PAZARLLËQET E VJENËS, REPRIZË E KONGRESIT TË BERLINIT!
Shkruan: Sejdi Veseli
Të ashtuquajturat Bisedime të Vjenës po nxjerrin në shesh një të vërtet të pakontestueshme, zhgënjyese, thjesht të hidhur për popullin shqiptar, se disa nga qarqe ndërkombëtare në raport me interesat legjitime të tyre, vazhdojnë të sillen sipas avazeve të vjetra, sipas atyre të Kongresit të Berlinit, të Konferencës së Londrës dhe të Versajës..., por për nga forma më të rafinuar, pra, të kamufluar me nevojën e jetësimit të njërës nga normat e demokracisë më të avancuar, me atë të decentralizimit të pushtetit vendor. Siç edhe dihet këto të ashtuquajtura bisedime teknike, në realitet pazarllëqe me pjesë të territorit kosovar u përgatiten sipas skenarëve të përpiluara nga ndërmjetësit (përmbaruesit) ndërkombëtar, në përputhje të plotë me kërkesat serbomëdha të Beogradit zyrtar dhe të kreut të Kishës Ortodokse “shënsaviane”, prapa shpinës së popullit shqiptar të Kosovës. Po kështu u vazhdua edhe pas fillimit të këtyre pazarllëqeve. Si për rendin e punës ashtu dhe për datën zhvillimit të fazave të tyre, ndërmjetësuesit (përmbaruesit) e “pa anshëm” ndërkombëtar e njoftuan palën shqiptare, vetëm atëherë pasi i kishin harmonizuar qëndrimet e tyre me Beogradin zyrtar. “Për çudi”, nga pala shqipfolëse, jo vetëm se nuk pati as edhe një reagim të vetëm ndaj këtij trajtimi jo të barabartë që i bëhej asaj, në raport me palën serbijane, por ajo u vetë nënçmua skajshmërish, duke pranuar që ministrat e të ashtuquajturave IPVQ të Kosovës të pranojnë të ulen si të “barabartë” për nga rangu edhe me këshilltarët e Tadiqit dhe Koshtunicës! Zaten as që mund të pritet ndonjë qëndrim dinjitoz nga ata që shkelin me pafytyrësi obligimet nga kontrata me zgjedhësit e tyre. Siç dihet këta besëpakë, ishin ngarkuar me përgjegjësi, se do të punojnë me përkushtim për krijimin e parakushteve për vetëvendosje të popullit të kësaj krahine shqiptare, të ndarë dhunshëm nga tërësia e natyrshme e Shqipërisë Etnike, te aneksuar nga Serbia hegjemoniste dhe të çliruar pas një shekulli, falë luftës heroike e Famëmadhes UÇK dhe sakrificave sublime të bijve dhe bijave të saj, të mbështetur më në fund edhe nga Fuqia më e madhe e kohës NATO-ja. Çka është edhe më keq, pala shqipfolëse e pranoj këtë pabarazi aq nënçmuese në raport me palën serbe, me siguri e magjepsur nga kamerat televizive dhe për hir të interesave meskine. Me ç’rast u dëshmua katërçipërisht karakteri i saj prej pa kurrizorësh. Ajo nuk ishte e gatshme, bile vetëm njëherë të kundërshtoj (as sa për sy e faqe) edhe “këshillat” e atyre qarqeve të caktuara ndërkombëtare të dëshmuara si tradicionalisht proserbijane. Çka është shumë më keq, edhe pse kjo pabarazi shprehej në shumë drejtime edhe pse këto takime do të zhvillohen ndërmjet dy vendeve, të cilat para pak kohësh kishin dalë nga një luftë shumë e përgjakshme, ku njëri vend, Serbia në pozitën e pushtuesit barbar që kishte ushtruar gjenocidin, ndërsa vendi tjetër, Kosova në pozitën e çlirimtarit që ishte mbrojtur, edhe pse shihej qartë se kjo pabarazi ishte e inskenuar nga vetë përmbaruesit ndërkombëtar, krejt kjo palës shqipfolëse nuk i bëri përshtypje. Edhe me këtë rast, pala shqipfolëse e ri zbulojë pafytyrësinë e saj, duke dëshmuar se deklarimet mëhershme të saj nuk ishin tjetër pos demagogji dhe