Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Intervista-Moikom Zeqo

TEMAT

 Moikom Zeqo  

  Kolë Jakova

  Mentor Quku

  Pjetër Arbnori

 Neritan Ceka

  Ndoc Gjetja

  Rudina Xhunga

  

  

  

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

 

MIRDITA, MITET DHE HISTORIA

(Intervistë me Drejtorin e Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo)

Intervisoi Gjon Marku

Pyetje : Ju zoti Moikom, duke u marrë me shumë kultura, nuk keni ngurruar dhe keni patur kuriozitet për trevën mirditase. Në këtë hulli, a mund të bëni disa plotësime madje a mund të shtoni diçka më tepër të pathënë?

 

Përgjigje : Mirdita më intereson si Shqipëri. Në këtë suazë të pambyllur, por përherë të hapur gjallon universaliteti i saj. E quaj veten me fat që jam arkeolog Kjo më ka ndihmuar të njoh skajshmëritë e kohrave dhe përveç objekteve të njoh shpirtin e tyre në formën e miteve. Është e habitshme, por periudhat e stërlargëta kanë një poetikë dhe tërheqje të papërballueshme. Treva e Mirditës nuk është aspak një enklavë e ngurtësuar, as një fosil i pakuptueshëm dhe i pazbërthyeshëm. Treva e Mirditës është plot histori të pashkruara. Në rrafshin arkeologjik dhe historik studimi për Mirditën nuk mund të quhet shterrues, madje shumë pak është bërë në këtë pikë. Për Mirditën kanë shkruar dijetarë të huaj dhe shqiptarë. Mirdita është një njësi gjeografike krejt e veçantë, në këtë mjedis historia ka qenë plot paradokse, plot vesk kulturor, tragjedi dhe marrëzi të shekujve. Nuk dua të bëj apologji për Mirditën dhe as të them gjëra të përsëritura. Jam i prirur më tepër të bëj pika lidhjeje për të komentuar ose sqaruar disa pozicione dhe situata mendore të sotme. Mirdita është kështu sot, një sistem referimi, pa e mbivlerësuar por dhe pa e nënvlerësuar. Populli i Mirditës është esencialisht popull shqiptar. Kjo është gjë e pamohueshme dhe njëkohësisht është e mrekullueshme. Unë besoj tek një arketip psikofizik i mirditorëve, por pa rënë në formulat frojdiane, që janë më tepër dogma. Një etnolog i madh siç është Klod Levis Strosi do kish shkruar diçka patjetër për Mirditën po ta kishte njohur. Por edhe mjaft dijetarë të tjerë më modestë se ai kanë shënuar gjëra të parrëzueshme dot për Mirditën. Unë dua të vë në spikamë disa motive. Këto motive kanë arsyen e tyre të brendshme historike për t'u rishfaqur dhe për t'u riartikuluar në gjuhën dhe në mendimin e sotëm.

Së pari unë dua të nënvizoj disa aspekte substanciale. Për mua është tepër e rëndësishme që struktura gjeografike e Mirditës përfshin një nga fiset më të rëndësishme në historinë ilire, që quhet fisi i Pirustëve. Pirustët përmenden nga autorët antikë për kulturën e tyre të shkrirjes dhe përpunimit të metaleve. Ky fakt është i një rëndësie kolosale. Ky fakt nuk është aspak i thjeshtë dhe më vjen keq që nuk është studiuar me atë rëndësi që i takon. Përpunimi bronxit dhe i hekurit ka emërtuar madje dhe epokat përkatse në historinë e lashtë. Si bronxi dhe hekuri janë emblemat e zhvillimit të qytetërimeve nga një stad në një tjetër. Kjo gjë është strukturale dhe tregon zhvillimin historik. Nëse arkeologët flasin për epokën e bronxit dhe atë të hekurit si epoka gjenetike dhe të formësimit të ilirëve të lashtë atëherë duhet të mendojmë pse pikërisht pirustët janë ata që që simbolizojnë më mirë se fiset e tjera atë që quhet kultura mineralogjike dhe metalurgjike e bronxit dhe e hekurit. Një ide e përcaktuar gjeopolitike do të na çonte ne në resurset që ushqejnë mbijetesën e kësaj kulture. Minierat dhe teknologjia e shkrirjes së metaleve janë dy të dhëna të padiskutueshme në ekuacionin kulturologjik të pirustëve ilirë. Sipas albanologut të madh të Vjenës, Karl Paç “Pirustët banonin përtej kufinjve të Maqedonisë, në provincën e afërme Dalmatia, por konkretisht në Mirditën e sotme dhe shquheshin për trimëri luftarake dhe për ndjenja të forta atdhetare. Sikurse fisi ilir i desitiadëve edhe pirustët qenë të fundit që u nënshtruan nga perandori romak Tiberi vetëm atëherë kur të gjithë fiset e tjera, pothuaj i kishin lëshuar armët e tyre ” Kush e ka shkruar historinë luftarake të pirustëve kundër romakëve? Kjo histori përmban format e një eposi antik, që padyshim kanë reflektuar edhe në eposin mesjetar të shqiptar, ose motive të epeve legjendare të Shqipërisë së Veriut.

