Në sofrën bujare të familjes Mrijaj në New York
Nuri i bukurisë së nuses Valbonë hijeshon, përkrah fisnikërisë së dhëndrrit Nikollë
Don Pjetër Popa: “Nikollë e Valbonë, qofshi të lumtur në jetën tuaj të re bashkëshortore, gëzime e hare pastë gjithmonë familja e juaj e re”
Nga Klajd Kapinova, New Rochelle New York
GREENTREE CONTRY CLUB, New Rochelle, New York. Orët e para të mëngjesit të së shtunës, në shtëpinë e madhe të familje Mrijaj, Yonkers në New York, gumzhinë nga miqtë e shumtë, që kanë ardhur nga disa shtete të Amerikës. Kënga e hareja, buzëqeshja dhe sofra e pasur bujare e të zotit të shtëpisë Tomë Mrijaj, i kanë dhënë sfondit të gëzimit për martesën e çiftit të ri, një kuptim të ri. Një shi i imët ledhaton miqtë, në hyrje të shtëpisë…
Valbona, duke jetuar minutat e fundit të vajzërisë, gjendet përpara vëllai të vogël 5-vjeçar Joseph Dedvukaj, i cili, sipas traditës së hershme arbërore në trevat e Malësisë, i ka mbathur këpucët e bardha të nuserisë motrës së vet. Vogëlushi, buzëqesh e puth me gëzim motrën e dashur, duke i uruar në shqip e anglisht jetë të lumtur me Nikollën. Tashmë Kosova dhe Malësia e Dedë Gjon Lulit, janë më pranë njera-tjetrës në një sofër, në gëzimet e çifteve të reja, që çdo ditë i shtohen komunitetit shqiptaro-amerikan.
Limozina e bardhë, gjarpëron në rrugë e shoqëruar nga dhjetra makina të tjera të dasmorëve e antarëve të familjeve Mrijaj e Dedvukaj, drejt Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale Neë York. Nusja e bukur, me delikatesën e një sorkadheje, shoqërohet deri tek elteri nga vëllai Pashko Dedvukaj, që me emocione gëzimi e shoqëron drejt dhëndrrit simpatik Nikollë. Përmes perlave të muzikës klasike, të kënduar nga baritoni amerikan, në elter si himn shpirtëror kumboi “Ave Maria” e Shubertit (në botë ka disa versione kompozimesh për Ave Marinë). Në Shtëpinë e Zotit, mbizotëron heshtja, por edhe gëzimi në fytyrat e dhjetra shoqëruesve, që janë dëshmitar të një lidhje të re martesore pranë elterit… Dhjetra gra dhe vajza të bukura, të shoqëruar nga partnerët e hijshëm, bënë përcjelljen gjatë vendosjes së kurorës në Kishë.
Ende vijoi të rigoi shi i imët, që është simbol i bereqetit për çiftin e ri. Valbona e Nikolla, qetësisht i afrohen elterit dhe mbasi bëjnë kryq ulën në karrigën e nderit për të ndjekur meshën kushtuar kurorës së martesës, në prani të Krishtit, që është dëshmitar i kësaj lidhje të re bashkëshortore. Don Pjetër Popaj, famullitar i Kishës, në predkun e tij, u ndal në rëndësinë, që Krishti, i ka kushtuar familjeve të reja. Martesa e bekuar nga meshtari, e bën lidhjen e çiftit të ri të fortë e të qëndrueshëm në prani e në mbrojtje nga Zoti i gjithpushtetshëm. I gjithë pretku i bariut shpirtëror, ishte një mesazh i ngrohtë për martesën, besnikërinë e burrit dhe gruas, duke iu gjendur pranë njeri-tjetrit në ditë të mira dhe vështira, rritur dhe edukuar fëmijët e tyre nën frymën e shëndoshë të traditës shqiptare dhe fesë të vertetë të Krishtit.
