Mark Tirta, dijetari i shquar i etnosit shqiptar-- nga Ndue Dedaj
Biografia e tij nis thjeshtë, si të gjitha biografitë e njerëzve të shquar. Lindi në Orosh të Mirditës në vitin 1935, kryeqendrën historike të Mirditës të shekujve të fundit. Në mos përtej kësaj ditëlindjeje zyrtare, ka një tjetër më të vonë, 1937, që është dhe e vërteta? Kjo, sigurisht, do të ishte ineresante, profesorit të nderuar do t'i kremtojmë shtatëdhjetëvjetorin, kur atë do ta kemi dy vjet më të ri. Sa herë ka ndodhur kështu, që njeriut i është “ngatërruar” filli i jetës që te shkrimi i emrit të tij në rregjistrin e gjendjes civile... Pasi ka kryer shkollimin e lartë në Shkodër dhe pastaj në Tiranë (1957-1961), ka filluar punën e mësuesit në shkolla të katundeve të Mirditës. Një mësues pasionant, si paraardhësit, që nuk do të vonojë të shpalosë dhe një tjetër pasion të fshehur të tij, kërkimet shkencore me eksplorime në terren dhe shkrime. Është viti 1961, viti i prishjes me sovjetikët, por që atij nuk do t'i prishë ndonjë punë, pasi rrënojat e kishave, kështjellave, varreve të vjetra ishin aty, në truallin e vendlindjes së tij. Edhe gjarpëri i skalitur në portën e një kulle në Orosh, edhe një kumbonë e vjetër në Shebe, edhe Meshurdhi antik apo mesjetar, që kishte ruajtur monedhën e Justinianit, i fshehur diku në mal në të majtë të Fanit të Madh, edhe Bukli në të djathtë të Fanit të Vogël. Kishin ikur gjeologët sovjetikë dhe galerive të tyre u ishin vënë sakaq kryqe, kurse “gjeologu” i ri i mitologjive, bestytnive të lashta të këtij vendi nuk ishte ende i shtrënguar të vinte “kryqe” në portat e lashtësisë së pagojë që ai donte t'i ç'kyçte.... Vijnë kështu njoftimet e para kërkimore, të cilat ai ua përcjell instituteve dhe qendrave shkencore të Tiranës: të historisë, arkeologjisë, etnografisë etj. Krijohet dhe lënda e nevojshme për themelimin e muzeut historik të Mirditës, që ngrihet në Rrëshen në vitin 1967, në një godinë të tipit alpin, me kontributin e Mark Tirtes dhe të disa arsimtarëve të tjerë, të cilët atëherë, së bashku me arsimtarët e Kolonjës, ishin përfshirë dhe në një lëvizje për të mbledhur visaret e fundit të kulturës popullore, por që nuk qe e suksesshme në aspektin e prurjes cilësore, për shkak të propagandës dhe ideologjizimit, si dhe të masivizimit, paçka synimit pozitiv për të qenë një lëvizje e “misionarëve të së resë”.
Ishte nisur për t'u bërë prift... në gjurmë të Abat Doçit
Në Mirditë ata që kishin mundur të kryenin arsimin e lartë në të kaluarën kishin qenë në më të shumtën priftërinj, të nxitur në këtë udhë nga i famshmi Abati Prend Doçi që në fillimet e shekullit XX. Si duket kjo qe e parathënë shumë vite më vonë dhe për djaloshin e ri të Oroshit. Vetë Mark Tirta, në një intervistë me studiuesin dhe publicistin Gjon Marku, rrëfen: “Një ditë prej ditësh, Abati i Abacisë së Oroshit, Monsinjor Frano Gjini, e therret babën tim në seli dhe i kërkon që njërin nga 6 djemtë t'ia japë për ta çuar në shkollë e për ta bërë prift. Baba e pranon këtë, por pa përcaktuar se cilin djalë. Abat Gjini vjen në shtëpinë tonë për ta kuvenduar këtë çështje e më në fund caktohem unë për në atë rrugë. Më zgjodhën mua për t'u bërë prift, me siguri ngaqë isha i hajthëm (delikat e i dobët nga shëndeti), pra si jo i zoti për t'u marrë më punë krahu, “po që mund të merret me punë kalemi”... Nga ajo ditë me parapërgatitjen time për në shkollë u muer prifti i ri i Abacisë, Dom Mark Gjani, për rreth një vit. Më mësonte disa gjëra të thjeshta morale e të diturisë, disa shkronja e disa numëra. Më nxiti së tepërmi dëshirën për shkollë e për dije, më fliste për Shkodrën e Troshanin, për Romën e për Vatikanin, për jetën kishtare... Prifti i mirë e shumë i dashur për mua ishte shumë i ditur. Bashkëmoshatarët e mi tashmë thonin “Marku do të bëhet prift! Marku do të bëhet prift!” Erdhen më vonë turbullirat e mëdha të Luftës, buçima e armëve e ulërima e aeroplanëve, pasiguria, kështu që ky projekt i nisur për prift u shua. Megjithatë kjo për mua qe një shtysë e fuqishme për të vazhduar shkollën...”
