Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
LETËRSI Për anëtarët

Ju jeni: Letërsi -> Ndue Dedaj - Kthimi

AUTORËT

  Darka e fundit...

  Kthimi

  Burri-Grua

  Guri i nuses

  Dashuri Inicialesh

  Sulltani për gjueti

  

  Letërsi


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

KTHIMI

 

 

Atje Simon e këtu Sinan!…

Kishte trokitur një natë vonë porta e qelës së priftit e kishte hyrë si hije ai njeri. Kush ishte e nga vinte?…

 

Nuk besonte se ishte kthyer. Këmbët i hidhte si në shkretëtirë, në rërën e nxehtë, ku hapat nuk ngjisnin. Gjithë ato vite në dhe të huaj pa dhënë e marrë as me zogjtë e malit. Ishin a s'ishin gjallë? Zogjtë? Jo, gjindja e shtëpisë. Iu përhi vetja atje në varrezat e katundit. Sytë i vetuan nga çinari i moçëm, në hijën e të cilit bujtnin shpirtrat prej shekujsh…

Po zbardhte drita. Katundi tymoste në grykë. Po ndizeshin zjarret e para. Në male zjarret ndizen heret e shuhen vonë, nganjëherë rrinë ndezur në vatër gjithë natën e natës. Por nuk mundi të shquante dot në dilte tym andej nga duhej të binte shtëpia e tij, pasi në atë qerthull pemësh nuk e dallonte saktë se ku ishte.

Sa më lart ngjitej dielli, një pash, dy pash, mbi Kulmen e Kreshtës, katundi shihej me i plotë, buzë përroit që ulej vrullshëm nga bjeshka. Tani i shihte pemët që kishin lulëzuar duke e tretur atë grinë e katundeve në male. Ndjeu gjakun t'i levizte nëpër trup, por u mbajt fort pas vetes të mos binte.

Po dilte nga nata si një hije që çohej e ulej mbi kodrën që i rrinte katundit përkarshi.

Mori teposhtes për nga bregu ku duhej të ishte ura e drunjtë. Dy gra të reja ishin ngritur shpejt dhe tashti po trysnin teshat mbi gurët e rrumbullt e të pastër të zallit. As s'i njohu, as s'e njohen. Si mund ta njihnin, kur ato ishin nuse të katër – pesë viteve te fundit. “Ndoshta nuk më dinë më të gjallë. Nana dhe baba, në qofshin gjallë, ç'ka më ngjan e pabesueshme, duhet të jenë pleq jetosa, njëqind vjeça. Mrija, po Mrija si do ta presë kthimin tim? Sa për Vladin e Dilanen, i kam lënë kërthinj e s'kanë si të më njohin… Ndjeu një shtrëngim në gjoks. Vuri dorën aty ku zemra i rrihte fort… Se mos po më korit moj e bekuar e më le shakull bash këtu te pragu që bice ia mbërrina. Fundja tash këtu më kanë, si gjallë si vdekur. A dro panë ditë prej meje?!”

Shtëpia i ngjau si një muranë e vjetër. Dera mbyllur. As njeri, as qen në stel, as vath e shteg. Mbajti frymën, por dëgjoheshin vetëm zërat e femijëve te komshinjve atje matanë. Preku drurin e rreshkur te derës, por ai e kishte humbur fortësinë. Dera kërkëlliu, por nuk u hap. Ai nuk e shtyu më. Për nën gurin e pragut kishte qit kryet një ferrë që po lazrohej pa e trazuar kush.