Roberti i vogël, afrohet pranë e i jep meshtarit dy unazat, të cilat, i bekon e ua ofron çiftit të ri. Ata ia vendosin njeri tjetrin në gishtin e besëlidhjes si një familje të re. Nikolla, i përgjigjet pyetjes së bariut shpirtëror nga elteri, se a është i gatshëm të lidhësh jetën bashkëshortore me Valbonën. Dhëndrri me buzëqeshje thotë: Po. E njëjta skenë gëzimi e kënaqësie, shprehet në premtimin pohues të bashkëshortes Valbonës, e cila, shoqërohet nga dasmorët me duatrokitje, buzëqeshje, blica të shumtë të aparateve fotografik, kameramanëve, që fiksojnë dëshminë e një familje të re.
Për disa minuta vijojnë fotografitë me Don Pjetrin, familjen Mrijaj, Dedvukaj, vëllezërit, motrat e çiftit, miqtë, dashmirët, që kanë udhëtuar qindra milje me makinë, për të marrë pjesë në kurorën e martesës në Kishë.
Viktor e Lisa Martini, kanë ardhur nga Bostoni, afrohen të parët dhe urojnë çiftin. Viktori i gëzuar, i thotë Nikit, se: “Babai yt më ka ndihmuar shumë, kur kam ardhur në Tokën e Bekuar të Amerikës. Sot edhe pse kam një vdekje në familje, kam ardhur, për t’iu uruar ju lumturi e harmoni në familjen e re, dhe më pas do të nisëm në Europë për të kryer ritin e varrimit të motrës time…”
Ish-sekretari i Tuk Jakovës, autori i dy librave filozofik Bep Kuqani, një burrë stoik 70-vjeç, ndonëse me vështirësi në ecje, i lodhur nga vuajtjet në burgjet komuniste, sëbashku me djalin Gencin dhe Esmeraldën, kanë ardhur nga Connecticut, për t’iu bashkuar gëzimit me miqtë e familjes Mrijaj. E gjeografia e pjesëmarrjes në këtë ditë gëzimi, është e gjërë. Dhjetra malësorë nga Detroit-i, Chicago, Florida, New Jersey, Boston-i, dhe New York-u me rrethina, janë mbledhur në tokën amë, që për të gjithë shqiptarët janë qendrat fetare, kulturore arbërore. Kisha dhe restoranti sot, ku do të gëzojnë bashkëatdhetarët tanë, do të jenë familje, që bashkojnë në sofrën e madhe vëllezërit nga trojet etnike, që prej shumë dekadash jetojnë e punojnë në ShBA.
Karamele, bombona, sheqer, hidhën mbi çiftin e ri, nga dasmorët e shumtë, që kishin formuar një koridor, ku kaloi buzëqeshja rinore, bukuria, fisnikëria, tradita, bashkëkohorja e ngjisur thellë në cilësitë e Nikollës e Valbonës, që ndonëse kanë lindur e rritur në Amerikë, flasin, shkruajnë e lexojnë shumë mirë gjuhën amtare. Ata janë vërtetë shqiptarë. Kur Don Pjetri, e pyeti çiftin, se a doni që ritin t’a bëjmë në gjuhën angleze, ata thanë njëzëri, se jemi shqiptarë dhe duam që kurorën e martesës t’a vëmë në gjuhën e nënës.
Në kushtet e reja, në një mjedis e diversitetet të larmishëm nacionesh e kulturash në Amerikë, emigrantët e parë arbëror (çiftet e reja), kur erdhën në Tokën e Bekuar të Amerikës, sollën me vete doket e zakonet e zonës, qytetit, katundit të vendlindjes. Ky respekt u shpreh edhe në dasmat e përziera nga treva të ndryshme etnike, bënë që të respektohet me rigorozitet deri në ditët tona, traditat e hershme të familjeve, fëmijët e së cilës lidhen jetën e tyre bashkëshortore.