Kultura mineralogjike e ilirëve zë një vend kryesor në historinë antike të Europës si kontinent dhe si qytetërim. Sipas Karl Trajmerit vetë emri “hekur” është emër tipikisht ilir. Trajmeri ka bërë disa analiza të hollësishme për ndikimin e kulturës ilire jo vetëm si mjeshtër dhe përpunues metalesh, por edhe si kalorës, sepse dihet që përdorimi i kalit ka bërë një metaforë kulturologjike të zhvillimit Europian. Autorët antikë por edhe ilirologët e mëvonshëm, tregojnë se trevat ilire kanë patur burime të mëdha ari e argjendi dhe metalesh të tjera. Sipas historianit romak Klini në një vis jo larg pirustëve në kohën e perandorit Neron, nxirrej rreth 25 kg ar në ditë. Po kështu minierat e mëdha të arit, argjendit dhe të metaleve të tjera të shquara ishin dhe janë ende në Trebçe të Kosovës, të Dardanisë së dikurshme. Dihet egzistenca e një qyteti tipik të metalurgëve me emrin Damastion. Nga Damastioni ruhen shumë monedha argjendi me simbole të çuditshme të ilirëve minatorë dhe metalurgë. Akoma dhe sot nuk është përcaktuar ubikacioni (vendndodhja) e qytetit Damastion. Fisi ilir i pirustëve i cili në kryengritjen kolosale ilire në vitet 6-9 mbas Krishtit, të kryesuar nga Batoja kundër Romës ka luajtur një rol të madh jo vetëm në strategjinë luftarake por edhe në farkëtimin e armatimeve të domosdoshme në këtë betejë. Perandori romak Trajan bëri shpërnguljen e një pjese të madhe të pirustëve të nënhtruar tashmë nga Roma në qytetin Siebenburgen, për të shfrytëzuar minierat e atjeshme. Kaq shumë pirustë shpërnguli Trajani në kët vend (sot ndodhet diku në Austri), saqë kampi i pirustëve u quajt “Vicus Pirustarum”. Është po Karl Paç i cili na njofton se tradita antike nuk është zhdukur as në mesjetë. Sipas Paçit një document i viti 1595 i gjetur në arkivin e Venedikut thotë se në tokën e Mirditës gjenden tre burime argjendi, pak a shumë në verilindje të qytetit të Lezhës. Ajo që nuk është theksuar siç duhet në këtë lëmë është kuptimi etimologjik i emrit pirust. Shumë dijetarë të nisur nga një ngjashmëri formale e kanë lidhur emrin pirust me fjalën greke “Pir”, që do të thotë zjarr, duke e shtjelluar kështu kuptimin e emrit “zjarrmëtarët”, pra pirustët janë ata njerëz të njohur në histori, që shkrijnë metalet me anë të zjarrit. Ky shpjegim më duket i pasaktë dhe mjaft absurd. Është meritë e padiskutueshme e albanologut të madh me origjinë hungareze, por që ka shkruar në gjermanisht Franc Nopçes, i cili me mendjen e tij depërtuese dhe gjeniale vërejti se emri i pirustëve nuk është gjë tjetër veçse përkthimi në gjuhën latine i emrit të dardanëve. Dardanët e kanë ftillëzuar emrin e tyre nga pema e Dardhës. Kurse romakët kanë bërë përkthimin e emrit të dardanëve në pirustë, sepse fjala latine “pirus” do të thotë “dardhë”. Këtë ekuacion bilingue të ilirishtes dhe latinishtes e ka mbashtetur pa asnjë mëdyshje Eqerem Çabej i madh. Sipas Çabejt ky barazim është i vërtetë dhe shpjegimi është shterrues. Dalim kështu në hullinë e një ndryshimi të madh të gjërave për historinë e lashtë të ilirëve. Dalim tek homogjenizimi i pirustëve me dardanët, tek ideja se pirustët dhe dardanët janë e njëjta gjë, por përdorimi i të dy emrave herë herë në distance gjeografike të ndryshme ka krijuar pështjellime, ose dhe veçanti. Që pirustët dhe dardanët kanë qenë e njëjta gjë, kjo nuk do të thotë aspak që veçansitë lokale të kenë bulëzuar dhe të kenë patur zhvillim të të mevehtëshëm. Që treva e Mirditës është e lidhur me Dukagjinin dhe Kosovën kjo nuk ka shumë vështërsi për t'u kuptuar. Gjithashtu si një vërtetim tashmë të kësaj ideje në vetvete unitare unë do të përmendja faktin se shteti i parë i Arbrit i shek. XII-XIII, ashtu dhe familja princërore dhe heraldike e Dukagjinëve, kanë një vijimësi të vetkuptueshme. Secila nga këto tema do të meritonte libra më vehte. Nuk është qëllimi im që të flas në këtë bisedë saktësisht për këto tema. Por lidhja ka kuptimin e saj të pamohueshëm.

