Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni:Opinion: Aleksandër Mosiu, shqiptar apo jo?

TEMAT

 Ditët e fundit të A. Moisiut  

A. Moisiu, shqiptar apo jo ?

 Moisiu i panjohur 

  

 

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

Të gjitha të drejtat © MirditaOnline

Alessandro MOISSI / Aleksander MOISIU :

triestin apo durrsak?

Duke u perpjekur që të qartësoj sadopak gjërat mbi vendin e lindjes së aktorit të famshëm teatral.

Në Trieste jemi shumë të vëmendshëm kur shikojmë që ndërrohen mbiemrat ose ndoshta të dhënat anagrafike (vendi i lindjes, kombësia, etj.) të ndonjë personazhi historik që e konsiderojmë si “tonin”. Ndoshta sepse kemi pasur një histori disi të veçantë në të cilën kufinjtë na kanë kaluar përsipër – nga Lindja në Perëndim dhe anasjelltas – duke lënë gjithnjë gjurmë gjaku; midis ngjashmërish të tjera, para shtatëdhjetë vjetësh, në fakt kemi qenë ndër të parët që kemi shijuar atë praktike të hollë ballkanike që, vetëm në ditët tona, mund të quhet “pastrim etnik”. Dhe, edhe në ditët tona, në valën e pasojave për disintegrimin e ish Jugosllavisë, kemi pasur ndonjë “perlë” të vonuar, por që për fat të mirë, më shumë bënte për të qeshur se për të qarë: Marco (ose më mirë Marko) POLO ishte bërë kroat! (1)

Historia për të cilën do të flasim sot është shumë më pak e përgjakur, sepse na vë përpara dy dilemave: italian apo austriak? (i cili për rastin konkret mund të thjeshtëzohet me “triestin”(2)), apo shqiptar, ose më mirë durrsak? Në çdo rast është një dyshim që për fat të mirë, nuk sjell përfshirje nacionaliste, por vetëm për një lexim të zakonshëm.

Duhet ta keni kuptuar që po flasim për Alessandro MOISSI / Aleksandër MOISIU,  aktor teatral ndër më të famshmit e Austrisë, Gjermanisë dhe Italisë në gjysmën e parë të shekullit XX. Thashë i famshëm, por sot, sa vlerë i jepet këtij epiteti, në Itali si dhe në Shqipëri, për sa kam mundur të konstatoj personalisht, dhe mbi të gjitha midis brezave më të rinj?

Muajin e kaluar të nëntorit, në Tiranë, bëja pjesë në një komision provimesh, dhe u gjeta mes një grupi kandidatësh nga Kavaja, nxënës të një gjimnazi që quhej pikërisht “Aleksandër Moisi”. Asnjëri nga ata nuk mundi të më shpjegonte se për kë bëhej fjalë.

Por ka arsye të vlefshme për të marrë në konsideratë që për Moisiun, në Shqipëri do të flitet në të ardhmen, gjithnjë e më shumë: është lajm i kohëve të fundit që Universiteti që do të hapet në Durrës, do ketë emrin e tij; përveç të tjerave rezulton që të ketë një lidhje farefisnore midis Presidentit të Republikës Alfred MOISIU, që duhet të jetë kushëri i tretë. (3)
       
Unë nuk do t’ju flas për karrierën artistike të Moisiut: nuk jam një kritik teatri, dhe kështu që ka të tjerë që mund ta bëjnë shumë më mirë se unë, por do t’ju tregoj përpjekjet e mia për të qartësuar gjërat mbi vendin e lindjes.

Është e sigurt se kur flitet (ose shkruhet) në Shqipëri për Moisiun, në pjesën më të madhe të rasteve, kuptohet sikur është i lindur në Durrës (4), ndërsa në pjesën tjetër të Europës, të gjitha burimet autoritare (5) e tregojnë si të lindur në Trieste (sot pjesë e Italisë po në atë periudhë – 1879 – pjesë e Austrisë). Më vjen mirë që ta mbroj këtë teze me një farë krenarie, ndoshta fshatareske, sepse Trieste është qyteti im, dhe këtu Moisi konsiderohet një krenari e vërtet qytetare në fushën artistike, edhe nëse vihet në dyshim origjina e tij shqiptare, dhe fëmijëria e tij e kaluar në Durrës.

