Moisiu për pashkët në Mirditë
RRËSHEN. Presidenti i Republikës e ka kaluar të Dielën e Pashkëve katolike në mes komunitetit katolik të Mirditës, pas një ftese që i ishte bërë atij prej kohësh. Me të zbritur nga helikopteri me të cilin ka ardhur në Rrëshen, i shoqëruar nga e bija Mirela Moisiu, ai u ka thënë autoriteteve vendore, se nuk kisha si të mos e mbaja fjalën e dhënë para një muaji, ndërsa pashkët këtu në zemër të një treve, që mund të quhet dhe si kështjella ku gjeti strehën e vet krishtërimi, është një kënaqësi ta kalojmë sëbashku. Më pas kryetari i shtetit Moisiu ka bërë një takim pa praninë e medias në zyrën e kryebashkiakut Preng Toma, dhe më pas një takim pune me autoritetet lokale, drejtues të gjykatës, prokurorisë, të policisë, prefektin dhe kryetarin e këshillit të Qarkut Lezhë si dhe drejtues të bashkive të Mirditës. Në takimin me autoritetet, në ekspozenë që i është bërë nga çdo institucion, presidenti ka qenë i interesuar të njihet si me punën e gjyqësorit, nivelin kualifikativ të gjyqtarëve, krimet dhe llojin e tyre në këto zona, bashkëpunimin në mes hallkave të gjyqësorit dhe sidomos është ndalur ne fenomenin e ngujimit. Ai ka qenë i impresionuar nga fakti që në Mirditë aktualisht nuk ka asnjë familje të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, dhe se ky fenomen i shëmtuar është drejt shuarjes, ndërsa në rang qarku, janë vetëm dy familje të ngujuara në Kurbin. Presidenti është interesuar dhe për kushtet e policisë duke u njohur me një gjendje shumë të keqe të godinave dhe infrastrukturës përkatëse këtu, por ka qenë i ashpër në kritikat e tij sidomos ndaj policisë rrugore, për faktin se autostrada Fushë Krujë-Lezhë, është kthyer në varrezë aksidentesh, edhe për shkak të qëndrimit të papërgjegjshëm të saj.Bardh Rica, kryetar i qarkut Lezhë, ka kritikuar qëndrimin e qeverisë ndaj zonave të Veriut, duke thënë se edhe në statistika zyrtare nuk ka shifra konkrete; nëse qarku i Lezhës, që përfshin Kurbinin, Lezhën dhe Mirditën, ka 210 mijë banorë, zyrtarisht njihen vetëm 180 mijë, dhe e gjitha kjo ndikon në sjelljen e investimeve, për 30 mijë banorë më pak, ose sa për një rreth. Ky është një qark, që shtohet me afro 3 mijë frymë në vit, nga të gjitha zonat verilindore, ndërsa nuk e ka vëmendjen e duhur të qeverisë në projekte zhvillimi dhe investime.
Ajo që na ka shqetësuar, ka thënë Rica, është dhe përmbytja periodike e Fushës së Lezhës, për arsye krejt subjektive. Eskavatorët e ndërmarrjes së ujrave punojnë me tendera e mënyra abuzive. Ndërmarrja që ishte ndërtuar në Mamurras, që kur ministër qe Hysni Kapo, është transferuar dhe ka shkuar në Krujë, kur ajo ishte ndërtuar pikërisht për bonifikimin e Kënetës së Thumanës dhe Fushës së Laçit. Nëse do të ketë sistemime në pritat malore, dhe ndalja te erozionet duke mbjellur pyje, sistemimin dhe furnizimi me energji i hidrovoreve, etj, nuk do të kishim përmbytje. Nga dy përmbytje që patëm në vit, dëmi ka qenë 2,8 miliard lekë. Familjeve në fusha u është futur tmerri nga kjo dukuri dhe qeveria as që don t'ia dijë për këtë. Më tej, Rica i ka thënë presidentit se zvarritja që i bëri vetë kreu i qeverisë hartimit dhe miratimit të projektit për zonën turistike prej 38 km që nga derdhja e lumit Mat deri në Velipojë, shkaktoj 2 vjet zvarritje nga KRRT të Republikës, e kryesor nga vetë zoti Nano, ndërkohë që njërëzit do të ishin investuar me kohë në këto zona. Presidenti është interesuar veçmas edhe për hapat e bëra në drejtim të regjistrimit të popullsisë në regjistrin e gjendjes civile.
