Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Intervista-Mentor Quku

TEMAT

 Moikom Zeqo  

  Kolë Jakova

  Mentor Quku

  Pjetër Arbnori

  Neritan Ceka

  Ndoc Gjetja

  Rudina Xhunga

  

  

  

  

  

  

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

 

 

MENTOR QUKU

MIRDITA I KA DHËNË KOMBIT NJË NDËR NJERËZIT MË GJENIAL TË TIJ, NDRE MJEDËN

Intervistoi Gjon Marku

Pyetje : Si studiues i mirënjohur i jetës dhe i veprës së poetit të shquar Ndre Mjeda, keni pohuar origjinën e tij prej Mirditës, teksa Mjeda ka patur edhe lidhje të tjera me Mirditën, famullitar në Vig, ku ka hapur aty edhe shkollën e parë apo ka hartuar nji memorandum të kryengritësve të Mirditës në vitin 1902. Ç‘ mund të na thoni për të gjitha këto, më gjërë sesa është thënë?

Përgjigje: Origjina, përbën një ndër kapitujt më të rëndësishëm të librit të parë me titull “Rinia e Mjedës” që do të botoj së shpejti për Ndre Mjedën. Sidomos për rastin e Mjedës, origjina përbën një faktor determinant për rrjedhjen e jetës së tij. Prandaj i kam dhënë një rëndësi të veçantë këtij elementi biografik. Pa sqaruar origjinën e Mjedës nuk mund të njihet dhe as mund të kuptohet Mjeda në gjithë shtjellën e jetës së tij. Mbi baza shkencore kam për të paraqitur fakte të rëndësishmë që kanë të bëjnë me këtë problem shumë të rëndësishëm. Kam sqaruar se Mjeda e ka prejardhjen prej Kryeziut të Fanit të Mirditës. Pa dashur të hyj në detaje që nuk e kanë vendin në këtë intervistë mund të them se me të njëjtën origjinë, Mjeda, rrethohet nga një plejadë e tërë njerëzish të shquar si i vëllai, i shquari Lazër Mjeda, ipeshkvi më i ri në botë (30 vjeç), poet, shkrimtar, i cili dha një kontribut të madh për arsimin dhe kulturën tonë kombëtare. Kushuri i parë i tij (djalë tezeje) ishte dhe gjuhtari dhe mësuesi i talentuar Mati Logoreci. Me origjinë të përbashkët me Mjedën janë edhe dy arqipeshkvij të shquar, (jo vetëm si klerikë të mëdhenj, por edhe si shkrimtarë e atdhetarë) si Ndre Logoreci dhe Gaspër Thaçi. Në këtë linjë mund të përmendim me dhjetra shkrimtarë, artistë, mjekë, mësues dhe intelektualë të shquar, të këtij trungu, që janë të përhapur nëpër botë. Pra Mjeda nuk lindi rastësisht njeri me predispozita të mëdha, nuk pati një talent të jashtëzakonshëm kot së koti, nuk pati rastësisht atë temperament dhe atë karakter që tërhoqi vemendjen e bashkëkohësve, nuk arriti të bëhej ai njeri i madh që u bë, në mënyrë spontane, por ishte geni, origjina e tij që i vunë vulën këtij fenomeni të quajtur “Mjeda”. Mirdita duhet të krenohet, sepse i ka dhënë kombit “gjysëm të gatshëm” një ndër njerëzit më gjenialë të tij, Ndre Mjedën. Brezat e rinj që lindin dhe rriten në këtë trevë potencialisht të fuqishme, duhet ta kujtojnë herë pas here faktin se janë stërnipërit e një stërgjyshi jashtëzakonisht të shquar, i cili i bën të ndjehen mirë, por edhe që i bën të obligueshëm për të punuar sa më shumë për progresin e Mirditës dhe të kombit Mjeda ruajti lidhje të vazhdueshme me Mirditën, vendin e origjinës së tij, gjë që është fare e kuptueshme. Ai u kthye herë pas here atje, si për t'u përtërirë, për të marrë forca, për të luftuar në jetë, siç thotë ai, për të guxuar. Kam zbuluar në arkivat italiane shumë dokumente autentike të Mjedës që kanë burim Vigun, Mnelën, Malin e Shenjtë, Mirditën. Ato flasin për rolin e madh që luajti Mjeda për t'i udhëhequr mirditorët e tij drejt lirisë, drejt progresit shoqëror, drejt mirëqënies, drejt civilizimit. Mes të tjerave shpejt do të publikoj tekstin origjinal të memorandumit që kryengritësit mirditorë i dërguan konsullatave të huaja në Shkodër, hartuar prej famullitarit të Vigut, Dom Ndre Mjedës.

