Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
FAQE KRYESORE Për anëtarët

Ju jeni: Editorial-Lufta e UÇK dhe statusi final i Kosovës.

TEMAT

 Shpirti i turmës...

Si u largova nga Shqiperia

 Kadare, nderi ynë

 Listat zgjedhore

 Shqiperia dhe terrorizmi

 Lëvizja Vetëvendosje

 Vetvendosja e Kosovës

 Anatemimi i Kadaresë

 Denoncimi i së keqes 

 Lufta dhe statusi i Kosovës  

 Ligji i KLD dhe Kushtetuta 

 Letër institucioneve 

 31 Janari 97 ditë dhembje

 Vepër e atyre...

 


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

LUFTA E USHTRISË ÇLIRIMTARE E KA PËRCAKTUAR STATUSIN FINAL TË KOSOVËS!

Shkruan Sejdi Veseli

Nuk ka forcë e cila do të jetë e aftë për të shtypur rezistencën e popullit shqiptar, kur është në pyetje mbrojtja e interesave të tij të ligjshme, njerëzore dhe kombëtare! Paralajmërimet në rritje, se po afron momenti i fillimit të mësymjes përfundimtare për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, kanë ndikuar që të thellohet shqetësimi kolektiv i shqiptarëve. Në thellimin e këtij shqetësimi kolektiv të shqiptarëve ka ndikuar edhe droja e arsyeshme e tyre, se mos gjatë procesit të zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, edhe në këtë etapë të historisë, si dhe në të kaluarën, do të ripërballen me skenarët e njohur të Evropës njerkë, aspak të këndshëm për ta. Vërtetë nga shumica e deklarimeve të shumicës së atyre, të cilët imponohen si përfaqësues të atyre faktorëve, të cilët pashmangshëm do të marrin pjesë aktive në procesin e “zgjidhjes” të statusit politik të Kosovës, mund të nxirren përfundime të qëndrueshme, se në një kohë të afërt, shqiptarët do të detyrohen të përballen me sfida shumë të rrezikshme, e që epilogu i tyre do të ndikoj fuqishëm në të ardhmen e tyre në përgjithësi! Kur dihet kaçiku intelektual, virtytet morale dhe shkalla e gatishmërisë së atyre, të cilët do të përballen drejtpërdrejti me këto sfida dhe që janë të mandatuar në bazë të verdiktit të votës së popullit ( mjerisht të mashtruar ) për të përfaqësuar me devotshmëri interesat legjitime të Kosovës, duhet konstatuar me dhembje në shpirt se nuk mund të parashikohet një epilog i favorshëm për shqiptarët. I tillë është edhe deklarimi i para pakë ditësh i PSSP të OKB-së, z. Soren Jessen-Petersen në një konferencë për shtyp, në Prishtinë, me 23 gusht 2005, cit: “...Bisedimet për statusin politik nënkuptojnë arritjen e kompromisit në mes dy palëve...Se cili do të jetë statusi apo cili do të jetë kompromisi, kjo nuk është punë e imja. Puna ime është që ta drejtoj Kosovën në rrugën që do të shpie deri te bisedimet...”, mbaron citati. Kjo deklaratë e njeriut të parë të administratës neo-kolonialiste ndërkombëtare në Kosovë, z. Petersen, nuk mund të kuptohet ndryshe, pos si një paralajmërim ogurzi për të ardhmen e popullit shqiptar të Kosovës. Shkalla e rrezikshmërisë së këtij paralajmërimi të publikuar nga ky finok i diplomacisë fiton në peshë, kur atij i shtohen edhe paralajmërimet kërcënuese të KFOR-it, se do të krijojë zona të mbrojtura dhe rreptësishtë të ndaluara për civilët. Këto paralajmërime kërcënuese të KFOR-it emetohen në vazhdimësi, jo vetëm në shumicën e mjeteve informative kosovare, por edhe në ato ndërkombëtare, siç ndodhi me 17 gusht 2005, kur zëdhënësi i KFOR-it, Koloneli De Kersabje, në Ditarin shqip të “Zërit të Amerikës”, pa hezitimin më të vogël e paralajmëroi popullin e Kosovës, se në gjashtë vjetorin e përfundimit të luftës së tyre të armatosur çlirimtare, do të krijohen dofar zona të “sigurisë”, të koduara me “blu” dhe “të kuqe”, të cilat do të mbrohen nga policia dhe KFOR-i. Sipas paralajmërimit edhe të këtij zëdhënësi të KFOR-it, në këto zona do të ndalohet rreptësishtë hyrja e civilëve (lexo: e shqiptarëve). Ndërsa, ne rastet e trazirave eventuale, personat që do të përpiqen të hyjnë në këto zona të ndaluara, do të përballen me pasoja. Paqeruajtësit” do të jenë të autorizuar për të përdorur edhe armët e zjarrit, ndaj atyre që tentojnë të futen në këto zona. “Çka duket për diell kallauz nuk do” – thotë një thënie e urtë popullore. Duke u bazuar në këtë kërcënim të forcave paqeruajtëse (lexo: forcave kolonizuese), mund të nxirret përfundimi, se nga disa qarqe të njohura ndërkombëtare, po përgatitet një lloj “zgjidhje” e statusit politik të Kosovës, shumë e dëmshme për interesat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve, përkundër faktit se ata përbëjnë 90% të popullatës të kësaj krahine shqiptare, të ndarë dhunshëm po nga këto qarqe, nga tërësia e saj e natyrshme - Shqipëria. “Historia është mësuesja e jetës” do të thoshin filozofët. Në bazë të sjelljeve të ndërkombëtarëve, sidomos pas përfundimit të luftës së armatosur çlirimtare të Kosovës, të Luginës së Preshevës dhe të Luginës së Vardarit, përjashtuar disa klane të politikanëve të korruptuar dhe zaptit e tyre të dëgjueshëm shqipfolës, nga shumica e popullit shqiptar