Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Intervista-Pjetër Arbnori

TEMAT

 Moikom Zeqo  

  Kolë Jakova

  Mentor Quku

  Pjetër Arbnori

  Neritan Ceka

  Ndoc Gjetja

  Rudina Xhunga

  

  

  

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

PJETËR ARBNORI

 

Mirdita është një krahinë krejt e veçantë

Intervistoi Gjon Marku

Pyetje: Princërit e Dukagjinëve dhe Blinishtëve, Tanush Dukagjini e Guljelm Blinishti, këtyre dy familjeve të mëdha mesjetare të Mirditës, si dhe vetë Ndërfana me mbishkrimin e saj epigrafik dhe stemën e arbërit janë bërë objekt i romanit tuaj “Mugujt e mesjetës”. Përse u nisët pikërisht nga kjo histori për të shkruar një nga veprat tuaja letrare më të njohura?

Përgjigje: Kur isha i mitur, por edhe kur u rrita e u burrnova gjyshja dhe nëna përsëritnin tash e parë një frazë qortimi për mua: “More bir hiqi një herë dore ata libra se i bëre sytë ujë”! Unë qeshja, merrja frymë, ktheja faqen dhe vazhdoja timen. E dija se ato nuk ishin kundër shkollës, kulturës, se krenoheshin me deftesat e mia, por gjithësesi kishin dëshirë të ma dëgjonin zërin.

Nga babai pata fatin të trashëgoja një bibliotekë të mrekullueshme, të pasur me libra shqip e të huaj, të gjithë të zgjedhur, shto edhe një periodik të vjetër ku përfshiheshin revistat “Hylli i Dritës” që nga krijimi më 1913 dhe revista “Leka” derisa pushteti diktatorial i mbylli. Nuk duhet harruar se nëna, gjyshja e motrat në kohën e burgjeve rrëshqisnin muzgjeve me trastat e librave të mi nën sqetull për t'i fshehur nga kontrollet. Bibliotekën e pasurova dhe vetë më vonë.

Më tërhiqnin temat historike, shoqërore, letrare, problemet që kërkonin ta vije mendjen në punë. Fati i keq desh që kur kisha libra nuk kisha kohë, më vonë kur kisha kohë nuk kisha librat e duhur. Thashë se në burg kisha kohë më se të mjaftueshme, kohë për të holluar mendjen, por kohë edhe për të luajtur mendsh.

Duke rrëmuar herë një libër herë një tjetër më kishin dalë disa probleme në Historinë e Shqipërisë që duheshin bluar me mend. Cili ishte sekreti që populli shqiptar dhe gjuha shqipe arriti të mbijetonte mes dy kulturave të mëdha të botës, e theksoj jo mes dy perendorive të mëdha po mes dy gjuhëve të mëdha të shkëlqyera e të pasura, greqishtes e latinishtes, para dhe pas Krishtit. Përgjigjja cinike e kundërshtarëve se nuk e paskemi dashur shkollën nuk ta mbush mendjen.

Pa qenë kurrë agresiv, pa qënë kurrë pushtues, populli shqiptar në mesjetën e hershme herë ngushtohej maleve, herë zgjerohej fushave, herë përhapej kullosave të Kosovës, Zadrimës, Tiranës, Myzeqesë, Pollogut e Çamërisë, herë tkurrej maleve të egra e të thepisura të Alpeve të Veriut, Korabit, Sharrit e Tomorrit, zonave malore të Mirditës e Labërisë

Kur flinin të tjerët unë mendoja për Syrin e Tregut, Tavernën e Adriatikut, për Durrësin e pushtuar dhjetra herë nga të huajt, por në fund të fundit, gjithmonë Zot i vetëvetes, mendoja për Krujën e mbështetur në mal, roje e rrugëve të fushës dhe detit, mendoja për krahinën pas tyre Mirditën me emër të bukur, jo vetëm strehë e cubave por dhe e Katedraleve dhe mbishkrimeve të gdhendura në portikët e tyre.

