
GJENDJA E SOTME POLITIKE NË SKENËN PACIFISTE SHQIPTARE! - Fadil SHYTI
Aktorët e tragjikomedive të politikës së sotme pacifiste: pozitë dhe opozitë gjatë këtij viti herë më shumë e herë më pak pothuaj të gjithë njësoj i bënë shërbime të mëdha UNMIK-ut, kësaj dore të zgjatur të Serbisë, kur me të gjitha forcat po përpiqet sërish ta lë Kosovën dhe vise të tjera shqiptare, nën juridiksionin serb, gjegjësisht nën një kolonizim - okupim dinak, nën të ashtuquajturin administrim (sundim) i ri i EUMIK-ut. Me veprimtarinë e tyre kundër-kombëtare, tani së tepërmi i kanë mbushur kupat e pista të dehur për pushtetin e pa-shtet , tani janë zhytur thellë në kënetat pacifiste-obskurantiste, dhe si për pasojë gjendja e sotme në “gjirin e unitetit” po shihet qartë se ka një përplasje të pariparuar, nuk riparohen lehtë goditjet jo vetëm “argumentuese” por edhe grushtuese, ashtu siç riparohen karriget e tyre të përgjakura në sallat luksoze të pushtuara nga injorantët e etur për pushtetin fiktiv alla kolaboracionist të LDK-së. Populli, deri sot i mashtruar nga premtimet boshe dhe i hipnotizuar nga krekosjet adoleshente të lidershipit pacifist të cilët premtojnë e premtojnë, por asgjë nuk realizojnë -tani është ngopur e stërngopur nga gënjeshtrat pa kripë se “pavarësia e Kosovës është arritur prej kohësh, tani kjo është veç çështje formale – kur bota do të na njoh si shtet”, pastaj, deklaratat si: “viti 2006 do të jetë viti i fitores së pavarësisë së Kosovës”, nga politikanët pacifistë u harruan, por ato s´i harroi dot populli i cili ka arritur të mbijetoi qe sa vite në zgripet e një gjendjeje të rëndë ekonomike, sociale dhe politike; në gjendjen as luftë as paqe! Tani, kur populli ka filluar ta humbë durim-pritjen boshte-boshe, natyrisht se “politikanëve” po i dridhen karriget, po u tundet dheu nën këmbë! Po ngjanë kjo si kurrë më parë në veçanti pas aksioneve të pandërprera të lëvizjes VETËVENDOSJE e cila nuk i ka hyrë rastësisht kësaj rruge të ndritur për ta çuar më tej revolucionin popullor përpara, drejt fitoreve të reja, me armën më të fuqishme VENDOSMËRINË, deri në arritjen e idesë së madhe dhe tepër legjitime demokratike: VETËVENDOSJEN e kombit tonë për ardhmërinë e vet! Dëshmia më e fuqishme qe demonstrata e 28 Nëntorit 2006, nën moton e vërtetë: protesto për të festuar! Tani, pacifistët e Prishtinës të ndihmuar edhe nga faktorët e brendshëm vëllezërit e tyre siamezë të Tiranës, po përpiqen të gjejnë njëmijë e një shtigje të ikin nga përgjegjësia pa u lagur nga këneta ku janë futur dhe fatkeqësisht (për faktin se tani e kanë “pushtetin” pra, janë shumicë), që më shumë po ju pëlqen ta thonë shpesh me një fjalë të huaj : jemi maxhorancë, pastaj, si pasojë e kësaj në këtë batak nuk kanë rënë vetëm ata por e tërë Shqipëria Natyrore. Do të ishte fat sikur këta plangprishur të përpiqeshin ta nxjerrin Shqipërinë Natyrore nga kjo gjendje; por ata nuk po denjojnë ta bëjnë këtë për asnjë çast por, po përpiqen duke kërkuar edhe ndihmën e aleatëve të tyre në perëndim; (dëshmi janë paraqitjet në media dhe ecejaket e miqve të tyre aleatë) ; ta shpëtojnë lëkurën e tyre dhe më tej ta fundosin si mos më keq atdheun e shqiptarëve! Kësaj loje dinake tepër cinike dhe aspak të dobishme për popullin shqiptar i shërbyen edhe ecejaket e