Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Monumente Kulture

TEMAT

  Harta Administrative

  Mirdita Etnike

  Thënie për Mirditën

  Personalitete

  Popullsia

  Stafi

  Numratori Telefonik

  Aktualitet

  Monumente Kulture

  Monumente Natyre

  Guidë

  Intervista jonë

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

MONUMENTE HISTORIKE DHE TË KULTURËS

 

Gurra e Domgjonit

 

Ujësjellësi i lashtë që mban emrin Gurra e Domgjonit është një monument origjinal si për funksionin dhe aq për arkitekturën e tij. Sot ruhen një pjesë e tuneleve nëntokësore si dhe pusi i kontrollit. Tuneli është hapur në galeri horizontale, veshur me mure anësore, kurse nga sipër mbuluar me qemer. Gjerësia e tunelit është rreth një metër, kurse lartësa lëviz nga 80 cm deri në 1,3 m, përmasa që lejonin kalimin e njeriut me trup përkulur. Rreth 100 m nga dalja e tunelit nëntokësor (nëpër të cilin rrjedh vrullshëm uji i ftohtë e i kthjellët), është ndërtuar pusi i kontrollit, që nis me një hyrje mjaft të maskuar nga sipërfaqja e tokës. Nga kjo hyrje për në fundin e pusit zbritet me anë të 23 shkallëve guri në formë spiraleje të vendosura në faqet e brendshme murore të pusit. Gjerësia e pusit shkon deri 2,15 m, lartësia e pusit është 8 m, në fund është puseta e kontrollit.

Ujësjellësi i Domgjonit është i vetmi i këtij lloji në vendin tonë dhe pa paralele në të gjithë Ballkanin. Së bashku me kështjellën, që në popull njihet me emrin “qytezë”, ndërtuar në antikitetin e vonë e kryesisht në shekullin VI të erës sonë, flasin për një vendbanim të rëndësishëm. Ndërtuesit kishin një traditë të shquar në punimet nëntokësore, si nxjerrës të mineraleve. Ky objekt unikal është shpallur “Monument kulture”, por duke qenë larg dhe i izoluar nuk është rikonstruktuar dhe nuk vizitohet, siç e meriton një monument i tillë.

 

Kështjella fushore e Vigut (Kastër)

 

Vigu është vendbanim i vjetër i Mirditës, në varësi administrative me Shkodrën. Ruhen ende gjurmët e një kështjelle fushore të shekullit IX e.s., ku mund të qendronte një kohorte pesëqindshe. Kështjella e Vigut në Kastër me sipërfaqe 0.6 ha, përforcohej prej l2 kullash. Hyrjet ishin të pajisur me oborre të vegjël. Muret me gurë e llaç përshkoheshin nga breza tulle. Sipas një mbishkrimi kështjella u ndërtua nga presidi i provincës (Prevalit). Qëllimi i saj ishte kontrolli i rrugës Lis-Ulpianë-Nais.

 

Banesa e tipit kullë

 

Kulla në Shqipërinë Veriore është një tip banese i fortifikuar dhe i përhapur. Atë e gjejmë në Mat, Mirditë, Gash e Krasniqe etj. Si një tip interesant ka tërhequr vemendjen e studiuesve vendës dhe të huaj. Banesa kullë gjeti përhapje që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, ndërtuar prej murature tëgurtë. Në Mirditë gjejmë kulla përgjithësisht me dy e tri kate e ndonjëherë dhe me katër kate. Forma planimetrike më e preferuar është ajo e katërkëndëshit kënddrejtë. Ndarja funksionale e mjediseve bëhej sipas kateve, kati i parë zakonisht nuk ishte i ndriçuar dhe i përdorshëm për banim. Ngjitja në katet e mësipërme bëhëj me shkallë druri, dritaret ishin të vogla, të alternuara me frengjitë, kurse shtroja me dërrasë të trashë. Oda e miqve ishte mjedisi kryesor dhe ndodhej në katin më të lartë. Përdorim më të gjërë kulla pati në Selitë, Kthellë, Orosh, por haset dhe në Kaçinar, Gjegjan, Fan etj. Në Orosh e Spaç haset më tepër planimetria me qoshe e kullës.

Mjeshtria e mirditasve në punimin e gurit u shfaq dhe në ndërtimin e banesës së tipit kullë.Sot ruhen kater tipe kullash mirditore të shpallura monument kulture në Kurbnesh, Trojëz (Perlat), Spaç dhe Mashtërkor,ku në këtë të fundit gjendet një ansambël kullash në breg të Fanit. Kullat e Mirditës në përgjithësi janë ndërtuar mbi kodra dhe japin pamjen e fortesave të përshtatshme për mbrojtje.