janë nxjerrë përfundime të qarta. Diçka e tillë mund të pritet, sidomos nga bijtë dhe nipërit e atyre që e patën fjalën kryesore, gjatë arritjes së Marrëveshjes së Shën Stefanit (1878), në Kongresin e Berlinit (1878), në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), gjatë përpilimit dhe nënshkrimit të Traktatit të fshehtë të Londrës (1915), si dhe të Traktatit të Versajës ( 1918). Me siguri, nga diplomat të disa qarqeve ndërkombëtare edhe kësaj radhe, do të tentohet ashtu si në kohën e gjyshërve dhe baballarëve të tyre, që për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, të përdoren modalitetet e sajuara në përputhje me direktivat e Beogradit zyrtar, pa u brengosur fare se me një veprim të tillë do të shkeleshin paragrafët e dokumenteve ndërkombëtare, në mënyrën më flagrante, siç janë: 1. Rezoluta Nr. 637 (VII), e miratuar nga OKB, me 16. 12. 1952 : “E drejta për vetëvendosje e popujve dhe e kombeve është parakusht për respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut” 2. Rezoluta Nr. 2625 (XXV), e miratuar nga OKB, me 24. 12. 1970, e cila ndër shtatë parimet e saj kryesore, në pikën 5 përmban edhe parimin e barazisë dhe të vetëvendosjes të popujve: "Krijimi i shteteve të pavarura dhe sovrane, bashkimi i lirë me ndonjë shtet tjetër të pavarur, varet nga vendimi i miratuar politik i atij populli, i cili mbështetet në të drejtën e tij universale për vetëvendosje . Prandaj, çfarëdo forme tjetër shtetërore e cila i imponohet me forcë...përbën shkelje flagrante të së drejtës së tij për vetëvendosje...”, dhe se me një veprim të tillë, do t'i përdhosnin edhe institucionet ndërkombëtare të cilat i kanë aprovuar këto dokumente! Andaj, edhe përgjegjësia për zhvillimet të cilat do të pasonin, shumë të rrezikshme për paqen edhe ashtu të brishtë, në Ballkanin e mbarsur me shumë probleme të pazgjidhura kombëtare, do t'u adresohet jo vetëm këtyre qarqeve, por Bashkësisë Ndërkombëtare në përgjithësi! Kërcënimet e KFOR-it lakuriqësojnë edhe një të vërtetë, se si për UNMIK-un, ashtu dhe për instruktorët e tij, se është më se qartë, se shqiptarët nuk do të pranojnë që t'u përsëritet historia e hidhur, duke u futur edhe njëherë nën tutelën e Serbisë gjakatare. Andaj edhe është urdhëruar Komanda e KFOR-it, që të ndërmerr masat përgatitore operative, që në bashkëveprim me policinë unmikistaneze dhe të ashtuquajturën SHPK, të shtypë pa mëshirë revoltën edhe pse shumë të arsyeshme të shqiptarëve, e cila me siguri do të pasojë, nëse nga kushdoçoftë tentohet të nëpërkëmben interesat e tyre të ligjshme, njerëzore dhe kombëtare! Në bazë të sjelljeve të deritanishme të UNMIK-ut, KFOR-it dhe të instruktorëve të tyre politik, ushtarak dhe policor, mund të arrihet në përfundimin, se nga ana e tyre është krijuar një bindje e gabuar për shqiptarët. Si duket kontaktet e tyre, kryesisht me politikan të korruptuar dhe karrierist, si dhe me shoqërues e përkthyes me të kaluar të dyshimtë, për fatkeqësinë e tyre, nuk kanë arritur të kuptojnë karakterin e vërtet të shqiptarit. Po të mos ishte kështu, me siguri, jo vetëm se do të silleshin krejt ndryshe, por as nuk do të përgatisnin veprime të tilla diletante, siç është krijimi i zonave të ashtuquajtura të sigurisë, në kuadër të masave përgatitore për të shtypur revoltën e drejtë të shqiptarëve. Kështu diçka u përpoqën ta bëjnë edhe pushtuesit serbo-çetnik, në fund të shekullit të kaluar. Epilogu dihet! Është momenti i fundit që Bashkësia Ndërkombëtare ta kuptoj drejt, mirë dhe përfundimisht, se shqiptarët nuk i dorëzuan armët dhe as nuk e demobilizuan UÇK-në si pasojë e qyqarësisë së tyre. Jo! Shqiptarët, si popull i civilizuar që janë, këtë veprim të urtë e bënë nga bindja, se mos më në fund ajo çka përjetuan para syve të Bashkësisë Ndërkombëtare, do të kishte zgjuar ndërgjegjen e saj njerëzore dhe, më në fund do të shfrytëzonte rastin për t'i korrigjuar gabimet që u kishte bërë shqiptarëve në të kaluarën, duke e copëtuar Truallin etnik të tyre, për një qëllim të vetëm: kënaqjen e orekseve grabitqare të fqinjëve të tyre sllavo-grek. Por çfarë ndodhi? Njëkohësisht me invadimin e Kosovës nga forcat e KFOR-it, filloi të instalohet edhe administrimi ndërkombëtar-UNMIK-u. Nuk vonoi dhe pushteti civil i drejtuar nga vendorët dhe UÇK-ja, me një urdhëresë administrative u shpërbën. Përfundimisht tërë pushteti civil dhe ushtarak në Kosovën e porsaçliruar, kaloi në duart e ndërkombëtarëve. Me vendosjen përfundimtare të UNMIK-ut i tërë pushteti u koncentrua në duart e PSSP-së, ndërsa populli u nda në dy shtresa: Në atë të favorizuarën dhe në atë të diskriminuarën. Shtresa e parë përbëhej nga minoritarët serbo-malazias, të cilët realisht nuk përbëjnë as 5% të popullatës së Kosovës. Ndërsa shtresa e dytë përbëhej nga populli shqiptar i cili përben afro 90% të popullatës së Kosovës dhe grupet etnike jo serbe të cilat përbëjnë afro 5% të popullatës të saj.