Bardhësi ngjyrash, dlirësi shpirti, muzikë e vallëzim shqiptar e amerikan
Kjo ishte mënyja, që mbizotëroj në martesën, që zhvilluan për dy ditë me radhë Nikolla e Valbona Mrijaj nga New York-u. Limozina e mbushur me përcjellës të dhëndrrit dhe nunes, nisën ritmin e këngës të hershme shqiptare: “Sa e bukur na ka dalë nusja”, duke e përshkruar portretin fizik, shpirtëror dhe hijesinë e saj me vellon e bardhë të dëborës.
Greentree Contry Club, 538 Davenport Avenue New Rochelle, New York, në orën 6:00 P.M., filloi ceremonia e gëzimit të familjeve Mrijaj e Dedvukaj, dasma, ku do të fillojnë jetën e re bashkëshortore dhëndri Nikollë Mrijaj me zonjushën Valbona Mrijaj (Dedvukaj). Kokteji, ishte menduar të ofrohet në pishinën, lulishten shumëngjyrëshe buzë brigjeve të oqeanit Atlantik. Për arsye të shiut, që nuk pushoi gjatë gjithë kohës jashtë ambientëve të restorantit, kokteji u zhvillua në sallën e madhe të darkave. Lisa e Tomë Mrijaj, si menazher të kujdesshëm për darkën festive, japin porositë e fundit dhe shoqërojnë çiftin e ri në parkun e bukur të lokalit, për të fiksuar këtë ditë të magjishme në aparatet dhe kamerat e shumta, që prisnin prej ardhjen e personazheve kryesor të dasmës. Lisa, nëna e dhëndrrit, nuk e mban gëzimin, lotët e kristaltë, që i rrukullisën në mollëzat e faqeve; kjanë nga gëzimi për djalin e vet elegant Nikollën, që tashmë është bërë burrë e zot shtëpie në familjen e re.
Toma, Kenny, Arbeni, Gjini, Zefi dhe kumbara Zef Berisha, miku i shtëpisë, që ka ardhur prej Kosove Hilë Gojani, daja i dhëndrrit Gjon Gega, Luigj Perlleshi, Franush Kçira, Margoni, Gjevalini etj., qëndrojnë në hyrje të derës së lokalit dhe presin e vendosin në vendet përkatëse miqtë, që fillojnë të vijnë. “Mirë se erdhët!” dhe “Mirë se ju ka prue Zoti në gëzimin tonë të përbashkët!”, janë fjalët, me të cilët, të zotët e shtëpisë, presin të gjithë mysafirët.
Gjithçka është organizuar në mënyrë përfekte, duke ofruar të njëjtën shije e kulturë arstokracie në dy ditët e dasmës së familjes Mrijaj me Dedvukaj. Vërtetë një ambient i bukur, me gusto dhe estetike tipike amerikane, me nuanca e shije tradicionale etnike, është përgatitur për një dasëm bashkëatdhetarësh.
Që në orët e para të mbrëmjes numëri i pjesëmarrësve arriti mbi 800 vetë. Tavolinat me numër, e bënte më të lehtë sistemimin e dasmorëve. Karakteristikë, për dasmat arbërore, është numëri i madh i miqve, të ftuarve, shokëve dhe të afërmve. Në sfond duket Ardiana Gjelaj, që më çifteli në dorë tek akordon telat dhe sinkronizon vokalin e saj me DJ e grupet muzikore. Hana Nikprelaj, shoqërohet nga orkestra dhe këngëtarët profesionistë: Alexander Gjelaj e Baku Gjelaj, kanë udhëtuar nga Detroiti, për të gëzuar çiftin me fondin e zgjedhur muzikor. Gjatë gjithë natës së parë dhe dytë, në sfond dëgjohen tingujt e muzikës së bukur popullore kosovare dhe të malësisë, muzikë e lehtë shqiptare dhe amerikane. Një kamera gjigande digital e drejtuar nga aparatet kompiuterike, jep gjithë natën fotot e çiftit, familjes, miqve dhe shokëve.