Te “Hylli i Dritës”, revistë serioze e Françeskanëve, dhe nga burime të ndryshme kisha ngulitur në mendje artikuj apo vepra të Joklit, Pedersenit, Leibnitz, Theudor Ippen, Karl Potsche, Nopça, Myler, Stadtmyler, Fisher, Xhuvani, Mjeda, Cipo, Pekmezi e të tjerë historianë, gjuhëtarë, albanologë dhe shkrimtarë të famshëm që më kishin sqaruar për shumë pika të errëta.

Në burg mora një fletore e nisa të shënoj të gjitha problemet historike e gjuhësore që më kishin dalë gjatë studimeve për gjenezën e kombit shqiptar e shtetit të parë të Arbërit. Ndërkaq shënova dhe një gjest heroik të kryer mes luftës së Gëziqit në fundin e vitit 1944, mes predhave, ndërmjet palëve të egërsuara, partizanëve që po zbrisnin nga malet dhe pushtuesve gjermanë që po tërhiqeshin: Një prift katolik, famullitar i kulturuar pranë katedrales së lashtë të Ndërfanës kishte mbledhur copat e mermerta epigrafike ne një qelë të shembur gjatë luftës së Gëziqit, kur partizanët goditën atje gjermanët dhe i thyen keq (shprehje e Dhimitër Shutertiqit) ky famullitar të cilit nuk ia përmend emrin, ka shpëtuar monumentin më të rëndësishëm të historisë Shqiptare, mbishkrimin epigrafik të Dhimitrit e Progonit dhe stemën e shtetit të parë të Arbërit duke i futur copat e mermerit në murin me baltë, në mënyrë që të mos humbisnin. Dikur në mesjetën e hershme murgjit shpëtuan kulturën e lashtë duke kopjuar nëpër manastire dorshkrimet antike, Aristotelin, Herodotin, Homerin e Sofokliun. Tani, në kohën e re, një prift i gjorë, që nuk pyet për jetën e vet po për mbishkrimet, emri i të cilit me qëllim as që shënohet gjekundi, bëhet shpëtimtar i dorëshkrimit unik të gdhendur të Historisë së shtetit Shqiptar në truallin e Mirditës.

Këtu e ka zanafillën romani historik kalorsiak “Mugujt e Mesjetës” i shkruar në burgun e Burrelit. Kisha vënë re se ato rreshta burimorë nuk ishin shfrytëzuar sa duhet nga historia, as nga letërsia. Më 1202 u nënshkrua paqja e Shkumbinit mes perandorit grek të Bizantit Andronik dhe mbretit serb të Rashës Urosh II Miletin që përcaktonte si kufi lumin Shkumbin ku duhet të pushonin grindjet midis dy shteteve. Vendosja pra e paqes midis serbëve dhe grekëve në një zonë ku jetonte fisi i Arbërit, ku duhej të paguante për të tjerët fisi arbër. Ky ka qënë fatalitet i shqiptarëve që të paguajë me gjak për qetësinë e të tjerëve dhe për qefin e botës. Përgjigjja e Shqiptarëve ka qënë: mosbindja, qëndresa, rebelimi, kryengritja.

Kur thyheshin arbërit tërhiqeshin nëpër male, gryka, pyje dhe qëndronin deri sa të vinte një ditë më e mirë, derisa të mblidheshin forca të reja. Mbreti i Arbërit kishte Durrësin si sy për kontakt me Perendimin e Lindjen, detin Adriatik për frymëmarrje e tregti, Krujën për roje të rrugëve tokësore, Mirditën si zonë të pamposhtur që shërbente si strehë për popullsinë dhe gjënë e gjallë dhe varr për ata që guxonin të futeshin jo miqësisht më thellë se duhet në atë trevë.