Nga mësuesi 20-vjeçar i Oroshit... te shkencëtari i miteve dhe migrimeve shqiptare
Në vitin 1968 Mark Tirta fillon të ushtrojë profesionin e etnologut, aq pak i njohur në Shqipëri asokohe, në Institutin e Kulturës Popullore, ku gjendet dhe sot prej 37 vjetësh. Ka shkruar dhe botuar mbi 270 punime shkencore që atëherë, në shtypin shkencor - kulturor të vendit dhe të huaj, si në Paris, Bukuresht, Barcelonë, Granada, Londër, Kembrixh, Vjenë, Mynih, Kebek (Kanada), Budapest, Torino, Kozenca, Romë, Moskë, Shkup, Tetovë, Prishtinë etj. Me vende të tilla lidhen dhe kumtesat që ka referuar në simpoziume apo konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Prej shumë vitesh ai është ligjerues i etnologjisë në Universitetin e Tiranës, hartues i teksteve universitare të kësaj fushe të dijes. Nxënës i Petro Markos dhe student i Jup Kastratit, ai gjithnjë e kthen kujtesën me adhurim të madh andej nga ata, këshillat e tyre të vyera, që ai t'i përkushtohej diturisë dhe shekncës. “Mark Tirta është një shkencëtar i vërtetë” na thoshte tre vjet më parë në shtëpinë e tij në Shkodër gjuhëtari ynë i madh Jup Kastrati, që e kishte ndjekur nëpër vite ecurinë e ish-studentit të tij të preferuar. Profesor Marku në bisedë s'rresht së përmenduri dhe Eqrem Çabejin, Rrok Zojsin, Qemal Haxhihasanin, Andromaqi Gjergjin e të tjerë dijetarë të mirënjohur, me të cilët ka punuar për mjaft kohë. Në shtëpinë e Mark Tirtes nuk është e lehtë të orientohesh në librat e shumtë, ashtu siç ai tashmë ka krijuar dhe një “bibliotekë” të tijën të librave dhe studimeve. Në pamje të parë duket se ka mbetur larg në kohë ai mësuesi i ri i Oroshit i fillimit të viteve '60, me një fletore gjurmimesh që mbushej vazhdimisht, një aparat fotografik dhe një trastë për të mbartur ato gjetjet e vjetra arkeologjike, por kur e vëzhgon profilin dhe sqimën e tij, vëren se “praktikimi” i traditave dhe riteve të vendit të origjinës nuk është bjerrë te ai. Ndoshta një studiuesi dokesh, dhe pse bashkëkohor e modern si i tillë, kjo gjë i ka hije. Mark Tirta flet ngadalë dhe i matur në punët e shkencës, por rrëfen dhe ndodhi me humor nga jeta në malësitë shqiptare a bartësit e shquar. Shkruan gjithnjë më përgjegjësi profesionale, sipas urtësisë mirditore “mat shtatë herë e pre njëherë” dhe me një stil të rrjedhshëm e të qartë. Edhe pse punimet e tij shkencore janë të ngarkuara me peshën e thellë të dijes, argumentit dhe analizës, ato lexohen me kënaqësi falë dhe stilit dhe mjeshtrisë së tij të të shkruarit. Modest dhe bashkëpunues, i dhënë pas vlerave dhe njerëzve të vendlindjes, për të cilën ka dhe një monografi të pabotuar të së shkuarës së saj arkaike.
