Miti i përçarjes ndërshqiptare
Ndue Ukaj Përçarja ndërshqiptare, si fenomen, nuk është vetëm mos aftësi e përbashkimit të prijësve dhe popullit drejtë idealeve dhe qëllimeve të përbashkëta. Përçarja tek ne, ka kaluar suazat e normales. Duke marr gjithherë e më shumë shenjat e një mendësie kulturore, që për pandehmë ka mendësinë bizantine-orientale, që s'ka asgjë të përbashkët me synimet e proklamuara të shqiptarëve për integrim në Familjen Perëndimore. Për të mos thënë, përçarja te ne është bërë mit, së cilës verbërisht i shërbejnë apo edhe i besojnë shumë segmente shoqërore brendashqiptare. Madje edhe prijës politikan, njerëz të kulturës, qeveritar e diplomat ane e kënd hapësirave shqiptare, politikën dhe angazhimet i ndërtojnë mbi përçarje. Dhe asnjëherë nuk shtrohet pyetja dhe s'kërkohet përgjigja, nga vjen gjithë ky sinrdrom? Ne nuk jemi asnjëherë të bashkuar. Ky do të mund të ishte përfundim, aspak i vështirë për çdo njërin që vështron zhvillimet e tanishme në Kosovë, Shqipëri dhe hapësirat tjera shqiptare. Madje ky mendim, do të sillej pa vështirësi, edhe kur analizohet fenomeni në planin historik. As në ditë të vështira, as në ditë gëzimi, politikanët tanë, mediat tona, elitat (nëse i kemi) intelektuale nuk i gjejmë të bashkuara. Kjo përligj mendimin gjenial të Faik Konicës, se “Shqiptarët në histori gjithmonë vonohen”, për të shtuar se “armiku më i madh i shqiptarëve është vetvetja”. Mendime të cilat në shumë nivele korrespondojnë me të vërtetën që pasqyron në vete gjenda e brendshme shqiptare sot, por edhe në të kaluarën. Vetëm si shkak i përçarjes, ne kemi pësuar sa e sa tragjedi, prej së cilave asnjëherë nuk kemi nxjerr mësim. Katharsis për ne mbete larg, i urryer, i pa nevojshëm. Madje për të thelluar mjerimin e kësaj gjendje, kjo përçarja jonë, kërkon bashkimin e të tjerëve, për interesa tona. Në këtë rast, është më së e çuditshme, të shihet se si klasa politike dhe institucionale kosovare, kërkon pa vetëdijshëm kompromis mes vendeve botërore për jetësimin e Pavarësisë së Kosovës, dhe nuk arrin kompromis mes vete. Madje as për çështje elementare- krijimin dhe bekimin e një grupi reprezentativ për bisedime nga Parlamenti. Është më se absurde, të shihet, se më lehtë merr vendime Këshilli i Sigurimit, SHBA-të, Grupi i Kontaktit, Bashkimi Europian, për çështjen e Kosovës, se sa arritja e një konsensus për statusin e ardhshëm politik brenda Kosovës. Po e njëjta situatë paraqitet edhe në Shqipëri. Kjo, e gjendur në tranzicion, në politikë dhe institucione ka krijuar polaritete ekstreme. Qeveria shqiptare kërkon miratim dhe agjitacion nga qeveritë perëndimore, për të ndihmuar në rrugën e integrimit në BE dhe NATO, ndërsa brenda nuk mund të ndërtoj konsensusin minimal në çështje jetike, apo në mënyrë indirekte kontribuon kundër këtyre vlerave dhe kundër këtyre interesave. Kësaj i ndihmon edhe përpjekja tejet absurde e Kryeministrit Berisha për të ndërtuar aleanca me Teranin, një qeveri destruktive, e cilësuar si e këtillë nga SHBA dhe BE. Absurd! Berisha kërkon pranim në këto vlera, duke u angazhuar me vetëdije apo pa të, kundër këtyre vlerave. Një gjë të këtillë e bëri edhe ministri Mustafaj me emërimin e një antiamerikane ambasadore në Amerikë, pa përfillë vërejtjet e shumta, jo vetëm të opozitës, por edhe opinionit të gjerë publik. Dhe jo vetëm kaq, çështja në fjalë merr përmasa më shqetësuese, nga fakti se kur është në pyetje interesi i ngushtë, te shumica e politikave tanë asnjëherë nuk vjen në shprehje interesi kombëtar. Interesi kombëtar përhumbët para një qëllimi të vockël. Kështu sillet kësaj here qeveria e Berishës, parashenjat e së cilës janë një indikator mjaft shqetësues edhe për orientimet e vetë kreut qeveritar në politikat ndërkombëtare. Çështja më e komplikuar e përçarjes paraqitet brenda spektrit politik të Kosovës, i cili vazhdon të jetë i përçarë edhe në këto ditë mjaft dramatike për të ardhmen e Kosovës. Politika kosovare vazhdon me avazin e vjetër. Duhet një iniciativë ndërkombëtare (Amerikane kryesisht) që kërkon