GJON MARK NDOJ
FUNDI I NJE RREFIMI
Kishte dhe natë pas perëndimit praruem,
Te gjuni i të mirës, e keqja rrinte kukë,
Te ëmbëlsia e jetës kishte ditë të helmueme,
Te dhelia u afronte e keqja tue ndukë.
Errësirën ma dha e si pa kursim,
Dhe djersë dhe mund për të gjallnue.
Veç në terr në zemër eca pa ngurrim,
Shpina mu përkul veç pa u ankue.
Se terrin e ndriçova me sytë e shpirtit,
Mundin e mbajta me krahun e nderit,
Po perbuzjen e banë veç shpirti i të ligshtit,
Ajo, jo tek unë dhe nëse i druhem ferrit.
GJALLESA
Po !-Asht e vërtet- malsori thotë'
Mos u anko se burri nuk ligështohet!
Burrnija dhe sqima, duket n'atë botë
Kanë shkue e jeta prej caqesh lirohet.
Jo, gabon ! Vendin s'po qaj, veç ty,
Megjithëse të nderoja kunorë, për mue kush qau?
Veç mos harro: zemër e nder ke shkrry,
E unë për ty asgja, veç kush s'guxon me m'sha!
Nji andërr asht jeta,(s'e them unë i pari).
Po e jetove si njeri, një shekull asht e gjatë.
Unë des i qetë, s'ka gja pa lule e lari,
Ti ec, të diku je, por toka të mban ngratë.
Gabojmë në jetë, të meta kemi e cene,
Nga petku i rastësive s' të nxjerr prej horri.
Nëse mashtron të tjerët, ti dhe veten rrenë,
E ndergjegjen e shkelun s'ta paqton as vorri.
Je njeri o fatzi, ke shpirt ke zemër!
Buka me turp, kurr shenjtë s'asht për burrë,
Ke lindun për të dhanë dritë, për kohë të re e të vjetër,
Pra e keqja nuk përligjet, koha s'e fshin kurrë!
Ç' PO VETON KJO KEMISHA E BARDHE
Ç'po veton kjo këmisha e bardhë,
Pala-pala seç përdridhet,
Drej nesh shërbes tu ardhë.
Flakëron jeleku i kuq.
Asht nji nuse veç pa krushq.
Palët e këmishës seç përhidhen
Dhe përparsja flakë kuqlon,
N'gurë me naze këpucet ndihen,
Një shami në dorë shtërngon.
Vetllat hark ba me dorë,
Nan qerpik synin shgjetues,
Rregjat bigë thur si kurorë,
Gojën e njomë, në gaz tundues.
Me hijeshi gjoksi i gufon,
E nxit mkatin dhe ndjellë,
N'majë të kalit ku nusëron,
Kohët e gëzueshme sjell e pshtjell
Pa ndigjo i them shokut pranë,
T'më falte jeta t'ritë e djalit'
Pa e puthë s'kisha me e lanë,
녓t'shkonte gjaku në bark t'kalit!
PRENGE C. LLESHI
RETE
Ku e kanë burimin, vallë,
Retë ë bardha n'udhëtim?
Tek rrjedh ëmbël një ujvarë,
A tek deti pa mbarim?
Ju mos u grindni, njerëz të mirë,
Ku është fundi a fillimi:
Ato enden nëpër qiell,
Por prap sosin tek burimi
MOXART
Ç' kërkojnë, Volfang, ç'kërkojnë vallë;
Tek kishë e vjetër bërë gërmadhë?
Deshkan të dinë ku prehesh ti
Ne Vienën plakë, Volfang i ri?
Mendoka, vallë, dinak Salieri
Të vërë tek koka pllakë mermeri?!
S'ndigjokan sot si vijnë nga dheu
Tinguj plot jetë Idomeneu?!
S'ndigjokan vallë, Flaut magjik,
Ku derdhet vrullshëm zëri yt?!
Ç'kërkojnë, Volfang, ç'kërkojnë, vallë?
S'e dinë ata që ti ke varrë?!
GJOK BECI
KOLË ZEFI
EMRI YT
Emri yt tërheq zvarrë dhëmbët e krimbur të kohërave.
