SULLTANI NISET PËR GJUETI
Ishte e disata herë që në pashallëkun e Shkodrës përhapej fjala se Sulltani do të dilte në ato anë për gjueti. Por sakaq gjithçka fashitej e shuhej aty në bregun e Bunës dhe gjer ku rrihte teli i Stambollit. Sulltani nuk vinte. Ndoshta punët e luftës gjithandej, dekretimi dhe ç'dekretimi i vezirëve nëpër viset e Perandorisë, orgjitë.
“E si qenka e mundur të dyndet Sulltani për gjueti gjer në këto gryka të nemura?”
Edhe pas vdekjes së beftë të Vezirit, Sulltani lajmëroi daljen e tij në ato anë, për gjueti. Në të vërtetë dihej pasioni i tij i çmendur për gjueti shpezësh të egra.
“Ka njerëz kryengritës andej. Vazhdimisht na sjellin kobe. Kanë vrarë pa mëshirë nga njerëzit tanë. Ju aty i keni, Padishah, raportet tona për ato male të egra. Dhe ato më të fundit. Nuk hyhet atje… Janë male të thella, humnera të zeza. Edhe shpendët e tyre janë krenarë, fluturojnë lart, larg…”
Po Sulltani nuk donte t'ia dinte.
“Aq më mirë. Do të ketë dhe ujqër, derra të egër, arinj. Vetëm atje nuk kam shkelur nga të gjitha viset e Perandorisë sime!”
“Ka lumenj të rrëmbyeshëm, të frikshëm, për Allah!”
“Frikacakë!” i vinte kapak ai refuzimit të tyre.
“O perëndi! Mirë se për jetën tonë s'i bëhet vonë, po për jetën e tij si nuk e ha meraku?”
Dhe i vunë në tryezë lajme të tjera të dhimbshme.
“Dje arnautët kanë vrarë dy gjykatës. Kanë therur një taksidar. Kanë…”
“Pooo, i kanë bërë të gjitha këto! E di. Po pse nuk thoni se dhe ju keni helmuar e mbytur priftërinj, kaurrë të tjerë?! Ka mbetur gjallë vetëm ai bariu i madh i tyre, Bogdani, dalzotësi...”
Dukej se kësaj here as tufani, as termeti, as vetë vdekja nuk e kthente mbrapsht Mbretin. “Të jetë thjeshtë gjuetia?” u përpoq të kthjelltohej Bejlerbeu i Nahijes së Epërme, kur u njoh me vendimin e pakthyeshëm të Sulltanit. Njeri nga kronikanët e Oborrit, njëherësh organizator i sezonit të gjuetisë së Padishahut, kishte përshkruar me imtësi trimëritë dhe heroizmat e të zot në gjueti, pa harruar dhe rreziqet e shumta që kishin kapërcyer… Një dimër të turbullt, duke mos pyetur për borë, breshër, akull, shi e suferinë ishte nisur grupi i gjuetisë. Kur kishin mbërritur në bregun e një lumi të terbuar, që s'i shihej ana tjetër, Sulltani kishte shtyrë kalin e tij të fortë ta kalonte me vrull. Po ujërat e furishëm e përpinë sa hap e mbyll sytë. Iu turbullua gjithçka, parajsa tokësore tani kishte qenë vetëm një ëndërr vere. Vdekja po e merrte ashtu butë – butë, si një turbullirë e ëmbël. A nuk kishin thënë se ajo e shkretë vinte mbi kalë të shalës? I erdhi keq se po vdiste. Mendja i shkoi te haremi i ri. Ishin ca zogjka që nuk duhej t'i linte. Por Allahu kështu e paskësh thënë.