Sipas zakonit, mbas ardhjes së nuses me dhëndrrin në sallë, ritmi e hareja, rritën sëbashku me galdimin e dasmorëve, që nisin të kërcejnë e këndojnë sëbashku këngët e bukura të gurrës popullore. Edhe amerikanët e ftuar, si miq të hershëm dhe të rinj të familjes Mrijaj, kërcejnë dhe ndihen si në shtëpinë e tyre.
Këngëtari i dasmës, ka një detyrë më shumë, mbasi i duhet të bëj rolin e paraqitësit të ceremonisë së mbrëmjes. Kështu, nën tingujt e lehtë muzikorë, ai fton para dasmorëve që të hynë në sallë lajmëtarët e nuses, fëmijët e vegjël Antonio Matici dhe Julietta Gega, të cilët, mbajnënë duar e tundin me gëzim kumbonët e vegjël, duke lajmëruar se nusja po vjen. Dy flamurtarët (bajtaktarët): Luigj Perlleshi e Franush Kçira, ndezin më shumë gëzimin e dasmës. Prindërit e dhëndrrit baba e nana: Tomë e Lisa Mrijaj, afrohen me hap të qetë tek përshëndesin me dorë dasmorët, duke ia lënë vendin afrimit të hallës së dhëndrrit Age Pergega dhe nanës Marte Mrijaj. Me buzëqeshje hynë në sallë çiftet: Kenny e Terese Mrijaj, Filip e Vjollca Gega, Arben e Flora Mrijaj, Roland Krasniqi dhe e fejuara Elizabetha Mrijaj, Robert Perlleshi e Donika Mrijaj, Gjokë e Zoja Berisha, Christopher e Violeta Mrijaj, Vilson e Bore Markaj, Arber e Albana Gega, Bekim e Valentina Lleshaj, Margon e Kristina Mrijaj, Krist dhe Teuta Perlleshi, Gjevalin Mrijaj e Leonore La Bella, Anton Mrijaj e Zhaklina Shahini, Arbert e Gabriela Mrijaj, deveri dhe dasmoresha: Dukagjin Mrijaj e Ardiana Gjelaj; fëmitë e luleve: Robert e Anita Mrijaj; kumbara e ndrikulla: Zef dhe Marte Berisha.
Pjesa më kulmore e dasmës, është kur futën në sale mes gëzimit e muzikës dhëndrri dhe nusja Nikollë Mrijaj e Valbona (Dedvukaj) Mrijaj. Rreshti i çifteve, përmes simbolikës e traditës shqiptare, formon një rrugicë në dy rreshta e me duart të lidhura lart, tregon se çifti i ri po hyn në shtepinë e re. Këngët dhe vallet popullore, ruajnë ritmin e gjallërinë e tyre, si për një ditë feste të tillë, ku shpesh kërcen edhe dhëndrri e nusja.
I mbushur me emocione gëzimi, avokati i njohur Nikollë Gjelaj, dhëndërr i shtëpisë Mrijaj, përmes një elokuence të përzgjedhur, uron në anglisht-shqip, në emër të familjeve Mrijaj e Dedvukaj, mirëseardhjen të gjithë dasmorëve. Ai ndër të tjera tha, se ndjehet i gëzuar në këtë ditë, mbasi sot lidhin jetën dy të rinj nga familjet e njohura shqiptare në Kosovë e Malësi. Janë bijtë e familjeve të njohura për besë, urtësi, tradita atdhetare, bujari, nder e mikpritje. Nusja e bukur Valbona, vjen nga dera e njohur e Dedë Gjon Lulit, vëllezërve Kolë e Mark Mirit, Kapiten Gjelosh Lulit e Dedë Miri Dedvukaj, ndërsa dhëndrri, është nipi i intelektualit e burrit të urtë të Kosovës kreshnike Pren e Nikollë Mrijaj dhe babait Tomë Mrijaj, i njohur në të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Tretë të Prizrenit (1962) në New York, për veprimtarinë e tij për çështjen e Kosovës.”