“Këtu kam le për Tenzonë, këtu kam qa e belbëzue. Eh, këtu jam bërë dhandër. A nuk ndejti Mrija për nuse mbështet bash te ky mur? Për Tenzonë, po! Kurse kali i bardhë që e kishte sjellë me kryet nën duvak hante tagji aty në hije të kumbullës. Këtu përcolla për në atë jetë gjyshen në dimër e gjyshin në pranverë. Po shkoj dhe unë pati thënë gjyshi para se të mbyllte sytë, nuk mund të rri pa plakën. E ke orën çuet, or bir, më qe drejtue mue. Po unë asnjëherë nuk e pata kuptue se pse im gjysh m'i pati thënë ato dy fjalë tek po mbyllte sytë. As tash nuk e di…”

Shtati i Simon Kimzes kishte rënë përdhe si i shituar. Në shqimë të derës. Si nëpër jerm thërriste emrat e gjakut të vet, qysh prej treqind vjetësh. Ali - Xhafë - Novruz - Gjokë - Gjin - Kimza... Po askush nuk i pergjigjej. Bile askush nuk e dinte se ai ishte aty. Ato dy gratë e reja në përrua e kishin marrë për ndonjë shtegtar të largët që kushedi se qysh kur e për ku shtegtonte... I harroi njerëzit e tash në atë jermi po pyeste për zogjtë që dikur e kishin pas zakon të këndonin nëpër degët e manit të zi në oborr.

Thirri në kupë të qiellit deri sa zëri i tij prej burri e zuri përfund.

 

Ai burrë ishte thuajse i panjohur për Dom Dodën. Nuk kishte dëgjuar askënd ta fliste ashtu si ai italishten që kur kishte qenë student për teologji në Romë. Para njëmbëdhjetë vjetësh, për shkakun e një vrasje, ishte shtrënguar të ikte. Kishte qenë kahmos nëpër vendin e vet, por askund nuk i kishin zënë këmbët dhe. Si nuk kishte gjetur askund shpëtim, ia kishte mbathur në Ulqin e fill prej andej me vapor për në Itali. “Të pakten të kem në mes detin”, kishte menduar. Deri atje nuk ishte kollaj të vente plumbi i hasmit.

Në Itali kishte përqafuar katoliçizmin dhe kishte marrë emrin Simon. Prelatët e Shën Pjetrit, ku që bërë ceremonia, qenë mahnitur nga kjo gjë, kurse Sinani i shndërruar në Simon, ua kishte pritur aty për aty:

- Për mua nuk asht ndonji gja e zorshme me u kthye ne fenë e të parëve të mi!

Ipeshkvi i Romës pati kërkuar të dinte kuptimin e asaj thënie lakonike të shqiptarit që kishte vra e tash po donte me kthye në udhën e Zotit.

- Në anët tona qe ndërrue besimi, por në katundin tim sa për sy e faqe, mos me na ndjek e ngushtue qeveritarët e Turkisë. Fshehurazi ne i ushtronim të gjitha ritet katolike. E pastaj u kishte rrëfyer për ato vise të laramanizimit.

Që nga ajo ditë Simoni ishte strehuar në një kolegj, ku dhe e kishin punësuar.

Këtu Sinan e atje Simon…

Ajo që në Romë mund ta shkaktonte habi, këtu në male ishte krejt ndryshe. Vetë Dom Doda ishte bir i njerës prej trevave fqinje ku besimet ishin të “përziera” jo vetëm në katund, po dhe nën të njejtën çati. Nëna e tij ishte myslimane dhe thirrej Mereme, kurse babai katolik e thirrej Mark. Ungji ishte mysliman e quhej Hysen, kurse gruaja e tij katolike e thirrej Marte. Kështu kishte vazhduar historia e tyre mes ritesh të ndërsjellta. Shtëpia ishte e madhe e ata rronin së bashku dyzet frymë... Marku “shkonte” për bajram te Hyseni dhe Hyseni për pashkë te Marku. Ndonjëherë vinte gjer aty dhe princi katolik i krahinës fqinje me grua myslimane, që e kishte rrëmbyer kur kishte qenë i ri. Siç shkonte rregullisht në kishë, ai, kur vinte këtu, nuk ngurronte të vente dhe në xhami. Por dyndeshin dhe te rinjtë myslimanë të atyshëm në të kremtet e katolikëve në Malshejt...

 

“Vetëm për nja dy javë, sa të shuaj mallin, se prap kam me u kthye andej nga kam ardhë, në dhe të huej”, i kishte thënë priftit.