Trupi yt me nëntë plagë e zemër
Fytyra jote stolisur me muranat e bijve.
Gërsheti yt-gruri i arave të djegura
Bozhuret po çelin nga gjakut yt.
Besë e trimëri krojet e gjoksit tënd.
Nga zjarri i syrit tënd mallet,
Po i heqin qeleshet.
Kosovë Klithmë dhe krismë në gjoks të Bllkanit.
PLAGE.
Nga kufiri verior
Shoh tej horizont
Ca fasho resh të përflakura.
OhPlagët po ndërrokan
Tokat kosovare të përgjakura.
NDUE BUSHKOLA
AGU I SHEKULLIT TE RI
Ngatërrohem nëpër këmbët
E ditëve të këtij shekulli
Të sertë dhe vrastar.
Zihem me shpirtrat e vdekur
Dhe shpirtrat e gjallë.
Nxitoj
Nëpër ditët e numëruara
Të këtij palku ters,
Rrudhat që hapin në ballin njerëzor
Si t'i prek
MOS QANI IKONA
Mos qani ikona
Se të dashuruarit puthen
Nën dritën ë lotëve tuaj.
Nën hijen e shpresës,
Fluturat e puthjes blerojnë.
Mos qani ikona.
Muret e ndarjes
Lotët tuaj ngrijnë,
Malet e shpirtrave
Vdekja nuk i ndan,
Veçse i përlot.
Mos qani ikona
E DUA DRITEN
E dua dritën
Të puth flokët e Diellit ,
Ngatërruar majave,
Udhëve të shpresës.
E dua dritën
Të thyej shkëmbijtë e territ
Të shqyej flamujt e së keqes
Të çliroj djepin e dhimbjes.
E dua dritën
Të ndez një qiri
Për të nesërmen e blertë.
NDUE GJIKA
NE ARDHSH
Ike ?!
Si një mollë me kafshim fëmije
Ndjehesha në pezmin e braktisjes
U derdh kupa e luleve,
Era lehtësisht shpërndau.
Qypi i rëndë i miqësisë u thye
Gjysma e flokëve mbeti mbi shall
Dhimbja në fyt m'u lidh nyje.
Sa herë kthehem në shtëpi më mban tek porta,
Mes njerëzve më shtërngon pak
Ike ?
Në ardhsh, eja tjetër njeri!
LUFTA E GEZIQIT
Ky gur i muruar
Është turp e lavdi
Vjeshta e fundit zverdh
Nxirë si plagë e vjetër,
Shpresa dhe urrejtja bashkë, nën udhë e mbi udhë,
Koha po digjte petkat, me se do ta vishnim?
Në mëngjes ra shi,
Nusja doli vetëm, medet!
Tej lumit e priste dhëndëri,
Si?
Uji ishte tej e tej
Rakinë nuk e deshën,
Habit hardhia me shuplakë mbi tjegulla
Aty iu përzhitën duar e gji
Qe vjeshtë e do prisnim qetë e dasmave
Për këshndellat e kremtja shpi për shpi
Opingat me spik do ti qëndisnim,
Por s'i bëmë dot as për pleq, as për fmijë
Plan lufte predha mizëri
Pushtuesi në pritë
Vallë mes nesh sherri,
Aq prishas pse kishte hyrë?
DODË PJETRI
PRITJA
Në udhëkryq rri, mendohem.
Nuk di në bën vapë, apo ftohtë,
Veç rrotull meje zukat si mizë,- pritja!
Asnjë tabelë drejtim ky udhëkryq nuk paska!
Si në hades, tabela shumëngjyrëshe ulërijnë:
Eja këtej për në,
Eja
Kam etje!
Lag buzët me shaminë që shtrydha nga pritja.
Ti ndoshta po vjen!
Eja ti japësh jetë këtij udhëkryqi!
Eja dhe Sirenë, dhe Circe, dhe Nausika!
Unë, Odiseu po pres në këtë udhëkryq
Shibe dhe Karibde!
Paske ardhur!
Penelopa në udhëkryq ka ngulur një tabelë pëluhrë:
Prisni!
MIDIS NESH
Me dhëmbë stalaktitesh pe e hamë veten,
Si gërryhen katakombet mot, pas moti.