“Lamtumirë, o botë! Lamtumirë perandoria ime! Tani nuk do të ketë më luftëra. Do të ndërpriten dhe ato që vazhdojnë. Më të mbërritur lajmi i vdekjes sime. Plani i luftërave të reja do të mbyllet në sirtar për njëqind vjet. Arnautët e atyre maleve, që me vullnetin tonë janë bërë “turq”, sakaq do të kthehen në fenë e tyre. Apo nuk ishte gjallë ai Dalëzotësi… Dhe njerëzia do të thonë ku lind e ku merr dielli: Iku pa ndonjë betejë, pa ndonjë trimëri, thjesht për një tekë, etjen e shfrenuar për gjueti… ah… etjen… për çfarë jo… Përse o Allah? Përse? Përse t'i lë jetime ato zogjkat e njoma të haremit tim? Të fundit do t'i therja dhe ato…”
Por Allahu kishte dëgjuar. Papritur e pa veten në breg, në shpinë të kalit të tij bujar. Kali, falë zotësisë dhe shkathtësisë së të zot, kishte bërë mrekullinë që nuk do ta kishte bërë gjithë ushtria e pafundme e Perandorisë. E kishte nxjerrë gjallë në bregun tjetër. Trupi i tij e dinte si ishte përpëlitur në dallgët e shfrenuara të atij lumi, dhundrat që ishin gjakosur dhe gjunjët e këputur. Pa andej-këndej se mos ishte diku shpura e tij. Asnjë për be nuk kishte dalë gjallë në breg. I kishte përpirë rroposja e atij lumi të gjithë, dhe kronikanin plak. Kishin marrë fund dhe fletët e asaj historisë së gjuetisë së Sulltanit, në atë qitapin e trashë, që gjithashtu e kishin përlarë ujërat… Për herë të parë Sulltani e mori seriozisht vdekjen, e cila të zika shtegun më të ngushtë. Ndoshta kjo është dhe enigma më e madhe e kësaj bote, vdekja të fal kur të ka shtenë njëherë në zgafellën e saj, po dhe të merr kur e ke harruar se ajo ekziston. Por nuk ishte koha për të vrarë mendjen. Po binte nata dhe atij tani i duhej një strehë, ca kalorës të tjerë që ta rikthenin nga kishte ardhur…
Kronikani i ri që kishte zëvendësuar të parin u drithërua gjer në shpirt. Po sikur të përsëritej historia, që e kishte zakon të përsëritej ç'është e vërteta, po sikur dhe andej në Arnautllëk, nga do të venin, të kishte serish një lumë theqafje dhe ai të shkonte si paraardhësi i tij, për tekën e papërballueshme të të Zot? A kishte kuptim e njëjta marrëzi? Mallkoi veten që e kishte pranuar atë post të lakmueshëm nga shumë shkrues të tjerë oborri…
Shumë kush mendoi se Sulltanit, pas mbytjes e më pas ringjalljes në atë lumin e paemër, i ishte shuar sadopak pasioni i marrë për gjuetinë e shpezëve të egra. Mirëpo atij veçsa i ishte shtuar dëshira për të bredhur krejt hapësirat e pamata të shtetit perandorak, për të vrarë fluturakë të llojllojshëm, apo dhe ujqër, drerë, arinj, arusha që gjuanin kosheret e mjaltit. Tani nuk e zinte gjumi pa i kënduar te koka ai kronikani i ri libra që bënin fjalë për gjuetarë me nam, për vrasje të bujshme gjallesash në pyje e këneta. Pasioni i tij po bëhej dhe më i papërballueshëm, sa në përfytyrimin e tij lëviznin gjithnjë kalëri të shpejta në kërkim të gjahut. Imagjinonte situata të papara tek qëllonte mbi gjahun dhe tek gazmohej kur e shihte të përpëlitej në këmbët e tij gjersa jepte shpirt.
Natën para se të nisej nuk i kërkoi kronikanit të ri t'i lexonte më libra gjuetie, por i tha të kthente fletën e ditarit, ku flitej për gjuetinë e tij të një viti më parë në një nga nënalpet e Ballkanit. Kishin hasur asaj dite një kaproll. E kishin ndjekur nëpër një lug të thellë, gjersa kaprolli kishte nisur të gulçonte me shkumë për goje. Një kalorës i fuqishëm e kapi kafshën e egër për turiri, ajo lëshoi një ulurimë të thekshme dhe ia dha vrapit duke e tërhequr zhag atë kalorësin. Një tjetër në krah të tij, duke pandehur se kaprolli po zhdukej duke u lenë shendenë, dhe atëhere mbi kokat e tyre do të binte sateri i Padishahut, u lëshua si vetetimë dhe e mbajti me një heshtë nja pesëdhjetë metra më tej. Sulltani i fali këtij të fundit një kalë arab, që i shkelqente qimja. Pasi e soditi kafshën e vrarë për disa çaste urdhëroi rojet ta shpienin në katundin më të afërt. U mblodh aty një taborr me kurreshtarë. “Shpërnda-ua-ni”, tha Sulltani. Rojat e laskaruan kafshën e mbytur, me keq se ta kishin capërluar langojt e gjahut, por katundarët e atij katundi nuk pranuan ta merrnin mishin. “Janë kryengritës”, iu kujtuan Sulltanit fjalët e raporteve të përhershme të valinjve dhe vezirëve të maleve për këta njerëz. Këta kishin vrarë gjykatësit e tij. Këta kishin prerë linjat telefonike. Këta bënin jetë fetare të dyfishtë, ditën shkonin në xhami, kurse në mbrëmje thonin uratët në shtëpitë e tyre, që i kishin kthyer në uratore të vogla pas shembjes së kishave në pllaja… Këta u kishin zenë pritë ushtrive të Perandorisë… Sepse këta, arnautët, ishin një racë e çuditshme që nga koha e atij, Gjergjit të Kastriotëve. E, pra, këta nuk kishin si të merrnin mishin e falur prej tij. Në të vërtetë malsorët nuk kishin thënë asnjë fjalë, vetëm kishin refuzuar me ikjen e tyre të ngadaltë nga ai vend që befas ishte shndërruar në thertore. Ndoshta ata nuk i laskaronin kështu kafshët e tyre të pyllit. Ndoshta…
Fermani mbërriti në fund të majit. Në fillim të vjeshtës, Sulltani do të niset drejt Rrafshit të Dukagjinit… për gjueti. Po përse pikërisht atje? Në ato anë Ipeshkëv është një tjetër Bogdan... Andrea, plaku. Sulltanit ia kishin relatuar të gjitha rreziqet e mundshme. Po ai ua kishte prerë shkurt: “Do të vete për gjueti…” “Për gjueti? E ç'gjah ka në atë fushë Kosove? A nuk ka një vend më të përshtatshëm?… Pastaj, a nuk ka lënë rrashtin aty Sulltan Murati I?”