Ismail Kadaresë dhe Besnik Mustafajt, i pari i ra borisë së përçarjes kurse i dyti pa pikë hezitimi o turpi e bëri barazimin e heroit tonë kombëtar, Adem Jashari me një lider partie si Ibrahim Rugova i cili kurrë s´ia tha armikut një JO! Por, kurdoherë qe një servil i mjerë para xhelatëve të kombit shqiptar; për ta bërë edhe më qesharake faktin ai na mbajti leksione “ministrore” në mbrojtje të partisë simotër në shërbim të PDSH-së. Kujtojmë që Mustafaj, nuk është ministër i jashtëm atëherë kur e devijon punën e tij, kur sipas tekeve të politikës ditore, papritur kalon në ministër të brendshëm!!!... Kur e dëgjoje atë babaxhan duke folur në televizionin, “ALSAT”, të krijohej përshtypja thuajse vetëm LDK-ja qenka ajo që e paska pasur fatin e Kosovës në duar dhe vetëm rezistenca e saj paqësore e paska shpëtuar! ...Dhe, qenka kjo parti që edhe sot e paska në duar fatin e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare!!! Fatkeqësi më e madhe se t´i dëgjosh këto broçkulla të një politike absurde-ditore, nuk paska! Ky ministër i “famshëm” asnjëherë nuk qe në gjendje bile njëherë ta kundërshtonte një raport kundër-shqiptar, por, kurdoherë vetëm i falënderoi armiqtë, tani na doli me sihariqe të mëdha se gjendja në Kosovë, po ecë drejt pavarësisë, veç duhet edhe pak durim!!! Si duket Besniku, po i mbante me besnikëri amanetet absurde të Ibrahim Rugovës, kuptohet i porositur gjithmonë nga qarqe të caktuara kundër- shqiptare. ... Përkrahja e qeverisë “berishjane” për titistët e Prishtinës nuk është e rastësishme, ashtu siç mendojnë foshnjarakët politikë. Strategji e tyre, (nëse mund të thuhet se kishin dhe kanë strategji) : ishin dhe janë përpjekjet se si ta ulin e ta nënshtrojnë si mos më keq popullin shqiptar për këto vite të “sundimit” të tyre! Jo vetëm brenda por, edhe përballë faktorëve ndërkombëtarë! Pikërisht, për këto shërbime serviliste të pakufishme jo rrallë qarqe të caktuara kundër-shqiptare ndërkombëtare i kanë vlerësuar këto qëndrime “parimore” si tepër pozitive. Shqipëria, për asgjë nuk është përkrahur dhe lavdëruar më shumë nga “aleatët” e saj, sa për faktin që “ka kontribuar shumë për stabilizimin e gjendjes në Kosovë”!... Nëse sot e shohim gjendjen e Kosovës në aspekte të shumë fushave të jetës: ekonomike, politike, sociale, morale etj, vërtetë shihet katastrofë. Fatkeqësisht, hiq më kënaqshme gjendja nuk është as në Shqipërinë e cila sot po drejtohet së prapthi nga “qeveria Berisha” gjegjësisht nga këto aspekte po shihen nga aeroplani hendeqe të mëdha; shqiptarëve sot iu mungojnë elementet parësore për jetesë si uji dhe drita elektrike, për më keq atyre u mungon edhe siguria personale e cila çdo ditë po bëhet edhe më kërcënuese nga bandat kriminale të hapura e të maskuara, natyrisht këto nuk do ta bënin lesharapi Shqipërinë Natyrore, sikur të mos ishin të lidhura me një mijë e një fije me pushtetarët. Mbase, për këtë jo rrallë janë kritikuar “ashpër” edhe nga aleatët e tyre besnikë perëndimorë; por qeveritarëve të Tiranës dhe të Prishtinës nga njëri vesh u hyjnë në tjetrin u dalin vërejtjet dhe këshillat e miqve! Nuk dëgjojnë mirë, për faktin e ata si duket veshët i kanë të dhjamosur shumëfish nga korrupsioni! Korrupsioni, kjo gangrenë e shoqërisë shqiptare, sot ka hyrë si kanceri në piramidën