 

Pyetje : Si vallë ka lindur emri, Mirdita, ç'përfaqson emri i Mirditës, ç'kuptim ka ky emër?

 

Përgjigje : Askush nuk e ka gjurmuar zanafillën e emrit Mirdita. Shpjegimet e derisotshme lidhen me etimologjinë popullore. Kështu zotëruese është se emri Mirdita do të thotë një përshëndetje që përdoret rëndom nga shqiptarët kur takohen me njëri-tjetrin, si psh. “tungjatjeta”, ashtu dhe “mirëdita”. Sipas Hammerit paska patur një betejë në fushën e Amselës në shek. XIV midis një ushtrie turke kundër serbëve. Sipas zakonit, ishte hedhur falli me kuran dhe turqit etnikë kishin ngurruar të sulmonin një ditë më parë serbët se gjoja dita nuk ishte e favorshme. Por gjoja në forcat turke kishte dhe disa shqiptarë mirditorë dhe njëri prej tyre kundërshtoi duke thirrur “dita është e mirë ( E Mirë Dita) dhe duhet të luftojmë”. Gjoja ky mendim i kishte bindur turqit, që i sulmuan serbët dhe i shpartalluan, pas betejës, atë grup shqiptarësh e mbiquajtën Mirditorë, në kujtim të profecisë së tyre. Unë mund të them se kjo legjendë është e pavërtetë dhe larg realitetit. Ka shkrimtarë të tjerë të Mesjetës por edhe modern të cilët e nxjerrin fjalën “mirdita” nga një korruptim i fjalës persisht “Mardaite” që do të thotë “trim”. Pra sipas kësaj teorie “Mirëdai”

