Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Monumente Natyrore

TEMAT

  Harta Administrative

  Mirdita Etnike

  Thënie për Mirditën

  Personalitete

  Popullsia

  Stafi

  Numratori Telefonik

  Aktualitet

  Monumente Kulture

  Monumente Natyre

  Guidë

  Intervista jonë

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

MONUMENTE NATYRORE TË MIRDITËS

 

Natyra është treguar bujare më Mirditën, duke i dhënë një terren të larmishëm dhe ekzotik në tërësinë e vet. Luginat e lumenjëve, pllajat në lartësi e brendësi të maleve, ujrat nëntokësore, burimet e lakmueshëm, pyjet e shumllojshëm e gurët e dobishëm janë vetëm një pjesë e bujarisë së natyrës së këtij vendi.

 

Munella

 

Mal në kufirin Pukë-Mirditë, që në Majën e Kryqit arrin lartësinë më të madhe, l99l metra. Shtrihet midis luginës së Fanit të Madh në veripërendim dhe Fanit të Vogël në juglindje. Zgjatimi i këtij mali që bie në sy ngado është 6 km në gjatësi dhe 3 kilometra në gjërësi. Pjesa kulmore ka sipërfaqe të valëzuar, kurse shpatet formojnë rrëpira. Munella është kurrizujëndarës midis dy Fanajve. Deri në ll10 metra ka pyll dushku, më lart deri në l600 metra pyje pishe dhe ahu, kurse mbi këtë lartësi mali është i zhveshur nga pyjet. Pjesa e sipërme ka kullota alpine të begata. Si dhe ne vise të tjera malore të Mirditës, ka arinj, derra të egër, gjela ta egër e kafshë të tjera me gëzof. Në brendësi ruan minerale të pasura, bakri etj.

 

 

Bjeshkët e Kaçinarit

 

Të njohura në harta dhe si Bjeshkët e Kuzhnenit, përbëjnë një bllok të pandarë me bjeshkët e Tërbunit (Pukë), me majën më të lartë atë të Suçelit l476 metra. Bjeshka e Kaçinarit shtrihet në pjesën veriore të lumit Fani i Madh. Është përgjithësisht një bjeshkë e rrafshët, nga më interesantet në Veriun e Shqipërisë, me dy fusha (Laja e Madhe dhe Laja e Vogël), Fushën Gjobardh, Fushë Benën, Livadhin e Hamzit etj. Është shfrytëzuar për disa dhjetëvjeçarë lënda pyjore e saj, si dhe bimet industriale qershigla, kërpurdha etj. Lloji kryesor është pisha e zezë. Bjeshka e Kaçinarit ka një toponimi mjaft pikante që dëshmon pastërtinë dhe vjetërsinë e fjalës shqipe. Burimet ujore të kësaj bjeshke sigurojnë bimësi të shendetshme në fshatrat Kuzhnen, Gjegjan, Kaçinar, Arrës, Shtuf, Shëngjergj, Gjazuj. Nga kjo bjeshkë nis burimi i lumit të Gjadrit që përshkon Zadrimën me të cilën kufizohet Mirdita në pjesën perëndimore të saj.

 

Shpellat e Grykës së Valit

 

Janë katër shpella të vendosura midis fshatrave Përlat Epër, Lufaj, Laç-Bruç, me emrat: Shpella e Nezirit, e Këputës, e Pëllumbave dhe e Valit. Janë të gjitha shpella masive të krijura në shkëmbinj gëlqerorë, si rrjedhojë e gërryerjeve karstike. Forma e tyre e përshtatshme, ka bërë që banorët e hershëm t'i përdornin për banim. Kjo është e vërtetuar nga gërmimet arkeologjike dhe objektet e gjetura në to. Sot janë strehë e shpendëve dhe kafshëve të egra. Karakteristike është shpella e pëllumbave, ku gjithhere ka qenë strehë e këtij shpendi të mrekullueshëm.

