëndrestarët dhe pse ishin pakicë. Gjithashtu uniteti i shtetit shqiptar, për të cilin ishte i ndërgjegjshëm që të sakrifikonte komuniteti katolik, ishte faktor vendimtar në konsolidimin e kombit shqiptar në shekullin XX, në gjithë trojet e tija etnike. Kjo konstatohet edhe në rregjistrimet e fundit të popullsisë në Kosovë e në mënyrë të veçantë në Maqedoni ku numri i shqiptarëve që deklarohen të kombësisë turke, që të fitojnë simpatinë e sllavëve dhe përkrahjen e turqëve, është zvogluar. Me këtë ndërgjegjsim të shqiptarëve për kombësinë e tyre, përfundimisht mbetet pa realizuar marrëveshja e fshehtë sllavo-turke që shqiptarët muhamedanë të spastrohen nga rajonet e tyre etnike dhe të deportohen në Turqi si turq.

Në hapat e parë deri në njohjen e konsolidimin e pamvarësisë, për pjesën e popullsisë shqiptare brenda kufijve shtetëror, përfaqsuesit e shumicës muhamedane kuptuan se pa përkrahjen perendimore nuk mund te siguronin njohje ndërkombëtare, që i detyroi ata të bënin një trajtim të barabartë të popullsisë së të gjitha besimeve.

Ismail Qemali, njohës i shkëlqyer i politikave të Imperatorisë Otomane dhe të shteteve ballkanike dhe që e dinte se Shqipëria është pjesë e Europës por dhe i shtyrë prej saj, caktoi zv/kryeministrin nga komuniteti katolik në Qeverinë e Parë të Shqipërisë së Re, të kryesuar prej Tij. Po kështu Qeveritë Shqiptare patën në përbërjen e tyre, Luigj Gurakuqin, figurën me orientim Perendimor dhe më të kompletuar të politikës shqiptare.

Ky qëndrim u demostrua dhe në vendimet e Kongresit të Lushnjës i cili vendosi që kryetari i shtetit të jetë kolektiv dhe të përbëhet nga përfaqsues të dy besimeve, dy të besimit muhamedan: një suni e një bektashi, dy të besimit të krishterë: një të ritit oriental (ortodoks) dhe një të ritit oksidental (katolik). Ishte dhe kjo nga faktorët kryesorë që Shqipëria u pranua pa pengesë në Lidhjen e Kombeve me 17.12.1920.

Por rezultoi se kjo gjendje nuk mund të vazhdonte gjatë. Pasi siguruan njohjen ndërkombëtare, qeveritë shqiptare asgjësuan barazinë midis komuniteteve fetare të sanksionuar me vendimet e Kongresit të Lushnjës. Ndryshimin e kursit të barazisë e shpalli edhe de jure zyrtarisht mbreti Zog I që në takim me ambasadorin e Turqisë në prill të vitit 1934 do të shprehej se: “Për 5 shekuj, unitetin e kombit shqiptar e mbrojti Turqia. Po të mos ishte Turqia, Shqipëria nuk do të shpëtonte as nga pushtimi sllav as mund ta pengonte fshirjen e Shqipërisë nga harta e botës prej latinëve. Thelbin e ekzistencës tonë ja detyrojmë Turqisë”.

Me këtë qëndrim mbreti mohonte luftërat qindra vjeçare heroike të popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë, vecanërisht para asimilimit në fenë muhamedane. Ishin shqiptarët, që me heroizmin e gjakun lumë të derdhur prej tyre, nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit i bënë ballë të vetëm për një çerek shekulli dhe mbrojtën Europën nga turri i fuqisë më të madhe e më të rrezikshme të kohës, Imperatorisë Otomane.

Për këtë kontribut në mbrojtjen e qytetërimit perendimor, Papa Piu II dhe Pali II e cilësonin luftëtarin me dashuri si “Gedeoni i Krishterë”, “Shpata e Krishtërimit”, “Atleta Christi”, “ Shtylla e Kishës së Shejtë”, “Makabeu i Ri”, ‘Tmerri i Islamizmit”…. Nuk ekziston, pra, as dyshimi më i vogël që Gjergj Kastrioti ishte një katolik besnik.

Po kështu populli shqiptar në përgjithsi, por në veçanti komuniteti katolik në Veri, asnjëherë nuk i rreshti përpjekjet për shporrjen e pushtuesve otomanë nga trojet shqiptare dhe më afër saj qenë gjatë bashkëpunimit me austriakët në luftën austro-turke të vitit 1689 të udhëhequr nga Ipeshkëvi i Shkupit, ndër korifejtë e kombit shqiptar, i vlerësuar me tituj akademikë nga universitete të njohura të kohës por i dënuar me harresë e nënvlerësim nga shteti i vet, Imzot Pjetër Bogdani.

Por edhe pse në dukje e thënë për kortezi, kjo tezë absurde e allogjike e mbretit Zog I dhe që nuk ka asgjë të përbashkët me realitetin historik, ka shërbyer si platformë dhe ka udhëhequr “analizën historike” të historiografisë zyrtare, gjatë gjithë ekzistencës së shtetit shqiptar. Me këtë qëndrim zyrtar, mbreti synonte qetësimin e ndërgjegjes së trazuar të shqiptarëve muhamedanë, duke i bërë një dëm të pallogaritshëm zgjidhjes afatgjatë të çeshtjes shqiptare.

Kjo deklaratë ishte në vazhdën e qëndrimit zyrtar të kryetarit të parlamentit shqiptar, që gjatë vizitës në Turqi më 1924 ishte shprehur se: “E vërtetë se sot populli shqiptar gjendet i shkëputur prej jush, por me zemër vijon gjithnjë të jetë i ngjitur me ju”. Ky është rast pa precedent në historinë e popujve, kur përfaqsuesi i një vendi sovran të shprehë nostalgji për pushtuesin mbi 4 shekullor që i ka sjellë dëmet më të mëdha në gjithë historinë e tij dhe ta vlerësojë si paradoks lirinë e fituar me gjak e sakrifica mbinjerzore prej popullit të tij.

Me këto qëndrime, renegatët, jo vetëm që justifikuan veten apriori, por vlerësuan asimilimin në fenë e pushtuesit si veprim të drejtë e të zgjuar të tyre ndërsa syleshë të krishterët që bënë sakrifica mbinjerzore, padyshim ndër më të mëdhatë në gjithë historinë e njerzimit, për t'ju shmangur këtij asimilimi duke jetuar për rreth 450 vjet në kushte të një aparteidi të egër. Ishte kjo arsyeja që një diplomat italian konstatonte, se, vetëm pas shembjes së Imperatorisë Otomane dhe, kur panë se mbetën pa pushtet në Stamboll e vise të gjëra të perandorisë, shqiptarët muhamedanë u kujtuan për kombësinë e të parëve të tyre.