shtetërore e cila po ia bënë popullit jetën ferr! Për t´i shpëtuar dënimit dhe për të gjetur hapësirë më tej për veprimtarinë e tyre kundër-ligjore pushtetarët fiktivë në relacionin Tiranë-Prishtinë, kanë bërë dhe po bëjnë ca ndryshime taktike në emërime, për ngritje dhe shkarkime në kupolën shtetërore, në aleancat e përkohshme derisa të kaloj “stuhia”, pa qoftë edhe në stilin sipas këshillave të “miqve” pajtim si macja me miun! Sipas këtyre ecejakeve të Besnik Mustafajt , lind dyshimi i bazuar me fakte se mos Berisha e ka dërguar ministrin e tij”të jashtëm” , edhe për ndonjë lloj kontrabandë si ajo me naftën dikur me “allishverishe” me Serbinë; sepse Berisha me kompaninë e tij nuk mbijeton dot pa kontrabandë të zezë! Për më tepër as ”homologët ” e tij në Kosovë nuk bëjnë tjetër punë, pra diçka të mirë për atdhe përpos kontrabandave. Pastaj, hiqen kinse këtë paskan bërë vetëm për hir të “unitetit”, për ta çuar Shqipërinë përpara, pra, drejt integrimit evropianë; apo për t´i shërbyer pavarësisë së Kosovës – ku i dëgjon populli këto fraza boshe, sikur i mbushet mendja : ah! sa të devotshëm qenkan pushtetarët tanë!!! Shihni sa sakrifikojnë të shkretët, për ta bërë Shqipërinë të përparuar! Por, në fakt çdo ditë që po kalon oratoria e tyre mashtruese “demokratike” po pëson fiasko!!! Këta, pushtetarë “të djegur” për unitet se paskan hallin për Shqipërinë, por për karriget e tyre që ta trashin turpin dhe pasurinë!!! Tani, pas skandalit të turpshëm me karrige dhe për karrige në “shtëpinë e bardhë” paqësore të LDK-së, po dëgjohen zëra se LDK-ja, do të ndahet në dy pjesë; sipas terminologjisë së re kronikale “krahu i Dacit” dhe ai i Sejdiut, thua se po u bëka çameti: harrohet tani qëllimisht se ka kohë që po na ndahet Kosova, e nuk u bë kaq zhurmë as s´ u mor kurrë nga politikanët kjo si tragjedi; por si krejt diçka e natyrshme, si diçka e paqëndrueshme, si diçka e përkohshme!!! Klanet për pushtetin fiktiv po i hapin “krahët” e qyqeve, ndërsa Kosova e përgjakur po heq të zitë ullirit, nga ndërkëmbëzat që po ia sjellin deri sot, pikërisht këta qyqarë me fluturimet e tyre në relacionin: Vjenë-Prishtinë dhe gjetiu... Tani, si duket makinacione të reja politike po dalin sheshit në skenën politike të Kosovës; Bexhet Pacolli, po i përgatitë valixhet të kthehet në Kosovë, nga anët e botës: Rusia apo Johanesburgu (si biznesmen i madh që është) sikur dikur Ante Markoviqi dhe Leka Zogu, që i premtonin ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë pasuri përrallore, edhe Bexhetit, iu paska mbushur mendja të kthehet në Kosovë me valixhen plotë deviza, a pastaj do ta bënë Kosovën “kopsht me lule”!!! Lexuesit e nderuar duhet ta kuptojnë se qëllimi i Rusisë është që në Kosovë të “investojë" , të bëjë komplote ekonomike me qëllim që Kosova të dështoj edhe si shtet d.m.th, indirekt përmes misionarëve të saj si Bexhet Pacolli të pushtoj ekonomikisht arteriet shtyllat kryesore mbi të cilat qëndron dhe zhvillohet Kosova. Para dy javësh Kohë më parë këtë ide bashkëpunimi ekonomik e ka dhënë ambasadori rus, në televizionin “ALSAT” . Ky, është një plan shumë i rrezikshëm strategjik që forcat kundër-shqiptare të jashtme të dominojnë nesër mbi fatet tona! Pra, Bexhet Pacolli, në këtë moment kaq delikat po dërgohet nga shërbime