Klikoni këtu për të shkuar në faqen kryesore të mirditaonline.net
LETËRSI Për anëtarët

Ju jeni: Letërsi -> Ndue Dedaj - Nusja e gurit

AUTORËT

  Darka e fundit...

  Kthimi

  Burri-Grua

  Nusja e gurit

  Dashuri Inicialesh

  Sulltani për gjueti

  

  Letërsi


KËRKIM

www.mirditaonline.net 

NUSJA E GURIT

 

(baladë)

 

Vitet kishin rrjedhur si uji nën urë.

I kishte mbushur të shtatëdhjetat në pranverë e tash në vjeshtë i duhej të martohej. Hapat s'i lëshonte dhe aq lirshëm, si njëherë e një vakth, po shpirtin e ndiente të lehtë pupël.

 

... Eh! Kur patën mbërritur në kufi, nëpunësit e kombësisë tjetër ua patën këqyrur letërnjoftimet me një lloj dyshimi. Të paktën kështu i qe dukur asaj. Pas supeve të tyre trau i kufirit kishte rënë me rrapëllimë. Ndërmend, kishte kthyer kokën prapa. Zemra i qe dridhuar. “A thua e humba përgjithëhere Martinin?”

Ai tra i rëndë rrinte ashtu si një sfinks i dërmuar që nuk do të ngrihej më në këmbët e veta. Me atë mendim të turbullt e pati bërë rrugën prej gjashtë orësh deri në Dogjin, bashkë me të vjehrrin. Pas një muaj Drania do të kthehej përsëri në Rrafsh të Dukagjinit te i shoqi, me të cilin kishte një vit martesë…

Ishte vetëm dy vjet pas Luftës së Dytë dhe të mëdhenjtë e shteteve herë ngrinin, herë shkrinin mes tyre, si ato masivet e ftohta të akujve polarë, që asnjëherë nuk bëheshin ujë. Po ato nuk ishin punët e saj...

Ai trau i kufirit që kishte rënë për të mos u ngritur, sikur shndërrohej në shkop dhe e tutlonte në të gjitha pjesët e trupit.

Ecte dhe kryet e mbante prapa...

 

Fjala kishte marrë dhenë. “Do të martohet Nanë Drania”. Boll kishte pritur.

Për besë, as gurra e lashtë që gurgullon pa pra, prej qysh se s'mbahej mend, nën atë qiell e nën atë mal, nuk kishte pritur aq… Ndoshta kishte pritur një muaj, një vit, tre vjet, po kurrën e kurrës sa ajo grua.

Askush nuk u çudit me martesën e Nanë Dranes. Bile as fëmijët nuk shfaqen habi. Nënë Drania nuk mund të priste më. Por askush nga ata nuk e dinte se si do të ishte dhëndri. Ndonjë djalosh i ri e i pashëm, që për çudi e kishte zënë meraku jo në ndonjë nga vajzat e Dogjinit, që gjithkah u kishte dalë zani për bukuri, po bash në Nanë Dranen? Apo dhëndri na ishte ndonjë plak që i ishte shkrepur në pleqëri të martohej, një Zot e di, për së dyti a së treti? Se çfarë nuk po ndodhte!... Ç'moshë duhet të ketë dhëndri, pyesnin njerëzia, veçanërisht grania. Njëqind vjeç, sekush tha prej tyre. Më të rejat mbeten pa mend. Biseda e granisë u soll e u përsoll rreth dhëndrit e kjo ishte e natyrshme në katundin e nuses, ku dhëndri ishte lezeti i kuvendit, kurse në katundin e tij, nëse ai kishte një katund, biseda rrotullohej dritë e terr rreth nuses. Tash atje me siguri grania po këndonte për nusen që do të vente.

Nuk kishte shkelur nuse si Nanë Drania në atë vend.