do të thotë “shumë i guximshëm”: edhe ky shpjegim është tepër naiv e i pasaktë. Më vjen keq që shkenca e sotme filologjike nuk e ka gjetur origjinën ftillizuese të emrit të krahinës. Por këto gjëra nuk janë të lehta dhe shpesh janë ngurtësuar kuptimet deri në atë mënyrë saqë mund të quhen emërtime të fosilizuara. Ne ende nuk dimë saktësisht pse shqiptarët ndahen në dy emra “gegë” e “toskë” janë bërë dhjetra shpjegime por asnjëri nuk është mbushamendës. Unë mendoj se ndoshta është e pamundur të arrihet deri në fund në shpjegimin e zanafillës, ndaj dhe emri Mirditë duhet marrë i mirëqenë paçka se kureshtja jonë nuk mund të shuhet. E rëndësishme është që vetë krahina e Mirditës në vetvete dhe për etnografët, etnologët dhe përgjithësisht antropologët, përbën një objekt studimor shumëdimensional. Dua të përmend këtu edhe gjëra të tjera që lidhen me Mirditën që vërtetojnë lashtësinë e saj. Dijetari De Grand përmend një fakt të habitshëm për një traditë në Mirditë deri në fillimin e shek. XX. Mirditasit kanë patur një flamur të tyre të fisit, një bajrak heraldik. Ky flamur sipas Degrandit paraqet një diell të kuq me rreze që përhapen në një sfond të bardhë të inkuadruar në të kuq. Simboli i diellit me rreze siç është vërtetuar tashmë ka qenë simbol heraldik i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë. Ngjashmëria është e pamohueshme. Po si vallë flamuri me diellin me rreze të ketë mbijetuar si emblemë tek mirditorët mbas 24 shekujve? Përsa i përket shqiponjës heraldike me një kokë të shtetit të Arbërit kjo është e njëjta shqiponjë heraldike që ka dhe familja princërore e Dukagjinëve. Shqiponja me një kokë në këtë rast është më tepër një ndikim i heraldikës perëndimore, sepse shqiponja me dy kokë është ndikim i heraldikës bizantine, madje dhe babilonase. Kështu që shqiponja njëkokëshe e Dukagjinëve duhet lidhur edhe me gojëdhanën e gjoja origjinës së kësaj familje të madhe nga trojet e Francës. Në një studim të tij Zef Valentini merret me origjinën e njërit nga pinjojtë më të hershëm të dukagjinasve të paktën që nga shek. VIII pas Krishtit. Padyshim që gojëdhënat sidomos ato të periudhës humanistike kanë shumë trillime dhe janë nën ndikimin e lavdive hierarkike sipas mekanizmit të eposve mesjetarë. Unë në këtë kuptim kam më tepër besim tek shpjegimi që bën albanologu gjerman Maksimilian Lamberts i cili kur flet për shpjegimin e emrit të kanunit të Lekë Dukagjinit thotë se nuk ka mundësi që të ketë qenë princi Lekë Dukagjini krijuesi i kodit ligjor të njohur dhe të mbledhur në mënyrë të fragmentuar nga At Shtjefën Gjeçovi. Atëherë Lambertsi thotë se duhet të kemi një konfondim të emrit latin “lex” që do të thotë “ligj”, që bën shpjegimin e Kanunit të Lekë Dukagjinit në trajtën më të besueshme si Ligji i Dukagjinit. Edhe në këtë emërtim kemi më tepër ndikim perëndimor. Ashtu siç është ndikimi perëndimor në shqiponjën heraldike apo në gojëdhanën e origjinës franceze, ashtu mund të jetë bindës ajo që thotë Lambertsi. Në të gjitha këto rrethana sinkronizohet një gjë, që në mesjetë sidomos në shekujt XII-XIV ndikimi i Europës Perëndimore ka qenë i dukshëm në Mirditë. Për mendimin tim tërë baza e këtij ndikimi vjen nga qyteti i Durrësit, “qytet i klasit të parë dhe lulishte e Adriatikut” siç e quan Shuflai. Nga Durrësi vjen tek Mirditorët ndikimi i Anzhuinëve francezë, ndikimi i gojëdhanës princërore si dhe ndikime të tjera. Në Mirditë kryqëzohet dhe tradita më e hershme e shtetit të Arbërit edhe tradita zakonore e një autonomie midis shtetit si institucion dhe shoqërisë gjysëm të lirë nga çdo lloj shteti. Një ndikim shumë i rëndësishëm perëndimor nga Durrësi drejt Mirditës dhe sidomos qendrës së Mirditës, Oroshit, është ai i traditës kishtare të Urdhrit të benediktinëve dhe deri diku të françeskanëve. Unë i kam kushtuar kujdes të veçantë kultit që zotëron mesjetën në Mirditë të Shën Aleksandrit, koka e prerë e të cilit është ruajtur në një kuti të rafiguruar në një ikonografi më tepër të llojit bizantin. Këtij kulti unë i kam kushtuar disa shpjegime të shenjtorëve përkatës siç është shën Prokopi dhe Nestori, që deri më sot nuk janë shpjeguar. Dëshëroj të them se Mirdita është treva e një krishtërimi shumë të hershëm. Ndoshta shënimi i Marin Barletit për monumente të ndryshme me mbishkrime për pjesën veriore mbi Lezhën, që flasin për apostulimin e Shën Palit, mund të ketë lidhje me trevën e Mirditës.

U ka shpëtuar studiuesve edhe një fakt tepër i veçantë që i jep nder Mirditës. Sipas teoricienëve të teorisë së kombit shtet, ideja e kombit ka lindur vonë, si rrjedhojë e iluminizmit francez dhe për më tepër si një fitore e Revolucionit Francez. Por në mbishkrimin e famshëm të Kishës së Gziqit, që lumturisht ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar kemi një dëshmi mjaft tronditëse dhe të jashtëzakonshme, ky mbishkrim në latinisht që përbëhet nga 8 fragmente ka edhe fjalët “DIKNAE NATIONI”, që do të thotë “KOMBIT TË DENJË”. Para shumë vjetësh kam botuar një shkrim për analizën e shprehjes në mbishkrimin e Gziqit, thuhet që ndërtimi i katedrales daton në vitet 1190-1216, mbishkrimi thotë “I blatohet kombit të denjë”, kemi në realitet dëshminë më të hershme të shqiptarëve për strukturën etnike si komb. Kjo dëshmi për kombin e denjë është e një rëndësie kolosale sepse është shumë më e hershme se sa konstruktuesit e ideologjisë kombëtare si Gjon Buzuku i shprehjes “Ën së dashunit botës sanë” apo i rilindasit të madh Naim Frashëri. Shprehja e mbishkrimit të Gziqit shpjegon më së miri karakterin e mrekullueshëm luftarak të mirditorëve në të gjitha kohrat. Pa hyrë në komentime historike të karakterit ideologjik apo doktrinor nuk dua të humbas rastin për të mos përmendur edhe se dimensioni i një ndërgjegje të fortë të lidhjes me kulturën e Europës Perëndimore dhe mbijetesës së krishtërimit ka bërë që të eksperimentohen në histori edhe forma të tilla të çuditshme të autonomisë së Mirditës madje si republikë krahinore e krishterë në kohën e Napoleonit të Tretë. Edhe ky moment nuk është aq ekzotik sat ë mundet të mirret si kuriozitet. Për Mirditën historike mund të flitet gjatë. Për Mirditën e krishtërimit antik mesjetar gjithashtu nuk mund të flitet shkurt.