për qëllime mashtruese ndaj popullit, si p.sh.: “për sovranitetin e Kosovës dhe për rregullimin e brendshëm të saj, nuk do të bisedojë me Serbinë, sepse kjo është çështje e brendshme e Kosovës”. Andaj, edhe nuk është për t’u çuditur se edhe pjesëmarrja e palës shqipfolëse në takimet e Vjenës, rezulton me kapitullimin e saj, para palës serbijane. Parashtrohet pyetja pse? Sepse, ajo duke pranuar të ulet në një tryezë me gjakësorët serbijan, shkeli mbi lotët, gjakun dhe hirin e dëshmorëve të kombit dhe të martirëve shqiptar. Sepse, ajo me vetë pranimin që të ulet për të biseduar me delegacionin e shtetit, i cili nuk e ka dhënë edhe gjestin më të vogël të pendesës për gjenocidin që ushtroi ndaj popullit shqiptar, bëri faljen e saj. Sepse, ajo e bëri jo vetëm legalizimin ndërkombëtar të enklavave ekzistuese serbijane, por edhe të kontrollit serbijan të rreth 30% të territorit të Kosovës... Se kush janë ata që “përfaqësuan” interesat e drejta të shqiptarëve edhe në Vjenë, mjafton të lexohen edhe sipërfaqësisht deklarimet e tyre, n; lidhje me deklarimet e disa përfaqësuesve të institucioneve relevante ndërkombëtare, për mundësinë e shtyrjes së marrjes se vendimit për statusin e ardhshëm të Kosovës. Në këto deklarata, vërehet shqetësimi i thellë, jo pse mund të shtyhet vendosja e statusit të ardhshëm të Kosovës, por pse atyre do t’u sosen rrenat dhe nuk do të kenë mundësi që të vazhdojnë me mashtrimin e popullit, sepse do ta humbin besimin. Epilogu i këtyre far bisedimeve është dëshmia e pakontestueshme, se ishte i drejtë kundërshtimi në vazhdimësi dhe i vendosur i këtyre pazarllëqeve nga Lëvizja Vetëvendosje, nga disa subjekte politike dhe nga Simboli i rezistencës Bacë Adem Demaçi! Epilogu i këtyre farë bisedimeve (pazarllëqeve) ka ndikuar fuqishëm që të ngjizet, rritet dhe përforcohet dyshimi i bazuar në popull, veçanërisht te ajo pjesë e cila e çmon drejt gjakun dhe sakrificat sublime të djemve dhe vashave të tij, se mos po përsëritet historia e hidhur, sidomos, ajo me Evropën njerkë. Do të duhej ta kuptojnë përfundimisht, sa nuk është bërë tepër vonë, të gjithë ata të cilët krekosen se janë të mandatuar me votën e lirë të shqiptarëve, se nuk do të lejohen që për hir të interesave të tyre të liga dhe meskine, të luajnë me interesat legjitime të popullit, se po vazhduan si ja kanë nisur me siguri nuk do të mund t’i ikin përgjegjësisë! Është momenti i fundit, që të mandatuarit e popullit t’i lënë anash interesat e tyre të liga dhe meskine dhe të vihen në shërbim të interesave legjitime të popullit që ua fali besimin me votën e tij, duke marr vendime të drejta dhe të guximshme: 1. Për pezullimin e çfarë do forme të bisedimeve me palën serbijane, deri në momentin kur të krijohen rrethanat për të trajtuar tema, të natyrshme për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve në fqinjësi, siç janë: -definimi i vijës kufitare; -përcaktimi i vlerës të dëmshpërblimit në mjete financiare ose mallra që duhet të paguaj shteti i mundur-Serbia, vendit fitues-Kosovës, për dëmet që ka sjellë lufta (reparacionet e luftës); -kthimi i tërë dokumentacionit dhe fondeve të plaçkitura nga Serbia... 