Kjo u reflektua në vlerësimin e ngjarjeve historike, në fushën e kulturës e në gjitha sferat e jetës, që në hapat e parë të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Naim Frashëri, i vlerësuar nga kritika mediokër, shpallet poet kombëtar i shqiptarëve ndërsa Gjergj Fishtës, i propozuar kandidat për çmimin Nobel nga shoqata botërore e poetëve në Nju Jork më 1935, me rreth 23 mijë fjalë në veprën e tij, përafërisht sa Shekspiri dhe Pushkini, për rreth 50 vjet iu hoq vepra nga qarkullimi dhe iu asgjësua si reaksionare, duke përsëritur veprimet e pushtuesve otomanë kundër librit shqip.

I pari, pse kishte kryer me devotëshmëri gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit e më gjërë detyrën e drejtorit të censurës në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane, hero, ndërsa i dyti i dëbuar e internuar nga pushtuesit për veprimtari në favor të çeshtjes shqiptare, me preteksin se në kohë pushtimi pranoi titullin e akademikut të Akademisë Mbretërore Italiane, duke deklaruar me krenari kombësinë e tij shqiptare e duke mos hequr asnjëherë dorë prej saj, shpallet tradhëtar, duke ja nxjerr dhe eshtrat nga varri e hedh në lumin Drin.

Po kështu historiografia zyrtare, e shkruajtur nga pjesa e asimiluar e popullsisë, ka glorifikuar figura me mundësi e kontribut tepër modest në lëvizjen kombëtare shqiptare në përgjithsi, e në veçanti në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ndërsa ka lënë në harresë ose denigruar e shpallur reaksionar figura të komunitetit katolik deri dhe Preng Bib Dodën, udhëheqës i mbi 5000 forcave mirditore në mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare nga pushtuesit sllavë, në luftën e organizuar nga kjo Lidhje. Me gjithë këtë vlerësim që ka bërë historiografia zyrtare, për këtë kontribut në favor të çeshtjes shqiptare, pushtuesi otoman e ka ndëshkuar me një nga dënimet më të rënda duke e internuar për 29 vjet nga 1880-1909 në Anadoll.

Megjithatë, duhet vënë në dukje, se, gjatë kohës së shkurtër të mbretërisë shqiptare edhe nëse komuniteti katolik vazhdoi të mbahet i izoluar në zonat më të varfra ku ishte vendosur për t'i shpëtuar asimilimit fetar nga pushtuesi, të paktën nuk u pengua zhvillimi i lirë i tij, krahas komuniteteve të tjera.

Qëndrimi i qeverive shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore .

Qeveritë e pasluftës e shpallën hapur platformën antiperëndimore e për rrjedhojë dhe antikatolike. Enver Hoxha, që kishte qëndruar gjatë në perendim në përpjekje për t'u shkolluar, por dhe si funksionar i mbretërisë shqiptare, shefi më jetëgjatë i shtetit shqiptar, në çdo paraqitje publike dhe propaganda e tij zyrtare çdo ditë, demostronin urrejtjen e tyre ndaj Perendimit. Për ta ilustruar po citojmë pjesë nga një deklaratë e tij ku ai shprehej, se: “Vatikani vazhdon të jetë qendra e armiqve të papajtueshëm të popullit tonë (për shkak se Vatikani në Konferencën e Paqes të Parisit pas mbarimit të Luftës Parë Botërore dha kontribut për ruajtjen e tërësinë territoriale të shtetit shqiptar të 1913 !!!??, shënimi ynë). Atje është vendi ku përgatiten në errësirë komplote kundër nesh. Vatikani është bërë vegla e sigurtë e luftënxitësve të imperializmit amerikan dhe streha e kriminelëve të luftës e tradhëtarve. Vatikani është munduar ta zhdukë kombin shqiptar dhe për këtë e ka mbajtur gjithmonë Kishën Katolike nën urdhërat e tij".

Rezistencës së komunitetit katolik kundër sundimit të ideologjisë komuniste, shteti shqiptar e shfrytëzoi për të ushtruar ndaj tij dhunën më të egër. Në shumë raste dhuna kishte të gjithë treguesit e një genocidi të kamufluar si në rastin e dënimit me vdekje, me varje dhe me pushkatim, të 14 personave që nuk kishin asnjë faj për vrasjen e një funksionari komunist në Mirditë më 1949 dhe pse në krye të trupit gjykues ishte një jurist i shkolluar në perendim (Francë), por dhe në mjaft raste të tjera në krahinën e Mirditës, të Dukagjinit etj..

Shteti shqiptar vuri në përdorim të gjitha mjetet për të shkëputur çdo lidhje më Perendimin dhe për të realizuar më lehtë shtypjen me dhunë të çdo rezistence të komunitetit katolik kundër ideologjisë komuniste.

Si shpërblim për luftrat e përpjekjet disa shekullore të komunitetit katolik e të klerit të tij për të shporrur pushtuesit otomanë dhe për idealizmin e tyre për të krijuar shtetin e përbashkët, unik e të pacopëzuar, shteti shqiptar hartoi dhe zbatoi programe që çuan në asgjësimin e klerit katolik në Shqipëri. Në kuadër të këtij programi nga viti 1944 deri në vitin 1967 u dënuan me vdekje ose vdiqën nga torturat në burgjet politike të shtetit shqiptar 67 klerikë katolikë, ndërsa nuk u dënua me vdekje asnjë klerik i komuniteteve të tjera. Klerikët katolikë të dënuar që kishin kryer mbi 450 vite shkollë në Perendim, vuajtën dhe 881 vjet burgjeve politike.

Kryeministri shqiptar, gjatë një udhëtimi në Veri në mesin e viteve ‘60-të, megjithëse si bir kleriku muhamedan (në përgjithsi edhe pse shqiptarët u asimiluan në fenë e pushtuesit nuk fituan besimin e plotë të tij, prandaj klerikët, klasën politike dhe pronarët e mëdhej të tokave, pushtuesi e krijoi me kolonë të asimiluar në kombësinë shqiptare për t'ia lënë në zverk popullit shqiptar edhe pas fitores së pamvarësisë prej tij) e dinte mirë se pas pushtimit turk, “u rrafshuan qytetet, u rrënuan qendrat e kulturës shqiptare, u asgjësuan monumente të kësaj kulture, arkiva e biblioteka” i indinjuar thellë kur pa se si turqit nuk e kishin shkatërruar dhe kishën katolike të Vaut të Dejës në rrethin e Shkodrës të ndërtuar në shekullin XIII, pa e parë atë si objekt të thesarit të kulturës shqiptare e të mbarë njerzimit, urdhëroi hedhjen e saj në erë me eksploziv, urdhër që u zbatua pa hezitim.

Me urrejtjen patologjike të trashëguar nga koha e pushtimit turk, kundër bartësve të kulturës perendimore, qeveria shqiptare shkatërroi ose ju ndërroi destinacionin të gjitha objekteve katolike të kultit, por që nuk e bëri për gjithë objektet e tjera të kultit.