Erdhe mes nesh e na theve heshtjen,
Juda Iskarioti!
Veten e vare në një pemë, atje,
E në gjunjë do të lutesh kot së koti,
Jezusi të fal ty fuqi perëndie,
Ty, Juda Iskarioti!
Pendohesh përsëri pas çdo tradhtie
E në gjunjë do të lutesh kot së koti,
Jezusi të fal me fuqi perwndie,
Ty, Juda Iskarioti!
Po unw mëkatari si të fal?!
Kur syrin e fëmijës ma vesh loti.
Të dal unë në rrugë të ndal,
Juda Iskarioti!
DEDË SHKURTI
SFIDA E DALLENDYSHEVE
Ballkoni im dridhet si fletë,
Potere, krisma xhullurdi;
Dy dallëndyshe ngrejnë foletë,
Me këmbë e bisht e sqep mistri.
Pa blerje trolli, pa liçencë,
Pa preventiv pa projekt,
Ato ndërtojnë atë me kompetencë
Në ballkonin tim shtëpinë e vet.
Ciu-s'pyesim Bankën Botërore,
Cvik-s'pyesim Fondin Monetar,
Me i pyet ato vjen prapë nëntori,
Vjen sërish dimër sërish acar.
Se ç'ma kaluan në llogaritje,
Se ç'ma kaluan në vizatim,
Një glackë lanë me stërpikje,
Në diplomën e brezit tim.
E SHTUNA E MADHE NE SHQIPERI
Kryqet dhe gozhdët janë gati,
Baraba: të gjithë në amnisti.
Dorezat veshi Pilati,
Mariet, veshur në të zi.
Një zë kallashi turmat mbledh.
Apostujtë e rremë në faltore;
Golgotët çdo brinjë e çdo ledh;
Kalvarët diçka monotone.
Jezuesi sot është i vdekur,
Nesër s'do ketë ringjallje!
E tmerrshme:
Ditnata shqiptare ka ngecur
Në të shtunën e madhe!
PAGJUMESI
Si kalë i hazdisur shi në lëmin pagjumësi,
Midis dialogut të qenve, dashurive maciane.
Edhe sikur të pi valium: Made in Gjithësia,
Qelizat e trurit më kanë mbetë në istikame!
Flenë të burgosurit pa vrasje vetëdije,
Se c'kanë bërë e cdo të thonë nesër në hetim.
Flejnë fjalëdhënat me hire nusërie,
Ëndërrojnë: c'do tu thonë të dashurve në takim!
Flejnë të kollarisur burrat e shtetit,
Flejnë nudo gratë e ambasadorëve,
Flejnë deputetët,anëtarët e kabinetit:
ç'ua krodhën dhe kësaj radhe donatorëve!
të gjithë flejnë,flejnë si në amëshim,
në këtë natë pseudodeliri,maskaradë.
Çuditërisht i zgjuar ka mbetë veç shpirti im,
Po dal të rri me qentë e me macet.
ZEPA
(legjendë e sajuar)
Një vajzë e harlisur me emrin Zepë,
flirtonte pa teklif me perënditë,
këmishnatën-mjegull i'a grisnin me rrufe,
me murlan i'a shpupurisnin gjijtë.
Pirustia kish qëlluar epsheshumë;
Dashuroj në diell,përndizej në hënë
Perënditë jarane në garë u vunë.
Se kush do ta linte shtatzënë.
Plot tremijë vjet, dhjetë breza perëndishë,
Pirusten Zep e dashuruan si të marrë;
Epshoheshin e tërboheshin mbi të bardhat sisë,
Se nuk mundën ta bënin me barrë.
Pas tremijë e sa vjetësh kryeperëndia,
Firmosi më në fund aktin fatal,
Nuk dihej nga xhelozia,apo nga pleqëria,
Vec dihet se Zepa u bë mal!
Sisët proverbiale në Bargjanë,
(shpagimi mashkullor i dashurisë qiellore);
përjetësisht lagin buzët e djaloshit Fan.
Vajza bëni dashuri tokësore!