unitet. Po ashtu duhet një iniciativë e huaja që të arrihet një kompromis brenda faktorit shqiptar. Kjo çështja ishte mjaft e njohur në Rambuje, dhe me pasoja. Si e këtillë u reflektua edhe pas Rambujes, në gjitha nivelet politike. Kjo bëri përpjekjet për mëkëmbje, më të vështira se c'ishin në fakt. Kostoja e së cilës ka për ekuivalencë një gjendje të mjerë ekonomike, një korrupsion në shkallë të lartë, institucione larg të qenit profesionale, një familjarizim në politikë dhe institucione. Një kulturë demokratike, larg të qenit e kënaqshme. Lëvizjet e liderëve kosovar para një hapi të rëndësishëm, duken tamam lojna fëmijësh, që posa t'i merr me të mirë i ati, qetësohen. Spektrit politik dhe institucional, që ka marr përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës, duhet që z. Petersoni, shef i UNMIK-ut, dhe një punëtor i shkëlqyeshëm në Kosovë, t'iu kujtoj se atyre ju duhet të miratojnë rezolutën në Kuvendin e Kosovës, për t'i dhënë dritë ekipit negociator për statusin e Kosovës. Ekip që me gjithë mangësitë, duhet të diskutohet dhe të votohet ne Parlament, duke u zgjeruar edhe me përfaqësimin e subjekteve tjera politike parlamentare. Në të kundërtën, situata posnegociatave do të jetë mjaft e komplikuar, dhe do të ketë koston e vetë. Këtë thirrje publike u deshtë ta përsëris disa herë edhe shefi i zyrës Amerikane në Prishtinë, z. Filip Goldberg. Dhe gjitha këto, për klasën tonë me dije mesatare politike dhe intelektuale, nuk do të thonë asgjë. Politikanët tanë vazhdojnë avazin e tyre të injorancës politike dhe lojës me fjalë të mëdha retorike “patriotike”, duke dhunuar votën e qytetarit, të cilën nuk e kanë marr për të shërbyer, por për të abuzuar me të. Ky është stadi i kulturës politike, që mbetet larg nga të qenit në përkim me vlerat demokratike dhe civilizuese perëndimore. Popullit tonë si duket i është bërë sindrom i rrezikshëm ndjenja e të jetuarit në përçarje. Në mos një kancer vdekjeprurës, që çdo ditë e më tepër po bluan shpirtin shqiptar. Si rezultat i kësaj kemi prodhuar në historinë tonë tradhtar të shumtë, emrat e së cilëve do jenë të panevojshëm në këto opinione. Si rezultat i kësaj jemi i vetmi popull në Europë, që nuk kemi unifikim të kokave, ndërsa shpeshherë, në mënyrë absurde, kërkojmë t'i bashkojmë tokat, pa i bashkuar kokat: ne jemi i vetmi popull që nuk identifikohemi me të njëjtat vlera kombëtare. Madje as heroin e përmasa botërore Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, nuk e vlerësojmë njësoj. Dhe këtë përçarje tashmë në Kosovë e bën në mënyrë publike një shkrolës demagog deri nw fund (shkrimtar i kuzhinave sllavo-lindore), Milazim Krasniqi, i cili duke u identifikuar me fenë, përjashton segmentet që kanë formësuar identitetin shqiptar. Duke u nisur nga interesa parciale, dhunon autorët që na mundësuan sot të kemi gjuhë e kulturë shqiptare, ne emër të autorëve të proveniencës islame. Po të shkojmë më tutje me shembuj: ne nuk kemi për model të njëjtat figura kombëtare, nuk kemi unifikim të gjuhës (çështje kjo që ka mjaft nevojë për diskutim), nuk kemi një histori unike, një histori të letërsisë së pranueshme tërësisht. Ne nuk e shohim të ardhmen tonë njësoj. Pra ne jemi të copëtuar. Dhe copëtimin, çka është më tragjikja, ju atribuojmë tjerëve: asnjëherë nuk na shkon mendja të kthejmë gishtin tregues nga vetja, të vetërrëfehemi me vetën tonë për gabimet dhe të metat tona, kundruall vetës dhe historisë sonë. Për ne gabimi është i huaj, falja është turp. Është një proverb që thotë, të gabosh është njerëzore, por të jetosh në gabime është djallëzore. Ne shpeshherë jemi të vetëdijshëm për gabimet që i kemi kundrejt historisë, por nuk kemi kurajo të mos i përsërisim: ra ne vetëdijshëm jetojmë në gabime. Nuk mund të ndërtojmë të ardhmen tonë mbi mashtrime, gënjeshtra të vetvetes, interesa bejlerësh, e qëllime bajraktarësh. Ne duhet të formësojmë të ardhmen mbi të kaluarën. Ky është binom i shenjtë i qdo kombi të përparuar. Në këtë këndvështrim, duhet shoqërisë sonë ti jepet një shpirt i mirëfilltë perëndimor.
