Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: - Analiza-Premtimet e Nanos

TEMAT

  Promemoria

  Shqiperia, shteti klon

  Kosova, rrugëzgjidhjet

  Pronat Shqiptarëve

  Suedia dhe Shqiptarët

  Premtimet e Nanos

  Bardhok Biba- dossier

  Identiteti shqiptar

  Politika dhe feja

  Identiteti ynë Europian


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Ato 300 mijë lekë në xhepin e Nanos

opinion nga Gjergj Marku

Kryeministri Nano, në një takim partiak, në sojin e shpikur “kuvendues”, u ka kumtuar dibranëve sihariqin e madh se së shpejti do të fillojë ndërtimi i Rrugës së Arbërit, gjatësisht 72 km nga Tirana për në Peshkopi e anasjelltas. “Malësorët rozë” të Dibrës e përcollën me brohorimë këtë sihariq, që u ngjante “fjalëve të mira e gurët në trastë”, ndërsa nuk harruan që në përcjellje, (kuptohet me helikopter, një zot e di si do të kishte përfunduar ta bënte rrugën me makinë deri në Milot), t'ia uronin jetën e gjatë kryeministrit për ato “fjalë të mjalta”, që i nxori goja.

Në fakt, sidomos kohët e fundit, nëse e keni vënë re, ngado po vetet kryeministri ynë, premtimet i ka pa doganë. Thesi është hapur që nga Konispoli, në Shëngjin për lidhjen e bregut të detit më Malin e Zi; në Alpe, e tani së fundi dhe në rrugën e Arbërit. Në kontekstin kohor, duken interesante premtime të këtij lloji, kur po i afrohemi Vitit të Ri, dhe premtimet-dhuratë të Nanos, paksa të parakohshme, të ngjajnë me hapjen e shpejtë të thesit të “Baba Natales”. “Gjyshmiri” i Vitit të Ri, tashmë është shfaqur kryeministri Nano, pikërisht me rastin e “Kuvendimit të Madh”.

Dibranët janë gëzuar me të drejtë nga joshja që u ka bërë Nano kryeministër, pasi ata do të preferonin ta bënin rrugën për në Tiranë, më mirë me një “hipotenuzë” se “dy katete” raskapitëse si deri më sot, por probemi qëndron tek serioziteti i kësaj deklarate për fillesën e një gjëje, që kurrë nuk do t'i dihej fundi. Se, ja psh, siç po shkojnë punët me këto koridore, nesër i teket ndonjë komandanti ushtarak të xhenios, t'i kërkonte kryeministrit, siç u përshpërit me gjysëm shaka në bregun e lumit Fan, ku ushtria po gërmon në mënyrë të mundimshme prej 12 muajsh në 1 km rrugë, që të merrte në patronazh edhe Rrugën e Arbërit. Dhe, medet Zotit, do të na mbeteshin të dyja rrugët, nisur, por pa përfunduar ndonjëherë!

Mbase pa qenë nevojë të zgjatemi shumë në komentet e deklaratës së Nanos për këtë rrugë, ky sihariq për dibranët duhet të ketë lënë shije të hidhur e nxitur kundërshti edhe ndër komunitete të tjera, fjala vjen, gjithë pellgut të Matit, e cila kurrsesi nuk do të ishte dakort me një kalim të tillë. Specialistë dhe drejtues vendorë janë shprehur se në atë drejtim rruga e Arbërit në tërë gjurmën fizibile të saj nuk takon gjëkundi qendra të banuara, dhe kalimi andej do t'i aneksonte në “xhepa” këto rajone dendurisht të banuara, dhe me shumë resurse, që presin aktivizim. Është afërmendësh, argumentojnë ata, dhe specialistë, se ne shqiptarët nuk disponojmë aq luks rrugor, sot për sot, sa të heqim thjeshtë paralele rrugësh, kalojnë apo jo nëpër komunitete. Madje kjo është dhe një kërkesë e organizmave të huaja, që i financojnë ato. Pa hedhur më tej argumentin, se Rruga e Arbërit, në muajt e dimrit, zihet nga dëbora e rënë majë kreshtash nga mund të kalojë ajo.

Për të qenë më serioz me dibranët, nëse do të donte të “kuvendonte” tamam në zakonin e malësorëve, Nano mund t'u thoshte se përse prej 8 vitesh ua ka lënë në ato kushte ministria e qeverisë së tij rrugën ekzistuese nga Miloti në Peshkopi, dhe ku kanë vajtur miliona dollarë që Banka Botërore ka dhënë për mirëmbajtjen e saj dhe rrugëve të tjera. Sepse, sikur ky aks nacional 90 kilometërsh do të rehabilitohej në gjendjen e viteve '90-të, dibranët, më e shumta, do të harxhonin 2 orë rrugë nga plot 5 orë që e bëjnë sot, shto dhe gjysëm ore nga Miloti dhe ata gjenden në Tiranë. Dhe për këtë shoferët dibranë e të tjerë, i paguajnë taksat një e më një, dhe për menaxhimin e tyre kanë lënë roje prijësin e qeverisë.

