Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Editorial- Kadare i adhuruar nga të huajt....

TEMAT

 Shpirti i turmës...

Si u largova nga Shqiperia

 Kadare, nderi ynë

 Listat zgjedhore

 Shqiperia dhe terrorizmi

 Lëvizja Vetëvendosje

 Vetvendosja e Kosovës

 Anatemimi i Kadaresë

 Denoncimi i së keqes 

 Lufta dhe statusi i Kosovës 

 Ligji i KLD dhe Kushtetuta 

 Letër institucioneve 

 31 Janari 97 ditë dhembje

 Vepër e atyre...

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Kadare, i adhuruar nga të huajt, i anatemuar nga shqiptarët

Para disa kohësh axhensioni i njohur “BOOKER PRIZE FOUNDATION” e vlerësoj shkrimtarin e shquar shqiptar Ismail Kadare me titullin “Njeriu ndërkombëtar i librit”, çka vinte natyrshëm, pos të tjerash, edhe si njëfarlloji “shlyerje borgji” sadopak, të asaj padrejtësie të madhe që i është bërë shkrimtarit të “vendit të shqipeve”, pikërisht në dhënien e NOBELIT. Edhe pse është merituar prej vitesh, kurora e këtij çmimi ka shëtitur kokë më kokë, por pa u ndalur dot në atë të Kadaresë tonë. Në këtë trajtesë, më shtyu dukshëm një intervistë e Shaban Sinanit, drejtues i institucionit ku sendërtohet “memoria e një kombi”, ose thënë në konstekstin administrativo-burokratik, Arkiva Qendrore e vendit. Ka kohë që ky studiues serioz, ka sjellë për lexuesin dëshmi mjaft interesante nga “Dosja Kadare”, duke qenë jo thjeshtë afirmues dhe promocionues i një personaliteti, që në të lexuar edhe mund të perceptohet si idhull i tij, por duke sjellë në një ekulibër perceptimesh që i transmeton tek lexuesi pa kurrfarë emocione dhe mjaft asnjanësisht. Dmth, shkurt dhe me fakte dokumentare. Mendoj se të tjerët, para këtij studiuesi skrupuloz që bibël të vetëm ka materialet arkivore, që e sendërton përfundimin vetëm mbështetur në këto dhe jo në spekullime perifrazimesh apo paragjykimesh, ia vlen ta dëgjojmë me kujdes sa i përket “dosjes Kadare”. Megjithëse jam i bindur se do të ketë sot e gjithë ditën, njerëz të shkolluar apo jo, kryesisht dhe mbase dhe vetëm shqiptarë, që do ta anatemojnë pafundësisht Kadarenë, sall se i ra për hise të jetonte fizikisht në kohën e dikaturës, anipse ia ka bërë skanerin në mënyrën më perfekte që ndokush shkrimtar i Lindjes e ka bërë deri më tashmë. Natyrisht, Kadare mbijetoj, mbijetoj për të rrëfyer, për të rrëfyer siç di ai të rrëfejë.

Për lexuesin e këtij web-i desha të sjell sadopak ekstratin e kësaj interviste pas botimit të “Dosja Kadare”. Ka një botim të paradokohësh nga Sinani nën këtë emërtim, ndërsa tani duket se ka disa shtojca interesante, (në “Dosja Kadare II”) ku shihen qartë qëndrimet e ashpra që janë mbajtur ndaj shkrimtarit nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve, që nga funksioni i saj nënkuptonte një shoqatë solidarësh. Por që duket se kur KQ i PPSH-së ka mbajtur një qëndrim ndëshkues ndaj veprës së Kadaresë, Lidhja ka reaguar me frymë ndëshkuese shumë herë më të fortë. Kjo Lidhje ka shërbyer si “gardianja” më vigjilente për të mbrojtur “pastërtinë ideologjike”, por që gjithsesi kjo frymë është përdorur skajmërisht për të arritur edhe qëndrime personale. Sinani thotë se “Një Dosje për Kadarenë II”, është një hap drejt së vërtetës, e cila ekziston si një proces i pafundmë verifikimi dhe rishikimi. Të vërteta të fundme ka vetëm në besim. Këtu ai le hipotezën dhe hidhet në një pyetje tjetër. (Për kë e ka fjalën?! Le të presim botimet e tjera….)