Ishte krejt e natyrshme që zemra të qëndresës u bënë familjet e mëdha Mesjetare Topiajt, Balshajt, Dukagjinët, Muzakët, Blinishtët, Arianitët, të cilët ndryshonin nga familjet feudale mesjetare në Europë, se ato si rregull nuk ishin pronarë të mëdhenj tokash, nuk kishin bujkërobër klasikë, por zakonisht ishin pronarë bagëtish dhe prijës ushtarak.

E kam shkruar romanin “Mugujt e Mesjetës” me synimin të sqaroja artistikisht dhe historikisht se fati i keq i Shqipërisë kanë qënë pazarlliqet e bëra nga fqinjët e veriut dhe të jugut për të na ndarë në mes dhe se synimi i tyre i përjetshëm ka qënë që të mos bëheshim kurrë shtet e të mos lidheshim kurrë me perëndimin. Mes këtyre luftrave, intrigave, gjakësive, dëshirës për mbijetesë u ngjiz karakteri i mirditorit, të cilin janë përpjekur ta ndrydhin thellë në male, por, i cili, nga ana tjetër ka fituar një karakterr të vashdueshëm ekspansiv me veçori të parë mbijetesën dhe veçimin nga të tjerët për qëndresën, zgjuarsinë, dinakërinë, mos zënien besë dhe fjalët e pakëta e pa zhurmë.

 

Pyetje : Ju jeni një shkrimtar i njohur ashtu si dhe një personalitet i politikës shqiptare që shiheni shpesh në Mirditë në aktivitete politike por gjithësesi gjeni mundësinë të jeni i pranishëm edhe në aktivitete kulturore. Ç'ju mban të lidhur me Mirditën? Në ç'rarport shihet kontributi i Mirditës dhe mirditasve në rrafshin e historisë dhe kulturës kombëtare, krahas trevave të tjera të Shqipërisë, kryesisht atyre fqinje me të?

 

Përgjigje: Ndoshta më thërret kushtrimi i të parëve. Origjina e gjyshave të mi është Shiroka dhe e kam krenari të jemë nga ky fshat-lagje e Shkodrës, buzë liqenit, fshat peshkatarësh, fshat që e pi rakinë, fshat që e pëlqen këngën, fshati më arsimdashës i Shqipërisë. Këtu është hapur në vitin 1873 Shkolla shqipe e Shirokës. Njihen me radhë emrat po dhe fotografitë e mësuesve nismëtarë po edhe nxënësit më të shquar të fshatit, të cilët sapo mbaronin filloren vazhdonin më tej shkollën në Shkodër në gjimnazin e françeskanëve, jezuitëve dhe te gjimnazi i shtetit. Çdo ditë ata të rinj bënin shtatë kilometra (herë dy) shkuar e ardhje, në shi, murra e ngricë, me një çantë pece të lidhur kraha qafë, me një copë bukë të mbrume, të zezë, shpesh elbi që formonte një gungë në çantë mes librave. Fshati i vetëm me shkollë vajzash që e drejtonin murgeshat. Shiroka që në fund të shekullit XIX nuk kishte asnjë analfabet, as në djem as në vajza. E mbaj mend në fëmijërinë e hershme kur më çonin për të kaluar verën rrëzë liqenit se si shkruanin pleqtë e plakat e Shirokës me një alfabet të veçantë me shkronja latine, por dh, th, zh i shkruanin ndryshe siç i shënonte Shkodra para Kongresit të Manastirit në 1908, ose sipas alfabetit të vjetër shqip. Mbaj mend gjyshin nga nëna Ndoj Marku, nënëdajën Lena, nënëbabën Tone, axha Shanin e Zefin, hallën Rozë se si më mësonin trungun e fisit: Pjetri i Filipit të Tomës së Jakut të Zefit të Kolë Dedë Prengës. Prenga nuk e kam krejt të sigurtë, apo nuk e kishin të sigurtë ata që na mësonin. Ata më kanë thënë si në ëndërr se para shumë brezash të parët tënë kanë ardhur në Shirokë nga Jubani, janë zhvendosur për arsye gjaku dhe më heret origjinën e kanë pasur nga Mirdita, nga Oroshi. Xhaxhallarët më kanë folur disa herë për degën e Jubanit dhe rrënjët e Oroshit. Ky është shkaku i parë përse jam i interesuar për Mirditën. Pastaj më pëlqen emri i veçantë i krahinës.