 

Pyetje : Ju keni botuar një studim për enigmën dhe historinë e Shën Aleksandrit të Mirditës. A mund të nënvizosh në mënyrë lakonike diçka më të qartë rreth këtij problemi që i ngjason një odiseje hulumtimesh?

 

Përgjigje : Shqipëria është një tokë klasike e martirëve të krishtërimit. Shqipëria është një nga vendet e rralla që mund të krenohet për koleksionin e ndritur të martirëve të saj në shekuj. Nga një numër i madh shkrimesh dhe relacionesh të prelatëve kishtarë mësojmë shumë të dhëna interesante për historinë e krishtërimit në Mirditë. Kështu më 1610 për Mirditën shkruan Marin Bici. Më 1626 Gjon Kolesi, më 1633 Pjetër Mazreku, më 1636 Gjergj Bardhi, më 1671 Stefan Gaspari, më 1703 Vinçens Zmajeviçi, më 1789 Pal Duoda dhe 1886-1892 i ndrituri Prend Doçi. Në Orosh të Mirditës ka qenë dhe kisha titullare kryesore që lidhet me emrin e shën Aleksandrit. Në këtë kishë më 1602 u bë një nga kuvendet më të rëndësishëm shqiptarë, ku morën pjesë përfaqsues nga 13 krahina të mirënjohura të Shqipërisë, duke bërë apel për organizimin e një kryengritjeje antiosmane për t'i rikthyer Shqipërisë kohën e Gjergj Kastriotit. Ajo që dua të theksoj në këtë shkrim është fakti se në bjeshkët e oroshit ka qenë në shekuj Abacia e shën Aleksandrit, i quajtur në gjuhën popullore shën Lleshi, taman një kryetempull i krishtërimit në Mirditë, një nga qendrat benediktine kishtare më të famshme të Shqipërisë dhe jashtë saj, një sfinks monumental i katoliçizmit shqiptar.