Një kronikë e kohës që mban datën 9 mars 1902 shkruan : “Çeshtja e Mirditës” është kthyer sot në një rebelim të hapur kundër autoriteteve qeveritare osmane. Mirditasit duan të çojnë në vend të drejtën e tyre me anë të armëve. Tashmë, udhëheqësit e fiseve mirditore (dokumente të tjera vertetojnë se Ndre Mjeda është ndër udhëheqësit kryesorë të mirditorëve, (Sqarimi im, M.Q.), i kanë dërguar të gjithë konsujve në Shkodër nji memorandum, ku kanë reklamuar privilegjet e vjetra të njoftuna prej Traktatit të Berlinit, privilegje që tashmë, Turqia don me i mohue. Ata me anë të shkresave dhe me dinakëri janë duke penguar që edhe për Shqipërinë të shkëlqejë dielli i lirisë e i pavarësisë”.

Është intersant fakti se Mjeda erdhi në Vig, të paktën me 13 gusht 1899, kur ai rregjistron në rregjistrin e lindjeve të Vigut. Në këtë rregjistër Mjeda shkruan emrat e fëmijëvë në gjuhën shqipe duke përdorur alfabetin e tij me shenja diakritike. Në këtë drejtim rregjistri i lindjeve të Vigut paraqet interes për studuesit e Mjedës, për ndihmesën e tij për alfabetin e gjuhës shqipe, për të parë evoluimet, kompromiset dhe punën kolosale të Mjedës për një alfabet të përbashkët të gjuhës shqipe. Mjeda punoi me këmbëngulje, të paktën 20 vjet për këtë çeshtje madhore kombëtare (1888-1908). Mjeda shërbeu në Mirditë si famullitar i Vigut dhe administrator i Mnelës, deri në prill 1902. Një letër e kardinalit Ledohovski i drejtohet Ndre Mjedës me adresë në Abacinë e Mirditës. Shënimet e Mjedës i gjejmë në rregjistrin e lindjeve të Vigut deri me 10 mars 1902. Njoftimin e parë të largimit të Mjedës nga Vigu e gjejmë në letrën autografe të Mjedës që ai e shkruan nga selia e vëllait të tij, Lazër Mjedës, ipeshkëv i Sapës, nga Nënshati me 20 maj 1902. Për tre vjet që shërbeu në Mirditë, Mjeda u përpoq që krahas detyrave fetare, ndërtimit të kishave, të ngrinte ferma moderne, të ndërtonte shkolla, të botonte libra shkollore. Ai u angazhua në Lëvizjen për Rilindjen Kombëtare si dhe në Luftën për Pavarësi.

Pyetje: At Pashk Bardhi është një tjetër dijetar që ka shërbyer për një kohë të gjatë në fshatra të Mirditës dhe ka shkruar për të apo figura të klerit katolik të saj. Do të ishte me interes të hidhej dritë dhe mbi këtë figurë.

Përgjigje: At Pashk Bardhi është ndër figurat më karizmatike të shoqërisë “Bashkimi ” , ndër më të aftit dhe më seriozët. Ka luajtur një rol të dukshëm në luftën për një alfabet të përbashkët. Mësues i shqipes, ai zë një vend të dukshëm në historinë e kulturës kombëtare.