 

Grania hynin e dilnin orë e çast javën e fundit në shtëpinë e Nanë Dranes. Ndihmonin në përgatitjen e pajës. Kush merrej me veshjen, kush me dhuratat që do të shpërndante nusja ditën e dasmës. Kishte dhe nga ato që nuk bënin ndonjë punë po thjesht i jepnin kuvend nuses sipas zakonit. Si të mos kishte një përkujdesje të rrallë për atë grua? Secila donte të shlyente diçka nga borxhi që ndiente karshi saj. Nanë Drania i kishte pritur vetë të gjitha ato nuse kur kishin shkelur për së pari aty. I kishte mësuar se si ishin zakonet e vendit, se si nuset e reja duhej të hynin në jetën e Dogjinit. Më vonë, kur kishte qëlluar që ndonjëra të kishte ferkime me burrin a vjehrrinë, ajo prapë do t'i ishte në krah. Nuk kishte heshtur kurrë dhe s'kishte pse heshtte dhe javën e fundit, ani pse zakoni e donte që nusja e motit të mbyllej para dasmës. I rrëshqiste në të rrallë ndonjë pikë loti, por ato që kishte përreth bënin sikur nuk e vinin oroe.

Aty në oborrin e shtëpisë së re, ndërtuar nga nipat që kishin punuar jashtë (i madhi kishte sjellë dhe nusen prej andej, një belge të bukur), Nanë Drania shpesh i hidhte sytë nga Guri i Nuses, tej, në anën tjetër të lumit. Nuk kishte nuse që kishte ardhur në Dogjin e nuk e kishte soditur atë gurë ndryshe nga gjithë të tjerët. Po nuk kishte dhe vajzë që kishte dalë nuse nga Dogjini që nuk e kishte marrë me vete atë gurë në prikën e saj. Mund ta harronte shumë gjëra vajza që dilte nuse prej Dogjini po jo Gurin e Nuses, lulet e fjollës nëpër thepat e tij. Në të vërtetë askush nuk e kishte rrëfyer ndonjëherë historinë e Gurit të Nuses... A nuk kshte qenë nusja e motmotit që, teksa ruante tufën e deleve atyre karmave, i rrëshqiti këmba e ra në humnerë, e mandej gurit i mbeti emri saj?

Bardha, njera nga gratë e reja të Dogjinit, që e kishte dëgjuar atë gojëdhënë ende pa shkelur nuse aty, e kishte pyetur një ditë gruan plakë për atë historinë e Gurit. Nanë Drania kishte heshtur paksa, e sikur të mbyste brenda vetes një ofshamë të gjatë, ia kishte pritur:

- Bij-o, si me ta thënë... Sa nuse ka patur mbi shpinë të dheut, aq histori ka...

 

Iu shkrep të ngjitej dhe njëherë atje në Shullanin e Hanës. Ndoshta për të fundit herë, mendoi. Liza, njëra nga gratë e shtëpisë, kur e pa të çapitej për lart, andej nga merrte udha e Shullanit, nuk ndejti pa i folur. E ku ke gjunj tash me dal në Shulla, bre Nanë Drane? A nuk po bie nata? Ani, bij-o, jam mësuar me natën. Pastaj si po më lënkan gjunjët, a nuk kam për të dalë nuse të dielën? Liza nuk e kishte zgjatur.

Po të kishte gojë Shullani i Hanës do të kishte folur. Pesëdhjetë vjet që shkelte aty. Ndjeu se po ta linte atë Shulla do ta linte zemra. Ishte në sqetull të Gurit të Nuses. U ul mbi një stom dhe po fliste me vete. As miza nuk lëvizte atë buzë nate. Nanë Drania nuk mund të shkëputej nga ai vend. Sa herë ndihej ngusht, sa herë e merrte malli, sa herë donte të shkëputej nga mërzia dhe marramendjet e jetës aty në lokalitet, ngjitej atje. Dhe ra në dashuri padashur... Nuk ishte ndonjë mëkat. Çdo grua do ta bënte atë… Çudi ishte jo dashuria që ajo grua në fillim nuse e më vonë plakë bënte atje, por se dashuria e saj e fshehtë në atë shullà nuk ishte zbuluar nga askush. Gojët e liga do të kishin folur se atë punë kishin. Ku ta gjenin të përlyenin një grua si ajo që bënte dritë nga bukuria e feminitetit të saj. Por Nanë Drania nuk do të binte në zehrin e gojëligëve që po ta kishe bishtin ta prisnin e po të mos e kishe ta ngjisnin.