VIKTOR GJIKOLA
QENDRESA E FAJIT
Dhe zjarri ra në kullën me myshk
Gjuhët e flakës u grindën në erë
U dogjën stolitë me syndyq
Dhe krejt relikat me vlerë
Në pirgjet e larta me hi
ku gjithcka u kall me rrëmbim
kishte shpëtuar për cudi
një fletë ku shkruhej faji im.
LUMI MALLË
Tre prille vonuan të vinin
Vonoi bari të mbijë e lulja t'hap fletën
Liqenet nguruan të shkrinin.
Tre prille në Lurë nuk erdhën
Legjenda thotë:lurasit ikën n'vrri
Me kokën gjysmëkthyer nga trojet.
Bornaja,bjeshkënaja u nxi
Dhe lot pikuan krojet.
E loti nër lugje rrodhi rrkajë
Prilli vendosi në mal të dalë.
Bjeshka nga pritja shtrydhi gjoksin pastaj
Dhe nga gjitë i rrodhi nji lum'me mallë
Lurasit u kthyen me prillin bashkë
E tek Carani rindezën zjarrë.
Pastaj tek lumi fytyrën e panë
E, që atëherë lumit i thërrasin:Mallë.
KA 85 VJET
Shtatë gurra të ngrohta gjaku
Rrodhën mbi akull.
E shpellës akulli nuk u shkri
As gjaku muk u ngri
ka 85 vjet
shtatë mangore gjaklyer t'shkyeme me thikë
mbi shtatë shkëmbenj të bardhë dridhen
e era verioer s'ka mund me i tha
as kroi i bornajës s'i ka la
ka 85 vjet.
Shtatë kangë majëkrahu
Si shtatë këmbana që thërrasin lirinë
E shpella e Akullit jashtë shpalos lavdinë
Si flamur i madh për shqiptarinë
ka 85 vjet
Shtatë e shtatëmijë gurra të ngrohta gjaku
rrjedhin e rrjedhin mbi akull
e akulli i Ballkanit nuk u shkri
As gjaku nuk mundet me ngri
ka 85 vjet.
(1. Shpella e Akullit në Lajthizë të Mirditës ku serbët hodhën 7 luftëtarë mirditas)
BORANA
Miqtë e vegjël të Boranës
mblodhën si zogjtë tek Kroi i Bardhë
disa mbështet tek krahët e nënës
Të tjerë shtegut radhë radhë
Borana loz me valët e kristalta
Dielli mbi flokë i derdh argjent
Flladi që vjen nga pishat e kaltra
I bëhet krah si flutur rend
Klodi që rrin tek babi mbështet
Befas e lut të ëmën:
-moj mamë kur të kthehemi në qytet
Më blej një motër si Boranën
Nanë e babë buzëqeshin lehtë
E shoqishojn e shohin nër sy
Në mes u ra një hark i ylbertë
E një vajzë e vogël shëmbëlleu aty.
PRENG MACA
ZJARRMI
Unë e ndjej dorën tënde
Që dridhet si gjethe në erë.
Ti prek dorën time,
Si një degë prej kohësh prerë.
O motra ime
Ç' të bëj unë me ty,ç'të bëj unë pa ty!
Kali i trembur i Gjergj Elez Alisë,
Kullot livadhet e fushës.
Pa u trembur kullot e trashet,
E nuk i ndigjon ma mamuzet,
Në barkun e tij të dhjamur.
I mjeri unë për ty
Që të shoh shtrirë,
Shtojzovalle e mjerë,
Drenusha ime Drenicë!
Ti je si agu,më zë në pritë.
Unë pres në bjeshkët e Namuna,
Në kroje,
As rri zgjuar as fle,
Por i trazuar
Pres zanat të vijnë,
E të më gjejnë mes dy djepave,
Kur qajnë dy fëmijë.
E të më japin zanat
Qumshtin e tyre çudibërës
E unë të ngrihem, e të bie
Motra ime e shtrenjtëza ime,
E brishta ime,
Plagëpërgjakur,trupmpakur,
Klithma ime
Drenusha ime,
Drenicë
Ti je agu,që më përgjon çdo ditë.
VARRI MAGJIK
O dashuri e shkuar,
O dhimbje e tashme!
Vuajtje magjike.
Ditëpërditë mundohem
Të hap një varr për Ty,
Dhe,sa më shumë e hap,
Aq më i vogël bëhet,
E nuk të nxë.