Emri i fushëlëvrimeve të tij shkencore
Ndoshta Mark Tirta në fillim u mor me të gjitha punët e etnologjisë, por pastaj erdhi duke u ngulur në disa rrafshe, ku dhe bëri emrin e tij si studiues i mirëfilltë. Etnologjia shqiptare, e eksploruar jo pak nga Durham, Nopça, Valentini e plot dijetarë të tjerë të huaj, duhej të kalonte në fazën e saj moderne, të studimeve analitike, përgjithësuese, të përfundimeve dhe monografive shkencore, çka do ta bënin tashmë vetë dijetarët shqiptarë. Dhe Mark Tirta, njëri nga ata, sa ç'merret me punët e përbashkëta studimore të Institutit, në terren në ekspeditat për veshjet, doket etj., aq thellohet në fushat e tij që i kishte më për zemër, mitologjinë dhe migrimet e shqiptarëve, për të cilat punon 30 vjet në arkiva dhe biblioteka. Ashtu pa bujë e duk, bëhet gjithnjë e më i kërkuar, dhe pse modest në gjithçka. Sot për ta përfytyruar sadopak ecurinë e tij nëpër lëmejt e etnologjisë të duhet të shfletosh në mbi 3000 faqe të botuara në shtypin shkencor të vendit dhe të huaj, kumtimet në sa e sa konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar ndërkohë veprat shkencore autoriale: Migrimi i shqiptarëve, Etnologjia e përgjithshme, Etnologjia e shqiptarëve, Mitologjia ndër shqiptarë dhe me bashkautorësi Veshjet popullore shqiptare, Shpati i Sipërm etj. Vepra të tjera nga ai që presin të botohen janë Panteoni arbëror, monografia për Mirditën antike etj. Prof esor Mark Tirta ka dhënë një kontribut të veçantë dhe në përgatitjen për botim të resvistës Etnografia Shqiptare , si dhe të mjaft librave librave shkencorë - kulturorë të botuar nga shtëpia botuese Mirdita, Geer etj. Si për të dëshmuar interesimion e tij të vazhdueshëm për vendlindjen, ishte ndër kryesuesit e konferencës shkencore Mirdita në histori dhe etnokulturë të zhvilluar në Rrëshen në vitin 2001, materialet e së cilës u botuan në një përmbledhje të posaçme.
Vepra akademike “Mitologjia ndër shqiptarë”
Dy nga veprat shkencore të profesor doktor Mark Tirtes janë botime të Akademisë së Shkencave: “Migrime të shqiptarëve” dhe “Mitologjia ndër shqiptarë”, që konsiderohen ndër monografitë shterruese të problematikave që mbarështrojnë. Natyrisht që jo çdo autor që ka botuar libër me siglën e kësaj Akademie mund të jetë dhe akademik, por shumë nga njohësit e afërt të veprës shkencore koplekse të Mark Tirtes, mendojnë se ai tashmë duhej të ishte shpallur akademik, për çka siç na thonë dhe ka qenë propozuar pak vite më parë. “Mitologjia ndër shqiptarë”, siç shkruan autori në përcjelljen e librit, “nuk trajton vetëm mite, po në një këndvështrim të gjerë, një seri mbijetojash të religjionit pagan, të shfaqura në mite, në rite, në besime e kulte të ndryshme, për aq e ashtu si na kanë ardhur ndër Shqiptarë në shekujt XIX – XX”. Lexuesi mbase për herë të parë në studimet shqiptare të kësaj fushe mund të rrokë gjithë kundrojën mitologjike shqiptare, “një qerthull dukurisht të mitologjisë popullore”, nga ato më kryesorët, në shtrirje ndërkrahinore e shpesh-herë dhe mbarë etnike. Mitet që nga origjina vështrohen brenda arealit kulturor, nëpër historinë e mitologjisë, duke u trajtuar më tej kultet e natyrës, kulti i gurit dhe i shpellave, qeniet mitike, demonet, gjarpëri në mitologji, kultet e jetës familjare, vdekja në rite dhe besime, kultet që lidhën me jeten e bujkut dhe të blegtorit, ritet kalendarike, kultet në mjeshtri dhe zeje, kulti i numrave.
Merita të veçanta studimore, por pa tituj nderi...
