NIKOLLË LOKA
KENGA E KANARINES
Kanarina këndon vajet tona,
Kënaqet gjysma e botës,
Gjysma tjetër vajton me pika loti
E thyen telat e kafazit të vogël.
Tinguj të ëmbël
Dalin prej shpirtit të zogut,
Tinguj që vdesin,tinguj akuj.
Në hekura kafazesh thërmohen.
Cmendet gjysma e botës,
Gjysma tjetër vajton me pika loti.
MBRETERIA E ENGJEJVE
Engjëjt e bardhë shëtisin poshtë reve të zeza,
Piklat e shiut i shtyjnë pa mëshirë drejt dheut,
Rrëzohen humnerash,kapen në copa ylberësh,
“përse mundohen vallë?”- pyet njeriu nën strehëz.
Natyra ndërron veshjen e duket më e hijshme,
Shatrivan i padukshëm e lag me shi të imët;
Shpëlan trishtimin nën kureshtjen e fëmijëve,
Me duar shtrydh retë e u nxjerr ujë të trëndafiltë.
Njeriu sa e kuptoi mendimin e engjëjve,
Nga streha ku ishte e lëshoi një përshendetje;
Përjetsisht nën qiell lulëzoftë mbretëria juaj!
Dhe e hodhi lart gjysmën e zemrës.
NE DET VECOVA NJE DALLGE
Në det vecova një dallgë…
Një pëllëmbë qiell
Në perëndimin e diellit
Copa-copa u bë.
Një fjalë u këput,
E ra në tinguj vaji.
Dikush qante pa zë,
Në një strehë të kujtesës time të vrarë.
O diell më fal,
Deri kur s'do të jem më…
Pastaj më vrit
Me një rreze të artë!
Të rilind i pafaj…
SFILATE ME ZANAT
Kapuçi i bardhë,
I rri si kurora bjeshkës.
Qyteti të ri,
Gjallnon eposi i lashtë…
Mbi shtatore guri,
Legjendat vdesin.
Mali zvogëlohet
sa hija e Kostandinit,
mallin fsheh
në mes të gurit.
Degët e njoma të rrapit të Jutbinës,
E kanë ndër sythe ditë pas dite
Rininë tuaj,
Shotë,
Po sfilon ka një shekull
Me zanat e mali …
Hypën e zbret
Në podiume bjeshkësh,
Me kurorën e bukurisë,
Një kapuç në strehën e ballit.
YLBERI
Ylberi i mori ngjyrat
Në shtatë diej;
Shtatë ditë pikuan sterhët,
Për ta pritur gëzueshëm
Të tetën.
Një vajzë po vdes
Shaluar mbi hark ylberi,
Per tu bërë djalë i ëndrrës.
I zë me dorë shtatë ngjyra,
Zhduken në cast,
Lind e teta,
E bardhë… |