Edhe pas shpalljes së Shqipërisë vend ateist, megjithë fasadën kushtetuese se shteti i trajton të barabartë qytetarët, persekutimi dhe represioni kundër komunitetit katolik bëhej në mënyrë të programuar, por të kamufluar.

Siç rezulton nga të dhënat e botuara në shtypin e pas viteve ‘90-të të shekullit XX, organet e sigurimit të shtetit të rrethit të Shkodrës kishin planifikuar neutralizimin ose asgjësimin e 86 banorë të qytetit të Shkodrës të vlerësuar elementë të rrezikshëm për qeverinë. Por vetëm 6 prej tyre ose 7 % ishin të besimit muhamedan, 4 ose 4.65 % të besimit ortodoks dhe 76 ose 88.35 % , në mes të cilëve dhe dy femra, ishin të besimit katolik. Me tronditëse rezultojnë këto shifra po të kihet parasysh dhe fakti se në atë periudhë popullsia e besimit katolik në qytetin e Shkodrës nuk ishte më e madhe se 40 %, që tregon se shkalla e persekutimit të saj ishte mbi 13 herë më e madhe se e pjesës tjetër të popullsisë.

Pjesëmarrja e komunitetit katolik në strukturat e shtetit shqiptar.

Komuniteti katolik është i përjashtuar, ose, ka marrë e merr pjesë në mënyrë simbolike në strukturat e shtetit shqiptar, që nga përfundimi i Luftës Dytë Botërore (në vijim shkurtimisht LDB) e deri më sot që pasqyrohet në treguesit sintetikë të mëposhtëm.

Kështu në strukturat e partisë shtet (partisë komuniste) nga 149 antarë e kandidatë të Byrosë Politike, të zgjedhur në 10 kongrese, vetëm 1, ose 0.72%, ishte pjestar i këtij komuniteti. Edhe pse ishte i vetmi nga gjithë të zgjedhurit, që në kongresin I të kësaj partie mori numër të barabartë votash me Enver Hoxhën, që ishte dhe vlerësim i kontributit të këtij komuniteti në luftën antifashiste dhe pse u martua me një të krishterë të ritit oriental, nuk i shpëtoi vdekjes në burgun politik të shtetit për të cilin luftoi.

Nga 44 sekretarë të KQ të kësaj partie, të zgjedhur në 10 kongrese, vetëm 1, ose 2.27%, ishte pjestar i komunitetit katolik, nga 871 antarë e kandidatë të KQ, vetëm 44 ose 5.05% nga ky komunitet. Dhe ata që zgjidheshin, në mbi 90% të rasteve ishin dhëndurrë të pushtetarëve kryesisht muhamedanë ose në lidhje me ta. Por në shumicën e rasteve ngriheshin në përgjegjësi punëtorë, mekanikë, traktoristë etj. ose pa arsim të plotë dhe në shumicën e rasteve jo përfaqsues, të paaftë për të artikuluar problemet, dhe me qëllimin për ta diskriminuar e paraqitur të paaftë komunitetin katolik.

Katolikët kanë marrë pjesë mesatarisht me më pak se 3% të numrit të antarëve të Qeverive Shqiptare të të gjitha kohrave. Në një hark kohor prej rreth çerek shekulli 1966-1991, 7 Qeveri Shqiptare nuk kanë pranuar të kenë në përbërjen e tyre asnjë pjestar të këtij komuniteti, kur Sadam Hyseini me një popullsi katolike në numër të papërfillshëm, për të treguar tolerancë dhe respekt për kulturën perendimore, gjithnjë caktonte zv/kryeministrin e ministrin e jashtëm nga ai komunitet.

Në nivel më të ultë ka qenë pjesmarrja në strukturat e administratës qëndrore, që deri në vitin 1991 nuk ka arritur 1%, ndërsa pas vitit 1991 rreth 3%.

Në këtë përqindje ka qenë dhe është pjesmarrja e pjestarëve të komunitetit katolik edhe në strukturat drejtuese të policisë, të forcave të armatosura.

Në Presidiumin e Kuvendit Popullor, si kryetar kolektiv i shtetit nga 1946-1991, ky komunitet nuk është përfaqsuar në dy legjislatura, ndërsa mesatarisht është përfaqsuar me 5.88% të antarëve, përgjithsisht me tagra për të marr pjesë vetëm në një ose dy mbledhje të këtij organi në muaj.

Me gishtat e dorës numëroheshin e numërohen dhe gazetarët e punësuar në median shtetërore, radiotelevizionin, shtyp gjë që reflektohet sot drejtëpërdrejt dhe në ngritjen ose pjesmarrjen e këtij komuniteti në mediat private.

Edhe përpjekjet e Qeverisë Demokratike të dalë nga zgjedhjet e vitit 1992 për të realizuar një ndarje të paktën të pushteteve kryesore dhe për të rritur shkallën e pjesmarrjes së komunitetit katolik në strukturat e pushtetit u sfumuan për t'u kthyer në gjendjen e mëparshme.

Në nivel të papërfillshëm ka qenë dhe është pjesëmarrja dhe në strukturat e pushtetit gjyqësor.

Nga përfundimi i LDB-së e deri më 1991 më pak se 0.2 % e numrit të gjyqtarëve kanë qenë nga pjesa e komunitetit katolik. Po kështu asnjëherë nuk është gjendur pjestar i këtij komuniteti për të punuar në Prokurorinë e Përgjithshme, që tregon se dhe pas rreth një shekulli të ekzistencës së shtetit shqiptar pozita e tij në këta sektorë nuk ka ndryshim në krahasim me periudhën rreth 450 vjeçare të sundimit të Imperatorisë Otomane.

Aktualisht, asnjë nga 9 antarët e Gjykatës Kushtetuese dhe 17 antarët e Gjykatës së Lartë, nuk është pjestar i komunitetit katolik. Po kështu në këto institucione nuk ka të punësuar as punonjës tekniko-administrativ.

Nga 293 gjyqtarë të shkallës së parë vetëm 12 prej tyre ose 4.09% janë nga komuniteti katolik, ndërsa 2 nga 57 gjyqtarë të Gjykatave të Apelit, ose 3.50%.

Komuniteti katolik ka qenë i përjashtuar nga sektori i diplomacisë shqiptare ku nga 1945-1992 punonjësit e dorës së dytë në këtë sektor numëroheshin me gishtat e dorës. Edhe pas përpjekjeve për ndonjë përmirsim në vitet 92-96, përsëri përfaqësimi i këtij komuniteti është reduktuar në një ambasador pa ambasadë në Vatikan e 5-6 punonjës të rangut të dytë në dikaster e në ambasada, nga rreth 500 të punësuar në këtë shërbim.