Nga leximet e hershme mbaj mend epitetet e mirditorëve: cuba, trima, dinakë, pleq të hollë. Të mos harrojmë: cubnia në mesjetë ka qënë “profesion”. Deri vonë, sa mbahet mend, kur shkonin njerëzit e dhëndërrit te krushku për fejesë duhet të vidhnin diçka jo fare pa rëndësi dhe të mos diktoheshin. Tani njerëzit me kollare shtrembërojnë buzët po të flasësh për këtë zakon të turpshëm. Për t'u ngushëlluar duhet të them se në Angli në mesjetë cubnia ishte “profesion kombëtar”. Nuk duhet harruar se dhe Mbretëresha e Anglisë kishte futur pjesën e vet të kapitalit tek Drejku, (Drake) cubi i madh i deteve.

Kanuni i Lekë Dukagjinit aq i njohur në Mirditë (mos harroni që më përpara pjesa më e madhe e kësaj treve quhej Dukagjin), flet qartë për rregullat e pronës, pasunisë dhe cubnisë. Ekzistonte termi “Kapucar” ai që të qitte në shteg te ai që të kishte vjedhur qetë. Me rregull, po ta zbuloje cubin, ai ishte i detyruar të t'i kthente qetë ose berret që të kishte vjedhur, por nuk ishte i detyruar që t'i skuqej faqja.

Mirditorët njihen si trima, si njerëz të pushkës. Ata në shekuj kishin shërbyer si mercenarë, profesion i zakonshëm i njerëzve të maleve që nuk kishin tokë shumë, bagëti shumë, as pasuri të veçantë, të cilët ndihmonin aleatët apo ata që u kishin dhënë besën. Mirditorët dinin të vdisnin po sipas rastit dinin dhe të zbatonin porosinë e Lekë Dukagjinit: “Më mirë të thonë se iku Leka sesa të thonë se mbeti Leka”

Secila krahinë ka cilësitë e veta, veçori pozitive e veçori negative, megjithatë Mirdita është krejt e veçantë. Ajo i ka qëndruar invazionit të huaj edhe në kushte të vështira, ka ditur të ruajë një pavarësi, një autonomi, disa privilegje të qenësishme. Ajo ka ruajtur, të drejtën për të mbajtur armë brenda e jashta kufinjve të krahinës, nuk ka paguar taksa, ka ruajtur besimin e zbatimin e kanunit të vet. Në luftë Mirdita shkonte e udhëhequr nga Kapidani i vet Gjomarkaj dhe bajraktarët vendas.

Pyetje: Familja e Gjomarkajve dihet se për mjaftë kohë ka luajtur rol qeverisës e prijës në krahinën e Mirditës, duke zënë një vend të veçantë në strukturën vetëqeverisëse. Familje për të cilën është folur e përfolur jo pak, në një kohë që mungon një gjykim a trajtim shkencor i pozitës së tyre. Cila është njohja juaj për Gjomarkajt përmes leximeve dhe në realitet?