Simon Kimza nuk kishte mundur të shlirohej prej gjakut. Boll ishte lutur në kishë të Shën Pjetrit, por prapë gjakun e kishte në shpinë. Gjaku nuk dinte të ftohej në këto anë. Do të merrte prapë rrugën e tejdetit, gjithnjë me këpucët veshur, i armatosur dhe kur binte në shtrat, me një pushkë italiane të gjatë futur poshtë nënkrejsës. I duhej gjithmonë te ikte, të ikte përtej detit, përtej kohës, përtej vetes. I kishte shpëtuar gjer tash plumbit të hasmit, por ai nuk mund t'i shpëtonte atij barutit të padukshëm që kurrë nuk ndizej e merrte flakë, po ama kurrë nuk shuhej brenda njeriut.

Qysh ditën që Shaban Malthi kishte rënë përmbys nga pushka e tij në shtegun buzë përroit të Shqepës, Simonin e kishte zënë gjaku i tjetrit. Shaba po kallej në dhe, por gjakun po e linte sipër si një këmishë danga - danga, varur në ndërgjegjën e të gjallëve, ku nuk mund ta lante as ujët e lumit.

A thua se nuk e kishte mallkuar njëmijë herë ditën që kishte lindur, fatin e keq që e kishte çuar te gjaku i tjetrit, duke e lidhur dhe atë vetë pas tij me gjithë të tijtë.

“Askush nga ne gjaksit që endemi si nëpër mjegull nëpër shkrepa malesh e kulla ngujimi si të verbër, nuk e mban veten për trim, nuk krepatohet e krenohet me pushkën që ka qitë për nder, për tokë a një djall e di se pse, se gjaku nuk duron mburrje. Mos të vijë habi, dom Dod, kur të them me plot gojën se ndiej admirim për ndjeksit e mi. Qysh kur unë ngreha pushkën mbi Shabën e Kapllan Malthit e ajo e shkretë ia bani bam, unë e kam humbun te drejtën me jetue, me pas fëmijë, të ardhme, gjithçka. A e di se unë nuk gjeta asnjeri ne votër dje kur u ktheva! Nuk di a e kam gjallë gruen dhe dy fëmijët e mi? A rrojnë nana dhe im atë? Pa më thuej ku janë ata? Kam droje me të pyet, zotni, se kam frikë se ke me më ngushëllue…”

Famullitari rrinte e dëgjonte shpirtin e trazuar të tjetrit. Kujtimi i tij kishte rrëshqitur shumë vite më parë, atëhere kur pa mbushur tre muaj në atë famulli kishte ndodhur ajo vrasje e mallkuar. Pastaj solli në mend përcjelljen që u kishte bërë tre vjet më parë dy prindërve të tij, për të cilët ky ende nuk dinte se kishin vdekur…

“Shumë kush prej ne, të ramëve në gjak, asht gjendun rastësisht në atë shteg të mallkuem, pa prit e pa kujtue, ndaj e kemi të vështirë ta besojmë se jemi vrasës. Paçka se kështu na emnon ligji i shtetit. E zakoni i vendit na lyp gjakun… Dhe sot e kësaj dite, pas njëmbëdhjetë vjetësh, unë nuk di se si më shkrepi për me i zanë udhën shoqit tem e me shti mbi të? Jo se nuk kishim ngatrresë, më kupto, por nuk kisha nda me e vra. Ne ishim moshatarë dhe kishim pi gji te nanat e njeni - tjetrit. Ky ka qenë një zakon në malet tona. Sa s'i kishte ardhë gjini nanës sime, për dy javë, mue më kishte vënë në gjunjë nana e Shaban Malthit… Unë nuk e dija deri atë ditë se çfarë ishte me të vërtetë pushka. Dilshim ne ditë festash te Boka e Lame e shtinim në shenjë. Vetëm në gurë, as në zogj nuk shtinim, se ishte gjynah… Shabë Malthin më tepër se unë e vrau rastësia. Nuk ia durova fjalën e randë n'atë çast. Dhe shtiva. Kjo ishte e gjitha. Si atëhere kur, padashur, nxjerr syrin e drita e tij nuk vjen më!”