Shqiptarët, i njëjti mentalitet me të shkuarën

Është për t'u studiuar si dukuri, atë cfarë ka ndodhur me Kadarenë, pikërisht, edhe kur në dritë po dalin gjithnjë e më shumë fakte të pamenduara. Por ka dhe një shfrim të tejcinikshëm ndaj fakteve të botuara, dhe rasti më flagrant i ndalimit kokëfortë në të njëjtin mentalitet të të shkuarës është anketa e organizuar nga “The Booker Prize Foundation 2005”, në prag të shpalljes së fituesit të çmimit “Njeriu Ndërkombëtar i Librit”. Anketa qe e hapur për të gjithë, shqiptarë dhe të huaj. Por sipas rregullores së vendosur bashkëvendësit e një shkrimtari nuk do të ndikonin në vlerësimin e jurisë. Dhe megjithëse, besohet se, shumica e shqiptarëve që kanë shprehur mendime në këtë anketë, e kanë ditur këtë rregull, pra, e kanë ditur se mendimin e tyre nuk do ta marrë kush në konsideratë, nuk kanë ngurruar të shprehen me një gjuhë që zakonisht është përdorur vetëm në kushtet e “Luftës së Ftohtë”, kurse sot shoqëritë e qytetëruara e quajnë “hate speech”, (fjalë të urrejtjes), dhe përpiqen t'i shërojnë psikologjikisht të sëmurët prej saj. Po të vësh re, gjithë lëndën e anketës, është e cuditshme se si gjithë të huajt, papërjashtim janë shprehur vetëm me vlerësime shumë dashamirëse dhe krejtësisht mbështetëse për dhënien e çmimit “Njeriu Ndërkombëtar i Librit” shkrimtarit shqiptar I. Kadare. Janë shprehur me admirim edhe ata që kanë pasur mundësi të lexojnë vetëm një vepër të tij. Janë shprehur në shkallë sipërore malazezë, bolivianë, australianë, kanadezë, gjermanë. Ndërsa vlerësimet e shqiptarëve pjesëmarrës në këtë anketë, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, jashtëzakonisht të rrallë (gjithsej vetëm 2-3 raste), kanë qenë krejtësisht kritike dhe të vrazhda, fyese, poshtëruese, të llogaritura për të ushtruar presion mbi jurinë që të mos ia jepte çmimin Ismail Kadaresë. Shaban Sinani e ka përkthyer këtë anketë imtësisht, ndaj dhe do të jepet dhe për lexuesin e këtij WEB-i, ku e dij fort mirë, se edhe brenda këtu në mes miqsh, ka miq të Kadaresë, por dhe të kundërt të kësaj fjale për shkrimtarin e madh shqiptar. Gjithsesi, duket se te shqiptarët ekziston një kompleks bashkësie: derisa je i lavdëruar në krahinë, të bëjnë monument, -ashtu siç konkludon studiuesi Sinani, -por po e kalove lavdinë përtej kufirit, atëherë të përbaltin, të njollosin, të shajnë, të nxijnë dhe ndoshta, po të kishin në dorë, edhe të varrosin. Nëse “Një dosje për Kadarenë” do të ketë edhe një ribotim tjetër, këto denoncime të depozituara pranë një jurie ndërkombëtare do të ishin shkencërisht të vlefshme për t'u bërë pjesë e tij, pikërisht në funksion të studimeve krahasimtare, për të vërejtur se ç'po ngjet me ndërgjegjen shqiptare në këtë kalim të vështirë prej shoqërisë së vigjilencës në shoqërinë e hapjes dhe transparencës. Më konkretisht, të sjellim pjesë nga dy anketat, me shqiptarët së pari, dhe më pastaj me të huajt. Lexuesi dedukton vetë në arsyetimin e tij:

ANKETA-1
Shqiptarët kundër Kadaresë

Pjesa e parë e letrave të shqiptarëve kundër Kadaresë në anketën e shpallur nga bordi i “The Booker Prize Foundation 2005”

I . “Ismail Kadare ishte kolaboracionisti më i madh i sistemit diktatorial në Shqipëri. Ai shkroi për famën e diktatorit, i cili ishte një monstër pa shpirt, që nuk i dridhej dora të ndëshkonte as pleqtë dhe fëmijët. Nëse diktatura vrau me armë, shkrimtari vrau me penë. I kam lexuar komentet e atyre individëve që nuk e njohin situatën makabre të periudhës komuniste në Shqipëri, ku pjesa më e madhe e të dënuarve ishin të pafajshëm. Ky është thelbi”. Anonime, Shqipëri; shkurt 22, 2005 16:15.

II. “Unë isha fëmijë, në moshën tetëvjeçare, kur në vitin 1945 më mbyllën në një kamp përqendrimi. Unë u lirova në moshën 54-vjeçare! Në këtë kohë shkrimtarit komunist I. K. nuk i interesonte kjo situatë që kishim ne. Si një shkrimtar goditës që ishte, ai i aprovonte të tilla trajtime çnjerëzore”. Selman Kelmendi, Norvegji; qershor 15, 2005 08:13.