Që Nano nuk e ka seriozisht me rrugët, kjo nuk do ndonjëfarë dyshimi, po t'i referohesh, qoftë dhe qëndrimit që ka mbajtur tërë kohës, gjatë takimit në Rubik, atje ku ka filluar rruga e re Milot-Morinë. Thuajse datë më datë, para një viti, ai “përndrodhi” një çelës për të dhënë plasjen e parë në ca thasë rëre të improvizuar si shkëmbenj, dhe tha se për 2 vjet do të arrijmë në Rrëshen, dhe për 3 vjet në Kosovë. Mirëpo ajo shprehja e famshme popullore “nga e thëna në të bërë” e nxjerr zbathur kryeministrin kur vështron në terren. Prej 1 viti, makinat e rënda të xhenios, kanë mundur të avancojnë pak më shumë se 1 kilometër rrugë, madje çuditërisht, që më 31 gusht, ushtria po punon pa asnjë lloj financimi, edhe pse bisnesi shqiptar, në emër të “ministrit” të tyre, ka paguajtur një taksë të veçantë për këtë rrugë të bashkimit kombëtar. Edhe optimistët më të zellshëm, dje thanë se me këtë “hap breshke”, as për 50 vjet nuk do ta çojmë rrugën në Kosovë.

Nga ana tjetër, njeriu më i zymtuar dhe i pezmatuar, në “brifing”-un e organizuar aty në breg të Fanit, ishte ministri Majko, i cili aludoj hapur se me fondet e rrugës, është luajtur dhe për këtë shkëmbej debat të ashpër me ministrin Poçi. Ai la të kuptohet se me 40 milion dollarët e mbledhur nga bisnesi, rruga nga Kalimashi në Morinë duhej të kishte përfunduar. Por, se ku kanë shkuar këto para askush nuk u përgjigj. Ashtu si dhe kryeministri, nuk mundi të përmendë më tej rrugën e Arbërit, edhe pse lëshonte batuta sa majtas djathtas, në mes të dy ministrave të kërndezur me njëri tjetrin. Pavarësisht se ua kishte lënë në derë “premtimin-dhuratë”, nxjerrë nga thesi i Baba Natales, por, me siguri, edhe nëse bën vaki e nis ajo rrugë nga ndonjë fadromë ushtrie, problemi do të jetë tek ato 120 milion dollarët, që nuk dihet se në cilin xhep duhen kërkuar. Kur, dhe kjo rrugë e nisur Durrës-Prishtinë, që të paktën për hatër të 15 kurbanëve të mitur kosovarë, duhej përshpejtuar dhe bërë maksimumi për të lëvizur, rrezikon dështimin, që tani, pikërisht për ato “të shkretat” fonde.

Se ja, “copa e parë” u hoq, hekurudha. U tha se hekurudha do ta shoqëronte rrugën, të paktën deri në Rrëshen, sepse ajo është me tërë aksesorët e saj. Mirëpo B.Botërore, ka thënë, “doni financim, rruga do të kalojë nëpër hekurudhë, që të ulet kostoja!”. Kjo më pastaj lidhet dhe me kompaninë “Strabac”, që kërkon konçensionin e pjesës së dytë, nëse nuk financon pjesën e parë B.Botërore atëhere, ajo nuk e ka zor të na thotë: “mirupafshim”! Ky do të ishte dhe dështimi i plotë i këtij koridori. Dështimi, për fat të keq, dje dukej dhe në sytë e Nanos, pavarësisht se një gjysëm ore më parë i kishte “sajdisur” dibranët me një rrugë të re.

Në fakt më realist se asnjëherë, Nano u tregua në orët e vona të darkës në një lokal të Rrëshenit, tashmë jo dhe aq esull, kur një kryetar komune shfrytëzoj rastin e afrimitetit të krijuar në tavolinë, për t'i kërkuar ca fonde për ndërhyrje të ngushtme në infrastrukturë në fshatrat e tij, Nano iu përgjigj qetësisht duke drejtuar dorën për nga xhepi i mbrapmë: “urdhëro, merri, kam nja 300 mijë lekë të vjetra me vete!...”.

Qe i vetmi moment i kësaj dite të ngarkuar, kur kryeministri ynë shfaqi sinqeritet. Mesazh, që vlen dhe për dibranët…

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net