Asnjë anëtar i Akademisë së Shkencave nuk ka qenë dhe nuk është nga pjesa e popullsise e besimit katolik. Po kështu numërohen me gishtat e dorës të punësuarit si punonjës teknikë e specialistë në këtë Akademi nga kjo popullsi. Ky trajtim i bëhet nga shteti i vet, kësaj pjese të popullsisë që deri në njohjen e pamvarësisë së shtetit shqiptar në rreth një të katërtën e trojeve të tij etnike, konservoi, pasuroi e transmetoi vlerat progresive që kishte regjistruar në memorien e tij kombi shqiptar i të gjitha besimeve në gjithë hapsirën e tij, në shkencë, kulturë, art, letërsi etj. Ajo edhe në kushtet e pushtimit ka nxjerrë nga gjiri i saj talente të denjë për të qenë anëtarë të akademive me prestigjioze të shkencave, por asnjë nuk u bë i përshtatshëm për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në shtetin e pamvarur shqiptar. Dhe gjithshka e krijuar, duke qenë në luftë të pandërprerë, disashekullore, me pushtuesin osman, ndërsa shumica e popullsisë, duke patur të gjitha privilegjet e mundësitë, bëri shumë pak ose asgjë për Shqipërinë mbasi ju bashkëngjit pushtuesit edhe shpirtërisht. Kjo e ka detyruar dhe detyron shumicën muhamedane të “krenohet” me Encikopedinë e Turqisë që ka hartuar Sami Frashëri, me unversitetin që hapi Hasan Tahsimi në Stamboll, kur në vendlindjen e tij nuk kishte hapur asnjë shkollë fillore dhe me shërbimet që muhamedanët e tjerë shqiptarë bënë për kombin turk, ose me atë që kanë bërë shqiptarët e krishterë të ritit orinetal për lirinë e Greqisë. Megjithatë pa stoicizmin e pjesës së popullsisë së krishterë shqiptare që nuk u asimilua dhe që gjithnjë u trajtua si armike dhe e luftoi si armikun më të egër pushtuesin osman, do rrezikohej vetë ekzistenca e kombit shqiptar. Në bazë të kujtimeve të një diplomati italian që disa vite para fillimit të LDB-së e kishte takuar presidentin e ardhshëm të Izraelit Veizman, duke e parë problemin në këtë këndvështrim, Ai kishte arritur në përfundimin se trajtimi jo dashamirës që ju është bërë çifutëve gjatë historisë, forcoi unitetin dhe ruajti ekzistencën e tyre.

Ishte kjo ndjenjë, që pishtari i kësaj pjese të popullsisë Gjon Buzuku, shkroi “Mesharin”, librin e parë në gjuhën shqipe më 1555 përafërsisht në të njejtën kohë me kombe, sot shumë më të mëdhenj në Europë, nga kjo pjesë e popullsisë ishin fotografët e parë shqiptarë, romanin e parë shqip e shkroi Ndoc Nikaj, alfabeti i sotëm shqip është hartuar nga korifejtë e kulturës kombëtare dhe asaj botërore, Preng Doçi, Ndre Mjeda e Gjergj Fishta të shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës. Shumica muhamedane, me shumicën e delegatëve e miratoi alfabetin latin në Kongresin e Manastirit te 1908-ës duke demostruar se përsëri shpirti Perendimor do të ngjallet edhe te këta shqiptarë.

Këto fakte asnjëherë nuk i ka përmendur historiografia zyrtare e shtetit shqiptar, me qëllim që gurëthemelet e shpirtit europian të kombit shqiptarë të mbeteshin anonimë, meqenëse nuk ishin latuar nga pjestarë të shumicës muhamedane. Megjithatë dhe kjo shumicë mund të krenohet me faktin se kundër vendimit për të shkruar me alfabetin latin dhe jo si deri atëherë me alfabetin arab, nuk organizuan shumë demostrata në qytetet kryesore shqiptare Shkup, Elbasan, Gjakovë etj.

Ky vendim i shqiptarëve shërbeu si nxitje për vetë turqit, të cilët, pas shembjes së perandorisë së tyre, hoqën dorë nga alfabeti arab, me të cilin e kishin shkruar kulturën e tyre disa shekuj, dhe vunë në përdorim alfabetin latin.

Të vetmit persona nga popullsia e besimit katolik, që diktatura komuniste nuk i eleminoi fizikisht ishin njerëzit e artit në përgjithsi dhe ata të muzikës në veçanti. Dhe kjo jo se nuk i shikonte si elementë të rrezikshëm për shtetin, por për shkak se në këtë lëmë nuk mund të krijonte talente me urdhër e me vendime, siç veproi në sport ku elementi katolik që nga shpallja e pamvarësisë, megjithse është iniciator i zhvillimit të sporteve e themelimit të ekipeve si në futboll, çiklizëm etj., thuajse është përjashtuar nga pjesëmarrja në ekipet sportive publike si dhe nga nxitja e mbështetja e institucioneve publike.

Për Qeverinë Shqiptare nuk gjenden elementë për t'i përfshirë në strukturat e pushtetit, ndërsa ky komunitet i jep shoqërisë njerzore Nënë Terezën, Nobeliste e Paqes dhe Shejtore për bamirsi në gjysmën e dytë të shekullit XX, e quajtur koha e shoqërisë së konsumit, me të cilën do të ishin krenarë kombe qindramilionëshe.

E njejta situatë ka qenë dhe është dhe në zonat me komunitete të përziera. Kështu në rajonin e Shkodrës, megjithse popullsia katolike në shkallë rrethi është në numër shumë më të madh, është përfaqsuar në administratën lokale nën 20% të numrit fizik të punonjësve dhe këta në përgjithsi të rrangut të tretë (specialistë), rrallë herë të rrangut të dytë (shefa seksioni) e asnjëherë titullar të pushtetit lokal. Përsëri synohet kthimi në gjendjen e mëparshme, megjithë ndonjë përpjekje për ndryshim në mesin e viteve ‘90-të. Në shkollat e mesme të qytetit të Shkodrës dhe në Universitetin “Luigj Gurakuqi” nën 10 % e mësuesve dhe e pedagogëve janë nga komuniteti katolik.

Shqipëribërsit, që ishin faktori vendimtar e i pazëvendësueshëm që nuk lejuan që në Shqipëri të jetë e njejta situatë e të mos ndodhi boshnjakëzimi i çeshtjes shqiptare ku kombësia të deklarohej në bazë të përkatësisë fetare, gjë për të cilën nga komuniteti muhamedan kishte të gatshëm që e provuan dhe me lëvizje të armatosura për t'iu ribashkëngjitur Turqisë, nuk ju ka takuar thuajse asgjë në atdheun e tyre. Gjithshka ju takon kolonëve të sjellë nga pushtuesi dhe renegatëve që pas bënë një rezistence të gjatë, më në fund nuk duruan, u asimiluan në fenë e tij dhe bashkëpunuan e përfituan bashkë me pushtuesit turq ndërsa kthyen ne çiflik vetëm të tyrin jo vetëm pronat që i'u dhuroi pushtuesi otoman për shërbimet ndaj tij, por dhe krejt strukturat e shtetit të ri shqiptar që njohu Europa.