 

Shutrria

 

Shutrria (Shutrreja) është një burim ujë nëntokësor i fuqishëm që ndodhet midis Kurbneshit dhe Mërkurthit, në Grykën e Selitës rreth 20 m mbi lumin e Urakës, në anën e malit të Mullit. Në sipërfaqe të tokës është një pus i thellë rreth 30 m, i cili të mundëson uljen në gropën nga kalon uji me shushurimën e tij të përjetshme. Lumi i nëndheshëm sjell prurje të konsiderueshme. Hamendësimet për rrugën që ndjek ky ujë janë nga më të ndryshmet por deri tani është vërtetuar se nuk ka lidhje me lumin e Urakës, i cili buron jo larg këtij burimi nëntokësor. Nuk është vërtetuar nëse derdhet përsëri në Shutrrinë e Bruçit. Provat e bëra deri tani nuk kanë sjellë ndonjë të dhënë të saktë për komunikimin e këtyre dy burimeve.

Në vitet '80 u investua për të nxjerrë një sasi uji të këtij burimi për të vaditur tokat e fshatrave Kurbnesh, Zajs, Bardhaj dhe Lëkundë. Sistemi i vaditjes ishte i mbështetur tërësisht në tubacione dhe kanale betoni në një largësi rreth l0 km, i cili funksionoi vetëm disa vite, pasi u prish në vitin 1992.

 

Lisat e Marpepës

 

Kanë qenë, siç thuhet, l2 lisa në një kodrinë në bregun e Fanit të vogël, buzë xhadesë që shkon në Mashtërkor dhe degëzimit për nëGrykë Orosh. Prej kohësh numri i lisave ka rënë, por nuk është prerë asnjë prej tyre më vonë, si një vetëdije e banorëve për rëndësinë si monumente natyre të Lisave të Marpepës. Jo rastësisht ata janë aty, po se gjurmë të hershme të historisë flene në rrënjët e tyre. Gjurmët e Mirditës së vjetër dhe të kishave të përmendura në mesjetë, si ajo e Shën Kollit, janë dëshmi të një vendbanimi të zhvilluar në kohë të hershme.

 

Ultinjtë e Nënshejtit

 

Edhe sot e kësaj dite në Shkallën e Malit të Shejtit, në Orosh, është një lis disi i veçantë me emrin Ulti. Sipas gojëdhënës kanë qenë 6 të tillë, por vetëm 2 kanë mbijetuar në udhën e gjatë të jetës së tyre. Njëri është “dorëzuar”, ka mbetur vetëm trungu i kalbur, ndërsa tjetri është ende në këmbë, megjithëse me plagë shekullore në trup. Mosha e tyre llogaritet rreth 900 vjeçe dhe kjo nuk është ndonjë çudi, pasi njihet jetëgjatësia e drurëve. Mosha e tyre mund të merret dhe si një dëshmi e themelimit të Kuvendit Benediktin mbi Malin e Shejtit. Këto ishin fidane të sjellë nga Italia prej murgjëve Benediktinë, vend prej të cilit kanë marrë dhe emrin, për banorët vendas , si shtrembërim i emrit “latin”.

 

Rrapi i Kaçinarit

 

Çinari, përndryshe Rrapi i Kaçinarit, është një dru natyror monumental, me një moshë të papërcaktuar, por natyrisht mjaft i hershëm, aq sa besohet se dhe emri i vendit rrjedh prej tij. Kaçinari është i dëshmuar si emër që në shekullin XV. Në afërsi të çinarit është kisha, dhe ajo e vjetër. Në hijen e rrapit janë zhvilluar kuvende historike të zonës, si ato të përiudhës së pavarësisë, ku mes krerëve të Mirditës është fiksuar në fotografi dhe Bajram Curri. Rrapi është një dru gjigand, i vetmi i atij lloji jo vetëm në Kaçinar. Si i tillë ai është një monument natyre i rrallë.