MALLI
Ti je ditëmoti im i vranët,
Që më bën të më dhembin kockat,
Nga shiu parathënës
Ti je.. ajo letra e ardhur nga larg,
Kur nuk i përgjigjesh,
Zihesh si zogu në lak.
Ti je molla e pambaruar,
Që duke shpejtuar të shkosh diku,
E hedh pa ngrënë.
Ti na bën të butë,
Njerëzor e të kujdesshëm,
Për të mos harruar,
Se jemi të vdekshëm.
Kurorë e dhembjes mbi kokë.
Na rrethon lehtë ,lehtë
Për të mos na lënë të qetë.
VDEKJA E PLAKËS
E qeshi,e qeshi, e qeshi
Kur ne të dy na pa,
Tek putheshim sa deheshim.
E foli, e shpifi,
E prap qeshi,
Derisa protezat i ranë në gojë,
E në fyt
E u mbyt
Në gojë i gjetën
Një kupë helmi.
ÇIFTELIA
Unë jam çifteli,
Tingëlloj,
Kur më merr në dorë.
Bëhem e gjallë,
Dridhem,
E nxjerr një zë.
E bash atë botë më shohin të gjithë.
Po ç'faj kam!
Kur jetoj,
Duhet patjetër të dridhem,
Bashkë me kangën.
O kangëtar,
Jam në dorën tënde!
MARK SIMONI
NE RRUGE ECIN AMBALAZHE NJERZISH
U kacavara në litarin e absurdit dhe zbrita
Brënda njeriut,
Hapësirave të tij.
Në bodrumet me ndricim të pjerrët aplikatorët sajonin
Maska të ndryshme fytyrash,
Për ti paraqitur në të jashtmen e tij,si parulla festash,
Diku anash doli e u fsheh lepuri i frikës,
Nëpër skutat e kokës mijtë e komplekseve e të tmerreve
Bënin dashuri,
Dhe merimangat e ëndrrave shfaqeshin andej këndej
Si neuroza gjithsesi.
Qeni pisanjos i shpirtit kishte dalë të kontrollonte
Kazanët e plehrave
Ndërsa zemra në portë kishte një dry të madh të ndryshkur
Që s'di se c'fshihte,
Sytë si xhama të palarë dritaresh, as shikonin jashtë
As Brenda se fusnin dritën.
U ndala buze honit të gjoksit dhe thirra me piskamë
Njeriun:
O njeri.
Po azgjë nuk mu përgjigj.
Azgjë nuk u tund.
Njeriu,Brenda asaj që unë e quajta njeri,
S'qe askund.
Vetëm ambalazhi i tij
Bënte muhabet,
Ngrihej në detyrë,
Pinte kafe,
Shëtiste në rrugë.
FLOKET RANE KREJT
Flokët ranë krejt.
Majmuni i shpirtit don të imitojë por s'mundet,
Tjegullat e zemrës u thyen,s'e mbajnë dot shiun,
Drurët dhe trarët u kalbën,
Dhe fjetinën e kraharorit e mbuluan merimangat
Dhe bubaqët e zinj,
Sillen në mua zvarranikë ethesh,
Akrepë që hanë njëri-tjetrin,
Kërcasin hatllat,
S'kam forcë t'i mbaj
Tashmë cdo gjë e mbuloi brenga.
Ikni o njerëz se po shembem,
rrënoja ime mos iu zërë brenda.
E DI NUK ESHTE KOHE LIBRASH
Indiferent hutimi.
Shkrimtarët si lëkura të regjura,
në gardh të kohës kanë mbetur,
një shoku im poshtë tabelës ndalohet duhani
cigaren e inatit ka ndezur.
M.Simoni bujtinë e cmendur(poezi)
Si një copë lekure e harruar,në gardh i hedhur.
E di nuk është kohë librash.
Vëmendjet janë zverdhur.
ZEF ZEFI
MISTERI I LINDJES
Qetësi
Në hapësirën e pamatë të arës.
Kruaj zërin të thërras,
Fusha më vjedh frymëmarrjen,
Me gishtin në buzë më bën shenjë
Të hesht
Shsht
Nata ka trille
Vasha druhet prej syrit,
Shtatin e fsheh.