Në të vërtetë, duhet të shtoj se ekziston një vend në Shqipëri, e më saktë ne Durrës, të cilin kisha fatin ta vizitoja javën e kaluar, Muzeun e Kulturës Popullore (i ngritur në shtëpinë në të cilën Moisi u rrit), dhe në të cilën drejtori, Prof. Sali Hidri, nje xhentëlmen i zakoneve të vjetra, më shoqëroi gjatë vizitave në dy sallat që i dedikohen Moisiut. Në njërën ka tabela biografike ndërmjet të cilave shkruhet edhe për lindjen në Trieste, dhe shpjegohet edhe shkalla farefisnore me Presidentin Moisiu. (6)

Për Moisiun (7) është e sigurt se ka lindur më 2 prill 1879 (8) dhe ka vdekur në Vienë në 1935. Me siguri ka kaluar një pjesë të fëmijërisë së tij në Durrës (aty duhet të ketë mbaruar shkollën fillore), dhe më pas u rrit në Trieste, ku frekuentoi liceun italian, dhe më tej, atë gjerman në Graz (9).

I ati, Costandini, ishte me siguri shqiptar (nga një familje me origjinë nga Kavaja) dhe e ëma Amalia DE RADIO (10), me baba arbëresh dhe me nene goriziane (12), me mbiemer COLARICH;

Deri këtu jemi të gjithë dakord; por jo për vendin e lindjes.

Atëherë iu drejtova burimit – pagëzimor – që shpesh, sidomos për kohët shumë të shkuara, është më i pasur me të dhëna. Duke ditur që Moisi ishte pagëzuar në kishën Greke Ortodokse të San Nicolò dhe SS. Trinità në Trieste, i kërkova Arkimandrit (13) të kësaj kishe një çertifikatë të nxjerrë nga Regjistri i Pagëzimeve, nga i cili rezultonte i pagëzuar në Trieste më 31 Nëntor 1879, dhe lindur në Durrës më 2 Prill të të njëjtit vit.

Por, duke qenë në dijeni që në 1986, Muzeu Teatral i Qytetit “Carlo Schmidl”, realizoi një ekspozitë mbi Moisiun (dhe që nga ajo ditë flitet gjithnjë që kjo ekspozitë të shfaqet edhe në Shqipëri ndonjë ditë), iu drejtova atij muzeu, dhe mora një kopje të çertifikatës së ekspozuar aty (i cituar në katalogun përkatës), që quhej “dëshmi e pagëzimit dhe lindjes”, i lëshuar më 19 tetor 1919, nga komuniteti Greko – Oriental i Triestes, nga i cili rezulton – në të njëjtat data të thëna dhe më lart, i pagëzuar në Trieste.

Nga një konsultim më i kujdesshëm i Regjistrit të Pagëzimeve, të cilin pata mundësinë ta bëj personalisht, qartësova se, në fakt, vendi i lindjes nuk tregohet aspak, dhe Durrësi tregohet vetëm si vendi i prejardhjes së babait (“nga Durrësi”); por ka dhe një të dhënë tjetër që na vjen në ndihmë, duke na dhënë siguri: emri i “mamisë” (14), Caterina Mattel, mbiemër sigurisht triestin (ndoshta “carsolino” (15)), emër i cili haset më shumë se një herë në regjistrin e mësipërm.  Kjo do të thotë, pa pikë dyshimi, që fëmija Aleksandër ka lindur pa dyshim në Trieste. Përvec kësaj, një konsultim i mëtejshëm në Arkivin e Shtetit të Komunës së Triestes, konfirmon këtë si vend lindjeje. Nga i njëjti burim dokumentacioni, rezulton që edhe dy vëllezërit e tjerë (Kostandini dhe Dante) dhe pesë motrat (Irena, Sofia, Fanny, Elvira dhe Melania) e Moisiut, kanë lindur në Trieste, ashtu si dhe e ëma e tyre; ndërsa i ati – por që mban emrin Moze – rezulton i lindur në Durrës.

