INXHINJER ZABJELINI DHE UNE-nga Gjon NDREJA
Inxhinier Zabjelini , për mua është personazhi me i dashur, i “Orëve te Kremlinit”. Bashkëmoshatarët e mi dhe te tjerë, janë ne dijeni te mesazhit qe përcjell kjo dramë. Duke ju kërkuar ndjese lexuesve te mi por ne respekt te atyre qe për shkaqe te ndryshme nuk e njohin, episodi ne fjale mund te përmblidhet: Pas revolucionit te Tetorit ne Rusi, me vendosjen e administratës se re, inxhinier Zabjelini një personalitet i fushës se tij, projektues i orëve te Kremlinit (një ndër simbolet e Rusisë) , pushohet nga puna. Për te mbijetuar kthehet ne një shitës ambulant te shkrepëseve te fabrikës “Llapshin” te cilat me gjithë përpjekjet dhe thirrjet e inxhinierit te talentuar nuk kishin sukses ne treg. Largimi i tij nga puna ishte ne përputhje me teorinë leniniste sipas te cilës, pas fitores se revolucionit, hapi i pare qe duhet te ndërmerrej nga pushteti ishte thyerja e makinës se vjetër shtetërore dhe ndërtimi i një administrate te re nëpërmjet spastrimeve te elementeve te vjetër te administratës se Carit. Inxhinier Zabjelini ishte një nga “viktimat” e kësaj teorie. Por një dite Orët e Kremlinit ndaluan se punuari dhe askush nga administrata aktuale nuk mundi t'i vinte ato ne pune. U thirr inxhinier Zabjelini....
Duke u sorollatur këto dite neper rrugët e Tiranes si një nga te papunët e rinj, takova shume “Zabjelinë” shqiptarë te cilët me sollën ne mendje Zabjelinin rus. Unë takova “inxhiniere” si Altinin, Bashkimin apo Franin te cilët për te njëjtën arsye si Zabjelini, tashme ndodheshin ne kërkim te ndonjë mundësie për “shitjen e shkrepëseve” ashtu siç takova “kryeinxhinierë” te cilët nuk po i përmend me emra por qe bënin rezistence për te mos kapur “tezgën e shkrepëseve”, ne kërkim te ndonjë zgjidhje tjetër me te denje për ta. Unë e di se lexuesi i këtyre rreshtave do te me qortoje për krahasimin jo shume te gjetur dhe te vjetër, por me besoni se jam plotësisht i bindur se ne thelbin e tij ka mjaft ngjashmëri, ashtu siç jam i bindur se situata aktuale ne Shqipëri pas zgjedhjeve te tre Korrikut nuk duhej te kishte asnjë ngjasim me Rusinë e pas revolucionit. Kjo edhe për faktin se ne Rusi kishim te bënim me ndërrim sistemesh ndërsa ne Shqipëri kemi te bëjmë me ndërrim pushtetesh. Mesazhi i “Orëve te Kremlinit” është i tille qe edhe ne ndërrimin e sistemeve, duhet ruajtur ajo pjese e administratës qe përben thelbin funksionues te shtetit për shkak se pa të është i pamundur një funksionim normal i veprimtarisë publike. Dhe ne se do t'i referohemi koncepteve moderne për një administrate publike civile atëherë mund te themi pa frike se praktikat aktuale te qeverise ne këtë faze dhe qe lidhen me administratën publike nuk kane kurrfarë përqasje me standardet europiane. Vini re këtu valën e shkarkimeve te pafund ne te gjitha institucionet dhe vërshimin ne to te militanteve te palës fituese. Nuk besoj se ka mbetur ndonjë drejtor bujqësie, arsimi apo shëndetësisë “ne këmbë” neper rrethe, pas kësaj kryqëzate demokratikase. Motivet janë nga me te ndryshmet dhe varjojnë , qe nga “pjesëmarrja ne fushatën elektorale te PS” , “Shtimi i ritmeve ne pune”, “një vizion i ri për reformat”. Nuk jam i sigurte ne se ka pasur motive dhe shkaqe qe kane te bëjnë me gjatësinë, peshën, ngjyrën e flokëve apo te syve etj. Me padurim largohen nga puna doganiere apo nëpunës tatimesh vetëm e vetëm për t'ju bere vend presionit te militanteve qe mbështeten gjate fushatës grupe apo individë te caktuar afër qeverise aktuale.