Mbi Orosh ngrihet mali i Shenjtit. Murgjit benediktinë në Orosh kanë krijuar abacinë më antike të Shqipërisë. Kjo abaci datohet që nga viti 1313. Në abaci ka egzistuar një reliktuar i famshëm. Reliktuari kishte të bënte me një arkë të Shenjtë, të quajtur ndryshe “Arka e Argjendtë”, dy pëllëmbë e gjatë dhe dy pëllëmbë e gjerë, e stolisur me fjalë dhe figura në bazoreliev. Ka shumë mundësi që kjo Arkë ku ndodhej koka e prerë e shën Aleksandrit t'i ketë përkitur kohës kur abacia ishte e murgjërve të shën Vasilit. Stefan Gaspari dyshon në faktin që reliktuari i shën Aleksandrit të ketë qenë sjellë nga murgjërit benediktinë se në këtë rast “arka do të kishte qenë e shkruar me shkronja latine”. Vinçens Zmajeviçi më 1703 e ka vizituar abacinë e shën Aleksandrit dhe thotë se ajo ka qenë 24 hapa e gjatë dhe e gjerë 6 hapa, se ka dy kupa të mëdha të vjetra të veshura me argjend, dy kryqe argjendi me figura në reliev, një temianicë të madhe të larë në argjend, dy uniforma kishtare si dhe reliktuarin e Arkës së Argjendtë ku ndodhet koka e prerë e shën Aleksandrit. Relacioni i vitit 1703 i Vinçens Zmajeviçit ka gjithsej 661 faqe dhe format 26,5 x 20 cm. Në fletën 551 të këtij relacioni ndodhet një vizatim i bukur dhe i përsosur që tregon pamjen e arkës së Argjendtë, ku ndodhet koka e shën Aleksandrit, duke shënuar dhe mbishkrimet që janë në dy gjuhë greqisht dhe në sllavishten cirilike. Fleta 589 e relacionit përmban të dhënat dhe shpjegimet e vizatimit dhe të mbishkrimit. Në qendër të vizatimit është figura e shën Aleksandrit, sipër tij një kryeëngjëll, majtas figura e shën Gabrielit, pastaj e Jezu Krishtit dhe shën Marisë, kurse djathtas është figura e shën Prokopit, pastaj e shën Dhimitrit dhe e shën Nestorit. Relacioni dorëshkrim ka qenë pronë e Arkivit të Propagandës Fide dhe është përdorur nga kardinal Barberin. Studiuesi i njohur Patër Vinçens Malaj ka botuar librin e tij “Kuvendi i Arbërit-1703” në Ulqin më vitin 1999. Falë këtij libri ne kemi riprodhimin e vizatimit të kapakut të arkës së Relikës së shën Aleksandrit të bërë nga dora e e relatorit të famshëm Vincens Zmajeviçit. Duke e botuar këtë vizatim që përmban tetë figura si dhe dorëshkrime në bilingue ne bëjmë të njohur publikisht paraqitjen figurative të një reliktuari që është zhdukur përfundimisht mga djegia e Abacisë së oroshit të Mirditës më 1896. Stili figurativ i vizatimit tregon një traditë klasike më tepër Perëndimore dhe jo sipas ikonografisë së ngurtësuar dhe konvencionale bizantine. Kjo paraqitje figurative ka qenë në të vërtetë një paraqitje në reliev e bërë në argjend, pra kemi të bëjmë më një kryevepër skulpturore në miniaturë. Shenjti kryesor që është shën Aleksandri jepet në këmbë duke mbajtur në dorën e djathtë një kryq. Shenjtorët e tjerë dhe engjëjt jepen në gjysmë trupi në bust. Sipër figurës së shën Aleksandrit është figura e një kryeëngjëlli me krahë i cili duhet të jetë shën Mëhilli. Skena në anën e majtë ka të bëjë më shën Gabrielin që njofton shën Marinë se do të mbetet shtatzënë me Frymën e Shenjtë dhe vetë figurën e Jezu Krishtit. Për ne ka shumë rëndësi skena e dytë, ku jepen tre martirë të njohur siç është shën Prokopi, shën Nestori dhe shën Dhimitri. Pse jepen këta tre shenjtorë dhe ç'lidhje kanë këta me shën Aleksandrin? Shën Prokopi është një martir i njohur shumë mirë, sepse është masakruar në periudhën e Dioklecianit, perandor ilir i shekullit IV. Prokopi u arrestua nga një qeveritar i Dioklecianit i quajtur Ulkion dhe meqë nuk deshi t'a mohonte Krishtin iu nënshtrua torturave duke ia çarë mishin me grepa të hekurt. Por Ulkioni vdiç nga mallkimi i Zotit. Pasardhësi i Ulkionit, i quajtur Flavian, i vuri gaca të ndezura Prokopit në pëllëmbët e tij, duart e Prokopit u dogjën por ai nuk ndjeu as më të voglën dhimbje. Dita e martirizimit të shën Prokopit është 8 korriku. Në kodrat e Tiranës është ringritur në ditët tona kisha kushtuar martirit shën Prokop. Shën Dhimitri ka një rëndësi kolosale, sepse kulti i tij është kryesor në Ballkan. Edhe ky martir është masakruar në kohën e perandorit ilir Dioklecianit. Dhimitri qe nga Selaniku dhe qe një ushtarak i shquar. Diokleciani e dënoi Dhimitrin sepse ai nuk pranoi të mohonte besimin e tij të krishterë. Ndërsa Dhimitri ishte në burg në stadiumin e Selanikut u zhvilluan ndeshje gladiatorësh. Midis atletëve dallohej një vigan i fuqishëm që quhej Lieu. Ky vigan i provokonte dhe i shante të krishterët. Atëherë një djalosh adhurues i shën Dhimitrit, i quajtur Nestor, u fut në arenën e stadiumit dhe u ndesh me viganin Lieu. Nestori i kërkoi ndihmë Krishtit dhe shën Dhimitrit. Nestori arriti t'a vriste viganin e quajtur Lieu, por perandori Dioklecian u inatos e dha urdhër që t'i pritej koka Nestorit. Shën Dhimitri kremtohet më 26 tetor, kurse shën Nestori më 17 tetor. Pra që të tre martirët e paraqitur tek arka e argjendtë janë martirë të kohës së Dioklecianit, martirë të krishtërimit të hershëm të shek. IV. Ky fakt është tejet i rëndësishëm dhe përbën çelësin konceptual të shpjegimit të enigmës se kush është dhe ç'përfaqson shën Aleksandri. Shën Aleksandri në literaturën e sotme kishtare por edhe në gojëdhanat e popullit të Mirditës nuk është përcaktuar se çfarë përfaqson. Sipas një teze shën Aleksandri është me origjinë nga Kostandinopoja. Aleksandri është me origjinë nga perëndimi i Europës, gjë që lidhet me benediktinët. Në të vërtetë azgjë nuk është krejt e saktë. Unë autori i këtyre rreshtave guxoj për herë të parë të bëj një ndërlidhje logjike midis tre martirëve dmth shën Prokopit, shën Dhimitrit dhe shën Nestorit që të tre të kohës së Dioklecianit për të treguar se nuk është aspak e rastësishme kjo gjë, se që të tre këta janë dhe duhet të jenë shoqërues dhe bashkëkohës të vetë shën Aleksandrit, shën Aleksandri është dhe duhet të jetë një nga martirët e mëdhenj dhe të famshëm pikërisht të kohës së Dioklecianit. Dihet që persekutimi i të krishterëve ka qenë i tmershëm në kohën e perandorit Deci dhe në kohën e Dioklecianit. Perandori Dioklician ka qenë më i skajshmi dhe më i pamëshirshmi. Shën Aleksandri është vrarë duke i prerë kokën me shpatë. Koka e shenjtit është ballsamosur në arkën e shpjeguar dhe identifikuar për herë të parë kultin e tij, i cili lidhet me shek IV pas Krishtit, në një kohë kur në trevat e Shqipërisë kishte vetëm ilirë sepse sllavët erdhën dy a tre shekuj më vonë. Mbishkrimet bilingue të arkës së argjendtë të Shën Aleksandrit nuk mund të mohojnë shekullin IV, pra periudhën parasllave. Kështu që mbishkrimet në greqisht dhe sllavisht kanë një karakter të vonë dhe mund të shpjegohen me faktin se kulti i një shenjtori ilir si shën Aleksandri, të masakruar nga një perandor ilir si Diokliciani ka qenë i përhapur dhe ka ndikuar dhe tek fqinjët tanë ballkanikë siç janë sllavët dhe grekët. Historia e reliktuarit të shën Aleksandrit është e gjatë dhe ngjan me një histori të llojit thriller. Në të vërtetë arka me kokën e balsamosur të shenjtit u dogj gjatë zjarrit të vitit 1896. Thelbi i kultit të shenjtit Aleksandër ka të bëjë jo vetëm me reliktuarin por në të vërtetë me gojëdhanën popullore shqiptarase të Mirditës. Sipas gojëdhanës popullore të Oroshit, të dokumentuar saktë nga studiuesit thuhet se qëmoti eshtrat e shën Aleksandrit paskan ardhur nga një qytet i Romës. Populli i zonës ka patur një grindje sepse secili ka dashur që këtë reliktuar t'a mbajë në fshatin e vet. Sipas një kompromisi ky reliktuar u vendos njëherë për njëherë në kishën e Oroshit. Pas kësaj e drejta e kësaj kishe gati nuk u diskutua më. Sipas një gojëdhane të dytë akoma më të çuditshme eshtrat e shën Aleksandrit nuk kishin ardhur aspak nga Roma. Por ky shenjt ishte ngjizur dhe bëmat e tij lidheshin direkt me tokën e Oroshit. Sipas kësaj gojëdhëne poetike dhe mitike në kohërat e vjetra një bari plak, njeri i përshpirtshëm paska gjetur në muzg afër një lisi një fëmijë të vogël kërthi të veshur me petka të bardha, duke rektuar (dhënë shpirt) me duar kryq mbi gjoks. Bariu iu afrua fëmijës dhe befas pa se si një lis i madh aty pranë në vendin e quajtur Qarrishte aty për aty e kishte ndryshuar ngjyrën e gjetheve nga të blertë në të bardhë.

