Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Intervista-Neritan Ceka

TEMAT

 Moikom Zeqo  

  Kolë Jakova

  Mentor Quku

  Pjetër Arbnori

  Neritan Ceka

  Ndoc Gjetja

  Rudina Xhunga

  

  

  

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

Mirdita, lugina e Matit, e Fandit dhe e Drinit, ishin boshti i Arbërit të hershëm.

Pyetje: Kohët e fundit ju zgjodhët Mirditën për të paraqitur librat tuaj “Ilirët” dhe “Butrinti”, ku jeni pritur shumë mirë nga intelektualët vendës, ashtu si dhe të tjerë studiues e shkrimtarë nga Tirana të cilët në Rrëshen kanë gjetur një klimë të re krijuese e promovuese të kulturës .

Përgjigje. Këto janë libra që i drejtohen një publiku të gjerë dhe pikërisht atyre që kanë një përgatitje kulturore. Nga ana tjetër, duke trajtuar probleme historike me interes të gjerë, ato janë edhe libra që kanë nevojë për diskutim publik. Si çdo krijues unë kam ndjerë nevojën për të qenë pranë lexuesve të mij dhe për të dëgjuar përshtypjet dhe vërejtjet e tyre. Duket si një paradoks, por marrëdhënie të tilla me lexuesit nuk vendosen më në qendrat e mëdha, sepse ato janë zevendësuar nga kontakti i tjetërsuar përmes ekranit. Pas shumë vjet përvoje përballë kamerave unë e kam ende të vështirë të shoh, dhe aq më shumë të ndjej përtej objektivave të tyre, shkallën e reagimit të lexuesit për librin tim. Këtë raport mund ta vendosësh vetëm në ato qytete që ruajnë dimensionet njerëzore, ku njerëzit kalojnë ende orë të tëra duke lexuar dhe ku mblidhen për të takuar një shkrimtar apo studjues më me dëshirë se sa për takimet politike. Kjo është arsyeja që unë zgjodha Rrëshenin për prezantimin e librave të mij, ashtu siç kam parapëlqyer universitetet e Elbasanit e Gjirokastrës, manastirin e Apollonisë, apo pallatin e kulturës në Sarandë.

Pyetje : Kur keni shkelur për herë të parë në Mirditë dhe cili ka qenë qëllimi i asaj ardhjeje të parë mes mirditorëve. Nga sa dini, a kishte një gjykim për këtë trevë dhe babai juaj, arkeologu i parë shqiptar, profesor Hasan Ceka?

 

Përgjigje. Kontaktin e parë me Mirditën e kam pasur në vitin 1960, kur si student mora pjesë në gërmimin e tumave ilire në Bushkash të luginës së Matit. Natyrisht kjo ishte një zonë anësore e Mirditës, por njohja me të më ndihmoi për të krijuar një koncept më të qartë për Mirditën, e cila ka një shpalosje demografike shumë më të gjerë se kufijtë administrativë të saj. Që ateherë kam vizituar pjesë të ndryshme të Mirditës, por duhet të pranoj se e njoh më mirë atë përmes miqve të mij të shumtë mirditorë, si dhe përmes librave.

Im atë, Hasan Ceka, pati gërmuar për disa vjet tumat e Matit dhe në arkivin e tij ka shënime e fotografi nga ajo kohë. Në bisedat e dikurshme e përmendëte shpesh Mirditën si një nga qendrat e rëndësishme të kulturës ilire, por edhe asaj arbërore. Ai mendonte se banorët e lashtë të Mirditës kanë qenë pirustët, metalurgë të njohur të antikitetit ilir.

Pyetje : Gjetjet arkeologjike në Mirditë, kryesisht ato të periudhës së mesjetës, flasin për një kulturë të mirëfilltë shqiptare, ku ndikimet e huaja janë të papërfillshme, në një kohë që disa prej tyre përbëjnë vlera unikale, si përkrenarja ilire e Perlatit, mbishkrimi epigrafik i Gëziqit etj.

Sa e pasuron nëntoka e Mirditës hartën arkeologjike shqiptare?

