SHEJTANIA E BARDHE
Era daraviti floknajën e mjegullave
Kreshtat u përmillën nga fluria dëbore
Të desha pranë…Të thirra sa munda
Larg ishe,fshehur ishe,s'më dëgjoje!
Shpardh e dëllinjë vishej me krahnezë
Ngutej mëllenjbardha…të të sillte ty.
Si u thinje kështu papritur i dashur!
Harrove se unë të dua perherë të ri?
Si në përralla shkova dorën mbi flokët e mi
E sheh?…Thinjat i fshiva kaq ishte!
Po ti vështroje at'çast tej vitit dy mijë
Kur do thinjem vertetë.
Do të jem pesëdhjetë a njëqindvjecar,
Një gjysh që zor ta besoj pleqërinë
Përditë në sherr me shejtanen e bardhë…
Përnatë në duel…gjersa ta rrokullis në greminë.
KTHIMI I VASHAVE
U kthyen
Me nga një gji të shteruar Rozafe.
Nga mungesa e gjatë
Plot dhjetë shekuj
E një natë…
Vigun e pritjes mbajtëm në krah
Ato thanë jo
I trembeshin mermerit që pikonte,
Hedhjes nga Shkëmbi i Vashës.
Kërkuan një krua
Të njomnin buzët e thara të zhegut
Të carat e tokës…
S'u mjaftoi as uji i detit.
Pinë me etje
Legjenda
Epe
Kanune
I shterrën si pikën e lotit…
Të nesërmen u gdhinë shtazana.
HJEKESIT
Kufoma e fatit
Rrotullohet rreth thepit dhe shqekzës
E shushatur.
Mos humbni kohë me të mirën.
Nga tymnaja
Plumbi i bardhë
Silikoza,
Smogu,
Nga syri i keq
Shpirti bie
Përpëlitet ndër këmbë.Mos humbni kohë me të mirën.
Kufoma e rënë përmbys
…ngrihet
Ngurtësohet
Në statujë.
Piedestal ka një gëzhojë
Një shiringë të hedhur mënjanë.
Asnjë daltë nuk e gdhend
E kafshojnë vetëm dhëmbët e qoftëlargut.
Mos humbni kohë
Hjekësit janë në shteg
Në pritë.
Të shumtë humbësit…
Njerëzit dhe perënditë.
KURPNA
I mbështillet trungut të lisit
Përreth.
I gjithpushtetshmi ynë
Dashtë zoti në hijen tënde
Pakëz ministër të bëhem,
Pakez deputet.
Dhe zgjidhet
Dhe përthyhet
Dhe mblidhet lëmsh.
Zhaba e zhapinj që vegjetojnë n'lgjata
Pas kurpnes varg…në strofujt e saj
Pinë lëngun e kulluar të hardhisë
Nën hijen e hijes së hijes.
Lakadredha e kurpnës
Përpajnuar nga gjerizet në mejhanë:
Zoti ynë
Që s'je në qiell
Bekuar qoftë froni yt!
E kur të mos jesh më
Mallkuar me farë e me fis!
Spiralja gjethore shpështilet
Si lëkura e shtatë e bollës idhnake.
Trungu i lisit…medet
Mbetet pa rrathët e vet.
DASHURI
Gjithkund kam dashuritë e mia.
Për sysh e për duarsh më merr pas vehtes
E qeshura
Digjet një fjalë
Si shami
Veshur me kostum drithije
Botën zbuloj për ty.
Rrëshqitur ka prej dritës së ylberit
Prekja,
Larg në shkrepat e natës
Shkundullohet me veten
Vdekja.
Gjithkund kam dashuritë e mia
Shpaluar në hartën e syve
Ku bota krijohet për ty…
Pa shkallë zvogëlimi
Një me njëqindmijë.
MESUESI I PELLUMBAVE
Del nga rrudhat e kujtesës…
Pëllumbat e bardhë,aty si atëherë
Nuk i thërret më në emër,
Nuk i ushqen me thërrime buke
E thelpinj drite.
Fryn erë
Bluan stinë e imazhe.
Boja e shkrimit mbi letër s'qenka tharë,
Pluhuri i shkumësit mbi qerpikë
S'qenka tretur.
Del nga rrudhat e kujtesës…
Zilja mbledh shkollarët te porta
Pa zhurmë
Me fjalë që mungojnë
Pëllumba në sy,
Kaq vite
Që presin,përcjellin
Siluetën e tij.
Del nga rrudhat e kujtesës…
Hyn në një klasë, del neë një tjetër
Tingulli i ziles
S'qenka shuar,
Boja e shkrimit
S'qenka tharë,
Pluhuri i shkumsit s'qenka tretur. |