Avokati Nikollë Gjelaj, tregon se tashti është momenti, kur deveri dhe dasmoresha Dukagjin Mrijaj dhe Ardiana Gjelaj, largojnë velin e nuserisë dhe zbulojnë bukurinë e nusës Valbona Dedvukaj Mrijaj. Gotat e shampajës dhe urimet nisin rë vërshojnë drejt çiftit të ri…
Majori qytetit të Yonkers-it Mr. Phil Amicone, përshëndet, çiftin e ri për darkën e bukur të shtruar sot, të zotët e shtëpisë Tomë e Lisa Mrijaj, që janë edhe miqtë e hershëm të tij, kolegen e vet në City Holl, Mrs. Lisa Mrijaj dhe të gjithë dasmorët. Ai thotë, se është i lumtur, që për të dytën herë ndodhet në dasmat e kësaj familje, duke shtuar se është krenar se punon me një shqiptare shumë e aftë në administratën e Bashkisë së qytetit.
Darka, u bekua me lutjen shpirtërore nga i përndershmi Don Pjetër Popaj, i cili, në përshëndetjen e tij, me fjalë të zgjedhura foli me shumë respekt për dy familjet e njohura në vendlindje dhe Amerikë. Ai i uroj jetë të lumtur dhe bekime çiftit të ri.
Sërisht, muzikë, këngë e valle. Në tavolinën #10, Bepi me djalin Genc Kuqani dhe Esmeralda, ishin në humor, duke treguar shpesh barcoleta të holla shkodrane. Mësuesja Rita Ndoja nga Shkodra, këndon lehtë dhe kërcen me elegancë muzikën e bukur popullore shkodrane. Ismet Ukë Sadiku, është i gëzuar dhe bën disa fotografi me çiftin dhe mikun e vjetër Tomë Mrijaj. Pak më tutje, Luigjina me Sokol Tahirin, sëbashku me vajzën e tyre të vogël Sonila, kërcejnë dhe bëjnë humor me miqtë e tyre Valmir Tahirin, Paulin Gjinin, Nikolinin dhe Valentina. Në dasmen e Nick-it me Valbonen, është në sofër e gjithë Shqipëria, Kosova, Malësia, Çamësia dhe arbërorët e Maqedonisë. Të gjithë, janë miqtë e familjes Mrijaj, të shtrirë gjeografikisht në trojet etnike shqiptare, Europë dhe Amerikë.
Pranë tavolinës afrohet me gotën e rakisë shqiptare, i zoti i shtëpisë Tomë Mrijaj. Bepi, mbasi ngrihet për respekt në këmbë, i drejtohet atij: “I dashtun mik, megjithëse kam marrë pjesë në shumë dasma, një darkë të tillë, kam mundur t’a shoh vetëm nëpër filma. Ky gëzim, që po ndajmë sëbashku të gjithë, është me të vërtetë një mrekulli.”
