SA LARG 
Sa larg i qendrova zhurmës së bubullimave
me çadër nën strehë. Po shiu pikonte
larg vajit të vashës së vejë,furishën pikonte larg brengës
së lagur në kohë, larg vetvetes, sa larg.
Mendja ime largohej, po trupi mbetej aty
ku një re gjithnjë lëshonte shi.
BRAKTISUR
Macja e mplakur lepin kthetrat
të ngjyera në hi,
minjtë nëpër rafte
shetisin pa muzikë.
Qentë lehin ndonjëherë dhe kot,
shtëpia fle
e tëra bosh.
Lulet tharë deri në rrënjë
se ujin s'ua hodhi fqinja
Kullës me gurë të lashtë
ç'ia bren gurin vetmia...
|