Politika, jo më me demagogji
Edhe në kuadrin e fushatës zgjedhore që po bëhet tani, Moisiu në ditën e Pashkëve Katolike, ka gjetur momentin për t'i bërë apel politikës shqiptare që të ulet më pranë halleve të shqiptarëve të thjeshtë e të varfër, të lejë mënjanë demogagjinë dhe të japë më shumë alternative për njerëzit, për votuesit. Sepse e njohim papunësinë, e njohim vobegtësinë, ndaj duhet folur me këmbë në tokë, se si do të arrihet përmirësimi i gjendjes. Si kryetar i shtetit, ai tha kam besim se ne do të mund ta ulim varfërinë dhe ta ndryshojmë këtë vend. Ku e bazoj këtë. Po marr vetëm një shembull. Kur isha në përkujtimin e 70 vjetorit të Aleksandër Mosisiut, informohem se vetëm në rajonin e Lombardisë ka mijëra bisnesmenë shqiptarë, pra bisnesmenë, jo punëtorë. Dhe një nga ata ishte aty. I thashë: more djalë, çfarë bën ti?! Unë prodhoj spraite. Sa punëtor ke? Kam gati 300 punëtorë. Dhe i kishte të tërë të ligjshëm në regjistrim. Po pse nuk ke ardhur në vendin tënd? Kam tentuar disa herë, u përgjigj ai, por nuk kam mundur. Unë e kuptova fare mirë atë bisnesmen, që do të mund të kishte punësuar 300 njerëz në vendin tonë. Dhe ky nuk është i vetmi, edhe në Bullgari kam takuar të tjerë, janë 65 firma shqiptare, deri dhe në Moldavi kemi kopmani shqiptare. Ky është kapital i vënë me djersë nga bashkëkombësit tanë, që mund të ishte investuar këtu. Pse nuk vijnë ata, jo se nuk duan, por hajde të gjejmë arsyet. I pengon korrupsioni, niveli i ulët i sigurisë, pengon niveli i kualifikimit, mungesa e rrymës elektrike, infrastruktura rrugore etj. Pse na kalben prodhimet nëpër fshatra, pse pataten e importojmë kur të tonën e kemi shumë të shijshme dhe të cilësisë, apo mollët e Peshkopisë, të Korcës etj. Ndaj ekzekutivi duhet të jetë më i ndjeshëm. Këto e të tjera do të ishin objektivat më të mira deri në fushatë zgjedjore, por jo sa për t'i thënë dhe për t'i harruar. Merret vota, dhe pastaj u kthehet kurrizi njerëzve. Natyrisht, këtu nuk e kanë fajin vetëm ata që japin fjalën, por dhe ata që e japin votën qorrazi. Të kërkojnë llogari: zotni, na ke premtuar një, dy, tre, ku i ke?! … Duke folur për ditën e zgjedhjeve, Presidenti tha, se shoh një debat të madh, sikur kjo ditë është më e rëndësishmja e të rëndësishmeve. Ajo është një kompetencë e Presidentit. Që në dhjetor të vitit të kaluar, ekzaktësisht më 22 dhjetor, i jam drejtuar parlamentit dhe forcave politike: shikoni, gjeni një “modus vivendi” që ta afrojmë datën e zgjedhjeve. Pra, shfaqa gadishmërinë time, që të mos kemi anomali. Sepse në zgjedhjet e 2001 patëm probleme, pasi ato vazhduan deri në mesin e gushtit. Të vjen keq kur sheh e dëgjon politikanë në pushtet, që në vend të sygjerojnë se si duhet zgjidhur përpiqen me një mungesë përgjegjësie dhe mungese të theksuar respekti ndaj institucioneve shtetërore, duke i thënë kryetarit të shtetit, çfarë mund të ndodhë me të, nëse ai