Problematika në fjalë sipas mendimtarit të madh Dr. Krist Malokut
“Lufta e ardhme asht luftë e djalërisë shqiptare kundra anmikut në zemër të vet, asht luftë mendsie krijuese kundra anmikut destruktiv, asht luftë botëkuptimi drite kundra një botëkuptimi errsine, asht lufta e okcidentalizmës shqiptare kundra orientalizmës shqiptare” shkruan Kristë Malkut në eseun e famshëm “Oreitnal apo okcidenta?”. Ky soli i njeriut është orientali shqiptar në mendësi e mentalitet. Duke mos i dhunë kualifikim religjioz, sepse ky soj njeriu gjendet kudo, edhe ndër shqiptar që shtirën si oksidental. Nisur nga fakti se kombi kishte plagë të mëdha shpirtërore, që erdhën nëpërmjet pushtimit anadollak, Atë Gjergj Fishta i madh thoshte se përderisa sa nuk i japim kombit një shpirt oksidental në mendësi, nuk mund të pritet përparimi i kombit. Këtë mendim që e thoshte me ngulim Fishta, e sforcon përmes një analize mikroskopike në shpirtin dhe psikologjinë shqiptare Krist Maloku. Çështja e jounitetit, përçarjeve ka diçka të dimensioneve etno-psikologjike. Këto në mënyrë brilante i shkoqit profesori dhe intelektuali i kalibrit europian Kristë Maloku, në esetë e tij për natyrën e shqiptarit. Diskutimi në fjalë është pjesë e debateve të shumta që u zhvilluan, në periudhën më të ndritshme të emancipimit të kulturës sonë (vitet 30-të). Duke analizuar çështjen e kombit në suaza të dallimeve, dijetari bën një analizë antropologjike dhe psikologjike dy kategorive kulturore, shqiptarëve me prirje orientale dhe oksidentale. Dhe ky njeriu me prirje orientale, për çudi del sot gjithandej në politikën shqiptare, në kulturë, e ku jo gjetiu, pa asnjë ndryshim nga ai që na jepte Maloku para më se shtatë dekadave. Ai është zëmadh e retorikë për atdheun, të cilin aspak nuk e ndihmon, por e dhunon, e shfrytëzon pa fije turpi. Pyetjes së parë, nëse ka ose s'ka ideale njeriu ynë publik, përgjigja e Malokut sjell pyetjen, çfarë janë këto ideale? Idealet që i ka tipi i orientalit shqiptar, i ka për vete, jo për tjerët. Ato i ruan për gjithfarë interesash, por jo për interesa madhore që lidhën me kombin. Në fakt, cilësia e parë që triumfon, si një përbindësh, brenda portretit të njeriut tonë publik, mbetet fakti se ai ka ideale të sofistikuara për kulltuk, për pushtet, për të ushtruar manipulimin, mashtrimin kundër çdo gjejë që lidhet me përparimin. Portreti i orientalit shqiptar, ideal sublim ka kolltukun (karrigia), për të sunduar dhe abuzuar me tjerët: bëhet kur e do nevoja patriot (pa pasur as më të voglën vetëdije si konceptohet patrioti dhe çdo të thotë të jesh patriot), bëhet kur e do puna tradhtar, pa e ditur të ligat që ja sjell vendit të tij, popullit të tij, vetës së tij. Dhe, më tutje orientali shqiptar kur e do puna bëhet bashkëpunëtor me të gjithë. Vetëm e vetëm që t'i ec kungulli mbi uj, dhe t'i funksionojnë telat e karadyzenit. Njeriu i kohës sonë, sipas analizës së mendimtarit të madh: është kryekëput shkatërrimtar, rrënimtar, asht destruktiv...dhe bashkohet me të tjerët