III. “Ai ka mbështetur sistemin diktatorial në Shqipëri. Si mund ta vlerësoni atë me çmimin e një prozatori të zot, kur ai ka mohuar të drejtat njerëzore të popullit të tij?” Gazmend Zogaj, Austri; qershor 15, 2005 07:50.

IV. “Ambicioz dhe karrierist. Aventurier. Hipokrit. Gënjeshtar. Me letërsinë e tij ka dhunuar të drejtat njerëzore të mijëra viktimave të pafajshme. Ai nuk ka thënë kurrë një fjalë të mirë në mbrojtje të të burgosurve politikë. Ai ka mbështetur dhunën diktatoriale”. Rozina Davidi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; qershor 14, 2005 17:26.

V. “Hitleri, Stalini, Çaushesku, Pol-Poti, Enver Hoxha, që të gjithë ishin diktatorë të përgjakshëm, të cilët I.K. do të donte t'u ngjante për të ngritur suksesin e vet, duke shkatërruar atë të kolegëve dhe të bashkatdhetarëve të vet, duke i ekzekutuar apo dënuar me vdekje në burgje apo kampet e përqendrimit”. Nikollë Vukaj, Serbi dhe Mali i Zi; qershor 14, 2005 10:21.

VI. “Ai është konsideruar si shkrimtar i mirë, por ai gjithashtu ka shkruar shumë mirë për djallin. Unë nuk di nëse dikush që vihet në shërbim të djallit duhet të vlerësohet për mirë. Gabim për një shkrimtar. Do të ishe i justifikuar nëse ti nuk do ta njihje sistemin komunist diktatorial në Shqipëri. Atëherë ti do të kishe të drejtë”. Telemaku, viktimë e diktaturës, Rumani; qershor 14, 2005 10:00.

VII. “Eshtë absurde t'i jepet ky çmim një shkrimtari që ka qenë i privilegjuari i diktatorit të përgjakshëm komunist Enver Hoxha, përgjegjës për krime të tmerrshme kundrejt popullit të tij”. Kostaq Karavelo, Greqi; qershor 13, 2005 10:19.


Përfundim:

Denoncuesit ose “romanvrasësit”, siç i quan Kadare, me sa duket nuk janë vetëm krijesa të diktaturës. Letrat e tyre, anonime ose jo, kanë gjetur dyer të reja dhe madje edhe teknologji të reja në ditët tona. Tani nuk i adresohen më Komitetit Qendror të PPSH-së, por institucioneve ndërkombëtare pranë jurive të çmimeve botërore. Në një anketë të hapur pranë jurisë së “THE BOOKER PRIZE FOUNDATION”, e cila e vlerësoi shkrimtarin shqiptar me titullin “Njeriu ndërkombëtar i librit”, Shaban Sinani, autori i librit “Një dosje për Kadarenë”, ka gjetur një shtojcë të re për dosjen Kadare. “Denoncime” të reja, nisur me postë elektronike, por të një fryme të vjetër, shkruar të gjitha nga shqiptarë kundër dhënies së çmimit “Men Booker Prize” Kadaresë.

 

ANKETA-2 Të huajt, të gjithë pro Kadaresë për çmimin

Pjesa e parë e letrave të të huajve pro Kadaresë për t'u zgjedhur Njeriu Ndërkombëtar i Librit, sipas anketës së shpallur nga bordi i “The Booker Prize Foundation 2005”
I. “Ismail Kadare është një shkrimtar i shkëlqyer, i ardhur nga një vend i mbetur mënjanë. Shqipëria, “vendi i shqiponjave”, ka qenë një vend i ndarë nga e gjithë bota, në kohën kur Kadare shkroi veprën e vet. Ai është pa dyshim një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit të 20-të. Vepra e tij, e pasur dhe e vëllimshme, u shkrua gjatë një kohë kur nga Shqipëria nuk na vinte asnjë zë. Kadare ishte zëri i këtij populli të mënjanuar. Vepra e tij më ka ndihmuar të kuptoj rajonin e ndërlikuar të Ballkanit, historinë e tij, njerëzit, mitologjinë e përbashkët që lidh grekët dhe shqiptarët. Por ai është gjithashtu një zë universal, që ka dëshmuar kompleksitetin e shpirtit njerëzor”. Sylvain Decelles, Kanada; shkurt 21, 2005 01:12.

II. “Ai është një nga shkrimtarët më të mirë, ndonëse i një gjuhe të panjohur dhe i një vendi të panjohur po ashtu. Ai përshkruan histori të njerëzve të habitshëm në situata të vështira. Romanet e tij janë aq të fuqishëm në përshkrimin e marrëdhënieve njerëzore”. Daniel Michel, Meksikë; shkurt 19, 2005 03:28.