Problemet në fushën e arsimit .

Komuniteti katolik në Shqipëri e ka parë vazhdimisht luftën për gjuhën shqipe si pjesë të luftës për çlirim kombëtar. Pushtuesit otomanë ndaluan shkrimin e përdorimin e gjuhës shqipe edhe për komunitetin katolik të cilin nuk arritën që ta asimilojnë në fenë e tyre, që përbën një nga rastet më të pashembëllta në histori. Ndoshta është e vetmja shkolla shqipe, në historinë e mbarë njerzimit, që ka dëshmorët e saj të ringritjes pas pushtimit otoman. Studjuesit europianë dhe shqiptarë, kanë konkluduar: “Dihet saktësisht se para pushtimit të egër të osmanllinjëve ka ekzistuar Universiteti i Durrësit, në kuptim të atyre studimeve të përgjithshme që bëheshin dhe në Padovë, në Bolonjë dhe në qendra të tjera universitare Europiane dhe se Arkivi i Drishtit ishte sistemuar sipas standarteve më të larta, kurse numri i rregulltarëve ishte më i madh se në Dalmaci, kështuqë në shek. XV ekzistonte dhe “hiperproduksioni i klerit” tek shqiptarët”.

Ishte shqiptar dhe ai që 9 shekuj pas Universitetit të Durrësit, hapi të parin universitet në kryeqytetin e Perandorisë Otomane Stamboll.

Megjithatë në natën e zezë otomane, veçanërisht nga komuniteti katolik, asnjëherë nuk rreshtën përpjekjet për mësimin në gjuhën shqipe dhe jo në gjuhën e pushtuesve. Përveç qytetit të Shkodrës që ishte djep i kulturës së shqiptarve për disa shekuj me radhë e deri në përfundim të LDB-së, nuk rreshtën përpjekjet për arsim edhe në zonat malore ku jetonte ky komunitet. Ishte kjo arsyeja që shkolla shqipe edhe në Kurbin, Pllanë, Rubik e Velë u hapën në shekullin e XVII, përkatësisht në vitet 1637-1642, por dhe në Orosh të Mirditës u hap në shekullin XIX, me program bashkëkohor para se të tilla të hapeshin në qytetet kryesore shqiptare si Vlorë, Berat, Elbasan, Tiranë, Shkup, Manastir, Janinë, Prizren, Pejë etj. Për etjen që kishte për arsim ky komunitet, flet fakti se me përkrahje shtetërore vetëm një individ në krahinën e Mirditës, në rreth katër muaj pas përfundimit të LDB-së, hapi 50 shkolla në banesa private dhe me mjete rrethanore.

Edhe për këtë problem të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, për të mohuar kontributin e komunitetit katolik, Qeveritë Shqiptare dhe historiografia e tyre zyrtare fallsifikuan historinë duke njohur shkollën e hapur në Korçë më 1887 me miratimin e Qeverisë Otomane si mësonjëtoren e parë shqipe, duke bërë një legjitimim indirekt pushtimit e bashkëjetesës së dhunëshme disa shekullore me okupatorët otomanë dhe duke mohuar përpjekjet e komunitetit katolik që asnjëherë nuk hoqi dorë nga kombësia shqiptare dhe përpjekjet për arsim në gjuhën shqipe.

Pas LDB-së, pjestarët e këtij komuniteti, thuajse nuk u dërguan për shkollim në vendet e Europës Lindore me të cilët Shqipëria pati mardhënie nga vitet 1945-1961, ndërsa intelektualët e përgatitur në Perendim para luftës u asgjësuan fizikisht ose u degraduan duke u përjashtuar nga jeta publike. Ndërsa pas hapjes së universiteteve në Shqipëri u shkolluan një numër i konsiderueshëm edhe nga ky komunitet, por kryesisht në profilin e bujqësisë megjithse toka bujqësore ishte në sipërfaqen më të kufizuar në vend. Edhe shkollimi i mesëm ishte kryesisht i profilit bujqësor që ishte pengesë për shkollimin në arsimin e lartë jo bujqësor.

Por diferenca të mëdha rezultojnë në shkollimin në degët që janë bazë e furnizimit të superstrukturës shtetërore. Kështu gjithsejt deri më 1990 u diplomuan më pak se 40 juristë ose rreth 1.5% e numrit të përgjithshëm të juristëve në shkallë vendi. Edhe specialistët e përgatitur në shkollat ushtarake, në shkollat e policisë dhe të sigurimit të shtetit janë në numër më të vogël se 3-5% dhe ky numër kryesisht në degë dytësore shërbimi, për të mos patur asnjëherë mundësi karriere. Po kështu në mënyrë të planifikuar është përgatitur numër i vogël ekonomistësh për industrinë, në fakultetin e filozofisë etj.

Diferencat janë thelluar pas vitit '91 kur pjestarët e komunitetit katolik janë përjashtuar ose kanë marrë pjesë në nivel simbolik në privatizimin e pronës publike dhe i duhet ta nisin gjithshka nga e para, kur të tjerët kanë siguruar akumulimin fillestar duke marrë gratis pjesë të pasurisë kombëtare (edhe pjesën e këtij komuniteti).

Problemet në fushën ekonomike .

Për t'i shpëtuar nënshtrimit ndaj pushtuesit dhe asimilimit fetar komuniteti katolik ka jetuar për rreth 450 vjet në kushte aparteidi, duke u përqëndruar kryesisht në zonat malore dhe më të varfra të vendit. Por në vitet 1945-1991, ai mori pjesë aktive, me punë të papaguar në krijimin e pronës shtetërore në gjithë sektorët e ekonomisë së centralizuar. Me kontributin e barabartë të saj, në krahasim me komunitetet e tjera, u hapën mbi 350 mijë ha toka të reja, u ndërtua ose u përmirësua infrastruktura rrugore, industria etj..

Në rajonet ku është i përqëndruar kryesisht ky komunitet, u zhvilluan sektorë të industrisë minerare, të drurit, si dhe u ngritën qyteza të emërtuara qytete. Këto qyteza, që duhej të ishin të përkohshme, u ngritën në terrene malore, larg burimeve natyrore të pasurive të përsëritëshme, jashtë llogjikës së ndërtimit venbanimeve të përheshme, si në Kurbnesh, Fushë-Arrëz, Reps, Ulzë etj. Nga këto zona u realizua prodhimi i sasisë kryesore të prodhimeve pyjore për nevojat e gjithë vendit ku vetëm nga Fushë-Arrëzi u muarën mbi 15 milion m3 lëndë druri, i bakrit ku nga kushtet e vështira të punës që kanë shkaktuar sëmundje profesionale, vetëm në minierën e Kurbneshit vdiqën 247 persona nën moshën 50 vjeç. 17 nxënës të një shkolle në këtë zonë, vdiqën disa vjet para mësuesit të tyre.