Me lehtësinë me te madhe largohet nga puna drejtori i arkivit te shtetit, protagonisti kryesor i modernizimit te këtij institucioni, drejtori i muzeut kombëtar një personalitet i njohur i kulturës tone dhe drejtore te tjerë institucionesh qendrore vetëm për shkak se kane punuar ne qeverinë e kaluar. Për hir te se vërtetës duhet thëne se disa syresh nuk kane as pikëpamje socialiste ose te majta por fale “liberalizmit” te qeverise se kaluar kane punuar me përkushtim për realizimin e programit te saj dhe si te tille po kthehen ne viktima te qeverise aktuale. Asnjë alternative nuk u jepet këtyre njerëzve për kontributin e tyre por ne mënyre te pamëshirshme hidhen drejt e ne rruge duke shtuar radhët e Zabjelinëve. Dhe kështu deklarata e kryeministrit përpara medias dhe institucioneve ndërkombëtare se “asnjë nëpunës nuk do te largohet për arsye politike” duket me shume se qesharake. Ajo qe te le fare pa mend, janë emërimet e nëpunësve ne postet e shërbimit civil. Sipas ligjit për statusin e nëpunësit civil një kandidat mund te emërohet ne një post te tille pas procedurave te konkurrimit te hapur te cilat ne rastin me te mire zgjasin jo me pak se tre muaj. Por tashme strukturat janë plotësuar me emra te rinj “te komanduar” pa kurrfarë konkurrimi dhe qe janë te sigurt se ne njëqind përqind te rasteve do te “fitojnë” konkursin kur do qe ai te zhvillohet. Këto dite pashe një lajmërim ne gazete ku ishin botuar shpalljet për vende te lira për 8 tete kryetar Dege Dogane nga 10 dege qe janë gjithsej dhe për 17 vende te lira për kryetare Degësh Tatimesh ne rrethe ku ftoheshin te interesuarit te konkurrojnë. Ne qofte se vendet e lira si me sipër nuk janë krijuar nga largimet për shkaqe politike, atëherë mbetet qe ato te jene krijuar si rezultat i ndonjë epidemie tjetër si gripi i pulave,sepse nuk ka mundësi qe te krijohet gjithë kjo “vakance”,vetëm ne rastet kur një institucion fillon veprimtarinë nga fillimi. Kjo është një shkelje e hapur e ligjit pasi ne asnjë rast ky ligj nuk parashikon “komandimin” nga lart te nëpunësve ne postet civile. Praktika e derisotme e menaxhimit te shërbimit civil ka njohur raste kur për shkaqe te domosdoshme dhe për arsye te paparashikuara mund te komandohet një nëpunës civil brenda strukturës aktuale me kusht qe ai te mos konkurroje për pozicionin qe është komanduar. Por se sa politike janë këto komandime duket edhe nga fakti se te gjitha procedurat bëhen nga strukturat politike si ministri, zv.ministrat ,shefat e kabinetit dhe jo nga Sekretari i Përgjithshëm qe është personi përgjegjës sipas ligjit për menaxhimin e shërbimit civil, për rolin dhe pozicionin e te cilit do te ishte i nevojshëm një trajtim i veçante për vete faktin ku ky pozicion po katandiset. Organigrama nga me te ndryshmet nëpërmjet bashkimeve te funksioneve pa kurrfarë ngjashmërie apo efektiviteti, ose shkurtimi drastik i strukturave për te cilat është investuar shume nga shteti shqiptar dhe partneret tanë ndërkombëtare po “përligjin” largimin e nëpunësve civile. Mungesa e transparencës ne ndërtimin e këtyre strukturave, shmangia e sekretareve te përgjithshëm te ministrive dhe puna me një grup te ngushte militantesh te porsa ardhur ne ministri qe nuk kane “haber” se ç'fare është bere këto tete vjet ne administratën publike, te bën te mendosh se nuk kemi te bëjmë thjesht me shkurtime te administratës. Gojët e këqija thonë se brenda gjashtëmujorit te dyte strukturat dhe numri do te ndryshojnë përsëri ne rritje por kjo nuk duhet besuar. Rastet janë nga me te ndryshmet por shembulli i bashkimit te dy drejtorive te cilat kane te njëjtin përshkrim te vendit te punës dhe kalimi ne te ashtuquajturën “liste pritje” te dy drejtoreve aktuale, duke komanduar te tjerë nga jashtë është një rast i pa precedent dhe tepër i rrezikshëm qe tregon drejtpërdrejt arsyen e shkurtimeve, ristrukturimeve etj. broçkulla pa fund dhe ka për qellim te vetëm për te përligjur spastrimet politike. Kjo është një sfide e hapur ndaj ligjit nga një force politike qe para se gjithash është deklaruar se do te respektoje vetëm ligjin, gjë e cila duhet te shtoje vëmendjen e forcave politike dhe te institucioneve ndërkombëtare, reagimin qytetar dhe intelektual për monitorimin hap pas hapi te veprimtarisë se qeverise ne mënyre qe te mos prodhohen efekte refraktare.
Dhe duke e përfunduar këtu këtë shkrim, për dijeninë e lexuesve inxhinier Zabjelinin e thirren përsëri ne Kremlin, ndërsa ne po presim te ndalojnë “orët” e kësaj qeverie por kjo do te jete shume keq jo vetëm për qeverinë por për ne te gjithë.
|