Fryn deti,
Dallga psherëtin e lodhur në breg,
Kënga ka nisur një cast
Në afshin e dheut të sapolëruar,
Dëgjohen vetëm ofshamat mëmësore të brazdave
Nëpër dridhjet e natës që pret
Kotem mbi këtë pritje topitëse
Ndërsa gjumi rreket të më gjejë qepallën
Ai shkundet e bie.
Si një kokërr loti,
Si një bebe shprese
Në prehrin e një ëndrre.
HOROSKOPI
Kur qielli u pa
Të nderte kaltërsinë
Mbi intimitetin e natës,
Thanë
Dashuria u mrrol
Puthja u gëlltit
Dëshirat pagane si dallëndyshe të trembura
dolën nga lëkura e fatit,
të kokrronin yllsitë.
NDUE BURAKU
ETJE
I vetëm jam në një plazh të braktisur
Ku dallgët futen vend e pa vend
E ti si shtriga e përrallave
S'më lë të pi në burimin tënd.
Drejt hijes së palmave rend,
Në burime të tjera të pi,natyrisht,
Packa se etjen e shuaj,
Burimin tënd dëshiroj marrëzisht.
Dhe,në se vërtet ti je një shtrigë
E asnjë pikë ujë s'ke për të më dhënë,
Do ik prej teje,s'do t'i shoh sytë
Të mbetem për ty vec një përrallë.
LIRIKE
Kaluan vite pa u parë.
Befas një ditë u gjendëm kaq larg.
Si mund të rrojë zogu pa qiell,
Si mund të rrojë deti pa dallgë?
Netëve të lagështa nëpër terr,
Unë meteor që fikem pa gjëmë.
Ti bëhesh re,shtrëngatë derdh.
Si s'mundem vallë ta shuajmë mallë?
Malli i trishtë bëhet lumë.
Po përse dot se kapërcejmë?
Ndoshta jemi dashur aq shumë
Sa njëri-tjetrin s'mund ta urrejmë.
GJON MARKU
VAJI I QYQES
Vaji i qyqes
Na ndjek netëve
Nëpër terr.
Në shpirt
Kurbetin vallë
Në c'vit e ka mbjellë?
FOQIA
(Fshat turistik grek)
Foqia-grumbull dheu që noton në det.
Unë-grumbull qelizash mbytur në vetmi
Larg,i shkrirë në një qiell-det
Në dhe të huaj të vrasin bukuritë.
ATY
Aty shelgu lotues
Duket si ombrellë,
Ku rrënja e artë
Puth trëndafilët e kuq;
Aty të kam pritur,
Në ditët me diell,
Në netët e akullta
Acar në shkurt.
Aty ku sot era me degët e shelgut po loz,
Aty kam ndjerë
puthjen e ngrohtë prush,
aty do të më gjesh
sa herë të më duash!
DRITAN GJONAJ
KETU UNE,ATY PRAGU
Këtu unë, aty pragu.
Përtej pragut nëna qan,
Përtej nënës,gardh i zi
Përtej gardhit,arat shkrumb,
Përtej arave,fshati gri,
Përtej fshatit, mali Ii zhveshur,
Përtej malit,retë e zeza,
Përtej reve,piramidat;
Republika e Shqipërisë.
Këtej piramidave,retë e bardha
Këtej reve, mali i blertë,
Këtej malit,fshati im,
Këtej fshatit,arat zverdhen,
Këtej arave,gardhi qeshet,
Këtej gardhit nënë e dashur.
Aty pragu.
Këtu unë përsëri
Dhe ti
SOT ISHA BOSH
Sot isha bosh,
Kafshoja ajrin e lagësht,
Që peshonte mbi trupin tim të plogësht.
Një flutur kaloi më parë
Atje tej
Dhe ajrin lehtësoi.
Gjithcka u drithërua,
S'di a u regjistrua
Në aparatet sizmike,
Apo u zu në gjumë!
Nuk di,nëse dridhej ajri,
Apo dridhej brenda meje vargu!
ELINDA MARKU
JETOJ ME DY VARRE NE BALLE
Ti je një javë dritë
Nën shiun e hirtë
Të kohës time
Ti je një copëz qiell
Blu i saktë
Përpara shpërthimit të
Stuhisë.