Në rajonet ku është e përqëndruar kryesisht kjo popullsi janë të vendosur 5 hidrocentralet më të mëdha të vendit, ku prodhohet mbi 90% të energjisë elektrike në shkallë kombëtare.

Shteti, pas LDB-së, realizoi lëvizje të planifikuar dhe të kontrolluar të popullsisë nga zonat rurale në drejtim të qyteteve si dhe të zonave fushore me tokë të punueshme, por pengoi deri plotësisht lëvizjen e komunitetit katolik në drejtim të qyteteve dhe të zonës fushore me tokë të punueshme. Popullsia e besimit të krishterë oksidental nuk vlerësohej e përshtatshme për tu vendosur në qytete. Për rrjedhojë në vitin 1991 në kryeqytetin Tiranë, nga 1945- 1991 ishin vendosur me banim më pak se 1000 banorë të këtij komuniteti nga rreth 170 mijë të komuniteteve të tjera, ose rreth 0.5%. Në nivele të papërfillshme ishte dhe vendosja me banim e këtij komuniteti dhe në qytetet Durrës, Shkodër, Elbasan, Fier etj.

Me ligjet për privatizimin e pronës shtetërore, Qeveria Shqiptare e trajtoi si qytetarë të dorës së dytë komunitetin katolik. Në nenin 5 të ligjit për tokën nr. 7501, datë 19.07.1991, duke njohur mirë gjendjen të cilën e kishte krijuar qëllimisht vetë Qeveria në disa dekada, ajo pasi të ndante tokën në mënyrë të pabarabartë në bazë lëvizjes që e kish bërë me plan për rreth 50 vjet, zonave kodrinore e malore do t'u garantonte burime të tjera jetese, që nuk i kishte, ose që e dinte se dhe në të ardhmen do ti kishte në nivele simbolike.

Për rrjedhojë banorëve të zonave ku është i përqëndruar komunteti katolik ju dha në pronësi nga 500 deri 1400 m2 tokë bujqësore për frymë, kryesisht të kategorive nga IV-X, si në Mirditë 1413 m2, në Pukë 1075 m2, në Malsinë e Dukagjinit e të Lezhës rreth 800 m2 etj. në një kohë mesatarja kombëtare e sipërfaqes së tokës së punueshme për frymë të popullsisë fshatare më 1991, me rastin e privatizimit të tokës, ishte mbi 3200 m2 ose ose mbi 10 herë sipërfaqe e konvertuar më e madhe. Megjithatë me këtë ligj u bë dhe një hap pozitiv pasi trashëgimtarëve të feudalëve renegatë që kishin imponuar dhe udhëhequr asimilimin fetar, ose të ardhur nga rajonet aziatike gjatë pushtimit, nuk iu kthyen tokat që jua kishte dhënë pushtuesi osman si shpërblim për shërbimet ndaj tij.

Po kështu banorëve të komuniteteve të tjera në qytetet kryesore, me lidhje me qeverinë, iu shitën me çmime simbolike deri në 500 $ duke jua kaluar në pronësi mijëra objekte të tregtisë me pakicë, të industrisë së lehtë, shërbimit etj. Ky çmim është i barabartë me të ardhurat që blerësit e këtyre pronave realizojnë nga qiraja e një muaji, ndërsa pjestarët e komunitetit katolik mund të jenë vetëm blerës në këto objekte pasi prej tyre nuk u privatizua asgjë e ndërtuar dhe me djersën dhe gjakun e tyre.

Gjithashtu u privatizuan dhe banesat me çmime të njejtë në gjithë vendin kur çmimi i banesave në treg në qytezat si Kurbnesh, Reps, Ulzë etj. sot është nga 3 deri në 15% e çmimit të banesave me të njejtët parametra në Tiranë, Durrës, Vlorë, etj.

Kjo pozitë e qytetarit të dorës së dytë ka bërë që dhe jetëgjatësia mesatare e këtij komuniteti të mos jetë më e madhe se 52 vjet, vetëm 14 vjet më e gjatë se ishte para LDB-së, kur jetëgjatësia mesatare e Republikës, të paktën zyrtarisht thuhet se, është mbi 72 vjet.

Megjithatë përsëri, pjestarë të inteligjencies muhamedane me orientim perendimor e shikojnë si të domosdoshëm dhe kërkojnë rolin udhëheqës të komunitetit katolik. Është aktual shqetësimi e thirrja e disa prej tyre, si Sami Repishti nga SHBA, se: “Shqiptarët katolikë mbeten pararoja e hymjes shqiptare në Europë. Sot unë ju bëj thirrje të gjithëve ju, vëllazën e motra shqiptare të besimit katolik që të përfitoni nga momenti historik që jetojmë dhe që na ofron bota sot dhe të pranoni sfidën që del para jush për të luejtë rolin udhëheqës drejt integrimit shqiptar, politik dhe kulturor, në Europën Perendimore, aty ku e ka vendin Shqipnia, aty ku duhet të jetë shtëpia e 10 milionë shqiptarëve. Një Shqipni e lirë, e pavarun, demokratike, e bashkueme dhe Europiane asht e ardhmja jonë. Çdo zgjidhje tjetër asht një botë pa vizion, një tunel pa përspektivë”. Por ky mision nuk mund të realizohet, nëse nuk i jepet fund kalvarit të komunitetit katolik dhe që ai të vazhdojë të trajtohet si qytetar të dorës së dytë, siç ka ndodhur gjatë këtyre 9 dekadave nga shpallja e pamvarësisë së Shqipërisë. Kjo kërkon që t'u jepet fund konferencave e deklaratave hipokrite për tolerancën fetare në Shqipëri, pasi kjo “tolerancë” nuk mund të shfrytëzojë atdhedashurinë e patriotizmin e komunitetit katolik dhe të vazhdojë të funksionojë pambarimisht vetëm mbi kurrizin e tij. Derisa është arritur ndërgjegjësimi, thuajse i plotë i shqiptarëve për kombësinë e tyre, sakrificat e mëtejme të komunitetit katolik janë alogjike.

Rrugët që mendojmë se çojnë në ndryshimin pozitiv të gjendjes .

Në fushën ekonomike :

Komunitetit katolik t'i jepet pjesë e barabartë të pasurisë kombëtare dhe në kushte të njejtë me komunitetet e tjera. Kjo popullsi, në një afat 5-10 vjeçar, të kompensohet në nivelin e komuniteteve të tjera e vlerësuar me çmimet e tregut në momentin e kompensimit. Nëse kjo shihet e pamundur në rrugë të drejtëpërdrejtë financiare, pjestarëve të komunitetit katolik dhe të tjerëve t'u privatizohen me aksione hidrocentralet, që të gjithë të vendosur në rajone që banohen kryesisht nga komuniteti katolik, nga të cilët realizohet mbi 90% e prodhimit të energjisë elektrike në vend, me të ardhura jo më të vogla se 150 milion dollarë në vit si dhe objekte të tjera strategjike të ekonomisë. Gjithashtu t'u privatizohen dhe objekte e aktivitete të tjera rentabile.