 

Dom Dodës nuk i kishte ecur. Kishte folur me pleqnarët e vendit që kishin pajtuar gjaqe e varrë në pesë bajrakët e ata e kishin mbështetur, kishte shkuar vetë te Malthët bashkë me ta, po Malthët as që kishin pranuar të flitej për pajtim me Sinan Kimzën. “Kurdo që të shkelë këtu, ai do të shpaguajë gjakun që na ka”, kishte vendosur fisi pas lutjes së priftit dhe të pleqve. Merret me mend se ata atë çast as në mend nuk e shkonin se gjaksi i tyre strehohej prej disa ditësh në qelë të priftit. Prifti nuk vihej në be, se përndryshe, po ta dinin sadopak të vërtetën, puna mund të vente pisk.

Kur po mbushej java e dytë, natën për hënë, besnikët e kishës i prinë Simon Kimzës për ta nxjerrë nga fshati, rrugës për në Shkodër.

Në Qafë të Pazarit ai u kishte rritë nderen dhe i kishte kthyer mbrapsht, sado që ata kishin ngulur këmbë se porosia e priftit ishte ta çonin deri përtej Kulmes së Kreshtës…

Simon Kimza nuk duronte më pa u shliruar prej gjakut. Hapat që mundohej të hidhte po i nguleshin në dhè, si ta kishte zënë një ngerç në gjunjë. Iu përhi se një borë e madhe do të mbulonte krejt udhët e shtigjet e kësaj toke e se gjurmët e tij nuk mund të fshiheshin më... Një gjëmim i fortë deti u ndie andej poshtë nga shtrihej fusha e pamatë. Edhe po të rrokullisej tani asgjë nuk e ndalte të dilte nga rrezja e atyre maleve që bënin hije. Por ai nuk donte të rrokullisej... As borë, as stuhi nuk kishte ndërmend të binte. Përkundrazi po lindte një diell i larë në ar andej nga Munella. “Ani pse për mua nuk ka ditë, veç natë!” mendoi.

 

Me të kthyer përcjellësit, ktheu mbrapsht dhe ai dhe mori andej nga shtëpia e Kapllan Malthit…

“Nuk më bënë këmbët të ikja prap si lanok në dhè të huej… Gjaku nuk po më linte me i hedh hapat… Pastaj pse u ktheva unë në Shqipni?... Për mos me mund me pa fëmijët e mi?! Për ta lënë prap qyqe time shoqe që pret t'atin e kalamajve e ai nuk kthehet kurrë? Në qoftë shkrue… lë ta dijë ajo se burrin e ka në tokë, lë ta dinë dhe fëmijët e mi se s'kanë babë. Se prindët e mi shkuan në atë botë pa e ditë në e kanë gjallë a vdek të birin… Por dhe ju t'i jepni fund, punës suej…

Njëmbëdhjetë vjet, si gjarpni me kryet nën gurë. Rueju në oborr, në arë, në shteg, në shtrat. Se pushka e juej përgjonte pas gardhit. Asnjë pune nuk i shkoja deri në fund nga hija e saj. Nuk e dija se cili nga ju do të ishte vrasësi im, ti Abaz, ti Nikollë, ti Filip a ti Mevlud... po ç'rëndësi kishte kjo. Mund të më zinte pritë ati juej, plaku 93 vjeçar, a më i vogli i kësaj shtëpie që rritej përditë mbi mëninë për mue. Por mbi mue mund të shtinte për hesapin tuej dhe ndonjë i paguem, që ndoshta atë mëngjes kishim pi kafen bashkë... Një Zot e dinte se kur mund të ishte ai çasti fatal... Ndonjëherë mendoja se vrasësi im nuk do të ishte dikush nga ju, po dikush tjetër që s'më shëmbëllehej qartë... por si një siluetë e stërmadhe që befas ngrinte kapakun e zi të natës, tek shtynte atë rrasën e gurit të randë të varrit ku kishte kohë që prehej... kërcente nga gropa si një masë e ftohtë eshtnash dhe ikte natës për të mbajtun atë, fjalën e dhanë... që t'i sillte s'amës motrën e martueme nantë male larg?!...