Ngjitej në shullà e humbiste aty. Njëherë, kur ishte ende e re, si rastësisht i shkon pranë një nga sarahoshët e atyre anëve. “Drane, boll ke ndejt kështu… Edhe ti femër je. Prej mishi e prej gjaku… Përse ta shkosh jetën si një murgeshë… një nuse kaq e bukur, sa me të ra të fiktë para saj!…” Por Drania nuk ishte dhënë pas lajkave të tij, a thua se nuk i kishte dëgjuar ato fjalë. Atëhere ai e kishte zënë për duarsh dhe kishte dashur ta shtrinte në shulla mbi shtrojën e butë të grathtelit që erëzonte. Prit, kishte kërcyer ajo… vetëm një fjalë dua të them, kisha menduar se një burrë si ti e kam gjithmonë në krah, kurdo që të kisha nevojë, e jo se do t'më ndiqte prapa nëpër ferra… Burri krenar kishte larguar duart nga të sajat, ia kishte marrë pastaj dorën dhe ia kishte puthur dhe ishte larguar teposhtes. Drania e nderonte mbi të tjerë atë burrë që jeta e bëri dhe me pozitë në ato anë. Por nuk kishte patur nevojë t'i drejtohej për ndonjë hall. I ruhej fort hallit, se halli ishte një kurth për gruan e pa burrë, mendonte ajo.

Shullani nuk kishte gojë. Vertet si nuk kishte?

 

Nënë Drania ngjitej atje për të bërë dashuri. Nëse ajo kishte mbrapshtuar atë burrin, nuk kishte bërë kështu me një tjetër burrë… Dilte në cep të Shullanit dhe i thërriste Martinit… dhe ai vinte herë nga shtegu i Gurit të Vashës, herë nga shtegu i Shtogut… Ajo në fillim e kishte qortuar për atë që ngjau mes tyre, ndarjen ashtu pa krye… por ai nuk i ishte përgjigjur. Më pas nuk flisnin më për të shkuarën, por vetëm humbnin në krahët e njeri-tjetrit si dy dashnorë të djegur nga motet. Rrokulliseshin aty në barin e njomë dhe nuk bëheshin merak se dikush mund të vente aty papritur. Ama, po të vente dikush, Drania nuk do të kishte më sy e faqe të kthehej ne lokalitet. Sa për Martinin, ai do të kthehej serish si hije andej nga kishte ardhur dhe nuk do të mbarte ndonjë turp mbi vete. Jeta e tij kishte marrë tjetër udhë, ai tashmë i kishte humbur lidhjet me atë qiell e me atë mal... Vetëm gurgullima e gurrës së lashtë e sillte ndër mend, se ai vërtet kishte dalë nga zhaurima e atyre kreshtave. Kishte jetuar për atë gurgullimë po ajo si duket qe zemëruar më të dhe e kishte tretur larg… Nëna i kishte vdekur shpejt, i ati po ashtu, vëllezërit e shtynin jetën aty ku kishin lërë, nën atë qiell e nën atë mal. Ai u kishte rënë për hise, siç atij i kishte rënë një hise tjetër e botës. I dhembte në zemër Martinit, se krejt papritur kishte humbur një thëllëzë të rrallë, Dranen! Ndaj sa herë i dëgjonte zërin aty nga majëkodra e Shullanit linte çdo gjë dhe... turrej për te ajo. Por dhe për këtë ia njihte meritën asaj. Në të vërtetë ai kurrë nuk kishte dashur që ajo të shenjtërohej në sytë e njerëzve të Dogjinit, ajo nuk kishte qenë e nisur për atë gjë. Ajo do të kishte fëmijë si të gjithë gratë e tjera. Por ja që fati i saj kishte qenë i ndërthurur me fatin e tij të trazuar…

