“ S H E M B J A ” (Një roman, midis legjendës dhe realitetit)
Nga: Gjon NDREJA
Sapo mora në dorë romanin më të ri të autorit Ndue Dedaj, me titull “Shembja” u përfshiva i tëri në leximin e tij. E kam lexuar këtë autor edhe në krijime të tjera si “Toka e Katedraleve”, “Dashuri në kullën e ngujimit”, ”Aizbergu i hanës”, “Balada e nuses së vdekur” etj. dhe kam mbetur përherë i kënaqur por krijesa e tij më e re më përfshiu me gjithë vrull. Titulli i këtij romani si dhe kopertina e punuar me mjeshtëri nga piktori Pjetër Marku, të thërret për të depërtuar pa vonesë në brendësi të tij .Më tej, nuk e di përse, ndoshta tema që trajton është tërheqëse për mua edhe për faktin se unë kam punuar në minierë sapo kam mbaruar shkollën dhe kur e lexoja librin më vinin ndër mend kujtime të shumta sa që shpesh herë, ndjeja se kam qenë i pranishëm në ato ngjarje. Por mendoj se jo vetëm për mua por për çdo lexues, libri në fjalë është shumë tërheqës për faktin se stili i paraqitjes së ngjarjeve është me nivel të lartë artistik, sa që e rrëmben lexuesin që në faqet e para.
Unë jam një lexues i zakonshëm dhe nuk marr përsipër të bëj në këtë shkrim atë që profesionistët e quajnë kritikë por brenda këtij kuadri (të lexuesit), dëshiroj të evidentoj disa momente që më kanë lënë përshtypje të thella gjatë leximit të këtij libri.
Ngjarjet e trajtuara në këtë roman janë vendosur në një mënyrë të tillë sa që të duket se e gjitha Mirdita dhe më gjerë ka qenë një minierë e vetme,ndonëse në të vërtetë autori nuk është shprehur saktësisht se bën fjalë për këtë rajon por një gjë e tillë kuptohet pa ndonjë vështirësi të madhe. Ato janë të ndërthurura kështu sa që duke lexuar librin memoria jonë fluturon nga Spaci, në Kacinari, Gurth-Spac, Perlat, Kurbnesh, Rubik por edhe në Tiranë dhe jashtë kufijve të Shqipërisë etj. Sigurisht që romani nuk është me temë historike dhe nuk është mbështetur në një ngjarje të veçantë por mund të themi pa hezitim se ai ka pasqyruar artistikisht jetën e vështirë të minatorëve ,të ndërthurur me jetën e popullsisë e rajonit.
Trajtimi i ngjarjeve në këtë roman ka ngjyrat e një legjende të vërtetë. Ndoshta i tillë ka qenë realiteti, në kufijtë e një legjende. Por merita e autorit qëndron në faktin se ai e ka zbuluar këtë “legjendë”dhe e ka paraqitur atë me ngjyra kaq të këndshme. Legjenda fillon me Markun e Bardhë si personazh që herë herë merr përmasa mitike dhe përfundon me shembjen e nëntokës ku ishte vendosur busti i minatorit pa emër.
E vlerësoj jashtëzakonisht gjuhën e thjeshtë të përdorur në shkrimin e këtij romani. Unë vlerësoj gjithashtu fjalët e reja shqipe të krijuara nga autori në këtë krijim ashtu si edhe përdorimin e leksikut tradicional mirditor. Mendoj se kjo është një vlerë suplementare e romanit dhe një kontribut i veçantë i tij në pasurimin e gjuhës shqipe. Unë dua të besoj se tashmë një dukuri e tillë duhet të përbëjë një orientim për të gjithë krijuesit tanë të letrave. E kam hasur një orientim të tillë edhe tek gjeniu i letrave shqipe Kadareja, dukuri të cilën personalisht e kam vlerësuar përpos të tjerave. Është interesant fakti se për fjalë të përbashkëta autori ka dhënë shpjegime origjinale të cilat janë të ndryshme nga ato që ka dhënë Kadareja por që të dyja janë interesante. P.sh. fjalën që në gjuhën e përditshme përdoret “arkivol”, autori e ka zëvendësuar me “arkëvorr” , ndërsa Kadareja e gjejmë me “arkëmort”. Nuk jam i sigurtë se cila nga të dyja është më e gjetur por mendoj se të dyja janë të spikatura dhe mund të përdoren krahas njëra tjetrës. Ose për fjalën “kandil” që autori e ka zëvendësuar shumë bukur me “dritës”, etj. Në roman nuk mund të mos evidentohet fakti i përdorimit me shumë kompetencë të terminologjisë teknike , e cila ndonëse është disi e komplikuar, falë njohurive të autorit apo konsulentëve që e kanë asistuar i jep romanit një frymëmarrje të re dhe bën që ngjarjet të rrjedhin lirshëm pa ndonjë vështirësi.