Që nga ai çast ky Lis i Bardhë u bë objekt përkushtimi. Bariu shpirtmirë e çoi fëmijën e shenjtë ende të gjallë te kisha e Oroshit. Fjala hapet kudo dhe krerët e Oroshit mblidhen në kuvend. Ata bëjnë një arkë. U fut dhe vdiç në të fëmija i shenjtë, pamja e tij njerëzore zhduket dhe mbetën vetëm eshtrat. Kjo gjë u komentua se arka e shenjtit i takonte Oroshit përfundmisht. Ka edhe një gojëdhënë të tretë popullore që lidhet jo me “gjenezën e shenjtit” por me ruajtjen e reliktuarit. Sipas kësaj gojëdhëne një oficer turk paska shtegtuar në Mirditë me një ushtri të madhe, kur ka arritur tek Maja e Shenjtit ose e quajtur mali i Shëlbuemit, befas është ngritur një shtrëngatë e madhe dhe oficeri paska bërë një premtim se nëse do të shpëtonte gjallë nga kjo shtrëngatë do të bënte një arkë prej argjendi vetëm e vetëm kushtuar shenjtit. Ky oficer turk i quajtur Barmuzhak e mbajti fjalën dhe thuhet që ishte pikërisht kjo arkë që u dogj më 1896. kemi disa të dhëna në shekuj të ndryshëm për Arkën e Shenjtit. Marrim vesh se në fillim ajo ka qenë prej druri. Më vonë ka qenë e mbuluar me një mbulesë të qëndisur, kurse së fundmi e ndërtuar e tëra prej argjendi. Ipeshkvi i Arbërisë në vitin 1565, Gjon Kolesi e lidh egzistencën e Kultit të Shën Aleksandrisë me vetë Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, madje ka edhe disa thënie sikur koka e shën Aleksandrit paska qenë koka e vërtetë e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë të ruajtur dhe të krishterizuar më pas, apo dhe vetë koka e Gjergj Kastriotit. Këto thënie nuk i përgjigjen realitetit. Sipas një kishtari me origjinë nga Durrësi të quajtur Stefan Gaspër Epirioti në vitin 1671 thotë se arka qe dy pëllëmbë e gjatë dhe një pëllëmbë e gjërë dhe është është stolisur me fjalë dhe figura fetare në bazoreliev. Kjo është e njëjta arkë të cilën pa dhe përshkruajti Zmajeviçi më 1703.