Përgjigje. Lugina e Matit dhe Mirdita kanë dhënë dëshmi të një kulture të zhvilluar ilire në shekVIII-I p.Kr. Arkeologët e kanë lidhur këtë fakt me shfrytëzimin e pasurive minerale të Mirditës, kryesisht bakrit. Me rëndësi duhet të ketë qenë edhe qarkullimi i udhëtarëve, mallrave dhe kopeve nëpër luginën e Matit e të Fandit. Qendra politike e kësaj periudhe gjendej në thellësi të luginës së Matit, në kalanë ilire të Xibrit. Gjatë mesjetës qendra e gravitetit politik dhe kulturor shpërngulet në luginën e Fandit. Aty, në Prosek dhe Bukël gjenden edhe dy nga nekropolet më të rëndësishëm të kulturës së herëshme arbërore të shek.VII-XI. Nuk është e rastit që edhe mbishkrimi i Gëziqit, që dëshmon arkeologjikisht qendrën e shtetit të parë të Arbërit, ndodhej në këtë luginë. Ky ndryshim duhet spjeguar me funksionimin e një rruge të rëndësishme mesjetare, e cila lidhte qendrën bizantine të Durrësit me trevën e Kosovës, të pasur me drithëra e metale. Ishte kontrolli i kësaj rruge që ngriti familjen e fuqishme të Dukagjinëve, të cilët në shek.XIII e zhvendosën qendrën politike të krahinës në Prizren.

Thesari arkeologik i Mirditës është ende pak i kërkuar, megjithëse ka dhënë materiale dhe qendra të rëndësishme, duke filluar nga periudha e neolitit, dhe veçanërisht ato të kulturës së tumave ilire të Perlatit, Bushkashit, Bazjes, etj. Një interes të veçantë paraqet gjurmimi i mëtejshëm i kulturës arbërorë, jo vetëm në nekropolet e tipit të Prosekut, por edhe në mundësinë e gjetjes së vendbanimeve të kësaj periudhe.

Pyetje: Mirdita, me monumentet e saj të vjetra, si kuvendet benediktine, kishat, kalatë (si ajo e Vigut), fortifikatat, me doket dhe traditat e veta ka qenë fushë studimi për vendas e të huaj, duke nisur të paktën që me A. Bue afër mesit të shekullit XIX. Cili mendoni se është shkaku që kjo trevë e të tjera treva veriore tërheqin asokohe vëmendjen e hulumtuesve, diplomatëve, udhëpërshkruesve, si dhe institucioneve të huaja perëndimore?

Përgjigje. Pjesa më e madhe e studiuesve të shek. XIX e shikonin historinë në mënyrë retrospektive, pra niseshin nga e sotmja drejt së kaluarës. Si piknisje për këtë lloj vështrmi historik shërbenin pikërisht ato krahina ku lashtësia ishte ende e paturbulluar nga jeta moderne. Kjo është arsyeja që studiues të arkeologjisë apo të etnologjisë ju drejtuan Mirditës me hulumtimet e tyre. Ka luajtur rol edhe fakti se Mirdita ishte një njësi autonome, që tërhiqte vemendjen e konsujve evropianë të akredituar në Shkodër. Një pjesë e këtyre konsujve, si Ipeni, Degrandi, etj., ishin njëkohësisht edhe studiues shumë të mirë. Mirdita së bashku me Matin patën tërhequr edhe vemendjen e studjuesit gjerman G.Shtadtmyler, i cili pati konstatuar mungesën e plotë të emrave sllavë në atë trevë. Si rrjedhim ai formuloi teorinë sipas së cilës kjo trevë përbën bërthamën qëndrore ku u formua gjatë mesjetës popullsia arbërore. Nekropolet arbërore të Buklit e Prosekut, si dhe mbishkrimet e Gëziqit e mbështesin vërtetësinë e kësaj teorie. Unë do t'i shtoja kësaj teorie mendimin se Mirdita dhe, më gjerë, lugina e Matit, e Fandit dhe e Drinit, ishin boshti i Arbërit të hershëm, për faktin se ofruan lidhjen natyrore midis dy hapësirave të mëdha shqiptare: asaj bregdetare adriatiko-joniane dhe asaj kontinentale, kosovare-shkupjane.