Nëse në Shqipëri ku profesor Tirta punon me përkushtim të rrallë, nuk i janë bërë nderet e merituara, nuk ka ndodhur kështu në Kosovë, ku jo vetëm janë botuar reçensa vlerësuese nga Prof. Dr. Drita Statovci e të tjerë, por nëntorin e kaluar ai u gjend i befasuar në Prishtinë, mes akademikëve dhe dijetarëve të tjerë të Kosovës, që kishin organizuar paraqitjen dinjitoze të tri prej veprave të tij të fundit: Migrimeve, Mitologjisë dhe Etnologjisë së Shqiptarëve. Ndërkohë në Tiranë asgjë promovuese, jo thjesht për një mjeshtër të shquar të shkencës, por për disa nga veprat më të zëshmë të dijes shqiptare të kohëve të fundit. Ndërkohë që dhe për një libërth të zakonshëm kujtimesh të ndokujt janë mbledhur njëqind veta?! Me sa duket ky është pengu i pakuptimtë që lipset të paguajnë përjetësisht njerëzit e shquar të shkencës dhe letërsisë dhe ylli i tyre do të ndrijë vetëm... vonë, shumë vonë, kur atë përndritje nuk e kanë më në dorë bashkëkohësit për ta ndalur... Mark Tirta nuk ka nevojë për lavde dhe merita të paqena, ai ka një vepër skrupuloze shkencore, që thjesht i duhet “njohur” e vlerësuar. Thjesht i duhen bërë nderet asaj vepre, për të cilën kemi nevojë të gjithë, pasi aty janë rrënjët e trashëgimisë sonë historike. Studentët nuk bëjnë pa të, por as tryezat e punës të studiuesve që merren me studimet shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Vepra e shkencëtarit Mark Tirta është tashmë një referencë me themel në kulturën dhe dijen shkencore për shqiptarët.
------------------------------------------------------------------
“ETNOLOGJIA E SHQIPTARËVE”
“…Etnokultura është shpirti dhe mendja e popullit, është mënyra e jetesës së tij, e krijuar, e zhvilluar në shekuj prej tij. Ajo shpreh vetorganizimin, kompaktësinë, sigurimin e ekuilibrit social ndër shekuj e në gjenerata të ndryshme. Kjo etnokulturë na zbulon të kaluarën e pa mësuar; pa e kuptuar mirë atë, nuk mund të kuptojmë e të ndërtojmë të sotmën e të ardhmen. Mendje të ndritura të etnologjisë botërore nuk e kanë quajtur pa arsye etnologjinë si disiplina më humane në shkencat humanitare. Nuk mund të jesh as sociolog nëse nuk ke dije të thella për etnologjinë, duke qenë se ajo është psikologji e vërtetë e popullit. Pra dhe psikologjia sociale duhet të mbështetet dukshëm në etnologjinë, nëse don t'i njohë si duhet popullin, njerëzit që i bën objekt studimi.”
Prof. Dr. Mark Tirta
-------------------------------------------------------------
ETNOLOGJIA E PËRGJITHSHME
Etnologjia e përgjithshme e prof. dr. Mark Tirtës është një tekst i sukseshëm mësimor për nivele akademike dhe jep kontribut të çmuar në rrafshin e zhvillimit dhe të ngritjes së nivelit mësimor në universitetet tona... Përfaqëson një tekst të parë mësimor në gjuhën shqipe në fushën e etnologjisë , prandaj i dedikohet përshendetje dhe mirënjohje. Një libër i tillë është pritur kaherë dhe tani plotëson një boshllëk të ndjeshëm në këtë lami. Në këtë tekst mësimor trajtohen një shumësi çështjesh të ndryshme të fushës së etnologjisë së përgjithshme, të shtruara në mënyrë profesionale e shkencore nga një studiues dhe njohës i mirë i kërkimeve kabinetike ose terrenistike të fushës shkencore që e quajmë etnologji.
Prof. Dr. Drita Halimi – Statovci, Prishtinë
----------------------------------------------------------------
MIGRIME TË SHQIPTARËVE
Etnologu i njohur, prof. Dr. Mark Tirta, doli para lexuesve me veprën Migrime të shqiptarëve , botim i Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave të RSH, që rrok një problematikë të rëndësishme, atë të migrimeve, të cilat “zënë një vend të veçantë e me peshë në historinë e etnokulturës së popullit shqiptar, në zhvillimin e saj ndër shekuj e deri në kohë të sotme.” Në trajtimin e kësaj teme autorit i është dashur të shqyrtojë një varg problemesh historiko-etnologjike, që kanë të bëjnë me migrimet, me faktorët shkaksorë, me veçoritë e mekanizmin e zhvillimit dhe me rrjedhojat etnosociale të kësaj dukurie... Punimi Migrime të shqiptarëve ndahet në dy pjesë: në të parën - vështrim i përgjithshëm - trajtohen nga pikëpamja teorike migrimet në jetën e shoqërisë dhe ngulësi e lëvizje migruese të popullsisë... Pjesa e dytë e librit, për nga përmasat (mbi tre të katërtat e librit), synimet, problematika e analizat e thella, është me rëndësi të veçantë. Në të trajtohen migrimet e harkut kohor Rilindje e Pavarësi, ku një vend të rëndësishëm zënë shpërnguljet e ringuljet e popullsisë brendapërbrenda trojeve shqiptare për shkaqe ekonomike e social-politike.
|