Nuk mund të mbahet mend se sa herë ata të dy harroheshin në krahët e njeri - tjetrit gjer në mëngjes. Më të rënë rrezet e para të hënës, ajo ngrihej si e hutuar. Ja, dhe pak, i thoshte ai. Atëherë ajo i përsëriste atë që ia kishte thënë me qindra herë:

“Ruej se më lë shtatzanë”

Por ndodhte jo rrallë që ai nuk mundej të dilte atje kur e therriste Drania. Atëbotë mes brigjeve që i ndanin ngrihej një furtunë e çmendur. Ujët e Fanit turbullohej dhe Martinit i duhej të priste në bregun tjetër aq gjatë sa i merreshin mendtë duke vështruar vërshimin e pandalshëm të lumit. Dranes i fishkëllenin burra të tjerë, ndonjeri dhe qeshte me pritjen e saj…

Vinte prap dita apo nata kur ata do të gjendeshin bashkë aty në vetminë e Shullanit të Hanës.

“Ruej se më ban me barrë.”

“Nuk thua, dhashtë Zoti të kemi një djalë?”

“Nuk asht koha.”

“Koha ka kalue…”

“Si të them!…”

“Nuk më the Drane, a të pelqeu ora që të çova dhuratë? E kam zgjedhur në orët më të mira. Dola enkas për të një javë rresht. Nuk lash dyqan të Nju Jorkut pa kërkuar. Gjersa gjeta orën që të solla…”

…?

“...Nëse nuk të ka pëlqyer, mos thuaj sa për të më bërë qejfin!”

“Më ngjan si një shpirt i vdekur.”

“E përse, Drane?”

“Se orët tona nuk mbarokan kurrë…”

Martini dëgjonte e nuk thoshte gjë. Drania kishte… sa kishte që priste? Vërtet, ndoshta e vetmja dhuratë që nuk duhej bërë ishte ora! Po ai kishte menduar se ora ishte kujtimi më domethënës, pastaj një orë nuk ishte dhe aq problem në kapërcimin e doganave në shtatëqind kufij shtetesh nga do të kalonte për të mbërritur deri në Dogjin… Tek e fundit, Drania nuk kishte pse t'i dinte a t'i merrte me mend të gjitha këto. Ajo thjesht po i thoshte se ora nuk kishte çfarë i duhej. Se mos kishte një punë, se mos kishte fëmijë për t'i çuar e marrë me orar në kopësht a shkollë. Se mos kishte… Ajo kishte vetëm një mal mbi krye dhe atë, Shullanin e Hanës, të cilit mund t'i vente pa orar. Orën e tij e dinte mirë, se i kishin dalë e teprue pesëdhjetë vjet t'i dëgjonte regëtimat e pashpirta të kohës... Atëhere pse duhej ajo ora që ai i pati çuar para 25 vjetësh, me anë të një emigranti politik që i pati dalë falja…

 

A do të vinte dhe atë mbrëmje Martini në Shullanin e Hanës… Thirri… Priti… Po askund koriet nuk lëvizën të dilte ai. Nuk kishte frikë se do ta linte shtatzënë. Nuk kishte frikë nga ora e tij e shndritshme që i ngjante si nje shpirt i huaj në dorë. Tani nga asgjë nuk kishte më frikë. As nga ajo e lumja... Ishte shtatëdhjetë vjeçe… e të dielën do të diltë nuse. Po Liza që i pati thënë të mos ngjitej këtë herë? A thua kishte parandjerë?... Martini nuk po dukej si herët e tjera. Ta kishte harruar? Ta kishte braktisur? Po a nuk kishte çuar ai fjalë për dasmën e tyre?! Nuk kishte më gjallë njeri nga të gjakut që t'ia përgatiste dasmën. I fundit kishte vdekur i vëllai. Nuk pati djalë as vajzë... Pse, a nuk i pati thënë Martinit disa herë që të mos e linte shtatzanë?… Të kishte sot një vajzë, me duart e saj e bija do ta kishte stolisur…