Një burim tjetër që vërteton lindjen e tij në Trieste (që ka më shumë vlerë sentimentale se zyrtare) është fjala e hapjes së një diskutimi të mbajtur nga Moisi, më 5 Maj 1918, në Teatrin Verdi të Triestes, përpara hapjes së një spektakli, i cili thotë tekstualisht: “U ktheva në Triesten time të lindjes me shpirtin e atij që pas një  mungese të gjatë rend me vrap drejt krahëve të etur të nënës”, por është e qartë se “qyteti i lindjes” ndonjëherë mund të identifikohet si një vend i shpirtit, edhe nëse është në kundërshti me të dhënat anagrafike.
 
Kudo që të jetë lindur në të vërtetë, në Trieste Moisi kujtohet edhe nga një shesh të vogël në periferi, që mban emrin e tij dhe nga një statujë (ose më mirë, një bust) në Kopshtin Publik kryesor të qytetit, ku ka dhe buste të tjera të triestinëve të shquar, pak a shumë siç janë në Tiranë, në lulishten anash Kullave Binjake, drejt Lanës. Do të ishte më mirë të thoja “ishin”, sepse disa ditë më parë pashë që ajo zonë ishte mbyllur me gardh, nuk e di, nëse për të ndërtuar pallate të tjera apo për të sistemuar lulishten. Të shpresojmë që është për mirë.... sigurisht për bustet!

Duke hequr një herë e mirë dyshimin mbi të dhënat anagrafike, dhe duke lënë pas dore për një çast problemet e shtetësisë (16), duhet vendosur se cilit komb (17) ia ka dhënë Historia të drejtën, që ta quajë Moisiun të vetin: Shqipërisë, Italisë, apo Austrisë? Sot mund të përgjigjesh pa problem fare: Evropës, kështu që asnjë nuk do të mbetej keq.

Por, tani më vjen në mendje – që të përpiqemi të nxjerrim një moral – një episod i çuditshëm që më ka ndodhur shumë vite më parë, kur koncepti i Evropës ishte shumë larg nga ai i sotshmi (dhe jo vetëm për shqiptarët), dhe si oficer i ri marine, gjatë një ndalese në Palma de Majorca, e gjeta veten në Club de la Mar  që po diskutonim me shumë zell me Admiralin e asaj baze detare, përpara një gote sherry, mbi kombësinë e Kristofor Kolombit. Dihet që për italianët (dhe për një pjesë të mirë të kulturës botërore), ai ka lindur në Genova, pra ishte italian, por për spanjollët dhe për të gjithë botën ispanike, duke anashkaluar pak vendin e lindjes, ai ishte një gjithëkombas. Në një farë pike të diskutimit tonë, admirali, i cili quhej Cristobal Colon (18) de Carvajal, dhe që e quante veten pasardhës te Kolombit, më dha një goditje të lehtë në shpatulla dhe e mbylli argumentin me këto fjalë:

“Amigo,  nuk ka rëndësi se ku ka lindur Kolombi! E rëndësishme është që kur zbriti në ishullin e Guanahani (19), duke ngulur Kryqin dhe duke shtrënguar në njërën dorë Flamurin e Mbretërve Katolikë (20), ai ishte një admiral i “Armatës” Spanjolle.

Në të dyzet vitet e mia në Marinë, më kishte pëlqyer gjithnjë të diskutoja me ata që kishin grada më të larta, por atëherë – kushedi pse – Nuk desha të gjej argumente të tjerë mbrojtës.

Dhe pastaj sherry ishte kaq i mirë!