Këngëtarja elegante Adriana Gjelaj, motra e dhëndrrit, me zërin melodios, duke i rënë çiftelisë së saj, dhuron këngët e bukura “Thrret Prizreni mori Shkoder” dhe “Shtatë shaljanët”. Ajo merr duatrokitje frenetike nga dasmorët dhe për të kënaqur sërisht ato këndon putpuri popullore të krahinave të tjera etnike. Ardiana e gëzuar edhe në ditën e dytë të dasmës, këndoi me elegancë e zë melodioz putpuri me këngë popullore. E mbas tij si gjithnjë poligloti i kulturuar Sebastian Shahini, duke iu afruar tavolinave të dasmorëve këndoi buçetë nga fondi i muzikës së bukur qytetare prizrenase. Gratë e familjes Mrijaj, të mbledhur përballë nuses, i këndojnë sipas traditës bukurisë, me këngë të improvizuara në çast…
Torta, puthje dhe kërcimi i valsit të dashurisë
Akrepat e orës, ecin me shpejtësi mes gëzimit, valleve, këngës dhe humorit të njerëzve në sofrën e madhe bujare të familjes Mrijaj. Dhe vjen momenti, kur nusja e dhëndrri, të rrethuar nga dasmorët presin tortën e martesës, në majë të së cilës është simboli i tyre, i zbukuruari i gjithë me krem të ëmbël. Nikolla dhe Valbona, i dhanë njeri-tjetrit një lugë nga ëmbëlsira e dasmës dhe shampaja, për një jetë të ëmbël plot dashuri. Vajzat dhe djemtë e shumtë, thërrasin “Kiss!”, “Kiss!”, “Kiss!” dhe çifti bujar, plotëson dëshirën e spektatorëve dasmorë…
Tingujt e lehtë të muzikës së dashurisë, ftojnë çiftin të prehet në krahët e njeri tjetrit, duke krijuar një ambient imtim, romantik dhe emocional për vajzat dhe djemtë beqar. Nusja, sillet mbrapa dhe ashtu e kthyer me shpinë nga admirueset dasmore, u ledh tufën e luleve vajzave, që presin edhe ato një ditë të nuserohen…
Të duket e pafund kjo natë magjike. Sërisht muzikë e vallëzim, ku nëna Lisa vallëzon me djalin e vet Nikollën, ndërsa babai Tomë kërcen me Valbonen nusen e djalit. Princeshës së dasmës, nuses Valbona, gjatë vallëzimit me vëllain e madh Pashkon, i rrëshqasin lot gëzimi, në një atmosferë lumturie…
Vonë, kur dita e re kishte shtyrë të vjetrën, dasmorët duke u përshëndetur me dhëndrrin, nusen dhe pjesëtarët e tjerë të familjes, nisin të largohen, duke marrë me vete mbresat e një nate të paharruar. Sfondi i pasdasmes i ngjan një pikture, ku mbas gëzimit, kanë mbetur e mjedisit, që rrezatojnë ngjyrat e verës, shampajës, frutave, pjatave e gotave të boshatisura, dhjetra shamijave të kuqe dhe bardha, që gjenden në dysheme, karrigeve dhe tavolinave, që sistemohen nga epikipi i sherbimit të restorantit. Tashma, ata po përgatitet për ditën e re, ku sërisht çifti dhe dasmorët do të ndajnë gëzimin e ditës së dytë të dasmës së Valbonës me Nikollë Mrijaj.
Pikat e lehtë të shiut puthin pambarim xhamat e makinave dhe limozinës, ku kanë hypur për t’u kthyer e mbërritur në folezën e re të çiftit të ri. Karvani i gjatë i makinave, është i zbukuruar me lule e pelhura të bardha, ku trandofilat ende gjenden në xhepat e organizatorëve të dasmës, që vertëtë janë të lodhur por të gëzuar, se janë dëshmitarë të një martesë të bukur e mbresëlënëse, që organizuan familjet Mrijaj e Dedvukaj.
Atmosfera e gëzimit, më kishte bërë robër në fiksimin ne celoluid të magjisë së kësaj nate, që përjetuan bashkëtadhetarët nga trojet etnike arbërore. Ndërsa ndiqnim çiftin e ri, tek largohet mes blerimit të pemeve e dritave shumëngjyreshe të rrugëve dhe makinave tona, limozina e bardhë e çiftit, rrëshqiste udhëve të autostradave, në fluturimin e saj në detin e qetësisë dhe dashurisë së përjetshme të Nikollës me Valbonën… Ata, kanë prerë biletat, për të bërë muajin e mjaltit në një nga ishujt e bukur të Amerikës Qendrore… Urime, lumturi dhe gëzime paçi përherë në familjen tuaj të re!
|