armike (ruse) për ta marrë kalanë nga brenda! Ndërsa, tani Bexhet Pacolli, po hiqet se këtë e bënë vetëm për veten e tij!!! Jo, zotërinj, këto broçkulla politike bajate nuk shkojnë! Po, ky njeri i “sakrificave të mëdha” për Kosovën, nuk mundet ad-hokë me ardhur në pushtet pa ndihmën e sharlatanëve titistë të cilit do “krah” të LDK-së, pa harruar orekset e Veton Surroit, të cilit po i bie kambana e “Orës” gati në 05 min pa 12.00; për ta futur nën sqetulla homologun e tij biznesmen!... Kujtojmë këtu se derisa, Leka Zogu, ishte jashtë vendit (në Johanesburg e gjetiu) ; shqiptarët shpresonin dhe thoshin: kur të kthehet mbreti në Tiranë do të bëjë mrekullira; por pasi u kthye ky “burrë i djegur për Shqipërinë Etnike” bile “triumfalisht” hyri në Tiranë, me (patllake), revolver në dorë; por, pastaj iku si pulë e lagur, as nuk bëri as po bënë mrekullira, në dobi të Shqipërisë. Çudira po bënë Berisha, i cili në vend se t´ia kërkojë arin e popullit të grabitur nga babi i tij, Saliu, me qeverinë e tij i jep troje dhe pallate si me qenë ato troje dhe ato pallate të babës Ramë!!! Tani, popullit të Kosovës, s´i mbetet tjetër veç të qanë prej gëzimit, se pas ndryshimit të aktorëve të dramës në skenat e tragjikomedive të politikës kosovare, gjithçka do të shkojë si në vaj ulliri... Sido që të rrokullisen ngjarjet e reja; për popullin shqiptar duhet të kuptohet me kohë dhe të dihet si në dritën e diellit se: asgjë e mirë nuk i erdhi nga pacifistët dje, asgjë e mirë s´po i vjen as sot, dhe asgjë e mirë s´do t´i vjen as nesër!!! Prej atyre që si atdhe, e kanë shndërruar “mëhallën” e tyre, në mos ardhshin të këqija tjera , si ato që i dimë deri sot; për të mira të mos shpresohet!!! Në Shqipërinë Natyrore po ngjanë kështu, sepse në fakt askund në trojet shqiptare sot nuk ka një opozitë të fuqishme brenda institucioneve të shtetit që t´i mbrojë fuqishëm interesat e vërteta gjithëkombëtare! Sot, kjo i duhet Shqipërisë më shumë se gjithçka. Siç po e shohim opozita e vërtetë (kujtoj këtu partitë dhe shoqatat përparimtare kudo në Shqipërinë Natyrore), që po mendon dhe po vepron ndryshe në dobi të atdheut, ka mbetur jashtë kornizave të institucioneve, për faktin e hidhur se populli dje dhe sot ende po ju beson fjalëve e jo veprave të atyre që se meritojnë pushtetin dhe të atyre që i shkelin në çdo ditë dhe orë ligjet e shtetit. Të atyre që dinë të bëjnë njëmijë e një dredhi për veten e tyre por nuk dinë apo nuk duan të bëjnë ligje që i duhen shtetit shqiptar. Kujtojmë në këtë rast se në Kosovë ka kohë që ka kaluar afati për t´i mbajtur zgjedhjet e reja qendrore; ato nuk po mbahen sepse po pritet “statusi i Kosovës”!!! Nga kjo konstatojmë se këta pushtetarë të tipit bajraktarë ka kohë e kanë humbur legjitimitetin! Populli shqiptar, duhet të kthjellohet sa më parë aq më mirë për të: t´i nderojë dhe t´i dëgjojë bijtë e bijat më të mirë të tij; ata që interesat e tyre personale i kanë shkelur dje, po i shkelin sot dhe do t´i shkelin edhe nesër për interesat e mëdha gjithëkombëtare! Pra, me votën e tij, t´í qes në ballë këta udhëheqës atdhetarë që gjatë tërë jetës së tyre e deri sot nuk u pajtuan kurrë që trojet shqiptare të bëhen monedha kusuritjeje në dobi të interesave të shteteve të huaja sllave e të tjera... Suedi, 25.12.2006 |