Pyetje: Pranohet gjërësisht se ka patur një lidhje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm mes Shkodrës dhe Mirditës, sidomos në aspektin kulturor, nga ka rrjedhur dhe një respekt e mirënjohje e ndërsjelltë. Ku i gjeni ju arsyet e kësaj marrëdhënieje interesante?

Përgjigje: Ju pohoni një të vërtetë të njohur jo vetëm në rrethet shkencore. Mirdita bën pjesë në landshtaftin e Shkodrës. Njihen lidhjet tregtare, ekonomike, administrative. Që këtu e kanë zanafillën edhe lidhjet kulturale e historike mes Mirditës e Shkodrës. Mjafton të kujtojmë se pothuaj gjithë pjesëtarët e shoqërisë “Bashkimi” ishin klerikë nga Mirdita., që qendrën e kishin në Shkodër. Lidhjet e fundit të krijuara në rrafshin shkencor me rastin e krijimit të traditës së seminarëvë ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj” vërtetojnë këto lidhje e marrëdhënie interesante.

Pyetje: Mirditasit, studiuesit, kanë qenë të mirëpritur në Seminarin Ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”, që ju e keni ideuar dhe realizuar për afër 10 vjet, duke përmbushur një mision shkencor të rëndësishëm në kohën e sotme. Ç'të reja kanë sjellë dhe sa përfaqsuese kanë qenë kumtesat e autorëve mirditorë në këtë veprimtari?

Përgjigje: Studiuesit mirditorë si dhe ato që e kanë origjinën nga Mirdita kanë qenë bashkëpunëtorë të rregullt e të ftuar nderi të Muzeut Historik, kjo për shumë arsye. Në rradhë të parë sepse kanë treguar një afinitet dhe dashamirësi të dukshme për Muzeun dhe kanë kuptuar deri në imtësi idetë dhe politikat tona shkencore lidhur me nxitjen dhe fuqizimin e shkencës dhe të kulturës kombëtare. Ata kanë qenë ndër bashkëpunëtorët më të zellshëm e më të afruar me stafin drejtues të seminarit ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”. Ndër studiuesit më të spikatur në këtë drejtim kanë qenë Prof. Dr. Mark Tirta, Dr. Nikoll Toma, studiuesi i zellshëm Dr. Pal Doçi, Nikoll Doda, Gjon Marku, etj. të cilët kanë qenë pjesëmarrës të rregullt të të gjitha seminareve të mbajtura në Shkodër këto dhjetë vjet. Kryesisht është hedhur dritë mbi shoqërinë kulturore gjuhësore “Bashkimi”, ku rolin kryesor e kanë luajtur klerikë të abacisë së Mirditës, mbi historinë e lashtë të Mirditës sipas gjurmimeve arkeologjike, mbi historinë e Mirditës në mesjetë, mbi qëndrimin antikomunist të Mirditës gjatë viteve 1944-1960. Por janë dukur studime serioze edhe për probleme të veçanta, studime mbi Kanunin e Mirditës, mbi filatelinë në Mirditë, historia e pullës së parë të Mirditës, etj.

Pyetje: Ndërkohë ju keni ardhur në Mirditë në sesione shkencore të organizuara në Rrëshen?

Përgjigje: Kam qenë i ftuar dhe kam marrë pjesë në disa veprimtari shkencore të organizuara nga qarqet intelektuale dhe shkencore të Mirditës. Siç e kam përmendur edhe më lart në këtë intervistë, Mirdita ka qenë një krahinë historikisht me një status të veçantë që vetë krahina ia ka krijuar vetes. Këtë “etnicitet” Mirdita e ka garantuar nga potencialet e veta krijuese, ndofta edhe në një farë mënyre nga vështirësitë që ka patur në shekuj. Është i njohur fakti se poetët më të medhenj të Italisë nuk kanë lindur as janë formuar në bulevardet e Romës, por shumica e tyre kanë lindur dhe janë mëkuar në alpet dhe në krahinat e vështira të Italisë.