2. Për organizimin e referendumit gjithë popullor për vetëvendosje në tërë territorin e Kosovës. Natyrisht nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Tjetër rrugë nuk ka! Kjo është rruga e vetme për sigurimin e një baze të shëndosh për një paqe të qëndrueshme në Ballkanin e lodhur nga politika hegjemoniste sllavo-greke! Nuk ka arsyetim më të qëndrueshëm për vendime të tilla, se sa vullneti i më se dy milionë shqiptarëve, të cilët përbëjnë më tepër se 90% të banorëve të Kosovës. Vullnet ky i legjitimuar nga lufta e armatosur çlirimtare, të cilën u detyruan ta bëjnë shqiptarët, jo pse kishin pretendime territoriale ndaj trojeve etnike të popujve me të cilët kufizohen, por për t’u çliruar nga terrori i organizuar dhe sistematik shtetëror i përmasave të gjenocidit, që ushtrohej mbi ta nga pushtuesi serbo-çetnik, gjatë një shekulli të tërë. Kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, e cila nuk mund të kontestohet as nga Bashkësia Ndërkombëtare, sepse ky terror i shtetit serbijan u ushtrua ndaj shqiptarëve të të gjitha moshave dhe gjinive , para syve të saj! Por, si duket Bashkësia Ndërkombëtare është “viktimë” e një opinioni të gabuar për shqiptarët. Opinion ky i ndërtuar, jo vetë duke u bazuar në rrenat e pushtuesve të trojeve shqiptare, por edhe në ato të disa politikanëve shqipfolës dhe servil, për të cilët komb dhe atëmemëdhe është paraja dhe jeta e shthurur, si dhe të shumicës së përkthyesve shqipfolës, të cilët sillen si ajo lopa, për të cilën me rëndësi është të kenë çka kullosin, e pse u kërcejnë 20 mëzetër në shpinë as që mërziten fare! Ka shumë argumente të qëndrueshme që më shtyjnë të besoj se Bashkësia Ndërkombëtare nuk ka qenë dhe nuk është e interesuar për ta pasur një opinion real për shqiptarët dhe kërkesat e tyre të drejta. Ajo në raport me interesat jetike dhe të ligjshme të shqiptarëve mbetet e ngujuar brenda mendësisë oto (pis)markiane, sepse po të ishte ndryshe ajo do t’u thoshte stop, sjelljeve dhe veprimeve të disa qarqeve prosllave të saj. Po të ishte ndryshe, ajo do të merrte qëndrim të prerë dhe do të deklaronte hapur: -Se zgjidhja e drejtë dhe e qëndrueshme e çështjes shqiptare, mund të arrihet vetëm duke korrigjuar padrejtësitë historike që u janë bërë këtij populli liridashës, nga vetë Bashkësia Ndërkombëtare, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit e deri të Marrëveshjet e Kumanovës dhe Ohrit! -Ajo do t’u thoshte prerë këtyre qarqeve, që t’ia vejnë gishtin kokës dhe të rishikojnë sjelljet e tyre në raport me shqiptarët, para se t’i kalojnë kufijtë e durimit të tyre. -Se është në të mirën e përgjithshme që mos ta sjellin punën për t’u kaluar kufijtë e durimit të shqiptarëve, sepse po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme, por edhe vështirë të riparueshme! Si pasojë e hileve të njëpasnjëshme të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe të kolaboracionistëve shqipfolës, shqiptarët do të detyrohen të përgatiten për të vazhduar rezistencën dhe për të sakrifikuar çfarë është e domosdoshme, deri në krijimin e kushteve optimale për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të pa tjetërsueshme dhe të ligjshme, për t’u vetë përcaktuar dhe për të vetëvendosur për të ardhmen, vetëm në bazë të vullnetit të tyre të lirë! Me siguri, për zhvillimet që me siguri do të pasojnë, nëse nëpërkëmbën edhe njëherë interesat jetike dhe të ligjshme të shqiptarëve, përgjegjësia nuk do të bie mbi ta!
Prishtinë, me 24 tetor 2006
|