Ishte e premte e të dielën do të dilte nuse. I qe fiksuar se krushqit në vend që t'i reshtnin kuajt zallit, do të merrnin per çudi andej nga Shullani i Hanës… Iu kujtua ajo, Nusja e Shtufit, që kishte vdekur në udhë ditën e dasmës… Si s'pat viti tjetër ditë!… kishin qenë fjalët e fundit të asaj këngë. Por e largoi shpejt atë histori të largët, kur Bardha e ftoi të futej në sediljen e pasme te Fuoristradës. Ishin nja pesë gjashte makina. Kishte dalë gjithë Dogjini ta përcillte Nanë Dranen. Si të përcillte një shenjtëreshë. Pas kishte mbetur Guri i Nuses.

 

Po binin gjethet e vjeshtës. Të kuqerreme, si ato kujtimet që i ka pjekur koha. E kishin shtruar udhën si me një qilim të verdhemë, që të vinte keq të shkilje mbi të. Ashtu të kuqëluara ngjanin dhe shamitë me të cilat ishte stolisur nusja. Makina ndaloi në një si stacion të panjohur. Por askush nga përcjellësit nuk u habit. Siç nuk ishin habitur që kur kishin dëgjuar për atë nusërim të dytë të Nanë Dranes. Atje tej po vinin një lagje krushq… Po sa më shumë dukej se afroheshin, ata iknin. Iknin. Sikur mbanin për andej nga Guri i Nuses… a Shullani i Hanës!

Më të vërtetë mes atyre dasmorëve ishte ai, Martini. Sapo kishte zbritur nga avioni në aeroportin e Rinasit… Ajo do ta njihte, patjetër do ta njihte!

Asgjë nuk ishte fikur në kujtesën e saj. Kishte ndodhur krejt si në legjendë, pikërisht kur nusja e re kishte zënë të endte fillin e jetës, gjithçka kishte marrë për mbrapsht. Me Martinin do të kishte udhë të gjatë për të bërë, udhë që sa e pati nisur. Kur befas kishte ardhur ajo mesditë që kishte këputur telat e dyzenit dhe bashkë me to dhe melodinë e pafundme të shpirtit të tyre. Në kufi, nëpunësit e asaj kombësisë tjetër i kishin këqyrur pasaportat me një lloj dyshimi. Të paktën kështu i qe dukur asaj. Pas tyre trau i kufirit kishte rënë me rrapëllimë. Zemra i qe dridhur. “A thua e humba Martinin përgjithëhere?” Ai tra i rëndë, i ftohtë si prej akulli, heshtonte dhe ajo godina e postës ngjante me një muranë.

 

Të dy ata, nusja dhe dhëndri, kishin ecur aq gjatë për në dasmën e tyre të fundit… Nanë Dranes iu përhi dasma e parë e saj. Tani le të vazhdonin jetën me Martinin e saj të humbur, të lindnin fëmijë. A thua prap do të takohej fshehurazi me të atje të Shullani i Hanës… Ah, po ç'kishte ajo nusja e largët që kishte vdekë në udhë ditën e dasmës që nuk po i shqitej? Nuk e dinte ajo se Nanë Drania nuk kishte vdekur njëherë, që të ishte ringjallur? Ndryshe si do të mund të martohej ajo pas kaq kohe?…

Kurse Bardha mendonte se, sado Nanë Drania të vendosej tani në ndonjë vilë në kryeqytet bashkë me Martinin e saj, ajo mund të rronte vetëm atje larg te ai Guri... Sa i vjetër ishte ai gur? Po historia e tij?

E ku kishte histori të vdekur ai gur… e bashkë me të dhe ai trau i largët i kufirit, tretur e patretur në gjëmimet e kohëve.

                                                                                                            

Të gjitha të drejtat e rezervuara © 2004 mirditaonline.net