Në shek. XVIII turqit e grabitën arkën së bashku me reliktuarin e shën Aleksandrit. Kjo del më se e sigurt nga dokumentat. Por tradita e Arkës së Shenjtë nuk mund të humbiste dot. Kjo është arsyeja që Papa Klementi XIII i dhuroi abacisë së Oroshit një tjetër reliktuar në vitin 1767, e konkretisht dhuroi kokën e prerë të shën benediktit që u vendos në një arkë gjithashtu prej argjendi. Shën Benedikti është kryefigura e urdhrit fetar të benediktianëve. Për inerci dhe rutinë, pra megjithëse dihet tashmë nga autoritetet kishtare identiteti, Arka e Shenjtit konsiderohej përsëri me kokën e Aleksandrit. Mbas zjarrit të 1896 Oroshi nuk mund të qëndronte pa këtë simbol. Është meritë e Imzot Doçit, cili u bë nismëtar për të bërë një arkë të re të përmasave 50 x 30 cm e stolizuar me 7 okë argjend që përbëjnë 17 kg argjend. Në pjesën ballore të kësaj arke të re shënohej se ajo qe “Arka e Shenjtit Benedikt e Oroshit bërë prej Preng Doçit, abati i Mirditës”. Nga pjesa e prapme arka kishte të shënuar emrin e artistit argjendar i cili quhej “Tuka e Agustin Gjokës me origjinë nga qyteti i Gjakovës”. Ky argjendar ka punuar në Shkodrën e vjetër dhe e ka përfunduar punimin e tij në 1897, pas gati dy vjet punë. Punimi i Arkës së Shenjtit ka kushtuar 100 napolona flori. Dalja e Arkës në proçesionin fetar ishte ngjarja më e rëndësishme e Oroshit. Kjo gjë ndodhte më 11 dhe 13 qershor të çdo viti. Arka e Shenjtit vihej mbi një shtrojë dërrasash tre metra e lartë e vendosur mbi katër shtylla pesë metra larg njëra tjetrës. Nën këtë strukturë në formë altari të lartë kalonin tufat e grigjave, barinjtë nën bekimin e fetarëve dhe nën tingujt e këmborëve të kishës së Oroshit. Thuhej se në malin e Munellës ka qenë një gur por askush nuk guxonte të ulej në të sepse dikur aty qe ulur shenjti. Arka e Shenjtit duhet të jetë ruajtur deri në vitin 1967 dhe pastaj nuk dihet se ç'u bë me të. Kohët e fundit është ringjallur sërish kulti i Arkës së Shenjtit. Ka një përpjekje për t'a rigjetur Arkën e Shenjtit ose për të bërë një të re për të imituar të parën. Të dhënat e mësipërme i ka mbledhur me durim e përkushtim studiuesi, miku im Ndue Dedaj, i cili ka botuar një libër të rëndësishëm të quajtur “Toka e Katedraleve”. Ka ardhur koha që të bëhet katalogu i plotë i martirëve të krishterë iliro-shqiptar. Këta martirë kanë një vend të ndritur dhe të pazëvendësueshëm në historinë e kombit shqiptar.

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net