Nesër do të zbresim
Në qiellin e kujtimeve,
Ndaj e tanishmja e shqetësuar
Turbullon gjithcka!
REBELIMI I ZJARRIT
E njoh rebelimin e zjarrit,
Tek shuhet
Dhe atë të akullit,
Kur shkrihet,
Shembjen e qënies time e di,
Ndërsa gërmadhat që po më zënë,
I ndjej!
S'di të bërtas,
As të kërkoj ndihmë!
KU JANE PUSHTUESIT
Blejmë këpucë të grisura.
Lotët tanë të mbaruar
I huazojmë reve barkthara
Qiellin rrobëshqyer e ulim rrëzë kokës
Këto ditë të tmerrshme ndjellim fatkeqësi,
Osetërmet që s'mund t'i shpëtosh.
Qyteteve,rrugëve qarkojnë paqeruajtësit
Të heshtur,indiferentë,të cuditur
Për ardhjen e tyre.
Këmbë të huaja ketu s'kanë shkelur
Vecse ne veshim këpucët e të tjerëve
E na rrijnë tamam.
Armët e tyre heshtin,
tonat qëllojnë vetveten,
duke shpresuar tek mëkatet.
PIKELLIMI I MENCUR
Lezhën në Lezhë e kam lënë
Shëngjinin dhe Detin
Në Shëngjin dhe në Det
Prej andej kam marrë
Diçka nga Drini,
Një letër të pashkruar,
Dy libra
Një zarf bosh
Kaq pak!
Po Lezha më vjen tri herë në javë
Tri herë në javë i shkoj Lezhes
Ditët mes këtyre tresheve
Vdestek një poezi malli !
DONIKA TUSHA
STINE E HESHTUR
U zgjova te shikimi yt
E vdiça po aty.
E sotmja nuk pret të nesërme me ty
E nesërmja s'do të ketë c'ti kujtojë të sotmes
E djeshmja s'është më.
U këputa prej vetes
E rashë si gjethet në stinën time të heshtur.
Stinët mu bënë një.
Dimri vjeshtë,
Pranvera vjeshtë,
Vera vjeshtë,
Vjeshta
azgjë.
JASHTE CASTIT
Sy më sy shihen çastet
Jashtë tyre
Të mjerë sytë e mi.
Gjithçka e bukur është atje
Pa mua
Dhe s'di
Braktisur jam e harruar
ORE TE DEHURA
E theva pijen mbi tavolinë sonte,
I piva qelqet e thyera,
Tymin e cigares kafshova
E shpëtova prej dehjes
E prej vdekjes
Mbeta përrallë e gjallë
Trefish mu nxi nata,
Një herë për mua
Një herë për dashurinë time
Një herë për vetminë e të dyjave
Tridhjetë herë dështoi qielli
Pa mundur të lindte asnjë yll,
Treqind kohë larg mërgoi mëngjesi,
Kur erdhi,
Qe pa ty,
E unë përrallë treqind vjece.
Çudi si jetova kaq gjatë brenda një nate!!!
EKSTREM
S'po mundem të rikthehem prap
tek vetja
jam harruar në lulen e bardhë
Brenda vazos së qelqtë
Mbi mobiljen e drunjtë
Në cepin e dhomës së ftohtë
Ku herë pas here vjen i panjohuri im
Që s'më njeh
E më parfumon ndonjëherë
Netëve të vona,
Me parfumin që i pëlqen
VIOLETA PËRLEKA
LOJA E DASHURISE
Si një fëmijë të paligjshëm që klith e bërtet
Sa kohë e kam mbajtur dashurinë të fshehtë
Dhe ti aq kohë më mbajte me shpresë
Sa c'ruan trëndafili mëngjesit pak vesë
VITE
18 vite të jetës sime si 18 zogj të trembur
harruar në folenë e kaltër të qiellit
si 18 agime mbi qepalla të syve të natës
si 18 psherëtima të trishta
si 18 shpupuritje flokësh nga era fajtore
si ikën
18 vite të jetës sime
si 18 minuta larg ditës që linda
dhe 18 shekuj larg teje
|