e bën këtë. Kjo është për të ardhur keq. Presidenti mbështetet në Kushtetutën e Vendit, është betuar para Parlamentit shqiptar, të cilit i ka marrë përsipër këtë detyrë dhe do të jetë konsekuent në këtë punë, por konseguenca duhet të jetë e përgjithshme. Ky shtet, ky popull, ky komb ka institucionet e tij të zgjedhura dhe gjithsecili duhet të mbajë mbi shpatulla atë që i takon. E kam thënë para Parlamentit, po e përsëris dhe sot, vendi ynë po kalon një tranzicion të stërgjatur në mënyrë artificiale. Psh, pse nuk vlerësohet si duhet rruga Durrës-Rrëshen-Kukës-Prishtinë? Ky është një magjistral shumë i nevojshëm, jo thjeshtë për lidhjet që duhet të kemi ne me vëllezërit tanë, por në tërësi për zhvillimin. Unë i them publikisht ekzekutivit se duhet ta marrë seriozisht këtë punë dhe të japë fondet e planifikuara dhe të mbledhura për këtë rrugë. Nuk them të hiqet dorë nga problemi i dhënies me koncension të një pjese, por deri në Rrëshen nuk ka nevojë për të tillë. Presidenti ka dhënë mesazhe paqeje me këtë rast për gjithë faktorët politikë, religjioz dhe social e shoqëror që veprojnë në këtë trevë dhe në mbarë vendin. Ai ka thënë se jemi një vend model I bashkëjetesës fetare prej shekujsh, dhe se me këtë gjë, sic e kam thënë dhe një takim të vjecëm me kryetarët e shteteve të rajonit, po i bëjmë një shërbim të madh këtij rajoni.
Vizita në katedrale
Më pas presidenti i vendit ka bërë një vizitë në Katedralen e Rrëshenit, një vepër arkitekturore nga më të bukurat në vend, ku është pritur nga monsinjor Cristoforo Palmieri, administrator apostolik i kësaj dioqeze, që përmbledh Mirditën, Burrelin, Bulqizën dhe Dibrën. Ai e ka njohur me historinë e kësaj dioqeze, që nis me abacinë e famshme të Oroshit, ndërsa është mbartur prej andej për të ardhur këtu në mes të dioqezës. Palmieri e ka falenderuar Presidentin për mirësinë që ka treguar për të uruar Pashkët në Mirditë. ai ka thënë se feja e përbashkët që na lidh me Krishtin e ringjallur u jep fisnikëri këtyre gjesteve dhe urimeve. Është i Ringjalluri që na bën vëllezër dhe të disponueshëm, mikpritës për njëri tjetrin. Pavarësisht nga detyra e besuar neve, njeriu është gjithmonë synimi i cdo shërbimi; njeriu për të cilin Krishti nuk ka hezituar të japë edhe jetën e vet. Palmieri, duke e bekuar për këtë ardhje, nuk ka harruar të përshëndesë Presidentin si përfaqësues i Kishës Katolike, për projektligjin për njohjen juridike për entet katolike, që komisioni legjislativ ka aprovuar, me shpresë se do të kalojë edhe në asamblenë Parlamentare të të enjtes së ardhshme. Kjo do të jetë një gjë e mirë për të gjithë. Më pas presidenti, nën urimin edhe të qytetarëve të ndryshëm “për shumë vjet pashkët!”, ka kaluar në një kokteil të gëzuar në mjediset e kishës katolike dhe më pas me drekën, ku është sajdisur dhe me bukën e bekuar të Ditës së Pashkëve sipas ritit tradicional të krahinës.
Gjergj Marku |