Këto hidrocentrale e kanë vetëshlyer vlerën e investimit fillestar, varësisht nga koha e ndërtimit, jo më pak se 30 dhe i fundit ai i Komanit, deri në 10 herë.

Për të realizuar një zhvillim më të shpejtuar Shkodra, Lezha, Shëngjini dhe Korça të shpallen zona të lira të zhvillimit ekonomik.

Pjesëmarrja në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor :

Për të barazuar pjesmarrjen e komunitetit katolik me atë të tre komuniteteve të tjera, duhet të realizohet pjesmarrja e tyre në strukturat e pushtetit ekzekutiv. Në një periudhë deri 5 vjeçare të përfaqsuesit e këtij komuniteti të përbëjnë 25% të ministrave dhe të punonjësve në dikasteret qëndrore, në strukturat komanduese të ushtrisë, në strukturat komanduese dhe në përbërjen e efektivave të policisë e të Ministrisë së Brendëshme e të shërbimit informativ, të shërbimit diplomatik e të diplomatëve.

Realizimi i këtyre reformave do të ishte faktor i rëndësishëm për stabilitetin e shtetit shqiptar, homogjen në strukturat drejtuese por pa rezultate të kënaqshme në gati një shekull, dhe heterogjen në pikpamje fetare.

Në këtë përqindje të realizohet dhe përfshirja e këtij komuniteti në strukturat e medias publike si në radiotelevizionin etj., ku për 50 vjet thuajse ka qenë i përjashtuar e nuk është investuar asgjë për të.

Si popullsi me orientim të palëkundur europian është deomosdoshmëri që në një periudhë 2-3 vjet të realizohet në këto nivele dhe pjesmarrja e këtij komuniteti dhe në strukturat e prokurorive dhe të gjykatave të shkallës së parë, të apelit, në Gjykatën e Lartë, në Gjykatën Kushtetuese dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo jo vetëm për faktin se aktualisht ky komunitet i ka kontigjentet e nevojshme për një gjë tillë, por për shkak se do të kontribuojë për një pushtet gjyqësor të pamvarur mbasi këtij komuniteti nuk ja theu ndërgjegjen as pushtuesi otoman sepse në përgjithsi, gjatë pushtimit, nuk njohu të drejtën e tij por u vetëqeveris me normat e të drejtës zakonore të shqiptarve, Kanunin e Lek Dukagjinit një monument të së drejtës. Gjithashtu dhe pas LDB-së, duke qenë i përjashtuar nga këto struktura, nuk ju shkaktue bjerrje e personalitetit pasi nuk u vu në rolin e levës së partisë shtet.

Në fushën e arsimit :

Për të kompensuar diskriminimin e drejtëpërdrejtë në shkollimin e këtij komuniteti deri në shembjen e shtetit të diktaturës komuniste e vendosjen e pluralizmit si dhe diskriminimin për shkak të diferencave të theksuara në pronësim nga vitet ‘90-të e në vazhdim kërkohet që çdo vit nga pjestarët e këtij komuniteti të bëhen 25 % e pranimeve në Universitetet Shtetërore, në shkollat e larta publike, në Akademinë e Arteve, Akademinë e Rendit Publik, në shkollat e policisë, Akademinë Ushtarake duke ruajtur këtë përqindje edhe në shkollimin e kualifikimin jashtë shtetit me programe e fonde shtetërore.

Ndryshimet në fushën e legjislacionit :

Garantimi në praktikë i barazisë për komunitetin katolik, derisa shqiptarët të mos e kenë marrë vendimin se cilit qytetërim do ti përkasin në shumicë, nuk mund të bëhet pa garantim ligjor. Për të realizuar këtë duhet të behen ndryshime thelbësore në kushtetutë.

Parlamenti të jetë me dy dhoma: Dhomën e Lartë, Senati dhe Dhomën e Ultë, Dhoma e Përfaqsuesve. Në ngritjen e këtyre dy dhomave të shërbejë si model Kushtetuta e SHBA-së. Në përbërje të Senatit të ketë numër të barabartë përfaqsuesish nga të katër komunitetet fetare, ndërsa dhoma e ultë sipas ndarjes administrative.

Funksionin e kryetarit të shtetit ta ushtrojë një përfaqsues i komunitetit katolik si autokton i pakontestueshëm, që me vazhdimsinë në besimin e Krishterë dhe me veprimtarinë kulturoro-arsimore e ka shpëtuar popullin shqiptar nga rreziku i humbjes kolektive për përkatësinë e tij në rrethin etno-kulturor dhe qytetërues europian, është formues i kombit dhe me traditë të pandërprerë disashekullore vetqeverisëse .

Në çdo mandat edhe një nga drejtuesit e tre pushteteve kryesorë të jetë përfaqsues nga ky komunitet.

Realizimi i këtyre reformave, që në Shqipëri të mos ketë më qytetarë të dorës së dytë, do të ishte dhe një provë e pakontestueshme se gjithë shqiptarët synojnë t'i bashkëngjiten qytetërimit perendimor pjesë e të cilit ata kanë qenë dhe kanë dhënë kontribut për zhvillimin e tij.

Për shkak të vështirësive ekonomike, shteti shqiptar e ka të vështirë për të kompensuar diferencat e mëdha nga diskriminimi që i është bërë këtij komuniteti, gjatë pushtimit osman për shkak të rezistencës kundër tij, dhe gjatë rreth një shekulli të ekzistencës së tij.

Për këtë arsye mendojmë se duhet të kërkohet ndihma e vendeve të BE-së dhe SHBA-së në këto drejtime:

Të monitorohet procesi i reformave që do të ndërmarrë Parlamenti dhe Qeveria Shqiptare për evitimin e diskriminimit gati një shekullor të komunitetit katolik në Shqipëri.

Meqenëse ky komunitet nuk i ka mundësitë financiare për t'u shkolluar në Perëndim, Qeveritë e vendeve të BE-së dhe të SHBA-së dhe të Kanadasë, të planifikojnë dhe mundësojnë shkollimin e deri 2000 të rinjve në vit në universitetet perëndimore në bazë të përzgjedhjes së bërë nga universitetet e tyre për një periudhë 15 deri 20 vjet.

Me dëshirën e mirë, e vetme, Imperatoria Austriake (Austro-Hungareze) ka ndihmuar dhe ka realizuar shkollimin e një numri jo të vogël për kohën, të shqiptarëve të dy besimeve.

Të zbatohen projekte pilot për zhvillimin ekonomik të zonave të varfëra të Veriut të Shqipërisë, duke planifikuar një investim prej jo më pak se 100 milion euro në vit në një periudhë jo më të shkurtër se 20 vjeçare, që është një financim i përafërt me shumën prej 2 miliard dollarë që BE ka financuar për ndërtimin e aeroportit të ri të Athinës.