si njata ujqit që vihen së bashku në pre...porse edhe si njata ujq që shkyejn shokun e vet, kur të dobësohet apo plagoset udhës. Dhe ky njeri ashtu sikur në të kaluarën edhe tash jetën e ka sipas thanjës së famshme: “kudo rafsha, mos u vrafsha”. Dhe po vazhdoj të citoj të mendimtarin e madh kur thotë së vendi ku ushqehet dha majet ky soj njeriu është Atdheu. Por jo pse e don, por sepse e shfrytëzon në mënyrën më barbare, pa mëshirë, ashtu sikurse njerëzit tanë publik. Mu ashtu sikur sot shumë syresh. Dhe ky soj njeriu si ushujzë ngjitet trupit kolektiv dhe shoqëror, ja thithë gjakun pa asnjë drojë e skrupull. Ky njëri, më tej, në vend që të turpërohet për veprimet e veta shkatërrimtare, bëhet kryenaltë. Ndërsa çka është më tragjikja, ky soj njeriu, ashtu siç na përshkruan mendimtari i madh s'njeh turp e marre, sepse ai është i zoti për të gjitha... po, po për të gjitha turpet-shkruan Maloku! Gjitha turpet i ka të perfeksionuara! Shet bab'e nanë, besë e nderin e vet, për mos me thanë: shpirtin e trupin e vet; vetëm e përvetëm që t'i shkoj kungulli mbi uj, vetëm që mos të prishen telat e karadyzenit. Ky sol i njeriut tonë gjendet kudo, në politikë, në arsim, në kulturë, në arte, në letërsi. Dhe ky soj njeriu, është murtaja shpirtërore, të cilën e sheh çdo ditë spektatori ynë, në teatrin tragjikomikë.
Plaga e hapur e përçarjes
Plaga e përçarjes, nëse vazhdon me këtë avaz do të bëhet kancer i pashërueshëm, veçanërisht për Kosovën, e cila po shënon përpëlitje drejtë konsolidimit dhe ndërtimit të një rendi demokratik. Një gjë e tillë ka parashenja të rrezikshme edhe në Shqipëri, dhe gjetiu në hapësirat shqiptare. Pikërisht nga ky problem dhe mendësia e formësuar mbi përçarje, kemi pasur probleme me përçarje edhe në të kaluarën e lashtë. Pikërisht nga mosbashkimi ynë në çështje esenciale ka ndodhur ajo që ka ndodh me ne: ne jemi çliruar të fundit nga Perandoria Otomane, sepse një pjesë e madhe e popullit, vetëm e vetëm për t'u bërë pashallarë e bejlerë identifikoheshin me fenë e pushtuesve barbar. Andaj edhe përkundër rezistencës ne Turqinë e shporrëm vetëm atëherë kur ajo u dobësua në planin global. Është kjo nata e zezë, siç e quan Kadare, e cila përdhosi idealet tona, krijoj një shpirt të ngushtë për shqiptarët, një mendësi anadollake, që për fajin tonë u ndëshkua nga perëndimi. Dhe pikërisht si rezultat i kësaj mendësie, të fundit u liruam nga ideologjia lindore komuniste. Po ashtu të fundit po bëjmë përçapjet për në terminalin politik: integrimin në strukturat transatlantike. Përçarja nga një plagë, është bërë mit, të cilit verbërisht i kontribuojnë shumë prijës. Krizat e mëdha politike dhe shoqërore, popujt i kalojnë të bashkuar, ndërsa ne të kundërtat, në kriza ndahemi edhe më tepër. Ndahemi dhe punojmë, me vetëdije apo pa të, kundër njëri tjetrit. E gjithë kjo rrjedh nga vobektësia e shpirtit tonë intelektual, që nuk del nga lëvozhga e primitivizmit katundaresk, që më parë kërkon lavdinë personale, se sa atë të përtejmë: nacionale.
|