Jashtëzakonisht shumë më pëlqen gdhendja e personazheve dhe fizionomia e tyre krejt e veçantë si dhe raportet midis tyre. Marku i Bardhë është epiqendra, ashtu si edhe e dashura e tij Lirika. Gjergj Matia është personazhi që lëkundet në mes të heroit dhe viktimës dhe është paraqitur me një realitet të admirueshëm. Gjergji e Belina gjithashtu përfaqësojnë atë realitet të lidhjeve të vërteta të dashurive të intelektualëve që kanë shërbyer në zonat e thella të cilët në të shumtën e rasteve përfunduan me krijimin e familjeve të shëndosha. Por me shumë dashuri dhe realizëm është paraqitur Sara dhe Xhina të cilat ndonëse paraqiten si personazhe episodikë ,pa to mendoj se jeta e kantiereve nuk do të ishte e plotë. Është shumë simbolike mjekimi nga ana e Xhinës , me qumështin e gjirit të saj, i të burgosurit Pal Skura që ishte aksidentuar në minierë. Nuk besoj se mund të gjendesh ndonjë simbolikë tjetër më e fuqishme se sa kjo për të paraqitur atë lidhje të fortë shpirtërore që ekzistonte midis njerëzve të thjeshtë që quheshin të lirë dhe atyre që ishin në burgje. Po ashtu me shumë mjeshtri dhe realizëm janë paraqitur raportet midis Markut të Bardhë dhe Gjergjit si dhe këtyre me Peçi Ndokën (sekretarin e komitetit të partisë), ndonëse për këtë të fundit autori është treguar pak i kursyer, ndoshta në funksion të mesazhit të paqes që ka dashur të përcjellë. Kaq bukur më duket se janë gdhendur personazhet sa duke lexuar romanin , më vjen ndër mendje se i kam njohur edhe Markun e Bardhë edhe Llazar Vidhin por edhe Gjergj Matinë e Peçi Ndokën, ashtu si Pjetër Buklin. Kaq realistë janë këto personazhe sa unë pa vështirësi mund të vendos prapa tyre emra realë, ndonëse me sa duke qëllimi i autorit nuk kanë qenë emrat realë por mesazhet që veprimtaria e tyre përcjell në ditët e sotme. Deri në fund të romanit, faqe pas faqeje kam pritur të mësoj se ç’bëhet me Lirikën, të dashurën e Markut të Bardhë. Por autori kërkon t’a “mundojë” lexuesin deri në fund për të marrë vesh të vërtetën Lirikës,një zgjidhje kjo mjaft artistike dhe brenda kuadrit të mjedisit ku janë vendosur ngjarjet e tjera, duket edhe mjaft reale. Një moment tjetër shumë impresionant dhe që mbart një vlerë të veçantë, janë emrat e toponimeve por edhe të personazheve që janë zgjedhur me shumë kujdes dhe mendoj se jo rastësisht nga autori. Këto emra dhe toponime personifikojnë personazhet dhe evokojnë ngjarje të veçanta të lidhura me ato, të trajtuara në romanin e z.Ndue Dedaj. Kjo lidhje dhe mesazhet që ato transmetojnë nga njëra anë e bëjnë më të kuptueshëm romanin dhe nga ana tjetër shtojnë koloritin e romanit duke i kompletuar më tej ngjarjet.
“Loku e Luku” përbëjnë një lloj epilogu dhe një gjetje origjinale ose një mjet shumë efikas i përdorur nga autori pas kapitujve të veçantë. Ky “instrument” e bën romanin më të këndshëm në lexim, dhe pakëson ndjeshëm shpjegimet dhe përshkrimet që detyrimisht do t’i duheshin autorit t’i bënte, për të kuptuar zhvillimin e mëtejshëm të tyre , çka sipas opinionit tim është një vlerë e veçantë e këtij krijimi.
Unë nuk mund të mos evidentoj mesazhet që përcjell ky roman dhe veçanërisht ato që lexohen nga raportet midis Markut të Bardhë dhe Gjergjit si dhe midis këtij të fundit dhe Peçi Ndokës të cilat në thelb janë mesazhe paqeje dhe progresi por edhe qëndrime të denja ndaj atyre që e krijuan këtë legjendë, qëndrime të cilat janë në sinkron me kulturën e popullit tonë dhe të krishterimit në përgjithësi.
Aq sa unë paraqita më sipër dëshiroj që të mos zhgënjejnë profesionistët nga ndonjë lexim i gabuar që i kam bërë këtij romani, që mund të evidentohet në këto komente. Kjo ndoshta edhe për faktin se duke e lexuar atë, romani më ka vendosur në jetën reale të atyre viteve që unë i kam jetuar. Dhe jam i dyzuar për këtë, ndoshta është faji im, ndoshta i romanit të mrekullueshëm të z.Ndue Dedaj.
Si lexues unë jam duke pritur me siguri dhe shpresë për krijime të tjera të këtij dimensioni nga i njëjti autor dhe nga autorë të tjerë,veçanërisht mirditorë.
Tiranë me 12.03.2006
|