Përgjigje: Mirdita ka pasur kufijtë e vet që kanë lëvizur sipas situatave. Njihen pesë bajrakët e Mirditës: Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Fani e Dibrri. Besimi i palëkundur i Mirditës: i krishterë, katolik. Gjuha shqipe në veçori dialektore të dallueshme nga e folmja e Shkodrës, e Malësisë, e Krujës, Kukësit, Matit, Dibrës, Lezhës. Autonomia nën Suzerenitetin e Sulltanit. Prijësi i Mirditës, i familjes së Gjomarkajve. Kanuni i Lekë Dukagjinit është një ligj i natyrshëm juridik, civil, tradicional që ushtrohej nga 25 krerët e vendit dhe që zbatohej nga Gjomarku, i cili njihet si autoriteti më i lartë i Kanunit. Çdo bajrak kishte krerët e vet të përcaktuar. Autoriteti më i lartë në kanun është mbledhja e popullit nga një për shtëpi që mund të rrëzojë dhe vendimin e krerëve. Dera e Gjomarkut është rezë e kanunit. Gjomarku nuk shkon kurrë plak. Pleq janë krerët e trashiguar. Pajtimin e gjaqeve nuk mund ta bëjnë as të gjithë krerët, vetëm Gjomarku. Është interesant të dihet mirë parimi që Mirdita, nuk i ka kurrëfarë borgji Gjomarkut vetëm një kaptinë, një burrë për shtëpi. Pasunia e patundshme e Gjomarkut është e caktuar me gurë me kufi si çdo pronë tjetër. Dëmit të bërë, Gjomarku do t'i përgjigjet. Dëmi çmohet. Gjomarku do të qesë punëtorin për punë angarie. Familja e Gjomarkut ishte paria e padiskutueshme e Mirditës, por nuk kishte asnjë privilegj ekonomik.

Veçori e Mirditës janë venomet e fituara me luftë e diplomaci, venome që i kishte edhe Himara. Porta e Lartë i kishte njohur në shekuj këto venome, sado që shpesh përpiqej t'i shkulte. Përmbledhtas Mirdita nuk paguante taksë e xhelep, kishte të drejtë të mbante armë, të ruante dhe të zbatonte Kanunin dhe detyrohej të shkonte në luftë me Kapidan Gjomarkun në krye. Dera e Gjomarkut njihej ne Europë nga Fuqitë e Mëdha dhe privilegjet e saj ndaj Portës së Lartë mbroheshin dhe diplomatikisht. Sa ishte pushtimi turk venomet ishin pozitive, kur Shqipëria u bë e pavarur venomet shkallë –shkallë duheshin shuar si teori e si realitet dhe duhej njohur parimi i pushtetit qëndror. Veprimet nuk duheshin prerë me thikë menjëherë. Moskuptimi i ndryshimit nga Mirdita dhe Shteti i Ri solli ndonjë keqkuptim të përkohshëm. Kanuni ishte një rend juridik i krijuar në mesjetë që luajti rol pozitiv nga shekulli XV deri në Pavarsi. Me formimin e shtetit modern Shqiptar duhej njohur ligji para kanunit.

Kam lexuar shumë nga Historia e Mirditës dhe dera e Gjomarkut. Që i vogël kam parë Gjon Markagjonin e moshuar dhe ministrin Marka Gjoni. Kam njohur dhe Marten e Preng Bib Dodës që jetonte te Arra e Madhe, te shtëpia e Xhuxhës bijë e së cilës ishte. Kishte një pamje madhështore. Vishej me fustan të bukur, por që dukeshin si modë të hershme. Nëpër burgje kam dëgjuar shumë për këtë familje që u shpërnda mërgimeve, maleve në arrati dhe kampeve të interrnimeve në Berat, Kuçovë, Shijak, Valias, Tepelenë etj.