III. “Unë kam parë një film që mbështetet në motive të veprës së I. Kadaresë dhe që atëherë nisa të lexoj romanet e tij dhe i pëlqeva shumë”. Peter Miler, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; mars 09, 2005 23:58.

IV. “Një autor origjinal dhe me fantazi. Mora rastësisht librin e tij “Koncerti”, para dy vitesh, dhe më pëlqeu shumë. Eshtë diku ndërmjet Kafkës dhe Kamysë në stilin e të shkruarit”. Tomas Blomquist, Norvegji; mars 19, 2005 06:09.

V. “Shkrimtar i shkëlqyer. Do të doja t'i kisha të gjithë librat e tij të përkthyera në anglisht ose spanjisht”. Robert Hugos, Bolivi; mars 17, 2005 10:32.

VI. “Unë mendoj se ai është një autor i shkëlqyer dhe meriton të vlerësohet për veprën që ka shkruar dhe për përfytyrimin që na ka dhënë për Shqipërinë”. Oana Mihaela, Hong Kong; mars 14, 2005 23:28.

VII. “Vetë vepra e Ismail Kadaresë flet për vlerat e saj. Ai është një prozator, librat e të cilit përmbajnë njëri mbi tjetrin kuptime të dyfishta: në njërën anë nga shkrimtari kritikohet regjimi stalinist dhe nga ana tjetër ai arrin të mbijetojë, sido që në kushte të vështira. Ne e kemi njohur Shqipërinë nëpërmjet veprës së Ismail Kadaresë”. James Krapf, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; mars 14, 2005 23:28.

VIII. “Jam duke lexuar “Urën me tri harqe”. Më pëlqen tej mase. Të rrëfesh kaq shumë histori në një roman të shkurtër dhe njëherësh të përdorësh një gjuhë shumë të bukur”. Rinskeop de Hoek, Hollandë; maj 04, 2005 20:13.

IX. “Asnjë shkrimtar tjetër nuk e ka përshkruar regjimin totalitar siç e ka bërë ai. Romanet e tij janë metaforë e jetës nën diktaturë. Personazhet e tij janë plot me jetë. Edhe pse, herë pas here, ata janë vendosur në situata të çuditshme, në thelbin e tyre janë shfaqur në mënyrë reale”. Rafael Michel, Meksikë; maj 04, 2005 16:19.


Poezia e Kadaresë për “romanvrasësit” me të cilët, me sa duket, ka parasysh denoncuesit e tij


ROMANVRASËSI


Në presidiume, midis shefash
A nëpër mbledhje pak më rrallë,
Ti shfaqesh thjesht e buzëqeshës
Dhe sytë i mbyll dhe flet ngadalë

Dhe thonë shefat: sa i thjeshtë,
Dhe thonë njerëzit: ç'babaxhan.
Kështu shpërndahet kjo legjendë
Në auditore anembanë.

Kështu shkon dita... Por vjen nata
Kur në tryezë rri, oh ç'tmerr!
Lëkurën befas heq si maskë
Dhe një fytyrë tjetër del.

Dhe letrat hap, çantën e krimit
Jo më për prozë lapsin zë,
Por për të shkruar denoncimin
Për të varrosur prapë dikë.

Dhe shkruan fjalët: “ekuivoke”,
“Ka aludim”, “kuptim dyfish”,
Ndërsa e ndien si spërkat duart,
Gjaku i romanit që jep shpirt.

Makbethi tha dikur: s'e prisja,
Të kish kaq gjak Dunkani plak...
Por një roman nga plagët shpuar
Nxjerr shumë e shumë më tepër gjak.

Ndaj nga spërkatja e tij nuk mundesh,
Nuk mundesh kurrë të shpëtosh dot...
Më kot vë maskën në fytyrë
Dhe buzëqeshjen vë më kot.

Dikur kinezët m'u në këmbët
E varrit të heroit q'u tret,
Varrosnin vrasësin, që bashkë,
Lavdi e turp t'ishin përjetë.

Do të kujtohesh dhe ti, mbase,
Por veç nën këmbët e dikujt,
Do çajnë shekujt kështu bashkë
Lavdi e tij dhe yti turp.

1984.

Në fakt, a nuk është si sot e asaj dite, tani në shekullin e ri, në teknologjitë e reja. Dhe jo vetëm për Kadarenë!... Të tjerëve, na mbetet të ngushëllohemi nga kjo sjellje fyese dhe linçuese ndaj tij.

Përgatiti: Gjergj Marku

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net