Kosova, Vitore Leka dhe Riza Sheqiri gjuhën rumune- nga Baki Ymeri
Pa marrë parasysh mediokritetin moral dhe historinë e hipokrizisë së një klani merkantelist (Manolesku-Kyçyku-Dobresku), Rumania ka shprehur dhe shpreh admirim ndaj Shqipërisë vlerave të mirëfillta shqiptare. Po qe se Miku i shqiptarit e lë mënjanë kauzën shqiptare të Kosovës duke botuar sa për sy e faqe disa poetë (të njohur e të panjohur), revista Shqiptari (e cila del me ndërprerje që nga viti 1888) ka botuar e boton vazhdimisht artikuj për Kosovën dhe vlera letrare shqiptare. Dhe jo vetëm Shqiptari, por edhe mediat letrare rumune, Poezia, Oglinda literara, Poesis, Vitralii, Cronica etj. Në këtë kontekst, Cronica e Jashit dhe Oglinda literara e Fokshanit, botojnë përgjatë marsit parathënien e antologjisë me pesë poetë nga Kosova, Ishulli i pavdekshmërisë (Nën vetullat e historisë apo Bukuroshja e lënë peng për dy dhëndurrë), dhe një reçension të eseistit Florentin Popesku Mesaje lirice de pe “Insula nemuririi” (Mesazhe lirike nga “Ishulli i pavdekshmërisë”). Bashkëveprimet e shëndetshme ndërmjet Bukureshtit dhe letërsisë shqipe janë duke u përlindur në sajë të përkushtimeve të sinqerta të dr. Sali Bashotës nga Prishtina, Vitore Stefa Lekës nga Triesta, etj.
Pas prezantimit të një numri të konsideruar vjershash të disa autorëve nga Kosova e Shqipëria, nën përkujdesjen e eseistit Marius Chelaru dhe zonjës Valeria Manta Tăicuţu, revista Vitralii(Vitrina) e qytetit Rëmniku Vëlçea, boton në numrin e fundit (3/2006), disa faqe me poezi shqipe nga diaspora. Kështu, paralelisht me shënimet biobibliografike, Riza Sheqiri (autor kosovar që jeton në Suedi), vjen para lexuesit rumun me poezitë Ce greu (Sa vështirë), Imn de viaţă (Himn jete), Porunca mamei (Porosia e nënës), Pietrişul (Gurishta) dhe Stânca (Shkëmbi). Një vend të dukshëm në faqet e kësaj tribune mujore i jepet edhe një zonje shqiptare nga Italia, Vitore Stefa Leka, e stërmbesa e Konstantin Kristoforidhit, poeteshë dhe humaniste me prejardhje nga Berati, e konsideruara nga ata që e kanë njohur si “Nënë Tereza e Triestës”, autore e veprave La liberta, E përjetoj Rilindjen, Vetmi e largësisë, Plagë shpirti. Vitore Leka vjen në faqet e një reviste prestigjioze rumune me një cikël vjershash të huazuara nga vëllimi i saj Vetmi e largësisë (Albin, Tiranë, 2004). Poezitë Atingerea ta (Prekja jotre), Spune-mi (Më thuaj), Fără tine (Pa ty), Despărţirea (Ndarja), Din nou primăvara (Sërish pranvera), Ucid amintirile (Mbysin kujtimet) dhe Refugiaţii (Refugjatët), i përktheu në gjuhën rumune autori i këtij shkrimi. (Baki Ymeri)
|