Gjon Marka Gjoni u largue në Itali ku vdiq më 1966, i biri i Kapidanit Mark Gjomarku u vra si trim ne përpjekje me 13 qershor 1946 në malet e Mirditës, djali tjetër Llesh Gjomarku u vra në Munegjë me 9 Gusht 1947. Nëpër kampe internimi vdesin me radhë gjyshja Davë gati 90 vjeçe gruaja e Marka Gjonit, më 1947 në Berat; nana, Mrika-gruaja e Gjon Marka Gjonit vdiq në Savër të Lushnjes; Kunata Marta, e Mark Gjon Gjomarkut. Më 1949 Nikollë Gjomarku arratiset dy herë në Jugosllavi, pastaj në 1956 në Itali dhe më 1966 në SHBA. Internimi 45 vjeçar përfundoi me fillimin e lëvizjes demokratike më 1990, u lirua nga internimi Dedë Gjomarkaj pas burgimesh të gjata; Bardhja, vajza e burgosur në fillim; Kristina dhe Gjoni që e nisi kalvarin e vuajtjeve pa e rritur shtatin kampeve të internimit, por gjithmonë me dinjitet e fjalëpakë, trashigimtar i familjes së Gjomarkajve, i zgjedhur deputet me mbështetjen e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Djemtë e Gjon Markagjonit që jetuan në mërgim i kam takuar në Detroit në Kishen e Sh'Palit ku kishin ardhur posaçërisht për të më takuar si i derguar i Partisë Demokratike. Si kujtim bëmë disa fotografi. Pas vitit 1997 i kam shkuar në shtëpi Ndue Gjomarkajt, në Nju Jork. Ai po shkruante kujtimet e veta për derën e Gjomarkajve. I kishte mbetur peng viti i zi 1997. Kishte edhe një peng tjetër, Gjonin e Marka Gjomarkut, djalin e të vëllait. E shikoja që ngurronte se më pyeti disa herë. – Mirë! – i thashë- Mirë është një fjalë goje. Si Mirë? – më pyeti përsëri, - E kemi përkrahur për t'u zgjedhur deputet dhe ai ka përkrahur demokracinë me vendosmëri e dinjitet. Këtë ta them me përgjegjësi si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si mik i tij.

Ndue Gjomarkaj mori frymë thellë. Kur u ndava me të më tha: Tani vdes rehat! Trashigimtari i parë i Gjomarkajve nuk paska rrëshqitur.

U kam shkuar disa herë në shtëpi, te kulla e Gjomarkajve. Aty më 1945 kam bërë klasën e katërt. Pastaj na nxorën jashta dhe hyri Seksioni i Sigurimit. Përballë shtëpia e Guljelm Lukës më 1944 Gestapo, më 1945 burg i sigurimit. Gjomarkajt të mbyllur me pleq e fëmijë. Më 1991 mue i posadalë nga burgu më vjen në shtëpi Kristina Gjomarkaj e sapolirueme nga internimi dhe më pyet si Kryetar i Partisë Demokratike të Shkodrës.

•  Kam ardhë nga internimi. A mund të futemi në shtëpinë tonë?

•  Të tjerët duhet të kishin pyetur a të futmi në shtëpinë e Gjomarkajve? Unë mund të dal dëshmitar që ju kanë nxjerrë nga shtëpia juaj.

Kështu u kthyen Gjomarkajt në shtëpinë e vet.

Që nga ajo kohë nuk i kam lënë vizitat në këtë derë të madhe.

27.01.2004

***

Veprat e botuara të Pjetër Arbnorit nga viti 1992 deri në vitin 2000

“Kur dynden vikingët”, novelë, 1992

“Mugujt e mesjetës”, roman, 1993

“Bukuroshja me hijen”, novelë 1994

“E bardha e zeza”, roman 1995

“E panjohura - Vdekja e Gebelsit”, novelë 1996

“Shtëpia e mbetur përgjysëm”, roman 1997

“Vorbulla”, roman 1997

“Letra nga burgu”

“Nga jeta në burgjet komuniste”, studime historike 1992

“Bajroni një vetëtimë e largët”, roman 2000

“Lufta për të mbetur njeri”, intervista 1990-2000

Andrea Morua “Historia e Amerikës”, përkthim 1998

Vviliam Shilrer “Ngritja dhe rënia e Rajhut të tretë”, përkthim 1988

“10300 ditë e net në burgjet e komunizmit”, -2003

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net