CIGARJA E NDEZUR
Edhe sot ta ndjej prekjen e dores,
Mbi kopsën e vetme të xhaketës së shkollës:
Do ftohesh, i varfër! Dhe ilaçe nuk ka.
O burrë camërdhok i maleve të mëdha!…
Dhe shkoje zemëruar,
Si cigare e shuar.
Edhe sot ta “vjedh” fletorkën me mbresa,
Nga brigjet e Ebros, nga Spanja, nga Shpresa;
Hemingueit ia the, apo Heminuei ta tha:
Kush vdes ditë për ditë, vdekje e fundit nuk ka!
Se vije duke qeshur,
Si cigare e ndezur.
Erdhe ti pastaj në Mirditë zemrak,
Në burgun e Spaçit yt bir;
I verdhë limon i jugut, i gjatë lis veriu,
Në ty rënkoi: Ajër! Pisha dhe njeriu…
Dhe shkoje zemëruar,
Si cigare e shuar.
Edhe kafen e fundit e pimë në shtator,
Dy sytë e kahershëm liqene nën borë,
Kërkonim thellë tyre një barkë shpëtimi,
Dy krahë shqiponje t'i nxirrnim nga dimri.
Se vije duke qeshur,
Si cigare e ndezur.
Hemingueit ia the, apo Heminuei ta tha:
Kush vdes ditëpërditë, vdekje të fundit nuk ka!
Andej nga shkon Petro, valë lëshon Dhërmiu,
Andej nga vjen Petro, lule mbjell njeriu.
Dhe shkonte zemëruar,
Si cigare e shuar
Se vinte duke qeshur,
Si cigare e ndezur.
ENDRRA
Tani unë po eci në qelq,
Me dy këmbët në tavanin e qiellit;
Kryet më varet në tabanin e botës.
Një fëmijë trembet nga befasia;
Nga ky fat tmerrohet një piktor.
Fqinji kanibal më njeh fytyrën,
Nga përshkrimet e gjyshëve kainë,
E shikon mirë e mirë, pasta puth mllefin e vet,
E flak tej dhe fshin dorën për xhepi…
Po vazhdova të fle,
Ëndrra do të më mbysë!
Kryet më varet në duart e botës.
Dhe kam uri, po frutat e qiellit janë yjet,
Dhe yjet nuk hahen se ta djegin gabzerrin…
Turli zërash më derdhen në vesh,
Zërat të afërt, zëra të largët;
Të gjithë vijnë nga toka.
E unë jam me këmbë në qelq.
Djathtas rrëshqas, majtas rrëshqas,
Para rëshqas, mbrapa rrëshqas.
Në mua ngulen pemët. Si drith derdhen yjet.
Në mua përmbysen varret, së prapthi tunden djepet.
Me majat e flokëve mbështjell gurin e caranit,
Mos të harrohet, mos të shkapetet.
Dhe ende nuk e dinë se kus është
Pikëmbështetja ime reale…
Po vazhdova të fle endrra do më mbysë!
Kullat e mia të bardha i njoh nga tymi;
Udhët e mia të ngushta i njoh nga përplasjet;
Fabrikat e mia i njoh nga heshtja;
Pyjet e mi njoh nga zjarret;
Politikanët, nga deklaratat entusiaste.
Dhe nënat i njoh nga qëndrimi i gjatë
Para dyerve te rënda të shtëpive…
Vetëm fëmijët, fëmijët, oh! Si t'i dalloj!
Sapo shoh ata, globi më vjen rrotull.
Sepse jam me këmbë në qelq,
Dhe me kryet në duert e botës.
Po vazhdova të fle,
ëndrra do më mbysë!
KUJTIME NGA KOHA E MIGJENIT
Kur ishte ai fëmijë,
Unë isha një ëndërr,
Milloshi shkoi në shkollë,
Unë shkova në djep;
Të dy dëgjonim ninulla,
Dhe njësoj frikësoheshim nga krismat e armëve.
Nuk u muarr vesh kurrë,
Cilin djall vrisnin ato armë…
Çdo kohë ka ngjitjet e veta,
Milloshi u bë mësues,
Unë-Lul i vocërr.
Dhe dorëpërdorë shkuam deri në qiellin e klithmës.
Po kush vallë na dëgjoi,
Kush vallë na besoi,
Veç dheut të tokës sonë?
Dhe kishim aq ftohtë,
Sa Milloshi u kollit rëndshëm,
U sëmur vdekshëm dhe shkoi të bëhej Migjen.
Nga qielli i klithmës unë zbrita në rafshadhe,
Me shpresën për antivarfëri;
Fitova apo s'fitova
As tash nuk e di!
Dhe unë kam filluar të kollitem rëndshëm,
Nga mungesa e duhanti,
Nga përllomja e kafesë,
Nga tradhëtia e lekëve te mij,
Nga ngjyra marramendëse e rrenave.
Vrafshin veten rrenta!
Vrafsh veten dhe ti bukuri që vret.
Në ç'kohë jetojmë? Milloshi kaherë është bërë Migjen,
Dhe përsëri apoteza e misrit është në shesh.
A don qymyr?!
Zotni apo shok, a po merr vesh…!
JETESHKRIM
Brenda meje gjallojnë bukurisht,
Një fëmijë,një burrë dhe një plak;
Një top a një glob e rrotullojnë,
Secili sipas mënyrës së vet.
Në mua banojnë dy Ajkuna,
Njëra e ka punën andej Drinit,
Tjetra këtej Drinit rropatet.
Unë vet mbeta shtëpia prej molle të egër…
Më kafshoi njëri Drin e u bë i Zi,
Më freskoi tjetri Drin e u bë i Bardhë.
Unë e di,përtej dashurisë është prapë dashuria,
E thirrur prej meje dashuria bëhet pëllumb,
Fluturon, epasi lodhet e lodhet,
Vjen e më zgjon nga ëndrra,
Vjen e më thotë se pas luftës,
Duhet të vijë zonja paqe!
Brenda meje banojnë gjithashtu,
Një ëngjëll,një djall dhe një mëni e vjetër,
Lidhur pas lisit të gjakut,
Lidhur pas lisit të tamblit.
Nxjerr kryet neper dritaret e shpirtit,
Numëroj sa herë qëllon Kaini,Abelin,
Me shuplakën e hidhur të humbjes.
Numëroj sa herë qesh fëmija në një ditë,
Sa herë kollitet plaku në një natë,
Sa herë ylberi bahet budalla.
Dhe rryfetoj dyert e mia të vjetra,
Kaq mund të bëj tani për tani,
Unë,kasneci i shpirtit të tij.
Pastaj zgjas meridianët e gishtave mijëra herë,
Hap me të dritaret e miqve të harruar
Dhe pikëllohem para qiellit të gjerë.
Ky qe fati im i egër!
Më duhet te rilind në shumë mënyra,
Që të mund ta largoj qyqen,
Nga parvazet e shpirtit të paepur.
|