Pyetje: Gjetjet arkeologjike të derisotme dëshmojnë vazhdimësinë e jetës në Mirditë, ku sidomos ato të periudhës iliro-arbënore hedhin dritë për lashtësinë e kësaj treve dhe më gjerë - ndërkohë që nuk janë kryer gërmime e studime të mjaftueshme, veçanërisht në pesëmbëdhjetë vjetët e fundit, kur dhe për arkeologjinë janë krijuar mundësi të reja. Çfarë do të rekomandonit ju si një arkeolog me përvojë të gjatë në këtë kontekst?

Përgjigje. Gërmimet arkeologjike janë kufizur shumë në periudhën e tranzicionit për shkak të mungesës së fondeve. Gjithashtu ato janë orientuar drejt qendrave të mëdha arkeologjike, të cilat janë interesante për bashkpunimet me universitetet evropiane, por që nuk ndihmojnë përherë për sqarimin e problemeve të rëndësishme të historisë sonë të lashtë. Për fat të keq Mirdita ka mbetur jashtë vemendjes së kërkimeve arkeologjike dhe ka vetëm një rrugëdalje nga kjo gjendje. Kjo është përdorimi i potencialit të vet intelektual, si dhe angazhimi i arkeologëve të rinj që kanë mbaruar vitet e fundit. Bashkia e Rrëshenit, e cila ka bërë mjaft gjëra të mira për rregullimin e qytetit, mund të investojë shuma jo të mëdha për rinovimin e muzeut, si dhe për nxitjen e kërkimeve arkeologjike në rreth. Një inisiativë e tillë do të përkrahej edhe nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave. Orientimi kryesor i këtyre kërkimeve mund të ishte pikërisht kultura arbërore dhe dëshmitë e principatës së Dukagjinëve. Një temë me interes do të ishte edhe historia e krishterimit në Mirditë, duke ndjekur rrënojat e kishave dhe manastireve të hershme.

Pyetje: Neritan Ceka, si një ndër studiuesit dhe arkeologët më në zë të Shqipërisë, në shkrimet dhe studimet që ka në projekt të botojë, a ka diçka të veçantë dhe për Mirditën, ndonjë dëshmi të re rreth saj, ndonjë thellim apo pasurim i atyre që janë thënë e shkruaur deri me sot?

Përgjigje. Kohët e fundit, pas botimit të librit tim “Ilirët” më ka tërhequr gjithmonë e më shumë tema e vazhdimësisë ilire-shqiptare. Një nga aspektet më interesante të kësaj teme është ajo që quhet kujtesa historike, pra gjithshka që ruhet brezpasbrezi në traditën gojore. E gjithë principata e dikurshme e Dukagjinëve është një minierë ende e paeksploruar mirë në këtë drejtim. Mark Tirta është një nga studjuesit që e ka trajtuar këtë temë veçanërisht në lëmin e besimeve popullore. Unë kam në planet e mija një studim të vazhdimësisë së toponimeve antike dhe mesjetare, si dëshmi e vazhdimësisë historike dhe etnike në këtë zonë.

Pyetje: Së fundi, Ju, në pozicione të ndryshme, si profesor, studiues, deputet, ministër keni pasur kontakte dhe bashkëpunime të afërta me mirditorë. Ç'mund të veçoni nga bashkëpunimi me ta?

Përgjigje. Si studiues kam gjetur në Mirditë një ambient intelektual të interesuar për studimet e mija. Kam inkurajuar pasionin e Nikollë Dodës për këkimet në Prosek e Kodër Rrëshen ashtu siç e inkurajoj edhe tani që të ndjekë shembullin tim për ta ushtruar arkeologjinë krahas politikës. Natyrisht që disa mirditorë i kam pasur miq para vitit 1990, por pjesën më të madhe i kam njohur gjatë viteve të fundit. Janë miq që të krijojnë siguri dhe që të rrinë më afër në ditë të vështira se sa në kohë të bukura. Më pëlqen tek ta qëndrueshmëria, natyra e drejtpërdrejtë dhe modestia. Ende nuk kam njohur ndonjë mirditor mëndjemadh dhe ndjenja e masës, metri për të matur vetveten, është cilësia që çmoj më tepër tek mirditorët.

Bashkëbisedoi Gjon Marku

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net