Ndoshta s'asht vendi, se ju s'keni kohë, keni gjakun tim për të marrë, por... Kam qenë veçse pesë vjeç, atëhere, kur nana ime besoi se unë kisha vdekun nga pushka! Të mitë patën ra në gjak. Burrat kishin turitur, larg pushkës, larg gjakut. Kurse ne fëmijët rrinim në shtëpi. Dhe gratë. Një ditë nana shkon në pyllin e dushkut me kosh në shpinë. Mua më kishte lënë me gjyshen nantëdhjetë vjeçe që nuk ndiente nga veshët. Gjyshja trazonte zjarrin në votër se ia bluente kockat jeli, unë shihja nga dritarja si çelnin lulet e bardha të kumbullës dhe dëgjoja kangën e zogjve që më hynte në shpirt. Jashtë u ndigjue një za i turbullt, si hakërrimë. Aq u desh që unë të kërkoja ndonjë skutliq ku të fshihesha. Ashtu vetimthi hapa kapakun e arkës së nanës mbushun me petka dhe u rrasa brenda. Dridhesha nga frika. Prisja nga çasti në çast atë arkë ta hapte ai... gjaksi... dhe mbi mue të ndodhte hataja. Po më zihej fryma, por s'pipëtija. Pa e kuptue më kishte zanë gjumi, me andrra të frikshme, sikur më sulmonin dragojt nga të gjitha anët. Gjyshja ma kishte mbushun kokën time të vogël me aq shumë ndodhi me kuçedra, dragonj, lugetër... Kur kthehet nana nga pylli i dushkut me koshin plot me gjeshkë, sa s'i ra pika. Më kërkoi në çdo hatull të shtëpisë, por unë nuk isha askund ku kërkonte ajo. “Ah, ma kanë rrëmbye djalin e do ma kenë vra gjaksit!” Gjyshja e vjetër ngrihet e tronditun, pa e kuptue fort se ç'po ndodhte me të renë. E shkrehun në vaji, kur e kishte humbun shpresën, nana kishte ngritun kapakun e arkës. Pikërisht atë çast, kur duhej të gëzohej se isha gjallë, ajo bërtiti në kupë të kresë: “E paskan vra djalin dhe e paskan mbyll në arkë! Si më paskesh pas nemun fati më rranjë e me degë!...” Një rreze dielli që kishte hy nëpër plasat e arkës, kishte ra mbi mbulesën e jorganit me beze të kuqe e reflektimi i saj drejt e mbi fytyrën time. Nanës, në atë gjendje të tronditun që ishte, fytyra ime i ishte duk e pargjakun. Nga klithja e saj më doli gjumi. Më pas u mor vesh se ajo hija në oborr dhe ai zani jashtë që më ishte dukun si hakërrimë nuk kishte qenë e hasmit, po kollitja e një plake tjetër jetose që po vinte te gjyshja. Kështu... gjithë jeta ime, si gjarpni me kryet nën gurë...”

 

Katundi mbante vesh se mos do të ndiente ndonjë të shtime si kollë e thatë, andej nga bokat, ku zakonisht laheshin gjaqet.

Edhe famullitari e pleqtë…

Fjala kishte shkuar dhe në Orosh e Lurë, se Sinan – Simon Kimza ishte kthyer...

Çfarë po ndodhte me Malthët?

Të gjitha mund të harroheshin në atë kullë të moçme, po e zonja e shtëpisë, nuk mund ta bënte hasha qumështin e gjirit që i kishte dhënë në vogëli hasmit , njëlloj si të birtë, Shabës, që po tretej në dhe...

Kaloi vera, erdhi vjeshta e shkoi dimri, ashtu… pa u ndie qyqja të këndonte andej nga bokat...

E kur hynte pranvera, zogu i nemur i kangavajit nuk ndihej më, po fillonte me gëzue.

                                                                                                            

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net