BE të financojë ndërtimin e koridorit X në segmentin hyrës nga Mesdheu Perendimor: Durrës (Shëngjin)-Orosh-Kukës-Nish, meqenëse shtyni për në “kalendat greke” realizimin e koridorit VIII.

Qeveritë e BE-së dhe të SHBA-së të nxisin investimet e biznesit të tyre në qytetet e Shkodrës, Lezhës, Shëngjinit dhe Korçës, pasi Qeveria Shqiptare t'i ketë shpallur zona të lira, që është plotësisht e mundëshme dhe për shkak të kulturës së punës e të orientimit përgjithsisht perendimor të popullsive të këtyre zonave.

Cilat janë arsyet e parashtrimit të kësaj promemorie?

Shteti shqiptar shfaq shenja hipokrizie me pretendimin per integrim substancial në Europë kur komunitetin katolik si pjesën formuese të kombit shqiptar dhe të palëkundur për asnjë moment nga orientimi europian edhe mbas rreth një shekulli nga shpallja e shtetit të vet e trajton si qytetarë të dorës së dytë.

Përjashtimi i komunitetit katolik nga qeverisja është një nga shkaqet e rendësishme, thënë pa modesti më thelbësori, që Shqipëria që nga përfundimi i LDB-së e deri më sot ka qeverisjen më të keqe jo vetëm në Europë. Gjatë disa shekujve nën pushtimin otoman, pas rënies së Perandorisë Bizantine, pjesa muhamedane e popullsisë shqiptare i ka dhënë pushtuesit një numër shumë të madh vezirësh e qeveritarësh të mëdhenj, por privimi nga e drejta për të patur kryetarin e shtetit ose për të realizuar vetëqeverisje të pjesshme në armiqsi me pushtuesin, ka lënë boshllëqe shumë të mëdha tek kjo popullsi, që koha po tregon se për këtë detyrë duan shumë shekuj për tu mbushur.

Për shkak të vlerave të tij, të krijuara me shumë mundim e sakrifica të jashtëzakonshme në rreth dy mijëvjeçarë, si pjesë e pandarë asnjëherë nga Europa dhe kultura iliro-shqiptare e europiane, komuniteti katolik i ka patur dhe i ka aftësitë për të realizuar qeverisje më të sukseshme. Ky komunitet ka të kristalizuara, hap pas hapi e në kushte shumë të vështira edhe nën dhunën rreth 450 vjeçare të pushtuesit aziatik, vlerat e kulturës e të qytetrimit Perendimor. Ndërsa dëmin e pallogaritshëm që ka shkaktuar pushtimi osman dhe asimilimi në fenë e tij e kanë konstatuar edhe intelektualë realistë muhamedanë. Një prej tyre ka bërë një nga përshkrimet më objektive e shkencore të këtyre pasojave kur ka bërë krahasimin e figurës së dy personazheve të epokës europiane dhe aziatike të shqiptarëve, kur ka shkruar: “Vlen të bahet një krahasim në mes të karaktereve të Gjergj Kastriotit dhe të Ali Pashës. Aty duket se sa poshtë kishin ra konceptet morale nga shekulli XV në shekullin e XIX, mbas katër shekujve të sundimit otoman. Në çdo veprim të këtyre dy burrave që iu prinë Shqiptarëve në dy faza decizive të historisë tyne, gjejmë një kontrast të plotë në mes të idealizmit vetmohues dhe egoizmit primitiv e gati shtazarak, në mes dashunis për komb e për atdhe dhe lakmis së pangopun për pare e pasuni materiale, në mes të mishnimit të mirësisë bujare dhe furisë gjakpirëse të një bishe në trajtë njeriu, në mes të një jete kushtue idealit liridashës dhe adhurimit për pushtetin, dhe të një jete për të kënaq epshet primitive tue përdor fuqin për të shtypur dhe për të mund të tjerët.

Gjergj Kastrioti u tregue aq shpirtmadh sa me fal të nipin që e kishte tradhëtue në kulmin e luftës kundër një armiku të fuqishëm që nuk e dinte se ç'asht mëshira. Ali Pasha masakroi burra të çarmatosun që e kishin luftue

trimnisht dhe që i kishin ra në dorë tue i besue fjalës së tij solemne. Për të prue në vend ambicjen e tij me pushtue toka dhe me grumbullue pasuni, Ali Pashë Tepelena bani një politikë pa skrupulla dhe plot dredhina, tue manovrue në mes të Turqëve, Francezëve dhe Anglezëve, Gjergj Kastrioti i qëndroi besnik aleatit të tij mbretit të Napolit dhe kur punët nuk i shkonin mirë Ferdinandit të Aragonës. Kur princi i Tarantos, Giovvani Orsini, i shkrojti për me i mbush mendjen të mos i shkonte në ndihmë mbretit Ferdinand të Napolit, tue i tregue fitimet që do të kishte po të bashkohej me partinë e Angjevinve, Gjergj Kastrioti i dha një përgjigje krenare ku i thoshte se miku i mirë asht ai që të vjen në ndihmë në një ditë të keqe.

Gjergj Kastrioti ishte një Hero Kombëtar i frymzuem nga parimet morale të Krishtnimit, Ali Pasha kishte mendsin e një satrapi oriental që nxitej me veprue vetëm nga lakmija për të mirat materiale të kësaj bote. Prandaj Gjergj Kastrioti vdiq i vorfën, kurse Ali Tepelena la një pasuri kolosale, të cilën e kishte grumbullue, së paku pjesërisht, me an të grabitjes. Sikur Veziri i Janinës të kishte luftue për bashkimin dhe librimin e shqiptarëve, ashtu si Mehmet Aliu bani në Egjypt, Shqipnija do të kishte qenë e para në Ballkan me fitue pamvarësinë nga sundimi otoman”.

Për një qeverisje euro-atlantike të Shqipërisë larg modeleve orientale, ku janë të pranishme klanet, korrupsioni, dhunimi i lirive e të drejtave të njeriut, etja e shfrenuar për pushtet dhe për të shfrytëzuar bashkëkombasit, del e domosdoshme rritja e pjesmarrjes së këtij komuniteti në strukturat e aparatit shtetëror dhe brenda një dekade elementët nga kjo popullsi të përbëjnë shumicën në këto struktura .

Megjithatë koha do të tregojë nëse ka qenë “rastësi” e nga “padija” qëndrimi i deritanishëm i shtetit shqiptar ndaj komunitetit katolik apo është qëndrim konstant e i mirëmenduar i tij, mbasi për realizimin e standarteve të barabarta nuk mjaftojnë slloganet e frazat boshe ose vetëm dëshira e mirë, se siç shkruante Seneka: “Askush nuk mund të fitojë nëse dikush nuk humbet”.

Në mbyllje të kësaj promemorie po citojmë (Gjn, 1,1-3) nga Bibla: “Në fillim ishte Fjala e Fjala ishte me Hyjin e Fjala ishte Hyj. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë”.

Nënshkruesit:

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net