Paolo MUNER

 

Paolo MUNER, nga Trieste, 61 vjeç, Oficer i Marinës ushtarake Italiane (Trupi i Kapitanerisë së Portit – Roje Bregdetare), ka kaluar periudha të gjata në Shqipëri: në 1992 ka qenë Komandant në 2^ të Grupit të 22° Detar; Komandant i Skuadrës së parë të Rojeve bregdetare (Durrës/ Vlorë) dhe komandant i Repartit të Marinës në Durrës, dhe në vitet 2001/2003, ka qenë shef seksioni i Forcave Detare dhe Shef i projektit për Rojet Bregdetare Shqiptare, pranë delegacionit të ekspertëve italianë (Tirana). Diplomuar në Shkenca Politike (drejtim ndërkombëtar), gazetar publicist, dhe ndërmjet të tjerësh bën edhe kërkime historike për Shqipërinë.

 

(1) Gjenerali Franjo Tudjman, ë atë kohë President i Republikës së Kroacisë, gjatë një vizite të tij në Kinë menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë, vitet e para të ’90) deklaroi se Marco Polo (eksploratori i famshëm vendikas që shkruajti “Milioni” për udhëtimet e tij në Kinë), ishte kroat, duke marrë si shkak që lindja e tij thuhet se ka qënë në mes Venezias dhe Curzola (sot ishull i Dalmacisë – me emrin Korčula – që i përket Kroacisë);

(2) Trieste i përkiste deri në 1918, Perandorisë Austro-Hungareze;

(3) Babai i Presidentit, Spiro, është kushëri i shkallës së dytë me babin e Aleksandrit; e dhënë e marrë me gojë pranë sekretares së Presidentit të Republikës;

(4) ndër më të fundmet, revista Kult, botimi i datës 15 qershor 2005, faqja 14, “Legjenda Aleksander Moisiu”, ku tregohet se vendi i lindjes është Durrësi;

 (6) tekstualisht: nje nga djemtë e vëllait të gjyshit të Aleksandër Moisiut, me emrin Themistokli, është babai i Spiros dhe atëherë babai i Alfredit, Presidentit.

 (7) pa dyshim një ndryshim i shqipes MOISIU;

(8) disa burime japin sikur ka lindur në 1880, por me siguri është gabim;

(9) kryeqyteti i Stirias, në Austrisë;

(11) edhe ky duhet të jetë një gabim shkrimi i bërë në Kishë, sepse DE RADA është një mbiemër tipik arbëresh (Jeronim DE RADA ka qënë shkrimtari më i famshëm i Diasporës), ndërkohë që nuk rezultojnë DE RADIO; në certifikatën e nxjerrë nga regjistri i pagëzimeve i lëshuar më 3.3.2006, ajo shkruhet DE BADIO, pra është një gabim që është transformuar në deformim të mëtejshëm;

(12) nga Gorizia, qytet pranë Triestes;

(13) prifiti i kishës Greke Ortodokse

(14) në regjistër thuhet “maia”, që do të thotë mami në greqisht, gjuha në të cilën është plotësuar regjistri;

(15) Vjen nga Carso, një rrafshanaltë pranë qytetit të Triestes, që më parë është banuar nga sllovenë etnikë;

(16) Sa dhe cilët “statuse” nënshtetësie do ketë pasur Moisi? Edhe ky mund të jetë një e dhënë për hetime të mëtejshme. Nga origjina duhet të ketë pasur nënshtetësinë turke (në Durrës), ose austriake (nëse ka lindur në Trieste)? Dhe cfarë do ketë ndodhur pas (1918), duke marrë parasysh se pasi ka marrë një pasaportë shqiptare me kërkesën e tij në 1934, që shtetësia italiane “në kujtim” i është dhënë pikërisht nga Kreu i shtetit Benito Mussolini, me rastin e funeralit të tij në Vienë;

 (17) Komb, kombësi, si koncept është shumë i ndryshëm nga shtetësia, dallim që për shqiptarët më dukët të jetë shumë më i madh se për italianët.
 
(18) Nga Kolombi i ripagëzuar San Salvador; Ëatling aktualisht, në Bahamas;

(19) përkthim në spanjisht (kastelano) i emrit Kristofor Kolombi;

(20) Ferdinando d’Aragona dhe Isabella di Castiglia;

 

Perktheu nga italishtja: Dorinela NDREJAJ

   Lexo Artikullin ne italisht

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net