Aktualizimi i procedurës për finalizimin e statusit të Kosovës, në përputhje me kërkesat e Beogradit zyrtar, lakuriqëson përfundimisht pafytyrësinë e disa qarqeve ndërkombëtare të instaluara në kuadër të UNMIK-ut e KFOR-it, si dhe atë të servilëve të tyre vendor. Thënë me dashamirësi, sa nuk është bërë tepër vonë, do të duhej ta kuptojnë përfundimisht, si Serbia, ashtu dhe aleatët tradicional të saj: -se kanë perënduar në pakthim ato kohëra kur bëheshin pazarllëqe me të drejtat kombëtare dhe trojet etnike të shqiptarëve, sikur ato të ishin plaçka të thjeshta të tregut; - se për këtë etapë të rrugëtimit të sigurt të shqiptarëve drejt realizimit të aspiratës së tyre legjitime, për të jetuar të lirë dhe të ribashkuar në një shtet të vetëm, çështja e statusit politik të Kosovës është punë e kryer. -se shqiptarët e Kosovës janë të vendosur për ta shfrytëzuar të drejtën e tyre të natyrshme për të vetëvendosur për të ardhmen e tyre; - se ky është vullneti i popullit shqiptar të Kosovës; - se këtë vullnet të dy milionë shqiptarëve të Kosovës e ka vulosur lufta e tyre e armatosur çlirimtare, të cilën u detyruan ta bëjnë, jo pse kishin pretendime territoriale ndaj trojeve etnike të popujve me të cilët kufizohen, por për t'u çliruar nga terrori i organizuar shtetëror i përmasave të gjenocidit, i cili ushtrohej mbi ta nga pushtuesi serbo-çetnik. Kjo është një e vërtetë e pakontestueshme, e cila nuk mund të kontestohet as nga Bashkësia Ndërkombëtare, sepse ky terror i shtetit serbijanë u ushtrua ndaj shqiptarëve, para syve të saj. Është momenti i fundit që, si Bashkësia Ndërkombëtare, ashtu dhe servilët e saj vendor, t'ia vënë gishtin kokës dhe të rishikojnë sjelljet e tyre në raport me shqiptarët, para se t'i kalojnë kufijtë e durimit të tyre, sepse po u kaluan këta kufij, pasojat do të jenë, jo vetëm të paparashikueshme, por edhe shumë vështirë të riparueshme! Pra, do të ishte në shërbim të interesit të përgjithshëm, që UNMIK-u, KFOR-i dhe instruktorët e tyre, të mos e sjellin punën, për t'u bindur përfundimisht: -se nuk ka forcë e cila do të jetë e aftë për ta shtypur rezistencën e popullit shqiptar në mbrojtje të interesave të tij legjitime, njerëzore dhe kombëtare; -se rezistenca e shqiptarëve nuk do të ndalet, për derisa nuk krijohen kushtet optimale për të shfrytëzuar të drejtën e tyre të pa tjetërsueshme, për t'u vetë përcaktuar dhe vetëvendosur për të ardhmen e tyre dhe atë, vetëm në bazë të vullnetit të tyre të lirë!

Prishtinë, më 26 gusht 2005

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net