 

Pllaja e Valmorit

 

Qafa e Pëllumthit. Tutje në sfond në verilindje shtrihet grumbulli i maleve të Lurës. Në jugperëndim të tyre ndodhet pllaja karstike e Valmor-Didhes, e cila dallohet për veçansitë e saj fiziko-gjeografike. Është e vendosur mes përroit të Flimit dhe lumit të Urakës. Ngritja e menjëhershme nga lumi, jep bukuri të veçantë. Zhvillimi i proceseve karstike është interesant. Në tërë shtrirjen e pllajës do të ndeshesh me forma të larmishme, kryesisht hinga, shpella karstike mbi shkëmbinj gëlqerorë mjaft të tretshëm. Ndër shpellëzat më të përmendura është ajo e Fatmirave në Valmorë dhe e Borës në Didhe. Në këtë të fundit bora është e gjendshme dimër e verë. Klima e Valmorit është mesdhetare me tipare kontinentale.

 

Bimësia e saj karakterizohet nga pyjet e llojit halor e fletor, si arrneni i kuq, pisha e zezë, bredhi, ahu, panja etj. Është e pasur dhe me bimësi barishtore. Këtu gjendet një lule e rrallë me patale të bardha e erë të këndshme që nuk gjendet në zona të tjera: Lule Bora. Gjatë kontaktit të gëlqerorëve me magmatikët, dalin burimet karstike të Urakës, që janë ushqimi kryesor i këtij lumi, në ujërat e të cilit rritet vetëm një lloji peshku, trofta. Në të djathtë të lumit ndodhet vendburimi i bakrit i minierës Kurbnesh.

 

Kroi i Bardhë

 

Në mes të malit të Didhes e të Kunorës ndodhet një burim uji që njihet me emrin: Kroi i Bardhë. Ujët e Kroit të Bardhë ka vlera të rralla kurative, pasi ndikon në shërimin e disa sëmundjeve, si atyre të rrugëve urinare, laringut, stomakut, veshkave, tiroideve etj. Tërheqës është dhe mjedisi turistik e ekologjik i kësaj pike turistike të Selitës. Kroi i Bardhë frekuentohet prej më se 25 vjetësh nga vizitorë, pushues të shumtë, të sëmurë gjatë muajve të verës, megjithëse ende nuk ka kushte dhe infrastrukturë të përshtatshme. Gjithnjë është folur për rëndësinë e një investimi në këtë pikë turistike të rrallë, që nënkupton ndonjë kamping, hotel e mjedise të tjera për frekuentuesit, por deri sot nuk është realizuar diçka e tillë. Vendburimi i Kroit të Bardhë është 1350 m mbi nivelin e detit, me prurje 18 litra/min dhe temperaturë 3-4°. Uji kalon nidis shkëmbinjëve ultrabazikë, duke përfituar përmbajtje mineralogjike të larmishme që veprojnë në organizmin e njeriut. Ndodhet 55 km në lindje të Rrëshenit.

Bargjana

 

Është gurra më e madhe e më rëndësishme në Mirditë që buron në majë të një shkëmbi të bardhë, në të djathtë të lumit Fani i Vogël. Lartësitë e malit të Zepes ia shtojnë bukurinë dhe madhështinë kësaj rrjedhe që zbret vrullshëm nga shpati malor. Prej vitesh ishte projektuar shfrytëzimi i këtij uji për banorët e zonës së Kthellës, por vetëm në këtë kohë po realizohet një projekt i rëndësishëm për këtë qëllim. Ujët e Bargjanës së shpejti do të ndërrojë rrjedhë për t'u ardhur në ndihmë banorëve në Rrëshen, Tarazh, Prosek, Malaj, Përlat, Kodër Rrëshen etj. Bargjana, me përfundimin e tij, do të jetë ujësjellësi më i fuqishëm dhe më modern i Mirditës.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net