Kam qënë gjithnjë i interesuar për historinë, për kulturën, për personalitetet e kësaj treve. Shumë prej këtyre personaliteteve kanë patur një ndikim të madh në historinë, kulturën tonë kombëtare. Historia e kësaj treve ka qenë e lidhur me fije të panumërta me historinë e vendit tonë. Por kryesorja ka qënë fakti se një nga temat kryeosre të studimeve të mija ka qënë ajo e Ndre Mjedës, cili patjetër është një mirditor i mirëfilltë dhe autentik. Sesionet shkencore dhe në përgjithësi e gjithë jeta kulturore dhe shkencore që ka zanafillen, që organizohet, ose që lidhet me këtë treve, paraqitet e një niveli të lartë e të kualifikuar. Në Mirditë, ose përmes Mirditës kam fituar shumë miq e bashkëpunëtorë. E ndjej veten të lidhur shpirtërisht me këtë zonë të tabanit të mirfilltë kombëtar. Pyetje: Duke gjurmuar nëpër dokumente dhe arkiva, ju keni ndeshur ne dokumente të ndryshme, ndoshta jo dhe aq të publikuara, apo në botime të vjtra që do të ishte me vlerë të ripublikoheshin. A ka diçka të tillë dhe në rastin e Mirditës që ju e rekomandoni?

Përgjigje: Nuk mund të them se kam bërë gjurmime të mirëfillta për Mirditën. Por pa tjetër interesat e mija shkencore për një nga bijtë më të denjë të Mirditës, krenari e ligjshme dhe nder për këtë trevë, poetit Ndre Mjeda, janë bërë shkak që të zbuloj shumë dokumente me interes. Sidomos me ardhjen e epokës së demokracisë edhe për mua janë hapur mundësira për gjurmime në arkiva e institucione të huaja e vendase. Kohët e fundit kam bërë ekspedita gjurmuese në arkiva të Romës me shumë sukses në këtë drejtim. Janë shumë dokumente dhe letra të panjohura deri tani që lidhen me Mjedën, e përmes tij edhe me trevën e Mirditës. Ka mes tyre dorëshkrime apo korrespondenca autografe të poetit të cilat paraqesin interes shkencor të veçantë. Me interes për Mirditën janë edhe shumë dokumente të arkivave austriake. Në këto dokumente jepen të dhëna me vlerë për personalitete të rëndësishme të Mirditës, si Prend Doçi, Pashk Bardhi, Gjergj Koleci, Dodë Koleci. Shpresoj që me disa botime konsekutive të realizoj këto dokumente, por që kanë interes edhe për studimet për Mirditën. Unë rekomandoj që të gjithë institucionet shkencore, arsimore dhe kulturale të Mirditës të nxisin studimet për trevën e tyre, duke angazhuar jo vetëm intelektualët, por edhe studentët e rinj. Mirdita ka shumë miq e dashamirës, brenda ose jashtë saj, brenda vendit ose jashtë vendit dhe besoj se po u nxitën ato, po u angazhuan ato dhe po u vunë ato me forma nga më të ndryshme për të gjurmuar për temën e Mirditës, mund të arrihen rezultate të dukshme me vlera të pallogaritshmë, në drejtim të ndërtimit të trasesë për zhvillimin dhe progresin e kësaj treve të pasur dhe me një popullsi jashtëzakonisht inteligjente, punëtore e liridashëse. Ideja për një botim të dokumenteve dhe burimeve që lidhen me Mirditën është shumë interesante dhe do të ndihmonte jo vetëm studimet për Mirditën, por edhe gjithë ato studiues ku tema e Mirditës është e lidhur qoftë edhe indirekt me të.

 

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net