 

Varreza Arbërore e Prosekut

 

Një ndër monumentet më të rëndësishëm arkeologjik të Mirditës, zbuluar dhe studiuar nga arkeologu Nikoll Doda në vitin 1985-l986. Zona ku shtrihet varreza mesjetare paraqet një reliev të valëzuar,ku zotërojnë kodrat me lartësi rreth 200 m mbi nivelin e detit. Objektet arkeologjike (43) varre u zbuluan në dy sektorë: Kodrën e Livadhit dhe Kodrën e Rrënzës. Varret e zbuluara në Prosek janë dy llojesh:

a) me konstruksion prej rrasash guri shtuf dhe gelqeror

b) me gropë të thjeshtë. Nga analiza e gjetjeve, lënda arkeologjike që u përftua nga varreza arbërore e Prosekut dëshmoi kategori të ndryshme objektesh si vegla pune, armë, stoli. Armët (l4 maja shigjetash prej hekuri) përbëjnë një kategori të veçantë gjetjesh të kësaj varreze. Ato janë të formave dhe përmasave të ndryshme dhe ta dallueshme nga njera-tjetra. Në grupin e stolive përfshihen vathët, temthoret, unazat, rruazat, varëset e gjoksit, byzylikët e të tjerë me karakter të mirëfilltë zbukurues. Studimi antropologjik i lëndës eshtrore të varrezës së Prosekut është bërë nga antropologu i njohur Aleksandër Dhima.

 

Mbishkrimi i Gëziqit dhe Stema e Arbërit

 

Mbishkrimi i njohur i Gëziqit është një nga dëshmitë më të rëndësishme të Mesjetës, zbuluar në fillimet e shekullit XX nga Teodor Ipen e rizbuluar i plotë në vitet '60 nga Dhimitër Shuteriqi, me kontributin dhe të etnologut Mark Tirta. Mbishkrimi latin ishte në një gur mermeri me gjatësi 1,60 metra, i vendosur si arkitra mbi portën kryesore të Faltores së Shna Premtes së Ndërfanës, ndërtuar nga zotërit e Arbërit në shekullin XIII, kur Ndërfana ishte në mos kryeqendra e Shtetit të Arbërit, të paktën një nga qendrat kryesore të tij.

Mbishkrimi i Gëziqit u zbulua mbi portën e kishës së Shën Mërisë së Ndërfanës, dikur Abaci benediktine. Në mbishkrim për herë të parë gjejmë të shkruar fjalën: Komb si dhe emrat e sundimtarëve të Arbërit: Progon e Dhimitër, të cilët ishin të së njëjtës derë me Dukagjinët.

Stema e Arbërit është një tjetër dokument epigrafik i rrallë i Mesjetës, zbuluar në të njëjtën kohë e në të njëjtin vend, në Gëziq. Stema e Arbërit përfaqësohet nga njëshqiponjë me një kokë, gdhendur në gur mermeri. Sipas studiuesve kjo stemë në fillim ishte e Arbërit e më pas e Dukagjinëve.

Të dy dokumentet epigrafike, mbishkrimi i Gëziqit dhe stema e Arbërit, janë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe pët to ka patur studime të mjafta nga një varg dijetarësh.

 

Kisha dhe Kuvendi i Rubikut

 

Kisha e Rubikut daton ndër objektet më të vjetra të kultit në Shqipëri, shekullin XII. Abati i saj përmendet që në vitin ll66. Kisha e Sancti Salvatori Arbanensis, në nëntëqind vjet përmendet rregullisht në dokumentacioni kishtar të Mesjetës. Një nga mbishkrimet e hershme të saj i përket shekullit XIII. Djegur e rrënuar disa herë gjate pushtimit osman.

Një nga vlerat unikale te këtij monumenti mesjetar janë afresket (piktura murale) të stilit bizantin,të deshmuara që nga viti l272,relike të ngjshme me ato të disa kishëve të tjera të rëndësishme të Shqipërisë dhe Ballkanit.

Kisha e Rubikut ka qenë në kohë të ndryshme abaci benediktine,kuvend françeskan,shkollë për përgatitjen e klerikëve,krahas dy kuvendeve të tjera,të Troshanit dhe Shkodrës. Seminaristëve u mësohej letërsia klasike greke, romake, filozofia, teologjia.

Godina e kishës paraqet interes dhe në aspektin ndertimor e arkitekturor,ku pas çdo restaurimi është ruajtur elementi i vjetër bazë,absida.

Në Rubik kanë shërbyer misionarë, shkrimtarë e dijetarë të shquar si Gjergj Fishta, Shtjefen Gjeçovi, Pal Dodaj, Leon Kabashi etj.

Një monument tjetër historik i Rubukut është Kalaja e Judejve.

Ura e Vaut të Madh

 

Është ura më e vjetër dhe më e përmendur e Mirditës, që ka hyrë dhe në gojëdhënat që lidhen me Gjergj Kastriotin e Lekë Dukagjinin. Ajo ngrihet në Fanin e Madh në vendin e quajtur Peshqesh (Vau i Madh) dhe lidh Simonin me Shpalin. Ura është në rrugën e njohur që lidhte Shkodrën me Oroshin që në mesjetë. Urë simetrike druri me konsola trarësh, mbështetur në dy këmbë muri. Ajo si një realizim teknik me interes, spikat për nga proporcionaliteti i veprës me sfond grykën e Fanit të Madh, dhe në fillim të këtij shekulli është parë e fotografuar nga autorë të ndryshëm si Dë Grandi (190l), Baldaçi (l9l7), Nopça (l925).

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net