Pritej me sot e me nesër mbërritja e Sulltanit. Gjithnjë fermani i ri e ndryshonte Nahijen ku do të vente Sulltani... shi kur ishte lajmëruar se në Malin e Zi do të niste lufta… Ec e merre vesh… do të bëhej luftë apo do të dilej për të vrarë sorra? Ata që hamendësonin ishin valinj, komandantë xhandarmërie, sejmenë e të tjerë nëpunës të Perandorisë, nga ata që nuk mund ta ndalnin turrin e Sulltanit në vendet ku sundonin. E ndërsa pritej vizita e gjuetisë së shpallur, në Arbëri ra murtaja. Kolera rrëmbeu të parin Pashain e Shkodrës. Pashallëku ra në zi. Ipeshkvi bashkë me një vizitor apostolik dolën për vizitë baritore nëpër famulli e dioqeza... Lajmet që i përcilleshin tashmë Stambollit ishin secili më i frikshëm se tjetri. Murtaja po përfshinte pak nga pak gjithë nervat dhe poret e perandorisë…. S'mjafoi vdekja e Pashait, por fill pas tij ndërroi jetë dhe kushëriri i tij, Ali Bezolli. Ai ishte betuar ta copëtonte Ipeshkvin, por befas kishte mbetur i vrarë nga dora gjakatare e të vëllait, kush e di se për ç'sherre bejlerësh. Një turk i lartë i Veziriatit, që kishte përqeshur Bogdanin duke venë mitrën ipeshkvnore mbi kokën e tij, ishte rrëzuar nga një urë dhe kishte vdekur ne vend. Dy grabitës që të shtyrë nga besnikët e Valiut i kishin vjedhur Abatit kelkun e shenjtë pak para fillimit të meshës, nuk ishin pikuar nga perëndia, por ishin vrarë nga ortakët e tyre, pasi kishin dashur t'i përvetësonin gjithë sendet e arta që i kishin grabitur një nuseje. I kishin varrosur në borë, pasi aty ku jetonin ata ishte një bjeshkë e lartë shumë dhe toka nuk shtrohej asnjëherë…
Paqja dhe amshimi kishin marrë fund në ato vende që kërcënoheshin nga lufta, varfëria, kolera. Nëpër ato male vazhdonte të lutej njeriu i lajmit të mirë, dhe malsorët besonin fort në lutjen e tij! Aq sa dukej se atë vend e kishte mbajtur gjallë në ato stuhi vetëm lutja… Jo pak felëshues tani rrinin gjatë në tempujt e shenjtë, edhe netve…
Padishahu nuk bënte gjumë. Kaq herë ishte nisur e kaq herë ishte kthyer. Ngushëllohej vetëm me ato kujtimet e hershme të gjuetisë së tij. Që kur kishte rënë përmbys në atë lumin e mallkuar, nuk kishte guxuar më. Kjo ishte e hatashme. “Eh perandoria ime. Lamtumirë, perandoria ime! S'të bëra dot zap, kaq shekuj. S'mjaftoka ushtria për të hyrë gjer në kreshta, në ato skaje të pabindura kurrë...” Iu bë se një vrap i duhej e ato njerëz nuk do të merrnin më frymë. Por ndjeu se fuqitë nuk ishin më ato të parat. Po e linin pak nga pak. E shihte kur vente te haremi i tij, që fshehurazi e nënqeshte e përtallej me të.
...Për të disaten herë lajmi për gjuetinë e Mbretit ishte kthyer mbrapsht. Por ai u hap përsëri, kur askush nuk e priste më.
“Ndoshta kolera ka kaluar në ato anë! Vërtet si do të ishte ai vend?”
Atje e priste Murati i Parë, lavdia e Perandorisë… Por ai nuk sosi kurrë atje. Ndoshta u nis, ndoshta s'u nis. Ndoshta mbeti në udhë…
Asnjë kronikë nuk e thotë. |